Albspirit

Media/News/Publishing

Valbona Mezini: Jemi paradoksi i paradoksit dhe gazi i botës së qytetëruar

 

 

Përditë vdesin turistë në këtë vend, sot vdiq një turist polak. Këtu jo që s’mund të bësh turizëm, por as mund të zgjedhësh të jetosh.

Është paradoksale sesi vendi më i pasur në botë në nëntokë e mbitokë, në mijëvjeçarin e 3 apo shekullin e 21, vuan primitivitetin e infrastrukturës jetësore dhe mendore.

S’ka furnizim me ujë,

S’ka energji në zonat industriale dhe biznesi kërcënohet nga falimenti,

S’ka rritje rrogash, populli vuan për mbijetesë,

S’ka shtresë të mesme shoqëria, por ka oligarkë droge dhe tenderash,

S’ka arsim cilësor,

S’ka siguri jeta (në dritën e diellit cilido kërcënohet nga gjikush). Jeta është gjëja më e lirë, kushton më pak se një karikues celulari.

Edhe na hidhëron një artist që i bën m* këtij palo sistemi qeverisës, duke mbajtur gjuhën ndër dhëmbë.

Po të lexosh historinë jemi populli që si askush tjetër kemi vrarë e internuar njeri- tjetrin, kemi spiunuar motrën a vëllanë, jemi hakmarrë ndaj babait, kemi prishur me vare’ e buldozerë shtëpitë e Zotit, Kisha e Xhamia.

Kemi përzënë nga atdheu mendjet e ndritura, poetë, politologë, shkencëtarë e historianë ndër vite e shekuj.

Nuk duam askënd ta shohim më mirë se vetja, madje rëndon mendojmë, “ça ka më shumë se unë”…

Për rrjedhojë, zgjedhim gjithmonë më të keqen të na qeverisë, si alternativë dhe respektojmë e bëjmë miq, horrin e pasinqertë e mashtrues, madje i servilosemi pambarimisht.

Korruptojmë e korruptohemi për një vend pune apo për një raport tek mjeku, se jemi të dorëzuar se ky sistem qeverisës ka dështuar dhe e keqja na ka mposhtur si çdo herë.

Por vetëdijshëm biem dakort se ‘me të thatin digjet edhe i njomi’ jo rrallë herë. Se nuk besojmë tek meritokracia.

Nuk ka mirënjohje ndër nesh për asgjë.

Ndaj difekti i katandisjes së këtij vendi në skëterrin e prapambetjes, jemi ne dhe mentaliteti ynë, që konsiderojmë çdo mendim “tabu”. Lërini të flasin, të shprehen.

Liria është mrekulli hyjnore!

Dhe na preket sedra, se një artist ia mbathi duke përplasur derën me zhurmë.

Jemi paradoksi i paradoksit si popull, për të mos thënë gazi i botës së qytetëruar.

Please follow and like us: