Albspirit

Media/News/Publishing

Tabllo tronditëse e dramës së dhimshme të shqiptarëve në librin e Albert Zholit

Image result for bernard zotaj

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Ditë më parë autori i librit “Ikja e madhe” më ftoi në një takim dhe më dhuroi botimin e dytë të këtij libri, pas 20 vite nga botimi i parë, të botuar në Athinë në vitin 1997. Në faqet librit të autorit Albert Zholi, të cilin e shfletova me vëmendje më solli afër, të përmbledhur epopenë e mërgimit që zuri tokën shqiptare me fillimin e viteve ’90, në fundin e shek. XX. Atdheu i pakët siç na e ndanë të Mëdhenjtë, me territor e popullsi të ndarë nga trungu, kur priste dhe shpresonte që Kosova martire, të fitonte lirinë, njerëzit ikën nga toka arbërore dhe shumica edhe pa kthim.
Lëvizja e popullsisë në drejtim të shteteve të perëndimit, si dhe të Greqisë ngjau si gëzim pas mbylljes të stërgjatur të shtetit totalitar, mërgimi, ikja në tragjedi, pra gëzimi dhe tragjedia depërtuar te njerëzit që u përjetua me ankth, njerëzit ikën por nuk dinin se ku po shkonin…
Humbjet ishin të shumta, vdekje çdo ditë dhe shumë tragjike e të paimagjinueshme. Vdekja vinte nga krimi, nga përpjekja e lodhshme për të mbritur në “tokën e premtuar”. Të gjitha këto ngjarje na i sjell të freskëta Albert Zholi, ku me një analizë të saktë të shkaqeve që çuan në largimin masiv të shqiptarëve e sjell me pamje, me episode e ngjarje të trishtueshme, që e shoqëruan dhe vazhdojnë ta shoqërojnë këtë emigracion të paparë në histori.
Ribotimi i librit “Ikja e madhe” na jep edhe një pasqyrë të historisë, të marrëdhënieve të hershme e të sotme midis Shqipërisë dhe Greqisë. Largimi masiv i migrantëve drejt Greqisë krijoi një klimë, sa mirëkuptimi, aq dhe mosbesimi, por autori, ka shpresa se kjo lëvizje do të jetë vetëm urë miqësie. Albert Zholi, pra vet autori duke jetuar e punuar në Athinë, na të tregon jetën e “athinjotëve” shqiptarë, hallet, problemet, mirëqenien e tyre ekonomike, si dhe përndjekjet, përbuzjen dhe mungesën e arsimit të fëmijëve në gjuhën amtare. Autori me shumë kujdes u drejtohet dhe studiuesve arvanitas për të krahasura emigrantët e hershëm shqiptare me kohën moderne.
E veçantë në libër është së autori ngjarjet në emigracion, nuk i ka ndarë nga zhvillimet në Shqipëri. Vendosja e tij në krah të ndryshimeve demokratike, na tregon zhgënjimin e madh të emigrantëve për politikën e qeverisë shqiptare ndaj zhvillimeve ekonomike e shoqërore, por dhe mospërfilljen ndaj tyre. Albert Zholi thekson se shembja e skemave piramidale, përbëri shembjen përfundimtare të besimit të shqiptarëve emigrantë në qeverinë e kohës, pra të viteve 1992-1997.
Libri “Ikja e madhe” pasqyron një përgjekje serioze duke pasqyruar një nga dramat më të mëdha të popullsisë shqiptare, e parë nga analizë libri, është një kontribut me vlerë dhe risi historike dhe publicistike për kohën dhe vendin.
Nga historia kemi mësuar se lëvizjet e popujve kanë qenë një fenomen i njerëzimit. Kjo histori ka ndërtuar botën me shtete të përbëra nga popullsi që u përkasin kontinenteve. Shtrirja e perandorive të mëdha si të egjyptit të babilonisë, të persisë, të perandorisë romake, turke, cariste, napoliane, bën të mundur dhe në kohëra moderne të lëvizin etni në drejtime të habitshme.
Me mesjetën është e lidhur dhe lëvizja më e madhe e popullsisë të trojeve shqiptare. Kështu fshatrat shqiptare në Kaukaz, në Ukrainë, arvanitasit në Athinë e Peloponez, siç lexojmë në faqet e librit, deri tek arbëreshët e Italisë së Jugut, apo diku tjetër në Ballkan, Evropë, Amerikë etj.
Lëvizjet e fundshekullit XX dhe deri më sot drejt Greqisë, Italisë, Gjermanisë nuk janë ndonjë fenomen i ri. Në këtë ngjarje të kohës të reja janë përmasat e largimit nga viti në vit.
Autori i librit kur e kishte përfunduar së shkruari, në Shqipëri, ndodhën zgjedhjet e parakohshme të organizuara më 29 qershor 1997. Albert Zholi shkruan se “një det dhimbjesh ishte kthyer në një det entuziazmi dhe gëzimi. Sheshi “Kanigos”, i mirënjohur për demonstrata e manifestime, ishte më i mbushu se asnjëherë tjetër… Në Kanigos u firmos fitorja e socialistëve shqiptarë, shkruanin gazetat greke të nesërmen. Dhe ajo që organizoi këtë miting ishte shoqata “VËLLAZËRIMI”. Mitingu i “Kanigos” ndoshta nuk do të përsëritet. Le të nisë këtu udhën shpresa e madhe e njerëzve të thjeshtë për një jetë më të mirë në vendin e tyre!
Botimi i librit të dytë nis me letrën e shkrimtares Helena Kadare, të dërguar autorit nga Parisi, pas leximit të librit “Ikja e madhe”, i thotë Albertit se kini dhënë një mesazh shprese për të gjithë të ikurit. Më tej autori vijon me njphjen me arvanitasin e madh, rilindësin e kohëve moderne, Aristidh Kolja.
Autori librin e ka ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë na përshkruan ngjarjet që rrodhën në fillimin e viteve ’90, si hapja e ambasadave, porta e madhe e jugut, vorbullat e politikave greke ndaj Shqipërisë, rrugë të ashpra, ligji dhe antiligji, pranë dritës i paparë, mikrobota Shqiptare e Greqisë, biseda me Aristidh Kolja, si dhe këshilla arvanitase, pjesë të cilat i këndon dhe të bëjnë për vete. Të duket se bëhesh pjesë e këtyre ngjarjeve edhe pse nuk i ke provuar kurrë.
Në pjesën e dytë futesh në terrenin konkret të problemeve si njohesh me Athinën, me tregu i madh i punës për shqiptarët, një copë shtëpi për të futur kokën, fëmijët dhe drama e gjuhës së shkruar shqipe, vorbulla të reja në marrëdhëniet shqiptaro-greke, mikrobota e krimit, Hotel “SEMIRAMIS” dhe rrugica të tjera të errëta, truri i kombit në mërgim, Dritëro Agolli në Athinë, forcimi i vetëdijes dhe organizimi i emigrantëve. E veçanta e këtij libri është se në funt të tij njihesh me mesazhet e personalitetit Aristidh Kolja.
Të gjitha këto fenomene dhe ngjarje shpjegohen me kulturë, me mjeshtëri artistike, siç është shprehu shkrimtarja Helena Kadare.
Urime dhe suksese i nderuar Albert!

Please follow and like us: