Eksperimente mbi hebrejtë në Buchenwald, eksperiment mbi fëmijët hebrej pas Lufte
Gazeta izraelite Haaretz sjell në një shkrim të sotëm, historinë e një mjeku gjerman, Hellmut Haubold, profesor pediatër në Mynih, i cili në janar të vitit 1960 u ftua nga disa prindër hebrej në Izrael që të trajtonte disa fëmijë me sindromën Daun. Në atë kohë shkruan gazeta, përflitej se doktori aplikonte një metodë të re që konsistonte në injektim qelizor në trurin e fëmijëve me probleme. Mediat raportuan si lajm mbërritjen e mjekut, i cili nga sa rezulton së fundmi ka qenë një nga drejtuesit e ekipit të mjekëve SS që kryenin eksperimente në kampin e përqendrimit në Buchenwald. Haaretz shkruan se haubold ishte mik i kriminelëve nazistë që kryen vetëvrasje pas Luftës së Dytë Botërore dhe lajmi për këtë pjesë të biografisë së tij është bërë i njohur nga një pedagog historie në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit, Oded Heilbroner.
“Kjo është një histori drithëruese dhe skajshmërisht e çuditshme”, shprehet Heilbroner për gazetën. Sipas tij këtu kemi të bëjmë jo me një njeri dokudo, por me një mjek që kreu eksperimente mbi të burgosurit dhe pas Holokaustit shkoi në Izrael për t’u injektuar substansa fëmijëve me kërkesë të prindërve. Cinike dhe nuk do shumë imagjinatë të kuptohet se çfarë ka menduar doktori në fjalë në kushtet e një kërkese nga Izraeli.
Heilbroner e ka zbuluar faktin e pjesëmarrjes së tij në SS dhe në eksperimente rastësisht, duke kërkuar për sëmundjet mendore dhe vetëvrasjet në Izrael. Ai ra në kontakt me një diskutim të bërë në një komitet të Parlamentit izraelit – Knesset – në janar të vitit 1960 mbi shtrimet në spitale për shkaqe psikiatrike, ku vihej në dukje se profesori në fjalë, kishte qenë pjesë e eksperimenteve në Buchenwald.
“Dua të shtoj një pyetje për një çështje aktuale. Lexoj në shtyp rreth mbërritjes nga Gjermania të një profesori që do të trajtojë 50 raste të mongoloidizmit, që deri më tani siç e dimë nuk kanë shpresë për t’u kuruar. Ky profesor ka kryer eksperimente…dhe tani ai po vjen në Izrael”, deklaronte në kuadër të atij diskutimi, deputeti Shimon Kanovitch, edhe ai vetë, i lindur në Gjermani dhe me profesion pediatër.
Pyetjes që kishte të bënte me metodën, iu përgjigj një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, sipas të cilit kishte në të vërtetë vend për shqetësim. Kjo pasi mjeku në fjalë, ishte ftuar nga prindërit që mbanin shpresa, por ai, pra mjeku në fjalë, ndonëse një profesor, “kishte një vend shumë modest në botën mjekësore dhe se ai…nuk praktikon mjekësinë, por më tepër punon një laborator bujqësor në Gjermani”.
Historiani Heilbroner shton se ky lloj diskutimi që zbulon se zyrtarët izraelitë të kohës nuk e vinin ujin në zjarr as për të kaluarën e mjekut gjerman dhe as për cilësitë profesionale të tij në raport me angazhimin që kishte marrë, është befasues dhe shumë shqetësues.
“Gjëja e parë që më erdhi në mendje nga e gjitha kjo ishte kreu i SS Heinrich Himmler që kryente eksperimente mbi pulat në një fermë jashtë Mynihut dhe figura si dr. Josef Mengele, që kryenin eksperimente mbi fëmijët”, shprehet ai. Kërkimi në Google shpalos sipas historianit në fjalë një të dhënë kuptimplotë:
“Hellmut Haubold ishte një endokrinolog dhe oficer SS…që iu bashkau Partisë Nacionalsocialiste në maj të vitit 1933”.
Nga kërkimet rezulton se Haubold ka qenë pjesë e Institutit Kërkimor Shkencor SS, që u përpoq të krijonte një vaksinë kundër tifos që po vriste ushtarët gjermanë në front. Në një letër të vitit 1942, Haubold pranon se ka kryer eksperimente mbi të burgosurit në Buchenëald. Mes kolegëve të tij zbulohet se kanë qenë emra si Erwin Schuler, i vetëvrarë pas lufte. Eugen Gildemeister, drejtor i institutit “Robert Koch”, i vetëvrarë pas betejës së Berlinit. Haubold nuk u arrestua, pas luftë ai hapi një institut trajtimi në Mynih dedikuar kërkimit për parandalimin e kancerit dhe zhvillimin e fëmijëve.
Ai u ftua në janar të vitit 1960 dhe u lejua të kryente eksperimente mbi fëmijët e prekur, me konsensusin e prindërve dhe nën përgjegjësinë e tyre. Historia shkon edhe më tej kur në këtë përpjekje të tij, ai u asistua nga mjekë hebrej në spitalin privat Ein Gedi në Tel Aviv.
Ëmbëlsira e këtij episodi që i ngjan një thrilleri të vërtetë është fjala e mjekut Haubold gjatë një leksioni publik që ai dha në Dan Hotel në Tel Aviv ku ndër të tjera tha:
“Interesi im për këtë problem lindi pas LIIB, kur nënat e vrara shpirtërisht nisën të vinin në spitalin ku punoja. Në tekstet e mjekësisë deklarohej qartë se nuk kishte shpresë për këta fëmijë. Unë refuzova të pranoj këtë optikë disfatiste. Nisa të kryej kërkime vetë dhe në bashkëpunim me doktorë që kishin interes në teorinë time”.
Metoda e tij bazohej mbi përfundimin se sindroma Daun shkaktohej nga kequshqyerja dhe defiçenca në vitamina dhe minerale gjatë shtatzanisë. Sot sindroma konsiderohet me burim genetik dhe nuk kurohet.
Çështja që shtrohet këtu është nëse prindërit e fëmijëve kishin apo jo njohur për të kaluarën e doktorit, edhe nëse i besonin metodës së tij. Një çështje etike që kapërcen kufijtë e një raporti kaq kompleks dhe bardh e zi si ai mes gjermanëve dhe hebrejve në shekullin e 20-të. Atë e gjejmë të shprehur në raportet amnistuese që hasen pas rënies së komunizmit dhe në konsensusin në rritje për dhunën dhe krimin.
Historiani në fjalë sugjeron se në vetvete kjo histori dëshmon për injorancën e madhe dhe indiferencën ndaj Gjermanisë Naziste përpara gjyqit të famshëm ndaj Adolf Eichman në vitin 1961. Edhe më tej akoma, mes prindërve dhe doktorit kishte një lidhje shumë të fortë kulturore, ishte devocioni ndaj Gjermanisë, ndaj kulturës së saj, të cilën këta prindër dhe Haubold e bashkëndanin si identitet të përbashkët, aq sa nuk përjashtohet që edhe nëse dikush e ka ditur rolin e tij, të ketë bërë një sy qorr.
Historia në vetvete është rast i veçantë, njerëzor dhe profesional dhe po të mos qe për gjyqin e Eichman, Haubold do të kthehej sërish për trajtim. Meqë jemi këtu, do riparë nga një “kënd tjetër” ai përkufizimi i Arendt për banalizimin e të keqes, pasi edhe kjo sjellje e prindërve bart me vete një mesazh domethënës.
http://www.haaretz.com/israel-news/.premium-1.805314