Petrit Kuçana: Diaspora që s’bzan
Ata rikthehen nga të katër anët e globit sërish në muajt e ngrohtë atje ku u nisën, si një ritual shtegtimi e që rëndom quhen pushime. Ritual i përvitshëm ky, ku me patjetër do të shikojnë se çmimet rriten, që shikohen dhe trajtohen ndryshe, si parelinj në rastin më të mirë dhe “mbijetesa” varet nga aftësia e përshtatjes në vendin ku janë rritur…
Spektatorë të paepur mbeten mërgimtarët, jetimë gjithësesi dhe e gjitha çfarë mund të bëjnë është ndonjë rresht me mendimet e tyre në ndonjë media apo në rrjetet sociale, (pa përfshirë mllefet apo shitmendjen që konsiderohen më tepër si dëshmi mllefi sesa arritje, ja unë mundem!) ku asgjë nuk ndryshosh përveç specifikave të përshtatjes.
Asgjë nuk ndryshon edhe pse mërgimtarët shqiptarë (të Shqipërisë amë) janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që nuk kanë të drejtën e votës dhe mbetet sfidë në vetvete përballimi me “argumentet” e qeveritarëve, që qëmtojnë “arsyet” se pse nuk u është dhënë kjo e drejtë, ndonëse u është premtuar me zë dhe me figurë se në zgjedhjet e tjera (të kurrëmosardhura) kjo do të bëhej realitet.
Dhe diaspora hesht, nuk bzan
Nuk bzan edhe kur në shpeshherë në kurriz të saj majmen e majmen, (ata që ishin, janë e që duket që do të jenë) ministra, deputetë, zyrtarë, apo që kanë marrë përsipër të jenë përfaqësues, (të diasporës kurrsesi) dhe mbase dikush bën ndonjë llogari nga ato të thjeshtat, se si është e mundur të vihet ajo pasuri e atij/asaj, me ato të ardhura që merr ai tipi/tipja nëpunëse apo zyrtare, e zgjedhur apo e komandur?
Thjesht ndonjë shfryrje dhe një pezm që kalon në sfidat e tjera të xhunglës, ku leqet janë shpesh të ngritura për parelinjtë, që nga çmimet e pa faturë, e deri tek rezervimet e tjera që janë ekstra speciale dhe ku nuk gjendet asnjë vend ankimi.
Dhe diaspora hesht, nuk bzan
Nuk bzan as kur mendon e stërmendon për aeroportin e vetëm të dheut të tyre, që pranohet botërisht se i ka çmimet më të larta në rajon dhe më gjerë, por nëse xhepi mbetet i ngushtë për apetitet e aeroportit (sidomos në ciklin e rikthimit) atëherë gjenden rrugët alternative, nga aeroportet e fqinjëve, apo mbetet alternativë ndërmarrja e odisesë së turravrapit që shkon disa ditë deri në mbërritje. Dhe askush nuk pëpëtin, nuk flet për të ikurit, të shpërngulurit, rrefugjatët, emigrantët…
Dhe ata heshtin, nuk bzajnë, qoftë edhe ata që ua përplasën dyert turinjëve, kur u rikthyen në mëmëdhe, pasi kishin mbaruar studimet në universitetet e perëndimit (se) pse ishin të papërshtatshëm në xhunglën e madhe, ku shërbyesit partiakë vendosin edhe për fatin e tyre.
Diaspora hesht nuk bzan.
Nuk bzan edhe ku akuzohen se janë shkaktarët e ngritjes së çmimeve të gjithçkaje, edhe kur nuk ka një institucion të vetëm apo qoftë edhe shoqatë që “të përkujdeset” për ta, siç ndodh me shoqatat e mbrojtjes së shpendëve… dhe si spektatorë të devotshëm shohin ndonjëherë tek përbëjnë lajm sesi kanë rënë remitancat, pra të ardhurat e dërguara prej tyre, sesi janë bërë shkaktarë të shtimit të trafikut, të aksidenteve dhe loja tragji-komike se fëmijët e tyre nuk e fliskan aq mirë shqipen, e vazhdon deri në absurditet, sidomos në ciklin e rikthimit atje ku u nisën, në truallin që quhet atdhe.
Nuk u arrit asnjëherë që shteti i Shqipërisë amë të ngrihet në nivelin qoftë edhe të shtetit të Kosovës, jo thjesht për pasjen e dikasteri, qoftë edhe si Ministri e Diasporës por edhe në angazhimin për “të bërë diçka” për diasporën.
Në të gjithë Kosovën edhe falë një tradite organizohen ditët e diasporës, ku me gjithë problematikat e ndryshme mërgimtarët nuk ndjehen aq të huaj sa në Shqipëri, ku nuk ka qoftë edhe një aktivitet të vetëm për diasporën. Keni dëgjuar për ndonjë qoftë një të vetëm?
Në Kosovë organizata Germin organizon kaq shumë aktivitete saqë nuk ka mbetur qytet pa shijuar aktivitetet e saj.
Në Shqipëri nuk gjen qoftë edhe një iniciativë të tillë apo të ngjashme, dhe kushedi sa në gjynah hyjnë ata që presin ndonjë gjë nga Ministria e Jashtme që po shijojnë pushimet pas fushatës së ethshme elektorale….
E mbase shumëkujt i kujtohet Samiti i Diasporës, ata mërgimtarët që dalloheshin me çantat e kuqe nëpër rrugët e Tiranës ato ditë Nëntori.
Askush prej tyre nuk ka para gjë akoma, se pse u bë ai samit apo çfarë u arrit prej tij dhe më kot vetmevetshëm mund të shtrojë pyetjen se pse të mos bëhej diçka e ngjashme në verë kur vijnë emigrantët.
Thjesht s’bëhet, e kalohet me ndonjë lajm sesi po ikin e po ikin shqiptarët, sesi nga BE-ja vetëm vitin e kaluar janë kthyer, pra riatdhesuar mbi 40 mijë shqiptarë dhe qiqrat në hell vazhdojnë të reflektojnë çdolloj tendence për ndonjë përçapje të diasporës, se dikush dikur mund dhe duhet të mendojë edhe për ta.
Diaspora hesht nuk bzan
Nuk bzan as kur kryeministri i Shqipërisë në asnjë prej fjalëve nuk e shqipton fjalën diasporë, emigrant, refugjat, qoftë edhe për ato që ka premtuar, jo të drejtën e votës por as regjistrimin e tyre. Nuk bzan edhe kur shikon që radhët e saj po stërmbushen, që Shqipëria po zbrazet, që burgjet e Evropës po mbushen me të rinj shqiptarë…
E kushedi sa kohë do të kalojnë, sa breza do të rriten në mërgim ku në ADN-në e tyre do të vazhdojë të ruhet si amanet më shumë se si instikt, rikthimi në dheun e të parëve, ku shtegëtimi do të vazhdojë të mbetet i tillë, pa mundur të jenë pjesë vendimmarrjeje, qoftë edhe për të bërë pak zhurmë… por diaspora jonë mbetet ajo e heshtura që sbzan… Dhe nëse dikush mendon se potencialet e diasporës janë jashtëzakonshme dhe përfshirja e saj mbetet një domosdoshmëri, kjo ngjason më tepër me një dëshirë të kahershme sesa një realitet që preket, ose që pritet të preket. Duket se kështu është edhe më e lehtë udhëheqja e atyre që marrin votëbesimin e njëzet e ca përqind të votuesve… Deri më tani diaspora është ajo që s’bzan, si e braktisur dhe braktisëse njëkohësisht…