Albspirit

Media/News/Publishing

Ditari i Haxhi Kroit, njeriut që punoi 40 vite me Enver Hoxhën

Punoi për 40 vite rresht në krah të Enver Hoxhës, duke u kthyer në njeriun e tij më të besuar, pas Nexhmije Hoxhës. Haxhi Kroi, ishte sekretari personal i ish-diktatorit. Kroi dhe Hoxha kishin njohje që në kohën e luftës, miqësi që e vazhduan deri në vdekjen e Enverit. Ai padyshim ngelet njëriu që i qëndroi më afër atij, pasi ndryshe nga shokët e tjerë që u larguan, pushkatuan apo u burgosën, Kroi nuk lëvizi nga posti i tij për më shumë se 4 dekada. Vlen për tu përmendur se Kroi mbajti një post të thjeshtë, atë të sekretarit të Enverit dhe nuk pati ndonjë post të lartë drejtues si ministër. Haxhi Kroi njihet edhe për ditarin e tij të famshëm ku rrëfen jetën dhe sëmundjet e Enverit. Ai në ditarin e tij ka memorizuar komunikimin e dhe të pathënat e kupolës së Partisë dhe të shtetit shqiptar. Ky ditar që u botua nga mediat, duke filluar nga viti 1970 e deri në prill të vitit 1985, nuk ka asnjë ditë shkëputje. Në këtë ditar përshkruhen takimet e Hoxhës me Mehmet Shehun e Hysni Kapon, të njohur ndryshe si dy njerëzit më të afërt të kreut të regjimit. Ditari u zbulua pas vdekjes së Enver Hoxhës ku u dorëzua në dorë të Ramiz Alisë. Sipas të dhënave, Alija kërkoi që ky ditar të botohet për të nxjerrë në dritë jetën dhe veprat e Enver Hoxhës, por ky ditar nuk u botua kurrë. Flitet se ditari nuk u botua me urdhër të Nexhmije Hoxhës. Pasi Ramiz Alija vendosi që të botohet ky ditar, ndryshe mendoi vejusha e Hoxhës e cila kërkoi që mos të botohet. Sipas medias, Nexhmija mësohet të ketë thënë se: “Nëse ka rrjedhur Haxhiu, s’lajthit Partia! Ai në çdo faqe e nxjerr Enverin të sëmurë, madje gjysmë të vdekur. S’ka qenë ky Enveri ynë. Shqiptarëve s’u duhet një Enver i tillë”. Kjo ka të bëjë se në vitet 70 deri në vitet 80, ish-diktatori ka patur një shëndet jo të mirë, kjo bazuar në ditarin e Haxhi Kroit. Ai shkruante se Hoxha mungonte në zyrë dhe në takime për shkak të shëndetit të tij të ligë. Kjo nuk i pelqeu vejushës së Hoxhës, pasi nuk përcillte një figurë të mirë për Enverin.

 

PJESË NGA DITARI

DITARI I VITIT 1970-1971

 3 nëntor 1970
Shoku Enver më tha se i ishte prishur radioja e zyrës dhe më porositi ta zëvendësonim me një “Vaxon”
4 nëntor 1970
Sot paradite do të hapet ekspozita e elektrifikimit të vendit me rastin e përfundimit me sukses të elektrifikimit të të gjitha fshatrave. Shokut Enver i erdhi që dje ftesa.
Disa konstatime mbi punën e oficerëve të Ministrisë së Brendshme, që shërbejnë në aparatin e KQ
Sa largohet shoku Enver, shoh që ma mbyllin derën e zyrës së tij pa më pyetur mua. Kjo do të thotë se, po të dua të hyj në zyrën e shokut Enver, duhet t’i marr leje oficerit të shërbimit. Ky është gabim nga ana e tyre. Thirra Kadri Hazbiun dhe i thashë se askush nuk ka të drejtë të mbyllë zyrën e shokut Enver. Sipas praktikës së deritanishme, del se oficerët e Sigurimit janë mbi Partinë.
16 janar 1971
Sot shoku Enver nuk doli në zyrë.
19 janar 1971
Shoku Enver nuk doli në zyrë. Është pa qejf ai dhe shoqja Nexhmije.
20 janar 1971
Shoku Enver vazhdon të mos vijë në zyrë, pse ka akoma mjaft kollë. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimit të temperaturave, nuk i duron as vapën dhe as të ftohtin. Kollën ia shton më shumë edhe duhani.
22 janar 1971
Më thirri shoku Enver. I çova materialet në shtëpi. I urova shërim të shpejtë.

23 janar 1971
As sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Ai vetë më tha dje se nuk do të vinte, që të përmirësohej e të vijë në mbledhjen e plenumit.
30 janar 1971
Mbledhje e Këshillit të Mbrojtjes.
8 shkurt 1971
Sot shoku Enver nuk erdhi në punë. Priti shokët, që i shkuan për 50-vjetorin e shoqes Nexhmije.
26 shkurt 1971
Shoku Enver u takua me shokun Abdyl Këllezi.
27 shkurt 1971
Shoku Enver më njoftoi se dy-tri javë do të shkojë me pushime.
1 mars 1971
Shoku Enver u nis sot me pushime dimërore në Vlorë, bashkë me Nexhmijen.

15 mars 1971
Shoku Enver u kthye nga pushimet. Siç duket, koha e keqe e ka mërzitur. Filloi nga puna menjëherë, meqë shoku Hysni është sëmurë.
18 mars 1971
Pas disa ditësh, një farë Vasil Nika, që paska vajzën në Ministri të Brendshme, njoftoi sikur e ka gati antenën e televizorit, gjë për të cilën as që i është thënë prej njeriu, mbasi unë antenën e bleva aty ku bleva edhe televizorin 57.00 lekë. Ç’janë këta njerëz!…
22 mars 1971
Më porositi shoku Enver t’i bëj një letër ambasadorit Xhorxhi Robo në Pekin, për t’i kërkuar disa pila për një aparat dëgjimi që pati sjellë shoku Kadri kur ishte vjet në Kinë, pse dy pilat e sjella skaduan. Letrën më tha t’ia jap Bato Karafilit, që niset nesër në Kinë.
27 mars 1971
Me porosi të shokut Enver iu dërgua shokut Piro Dodbiba letra e punonjësit të mekanikës bujqësore të NBSH Vrinë me disa mendime për organizimin e punës.

29 mars 1971
Isufi e Izedini kërkojnë valutë për një pjesë këmbimi për automjetin e shokut Enver. Bisedova me Petraq Postolin dhe Llambi Peçinin si të organizohet kjo punë. Duhet bërë patjetër…
2 prill 1971
Me shokun Hysni: Për nevojat e makinës së shokut Enver.
13 prill 1971
Vahidi (Lama-ish sekretar i Enverit, i dënuar në vitet ’80-shënim i red.) i dorëzoi shokut Enver materialin që i kishte ngarkuar mbi vrasjet në vendin tonë, problem ky që do të shqyrtohet në mbledhjen e Byrosë Politike më 16 prill. Shoku Enver u kënaq shumë dhe e falënderoi Vahidin për punën e mirë. Ai ka qenë 12 vjet me radhë jurist në rrethe e në Gjykatën e Lartë dhe ka një eksperiencë mjaft të mirë. Edhe tani vazhdon të japë leksione në Fakultetin Juridik mbi të drejtën penale.
14 prill 1971
Në zyrën time Nexhmija mori takim me Sevon, Vahidin dhe mua e na komunikoi pakënaqësitë për fjalimet e shokut Enver. Pra, shoku Enver nuk pëlqen produktin e stafit tonë…
24 prill 1971
Shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
4 maj 1971
Shoku Enver përgëzoi Vahidin (i shtrëngoi dorën) për materialin që ka përgatitur për kriminalitetin në vendin tonë. Mbi këtë material, pavarësisht se punova edhe unë një ditë të tërë për ta vënë në vijë, Vahidi punoi 10-12 ditë, duke u liruar nga çdo punë tjetër, prandaj ka një meritë dhe jo unë, siç erdhi dhe më falënderoi kur doli shoku Enver. Vahidi hyri në vitin e tretë të punës, puna e tij lë shumë për të dëshiruar.
24 maj 1971
Sot filluan sekretarët e KQ të bëjnë gjysmë ore pushim, duke u larguar nga zyra në bufe. Kështu mblidhen të gjithë bashkë, por zor të bëjnë pushim. Ata kudo që janë dy, prapë problemet e Partisë diskutojnë.
1 shtator 1971
Sot u kthye nga pushimet shoku Enver.
10 shtator 1971
Pasi erdhi në zyrë shoku Enver, erdhi në takim Haki Toska.
13 shtator 1971
Vdiq Hrushovi.
14 shtator 1971
Erdhi në takim shoku Beqir Balluku.
22 shtator 1971
Mbledhje e Byrosë Politike.
8 tetor 1971
Ora 9:00, hyri në zyrë shoku Hysni. Në orën 9:30 kërkoi takim shoku Manush (Myftiu).
16 tetor 1971
Shoku Enver priti vetëm anëtarët e Byrosë Politike për 63- vjetorin e lindjes. Të tjerë nuk priti, duke pasur parasysh se ka grip në Tiranë, tha shoqja Nexhmije. 18 tetor 1971
Shoku Hysni erdhi dhe më pyeti për masat që duhet të marrim në një situatë të jashtëzakonshme. Ai pyeti: “Kush do më njoftojë? Kush ishte personeli i tij në një situatë të tillë? Si do merren sendet personale të shokut Enver, cigaret, filtrat, letrat, boja etj. Apo me këto do të merret Mehmet Shehu”, tha shoku Hysni.
19 tetor 1971
Shoku Enver nuk doli në zyrë.
20 tetor 1971
Më dha shoku Enver ditarin e vitit 1971. Me shoqen Nexhmije do të shkruajmë me anën e Vaicës edhe një seri konsideratash të tjera të tij nga blloqet dhe nga shënimet e tij dorëshkrim, që ka në arkiv.
23 tetor 1971
Pas disa ditësh qëndrimi në shtëpi, pasi ishte pa qejf, shoku Enver doli sot në punë.
11 nëntor 1971
Shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
12 nëntor 1971
Shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
13 nëntor 1971
As sot shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
15 nëntor 1971
Shoku Enver më kërkoi nga shtëpia disa të dhëna për rrethin e Skraparit.
27 nëntor 1971
Shoku Enver u nis për një vizitë në rrethin e Skraparit.

Please follow and like us: