Ilir Levonja: Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!
Janë vargje të Nolit. Shkëputur nga vjersha ”Jepni për nënën”, të cilën peshkopi, eruditi, poeti, muzikologu, politikani, qeveritari e shkroi nga viti 1917-të. I bie plot njëqind vjet nga sot. Eshtë koha kur Vatra kishte nisur aktivitetin. Dhe Shqipëria gjëndej nën rrëmujën e luftës së madhe.
Një vend katastrofë midis turkoshakëve shqiptarë, pro austrohungarezëve, italianëve, grekëve, serbëve e malazezëve. Pro dikujt nga jashtë dhe asnjëherë pro njëri-tjetrit. Dhe Noli me të drejtë i jepte shpresë nënos së braktisur e të rraskapitur luftrash.
Por kohët ndryshojnë. Dhe nëse atëhere Nolit i dhimbsej me të drejtë nëna Shqipëri, për shkak të të huajve. Sot ajo Shqipëria, përmes atyre që aq shumë e duan dhe nuk e tradhtojnë, siç bëjnë këta emigrantët, tradhtarët e pambarimtë dita-ditës, po vërteton një gjë, botërisht se, armiqtë e vërtetë të saj janë vet shqiptarët. Ata në vendin amë.
Po i referohem Nolit, për një arsye të thjesht, pasi po e shoh me sytë e mi se asaj drojes, për përdorimin e emigrantëve nga vendi amë, sikur i ka ardhur ora.
M’u bë të them atë batutën e Kadri Roshit tek filmi ‘Gjeneral Gramafoni’, që, plasi në Kuçovë.
Dhe vërtetë ka plasur.
Dhe ne të gjithë emigrantët, po e shohim me sy katrahurën.
Në Shqipëri nuk na duan. E thonë me qejf…, e kujt i plasi se po largohet ky trapi. Kujt i plasi se iku ky koqja. Në gop të s’ëmës shkofsh. Boll na çatë bythën. Lekë duam. Po na sollët mirë, po nuk na sollët, ik pirdhuni. Se e dimë ta bëjmë vetë Shqipërinë.
Dhe vërtet, sot është koracë, a zhgun social, është zgjatje jete një kulturë e tillë. Një zhargon i tillë u mbush gjoksin. Dhe ata ndihen me fat.
Në të gjitha web-et e Shqipërisë sot përshembull, dominon ky debat. Aq sa të thuash shqiptarët janë dakort me zjarret, me drogën, me papunësinë dhe lëmoshat e përkrahjes sociale, etj. Madje e dëshmuan me votë… Janë dakort që të jetojnë një lloj drame sociale me bij që vetëm paguajnë. U paguajnë ushqimin, banesën, sëmundjet. Shërbimin skandaloz të shëndetësisë ”falas”.
Se qeveritë do prishin e ribëjnë sheshet.
Rrethrrotullimet.
Fasadat.
Shqiptarët janë dakort me jetën falas. Aq sa horizontalisht e kanë përqafur atë indinjatën poetike të Orhan Veliut… dhe në kor, ta plasin në sy. Me krenari. Të thonë: falas jetojmë ne, falas…/ Falas bukën/ Falas shëtitjen/ Falas pluhurin e rrugës /Falas plehrat, /Falas budallepsjen/ Falas urrejtjen, /Falas pështymat/ Falas dekoratat e presidentit, etj.
Janë dakort me dramat e largimeve…
Prindër të braktisur.
Azile me kontribute fushatash.
Breza pa asnjë vjetërsi pune.
Me pritjen se ndonjë çun, dhëndërr, a vajzë…, deri nga Zelanda e Re, sjell ndonjë dorë që të blej ca vite pune në zyrat sociale. Për babain, nënën, vjehrrin a vjehrrën. Të blej ndonjë karrocë për vëllain invalid. A për ndonjë të sëmurë autik etj.
Janë dakort me të gjitha.
Rrofshin këta që janë. Këta që jetojnë trendi. Armiqtë realë.
Se shqiptarët, masat, kanë se me çfarë të merren.
Po ia lërojnë nënën njëri-tjetrit në internet. Kush ikën, tradhtarë. Kush rri patriot.
Eshtë një mishmash, një katrahurë veç prej shqiptarësh.
Dhe me që iu referova vjershës njëqind vjeçare të Nolit.
Këta djemtë në Amerikë e gjetkë. Edhe pse kanë shoqata, pse kontribuojnë. Pse mbajnë në dyert e shtëpisë, a në makina, flamurin shqiptar. Pse shohin tv-të shqiptare thuajse 24 orë. Pse jetojnë si shqiptar në dherat e huaj. Nuk kanë prej dheut të nënës privilegjin minimal, të drejtën e votës.
Dhe jo rastësisht.
Dhe prapë ata thonë, Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!