Përmbaruesit kundër bankave, mbrojnë ministrat për tarifat e reja
Pas komenteve të Shoqatës Bankave, që i cilësoi tarifat e reja të përmbarimit si abuzive, kanë reaguar përmbaruesit.
Përmes një deklarate zyrtare, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve ka sulmuar ashpër bankat duke i akuzuar se po kërkojnë të dezinformojnë opinionin publik për këtë çështje.
Përmbaruesit thonë se Shoqata e Bankave nuk ka asnjë të drejtë legjitime të japë mendim për ligjin e përmbarimit, pasi dispozitat në fuqi ja lejojnë këtë atribut vetëm dhomës së përmbaruesve.
Sipas tyre, pretendimet e bankave, se tarifat e shërbimit përmbarimor do të krijojnë një “barrë shtesë për qytetarët dhe taksapaguesit” janë të pabaza dhe të pamoralshme.
Sipas përmbaruesve, udhëzimi i dy ministrave teknikë, atij të Drejtësisë dhe ministres së Financave, i cili rrit tarifat e përmbarimit është plotësisht konform ligjit dhe duhej të ishte miratuar kohë më parë, por u vonua padrejtësisht.
Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve thotë se nuk gjen asnjë argument ligjor në pretendimet e bankave, përveç kërcënimeve ndaj shtetit dhe institucioneve publike.
Udhëzimi i përbashkët i ministrit të drejtësisë dhe asaj të financave është miratuar më 26 qershor vetëm një ditë pas zgjedhjeve. Ai rrit me dy herë tarifat e përmbarimit privat, një fakt ky që është kundërshtuar fort nga Shoqata e Bankave si abuziv, dhe me motive të dyshimta.