Sadik Bejko: Pse sulmohet mendimi atdhetar i Kadaresë?
Po lexoj shkrime ku sulmohet I. Kadareja si nxitës i monofetarizmit të shqiptarëve dhe se çfarë dëmi të madh sjell një vijë e tillë e mendimit. Meqë paska një luftë (?), mohim të fesë islame, shqiptarët na qenkan revoltuar shumë, madje shumë prej tyre prej kësaj po bëhen me ISIS-in, etj. Nuk jam dakord me një mendim të tillë. Ka një sulm nga shumë gazeta e njerëz ndaj Kadaresë. Një sulm në rritje. Gati si i inskenuar. Sulm i deformuar me qëllim. Unë them: Mos e ngatërroni Kadarenë me fenë islame. Nuk është punë e tij fusha e fesë. Nuk është anti islam. Nuk është Kadareja armik i kësaj feje, as armik i besimtarëve islamë. Nuk ka fakte për këtë. Këtu ndodh deformimi me qëllim: thonë atë që ai nuk e thotë. Ja tek është në Shqipëri, shkoni dhe pyeteni. Ai nuk ka gjë me fenë islame. Sulmin e tij ndaj perandorisë otomane e ngatërrojnë me qëllim neotomanët, e bëjnë si sulm ndaj islamizmit. Perandoria otomane erdhi në këto troje me imamë e me ferexhe, me infrastrukturë, shkollë, me xhami, me mënyrë jetese…dhe jo vetëm me ushtarë. Erdhi me ideologji, me gjuhë, me kulturë, me filozofë, me poetë. Me këtë rrugë të ideologjisë, të shkollës, të kulturës, të mënyrës së jetesës shkombëtarizohesh dhe asimilohesh nga pushtuesi më mirë sesa me topat dhe më shpatat e ushtarit. Kjo rrugë e pushtimit shpirtëror vazhdon edhe sot. Edhe sot i kemi xhan e shpirt otomanët.
Kadareja ka bërë luftën më të fortë ndaj otomanizmit shkombëtarizues. Ai ka luftuar otomanizmin e mbetur te shqiparët, otomanizmin pa otomanë. Ai ka ngritur kryeveprat e tij, ka rithemeluar ideologjinë rilindase me antiotomanizmin e tij. Antiotomanizmi i tij në kohën e komunizmit, ishte dhe antisovjetizëm, antikomunizëm. Antiotomanizmi i tij është halë në sy për ata që duan të asimilohen shpirtërisht dhe materialisht, që gjasme në emër të qytetarit të botës, në emër të globalizmit, në emër ë çintegrimit dhe të çoroditjes ideologjike, çoroditjes së mendimit nacionalist shqiptar, duan vdekjen, asimilimin, shkombëtarizimin në globalizëm të shqiptarëve të hapur ndaj botës.
Shkolla e një vendi është prodhuesja e ideologjisë së atij vendi. Ç’ mësojmë sot, ata do të jemi nesër. Ç’libra, ç’histori, ç’këngë, ç’gjuhë mësojmë sot, ata do të jemi nesër. Këtë ka bërë pas rilindasve Kadareja: me letërsinë e madhe të tij ka rithemeluar, ka vërë shtyllat e nacionalizmit, e ka rrënjosur këtë nacionalizëm shqiptar. Me artin e tij e ka përjetësuar e shpërndarë në pesë kontinente emrin shqiptar dhe Shqipërinë. N. Spahiu, H. Feraj (petagog në Universitetin Europian të Tiranës), dje një vajzë te “Bota sot” etj me argumente gjoja fetare e sulmojnë Kadarenë më kot. Nxjerrin bishtra kot. Nuk është punë feje, as punë antiosmanizmi. Këtyre nuk u pëlqen shqiptarizmi dhe kapen nga bishti.
Fenë e kanë pasur dhe le ta mbajnë si të duan shqiptarët. Le të shkojnë në atë botë dhe me flamur saudit a turk. Me prift katolik a me pop ortdodoks. Shqiptar të bën e të mban shkolla kombëtare jo feja. Shqiptarët që nuk jetojnë në gjuhën e në kulturën shqiptare janë asiiluar dhe me miliona po asimilohen edhe sot nëpër botë. Ajo që si qëmoti nën otomanët, si dje nën internacionalizëm-bashkim-vëllazërimin, si sot në kohën e modernizmit i ka zhveshur dhe i zhvesh shumë shqiptarë nga të qenit shqiptar është se nuk kanë qenë të kyçur në ideologji kombetare, në shkollë kombetare, në shpirt, “fe” kombetare, në mënyrë jetese kombëtare. Këtë kështjellë të rrënuar të fesë kombetare nga internacionalizmi komunist e ngriti në këmbë edhe një herë Kadareja me artin e tij. Ndaj antinacionalistët e hapur dhe të maskuar e sulmojnë. Jo, ashtu siç e shpikin armiqtë e shqiptarisë së tij atë që ai s’e pëlqeka islamin. Ai as do t’ia dije për fe, ai s’ka aq punë me fenë e shqiptarëve. Ai është shkolla e nacionalizmit shqiptar në epokën moderne. Të verbërit nuk e shohin. Ata që e shohin dhe verbohen nga drita e tij, e sulmojnë. Ka dhe nga ata që nuk e kanë lexuar kurrë Kadarenë, po kanë lexuar çfarë shkruajnë të tjerët për të, dhe e sulmojnë.
Gusht 2015