Kronikë pas 72 vjetësh e masakrës në fshatin Dunicë të rrethit Pogradec nga terrori komunist
Bedri Blloshmi
Në të dalë të qytetit të Pogradecit udhërrëfyesi i foli shoferit: këtu futu djathtas ndiq këtë përruan. Ai shtriu dorën përpara duke e shoqëruar me fjalët ‘a e shikoni atë kodrën atje në majët fare atje do kalojmë’. Atje i thonë “varret e Grekut”, aty janë zhvilluar luftime të ashpra midis forcave të fashizmit dhe ushtrisë greke. Kurrë nuk kisha shkeluar asaj gryke e rrugës zik-zake që gjarpëronte në pllajën e zhveshur nga bimësia. Në të majtë të përroit gjelbëronin gështenjat që mbulonin gjithë pllajën.Tek-tuk, gati në majë të kësaj pllaje, kishin filluar të dukeshin gjurmët e vjeshtës nëpër drurët e gështenjave. Herë pas here dëgjoheshin të lehurat e qenëve dhe barinjtë që thërrisnin njëri-tjetrin për t’u ngjitur përpjetë duke ndjekur bagëtitë që rendnin për të kullotur. Gjallërinë më të madhe këtij përroi ia jepnin zilet e cepinjëve që lëshonin tingujt njëra pas tjetrës e të jepte përshtypjen se dëgjojnë këngë me iso që këndohet në gostira ose dasma. Udhërrëfyesi na jepte përgjigje të treve që ishim në makinë, ne pyesnim pa pushim e pa radhë e më në fund na thotë ‘flisni me rradhë e më lini kohë që t’i përgjigjem deri në fund çdo pyetje’. Ja këtu gati duket Pogradeci, ndaleni makinën dhe zbresim pak t’u tregoj edhe për gjënë më të vogël që të më pyesni veç me radhë, kohë keni, shumica e rrugës u bë, nuk mban më shumë se një orë, një orë e njëzet minuta maksimumi. Tani e kemi rrugën shumë të keqe, ikën përrojt. Shikoni atë pllajën tjetër që ka atë dhenë e hedhur? Po, ia kthejmë të tre një gojë. Ajo është rruga që niset nga Quksi për të dalë në Plloçë. Projekti ka qenë matanë asaj kodrës dhe priste shumë më shkurt, por e ndërruan. E kaluan atje ku duket siç kemi dëgjuar është dhënë edhe një fond shtesë e nuk dihet do e mbaroje kjo firma që e ka marrë tani.
Sapo mbërritëm në majë të kodrës u ndalëm prapë, ja këtu i thonë “varret e Grekut”, këtu kalon edhe rruga, atje poshtë do hapet një tunel për tu hedhur në pllajën përballë përroit. Aty filluan të kalonin makinat e tonazheve të rënda që punonin në rrugë, retë e tymit ngriheshin përpjetë dhe krijonin një mjegull si të ishin shpërthyer një numër i madh minash. Pogradeci përballë liqenit, Malit të Thatë, qytetit të Ohrit, më tutje Struga me fshatrat e saj dukeshin se shikonin me një vështrim lutës e donin të thonin ‘kur do të bashkohemi si më parë, mos na vështroni por veproni’. U kthyem djathtas duke ndjekur rrugën që gjarpëronte me kthesa të panumërta, krah një përroi për në fshatin ku ishte bërë masakra në një përrua të thellë, rrëzë një mali të lartë me majë të xhveshur nga drurët apo shkurret. Nuk mu durua megjithëse e kisha një farë ideje se si quhesh ai mal megjithatë pyes udhërrëfyesin:
– Si quhet ai mali? Kozica?
– Po, ma kthen po juve nga e dini, më thatë se skam shkelur kurrë këtej?
– Ky mal ka një histori të dhimbshme e di apo jo?
– Kam dëgjuar diçka por hollësira nuk di, mos e ke fjalën për atë vrasjen e 7 marsit 1944 ku u vra komandanti i çetës balliste Haki Blloshmi me të vëllanë dhe disa të tjerë? Këtu me atë rast u derdh shumë gjak. Dunica është nga mbrapa, ja edhe pak, nuk kemi edhe shumë për të udhëtuar.
– Këtë e di sepse jam interesuar, kam pyetur për këtë ngjarje është diskutuar disa herë edhe në familjen tonë.
– Kanë qenë nga fshati Bërzeshtë mos gaboj apo jo?
– Po, po andej nga ajo zonë, juve nga jeni zotëri nga ai fshat?
– Jo, jo unë jam nga Dumreja.
Për të mos më pyetur më gjatë i them si quhen ato fshatrat, ç’është ai dhe’ i gërmuar.
– Atje kalon rruga që vjen nga Qukësi për në Plloçë, ndërsa ai fshati i madh quhet Trebinja. Kurse ato që duken (të lutem ndaloje pak makinën e zbresim të ta shpjegoj mirë) është Çezma e vogël. Më këtej është Çezma e madhe po e zë mali, kurse këtu përballë kemi fshatin që doni juve Dunica.
Qarkuam rrëzë malit, u ndalëm përsëri tek një përrua i madh i cili zbriste zhurshëm uji i bollshëm dhe i shkumbuar duke u përplasur me gurët e shtratit dhe rrënjët e pemëve të zhveshur nga dheri. Kjo tërsëllëmë e këtij uji i cili zbriste me shumë vrull e rrëmbim dhe të jepte përshtypjen se donte të tregonte apo të hakmerresh për një borxh të vjetër, mbasi ky ujë ishte skuqur e përzier me gjakun e luftëtarëve dhe patriotëve të masakruar 72 vjet më parë nga terroristët e kuq, të cilët ishin kundër komunizmit. Terrori i kuq në bashkëpunim me Popoviçët e Mugoshët nuk kishin dëshirë dhe nuk i duronin dot nacionalistët, mbasi e dinin shumë mirë se po të merrte pushtetin Balli Kombëtar u ikte nga duart Kosova, pjesa më e madhe e Shqipërisë e pse jo viset e tjera me banim shqiptarësh të grabitura barbarisht nga fuqitë e mëdha, Berlini dhe Londra, në vitin e errët dhe të mbrapshtë të 1913-ës. Ky përrua dhe më tutje shtëpitë e heshtura, kodra sipër e cila të jepte përshtypjen se ishte në zi e rënkonte se pak më poshtë ishte bërë një masakër dhe ky fshat e përroi e dinin shumë mirë sa gjak është derdhur, e dinin shumë mirë se shqiptari kishte vrarë shqiptarin. Ndërsa faqja e malit të Kozicës, në krahë të fshatit, ishte tërësisht e errët me gjethet e shkurreve të zverdhura pjesën më të madhe. Ky fshat i heshtur i ndarë nga tre përrenj të thatë, që dukeshin si gishta dore dhe poshtë zbrisnin tek një përrua i madh, e me shtëpi të rralla. Në pjesën e sipërme të binin në sy dritaret e vogla të shtëpive që i zinin degët e pemëve, në pjesën përpara të disa shtëpive dukeshin bagëtitë, që kullosnin dhe rrallë herë dëgjohej tringëllima e ndonjë zileje. Oxhakët që villnin tymin e bardhë i cili ngjitel lehtë-lehtë në qiellin e kaltër. Udhërrëfyesi filloi të më shpjegonte duke shtrirë dorën:
– Këtu poshtë janë disa shtëpi që i ndan përroi e më poshtë ka disa pemë. Mbasi unë doja të dija tjetër gjë e ndërpres: Ku ka qenë xhamia e vjetër e fshatit? Po mulliri? Ja edhe pak e arritëm në qendër, ta kalojmë këtë përrua e në dyqan do të gjejmë ndonjë të moshuar e mbase mban mend më shumë se mua.
Më në fund u ndalëm tek një shesh i vogël përreth disa godina e pak metra më poshtë ishte një shkollë. Në krah ishte një xhami e vogël, më tutje një dyqan, me një tavolinë përpara ulur mbi disa kërcunjë tre-katër djem të rinj, përpara kishin nga një gotë raki, muhabeti e të qeshurat e tyre vazhdonin të pashqetësuar nga prezenca jonë. Pak me tutje vinte një godinë tjetër që shërbente me sa duket si magazinë e më pas bënin hije dy-tre drurë arrash dhe më tutje të shkonin sytë tek një lapidar i nxirë e rjepur me dy kollona jo shumë të larta që i bashkonte një pllakë mermeri me një mbishkrim dhe më sipër skuqte si xixëllonjë në fikje një yllë me pesë cepa. Në krah ishin shtrirë dy qen të lodhur nga jeta, shikonin pa u shqetësuar fare. Pak më poshtë ngrihej shkolla e fshatit, në oborr loznin e vraponin fëmijët e vegjel, shkolla nuk qe aq e rrënuar megjithëse katër dritaret përballë xhamisë ishin pa xhama. Ana tjetër e godinës shihte nga përroi, tek-tuk tjegullat ishin thyer me sa duket nga gurët e hedhur nga këta fëmijë. U afruam tek tavolina e djemve që përshkrova më sipër, u përshëndetëm, na ftuan të uleshim dhe ashtu bëmë. I thirrën zonjës së dyqanit: na sill ca gota dhe një shishe me raki, nuk e shikon se kemi mysafirë. Na i mbushën gotat me raki, na uruan për mirseardhjen dhe filluam të pimë. Udhërrëfyesi vajti tek shkolla për të kërkuar mësuesin, i cili nuk u vonua, u tregua i gatshëm se çfarë të dinte për masakrën e 7 marsit 1944 do na e thoshte. Më pas erdhi edhe doktori, u përshëndetëm, mbasi piu një gotë raki më drejtohet:
– Megjithëse miku nuk pyetet, zotëri urdhëro, si e keni hallin? Nga ju kemi e përse jeni munduar? Me çfarë mund t’u ndihmojmë?
– Unë vij nga Tirana, punoj tek arkivi i shtetit, jam ngarkuar që të zbardh të vërtetën e kësaj që ka ndodhur, ky fshat ka shumë për të rrëfyer, ne do bëjmë një rishikim të asaj ngjarje të përgjakshme, ju personalisht çfarë dini?. Po munde të na takosh nëse ka ndonjë të moshuar që ka asistuar në ato momente? Megjithse kanë kaluar gjith ato vite dhe kujtesa bën të veten dhe shumë kanë vdekur ne duam vetëm të na thotë të vërtetën si ka ndodhur. Sa vetë ishin çeta balliste? Kush njoftoi për prezencen e tyre në këtë fshat? A është e vërtetë se një pjesë e tyre i ngjitën në majën e Kozicës dhe atje i pushkatuan? Po vendgroposja ku ndodhet? I groposën bashkë? Po lista emërore pse nuk i ka të gjithë emrat e të vrarëve? Nëse ishin mbi 500 ballistë ku qëndruan atë natë? Po të ishin 500 burra siç është thënë pas shkrimeve të kohës ku u strehuan? Dunica aq shtëpi ka si mund të rrethohen e dorëzohen 500 burra? Kush i preu në besë? Po ato familje që i strehuan a patën pasoja më pas nga regjimi diktatorial? Po ajo gryka atje në krah të Kozincës si quhet, janë vrarë nacionalistë atje?
– Ajo gryka e malit quhet Sanakos, këtu tek cepi i xhamisë së re ka qenë xhamia e vjetër siç tregohet, ka ardhur një tjetër Blloshëm mbas një jave, kërkoi të mblidheshin në xhami. Pothuaj u mbush xhamia, zgjodhi disa burra, i lidhën e i morën poshtë e i vrau aq burra sa ishin vrarë më 7 mars, filloi të shpjegonte doktori i atij fshati. – Këtu poshtë në krah të përroit kam dëgjuar se janë ekzekutuar disa, por se sa unë nuk mund të them. në Kozicë kam dëgjuar që janë vrarë. Koha është e largët dhe ajo ngjarje nuk mbahet mend, por është e vërtetë që këtu, ja atje poshtë ka ndodhur.
– A do vemë poshtë në përrua ta shikojmë vendin?- e ndërpres.
– Po ore patjetër, hajde.
Zbritëm gati 100-150 metra më poshtë, tek ca gurë të mëdhenj anash përroit u ndal.
– Ja kjo copkë sheshi i vogël e deri tek ajo arra kanë gërmuar në vitin 1993 a 1994, nuk e mbaj mend saktësisht, u gjetën disa kocka, i morën nëpër arkivola e mesa dimë ne janë varrosur në të dalë të qytetit të Pogradecit në të djathtë të xhadesë kur ikën për në Korçë. Unë kaq kam dëgjuar për më tepër nuk të them dot. Janë në një parcelë më vete ballistët.
Rrëkëllyem disa gota raki ashtu në heshtje si për të harruat ato që biseduam. Mësuesi e theu këtë qetësi e më drejtohet përsëri:
– Me sa di unë është një i moshuar që mund të shpjegojë më gjatë por banon në Pogradec. Janë edhe nja dy pleq këtu po i ka lodhur skleroza dhe është e kotë që të bisedojmë.
Më pas bëmë disa foto aty përreth duke përfshirë lapidarin e xhaminë, malin e Kozicës i cili ka të përbashkët me përroin gjakun e derdhur po atë ditë. Është e vërtetë se komandanti i tyre Haki Blloshmi u dorëzua me besën e komunistave se nuk do i vrisnin të tjerët e kapur. Më pas ata qafirë i vranë të vëllain, të parin Shefqetin. Sipas një liste të bërë nga vetë gjakatarët është me 14 luftëtarë dhe më e keqja është se emri i Shefqetit dhe disa të tjerëve nuk ekziston fare. Mbi 13 luftëtarë i vranë në krah të Sanakosit duke përhapur fjalë se i dërguan në shtëpitë e tyre e më pas të bashkoheshin me këta vrasës të cilët thonin “po luftojmë pushtuesin”. Këta gjaksorë është e vërtetë kur thonë kemi luftuar, po është aq e vërtetë që kanë vrarë bashkombësit e tyre dhe kjo nuk ka emër tjetër veç luftë civile midis shqiptarëve. Mbas 50 vjetëve mbasi u shkërmoq “kështjella” e kalbur dhe varrrëmisja e shumë popujve BRSS duket se ndërroi faqia e historisë të përgjakur. Këta luftëtarë që dergjeshin në përroi e vdekjes në Dunicë u ç’groposën nga pjesemarrja e madhe e njerëzve familjarëve, dashamirësve të tyre e me prezencën e shoqatës të të përndjekurve politikë dhe të disa deputetëve u varrosën nën tingujt e Himnit Kombëtar në të dalë të qytetit të Pogradecit, në krahun e djathtë të rrugës që të çon në qytetin e Korçës.
Në kthim shkuam tek varrezat e këtyre luftëtarëve, qëndruam në këmbë në heshtje për t’i nderuar duke përkedhelur fiotografitë e tyre. Iu përshpërita se vija nga fshati Dunicë, e pamë edhe gropën masive, do ta zbardhim të vërtetën se si ndodhi, do ju nderojmë dhe do vijmë vazhdimisht. Bashkë luftuan, bashkë ranë për Shqipërinë duke dhënë edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën. Bashkë krah njëri-tjetrit pushojnë në një shesh, lëndinë e caktuar enkas për këta luftëtarë e besnikë të Shqipërisë. Edhe shikimi i tyre ishte i mbërthyer në Malin e Thatë, Ohër e Strugë, matanë liqenit e gjithë ato vise të Shqipërisë që na i grabitën fuqitë djallëzore të 1913. Këta luftëtarë të lirisë duket se kërkojnë fuqi të shpërthejnë pllakat e mermerta të varreve, të rrëmbejnë përsëri armët e ta shkulin atë gardh e ta vendosin në vendin e duhur. Eh, kushedi se kur do të ndodhë, kushedi sa gjak tjetër do të derdhet për të lëvizur ata gurë të ngulur në vitin 1913.