Rrëfimi i dhimbshëm për atdheun i Hueyda El Saied
Një tjetër mesazh i fortë është përcjellë nga balerina Hueyda El Saied, kundrejt të gjithëve që e shajnë Shqipërinë. Ajo thotë mes rreshtave se shpesh nevrikoset me Shqipërinë tonë, pasi ka gjëra që nuk shkojnë, por në të njëjtën kohë, ka gjëra për të cilat ajo mburret.
Mesazhi i Hueyda El Saied
Ne po kthehemi në shtëpi, ose më saktë në një nga strehat tona, se si Gabrieli dhe unë shtëpi konsiderojmë vetëm shtëpinë e None Hajries dhe teze Vjollcës.
Ne të dy, ndryshe nga disa individë që janë larguar nga Shqipëria, nuk ndihemi krenarë që po kthehemi tek streha në Francë, e më pas në Luksemburg, përkundrazi, nëse do të dëgjonim zemrën tonë, do të ktheheshim muajin e ardhshëm.
Sot po kthehemi në Francë, aty ku mua m’u dha mundësia të realizoja shumë ëndërra, si femër, si artiste si dhe aty pash për herë të parë fytyrën e bukur të tim biri. Ardhja e Gabrielit në jetën time përkon dhe me një moment tjetër shumë të bukur, që lidhet me Shqipërinë, një moment i cili më ka emocionuar shumë dhe e kujtoj me kënaqësi ende.
Kisha vetëm pak orë që isha bërë nënë, por tek ndiqja nga televizori i dhomës së spitalit manifestimin e “11 Janarit” në homazh të karikaturistëve të vrarë të “Charlie Hebdo-së”, disa ditë më parë, pash të marshonin për krah miliona njerëzve, personalitete të njohura botërore dhe Edi Ramën me disa klerikë shqiptarë të feve të ndryshme.
Kryeministri ynë kishte vendosur në xhepin e sipërm të xhaketës tre lapsa me ngjyrë të blu, të bardhë e të kuqe (ngjyra që ka flamuri francez). Mbaj mend që të kem thirrur infermierët e spitalit, të cilat kujtuan se kisha dhimbje apo që Gabrieli ishte zgjuar, por unë i kisha thirrur vetëm për t’u mburrur e për t’i treguar harmoninë fetare që kemi ne në Shqipëri.
Sigurisht shpesh nevrikosem me Shqipërinë tonë, se jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që ka plot gjëra nuk shkojnë siç duhet tek ne, madje dhe e kam shprehur mërzinë time për këtë, por ama njëkohësisht ka plot gjëra që më bëjnë të mburrem.
Kam plot miq të cilët mund t’i cilësoj si heronj, pasi punojnë me dinjitet dhe ndërtojnë çdo ditë me djersë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Kështu që kur dëgjoj shqiptarët – visitorë të hedhin vrer apo t’i fusin të gjithë në një thes, trishtohem dhe dua t’i them:
“Nuk është një pashaportë jo shqiptare që të bën ty më të mirë se atdhetarët e tu, ata që kanë vendosur të jetojnë në Shqipëri. Duke fyer vendin tënd dhe ata që jetojnë, ti fyen veten në rradhë të parë. E mos harroni se një pemë pa rrënjë, është jetëshkurtër”.