Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Gudha: Portreti i luftëtarit epiriot Vasil Gudha (Goudas) dhe piktori francez Louis Dupré

Image result for vasilis goudas

 

 

Hyrje, shek.19-të

 

Epiri ishte vatër dijesh dhe mëndjesh të ndritura, të cilët luajtën një rol të rendësishëm në Revolucionin Grek,1821 e, në  kulturën e atij vendi.  Epiriotët shquheshin për trimëritë e tyre ndër beteja e u bënë objekt diskutimi në perandoritë e mëdha të asaj kohe. Frymëzuan shkrimtarët më të dëgjuar të asaj kohe si Viktor Hygo, Aleksandër Duma, Lord Bajronin etj. Udhëtarëve të huaj në këto treva u binin në sy zakonet, bukuria trupore mashkullore e femërore, tiparet e theksuara e veshja karakteristike, të cilat u pasqyruan në portretet e bukura nga piktorët e huaj, si nga piktorët francezë  Eugene Delacroix, Louis Dupré, etj.

Një nga portretet e bukura të heronjëve të Epirit është dhe portreti i Vasil GOUDAS.

(Shënim. GOUDAS, në gjuhën shqipe, shqipërohet GUDHA).

                                                ***

Vasil Gudha lindi më 1779 në fshatin Grameno. Në perëndim të Janinës gjendet fshati Grameno, më i madhi dhe qendra e një grupi fshatrash të quajtura Gramenohorjo. I shtrirë në një pllajë të gjatë, me kishën e madhe në krye të pllajës, me madhësinë dhe vendndodhjen e tij jep padyshim një pamje sunduese mbi të gjithë fshatrat e tjerë të krahinës. “Klima e këtyre fshatrave pas Gjirokstrës, është më e mira në Epir. Burrat janë energjikë dhe kalorës të shkëlqyer, ndërsa gratë punëtore, që ndjekin burrat e tyre në fusha dhe ndajnë me ta të gjitha vuajtjet dhe mundimet, por janë nikoqire, të zonja, të bukura, zë ëmbla dhe pjellore”, shkruan Lambridhi. Thuhet, se “kur banorët e fshatrave të Gramenos ishin të kamur, tringëllima e stolive të argjënda të grave të tyre kur hidheshin valle, dëgjohej dy orë larg…”.

Në këtë fshat ka qenë e vendosur dhe familja e madhe dhe e vjetër Gudha.

Vasil Gudha mësoi shkrim dhe këndim në shkollën e fshatit, më vonë studioi në Institutin “Balanio” në Janinë dhe vazhdoi studimet në shkollën e porsangritur “Kaplanio” tek mësuesi i madh Psalidha.

Nga viti 1804, kur Myftar Pashai, djali i Aliut, zaptoi Gramenon,Vasilin e mori si sekretar të tij, si njeri të ditur dhe nga që  ishte nga një familje e madhe dhe e rëndësishme e fshatit.

Në vitin 1821, kur Ali Pashë Tepelena ishte rrethuar nga mbështetësit e Sulltanit në Janinë, Vasili gjendej në Grameno.

Pas kësaj, Vasili me disa pjesëtarë të tjerë të familjes Gudha u strehuan në Sul.

Anastas  N. Gudha ( 1816-1882)  në veprën e tij  “Jetë paralele”, vol. 8, f.15-16  shkruan për mikpritjen suliote: “…bashkë me gratë e fëmijët u strehuan në Sul, ku ndanë të mirat dhe të këqijat me burrat suliotë, deri në rënien e Sulit… Familja jonë e shumënumërt u mikprit në familjen e Llambro Gusit, babai i togerit të policisë Jani, i cili është gjallë. Kishim fatkeqësinë që shumë fëmijë të ishin jetimë, ca nga nëna, e ca kushërinj nga babai. Por, kujtoj me mirënjohje atë familjen suliote që ndau gjithçka me ne. Ato gra suliote heroina, që e piqnin bukën e parë për ne dhe lanin në fillim rrobat tona. Suliotët i pranuan burrat në mbledhje dhe dëgjonin këshillat e tyre sikur t’i kishin vëllezër. Madje, njërin, Vasilin, heroi Marko Boçari, e emëroi sekretar dhe i besoi mbrojtjen e fortesës së Kiafes…”.

 

Vasil Gudha, sekretar dhe adjutant i Marko Boçarit

 

Vasili ishte pranë Marko Boçarit si sekretar dhe adjutant  i tij dhe luftoi bashkë me të në të gjitha betejat kundër turqve në Epir (Variadhë, Kumcadhë, Artë, Misolongji, Athinë, etj). Nga dokumentat e nxjerra nga arkivat studjuesit konstatojnë  se “Vasili nuk mjaftohej vetëm me rolin e kufizuar të sekretarit, por ishte dhe kontrollues i trupave, këshilltar i komandantit dhe ndërmjetës besnik i tij me Komandën e Greqisë Perëndimore, me Qeverinë Qendrore dhe me grupet e tjera ushtarake të pavaruara”. Gjithë korespodencën e Marko Boçarit me të tjerët e me Lordin Bajron (George Gordon Byron) e mbante Vasili. “…Janë të shkruara nga dora e Vasil Gudhës, që Markua e kishte gjithmonë me vete si Sekretar… nga forma e shkrimit dhe ortografia shohim se Gudha e zotëronte shkëlqyeshëm gramatikën, por shkruante, ashtu siç ia diktonte Markua…”.

 

Beteja e Misolongjit. Vdekja e Marko Boçarit, 10 gusht 1823

 

Konstantin Metaksa, një pesonalitet i asaj kohe, një figurë  e luftës për Pavarësinë e Greqisë, Guvernator i “Misollongjit dhe gjithë Kateliut”, në librin “Kujtime lufte për Pavarësinë e Greqisë” shkruante:

“Kjo betejë u zhvillua në të gdhirë të 9 Gushtit. Mëngjesin e 10 Gushtit dëgjoj zëra dhe vajtime. Shoh Gudhën, që duke hyrë, bërtiste dhe më tha se Markua u vra dhe po sillnin trupin e tij. Mbeta pa fjalë nga pikëllimi që më solli ky lajm i papritur…”.

Konstantin Metaksa përshkruan çastin kur Vasil Gudha kishte sjellë  trupin e Markos, të cilin ai e kishte marrë në krah dhe për funeralin e Markos:                               

“Në Misollongji ishte dhe një motër e Markos, e martuar me një farë Agrofioti. Ajo më lajmëron me anë të Gudhës, se trupin e Markos në fillim duhet ta çojnë në shtëpinë e saj, që ta qante sipas zakoneve të tyre dhe më pas ta përcillnin në kishë, ku do të kryhej ceremonia  dhe varrimi….” Metaksa kishte dhënë urdhër të qëllonin topat me 37 të shtëna, një për çdo vit të jetës së heroit suljot…” Në varrimin madhështor të Marko Boçarit, që u krye në Misollongji, Vasili mori pjesë si mik i ngushtë dhe mëkëmbës i tij.

Lord Bajroni, më datën 19 Prill 1824 vdes nga Ethet në moshën 36 vjeçare. Në varrimin e tij në Misollongji gjëndet i pikëlluar dhe Vasil Gudha.

 

Beteja në Metoq nën komandën e Karaiskaqit. Plagosja e Vasilit, 4 mars 1827

 

Në fillim të shkurtit 1825 V.Gudha dërgohet në Nafplio. Këtu Vasili ngrihet në detyrë me gradën e Zv.Gjeneralit: “për punën dhe besnikërinë ndaj Atdheut merr gradën e Zv.Gjeneralit”.

Për plagosjen e Vasilit në  Metoq dhe për fatin e tij të mëtejshëm flet me “ hollësi”  dhe Anastas N.Gudha:“Vasil Gudhën, oficerin që ishte vendosur në pjesën e pasme të kishës, i cili  ishte dhe xhaxhai ynë nga babai, e goditi dhe e varrosi të gjallë një gjyle topi, që plasi shumë afër tij. E nxorrën menjëherë të tjerët, por ishte i masakruar me trembëdhjetë plagë në trup dhe pothuajse i verbuar. Duke mos mundur të kurohej me rezultat atje, u nis për në Nafplio dhe më vonë në Ankona. Atje fatmirësisht takoi Kapodistrian, që po vinte në Greqi…”.

 

Në Paris për kurim, shkurt 1828

Trimi sy patrembur, që vrapoi si atlet drejt arritjes së lirisë” A. Coray

 

I mbështetur nga Komiteti bamirës grek e me rekomandimet e të vesë së M. Boçarit më 28 Tetor 1828 nis udhëtimi i Vasilit për kurim në Evropë dhe mjekohet në Paris.

Gudha, udhëtimin dhe qëndrimin e tij në Paris për kurim, e shkruan vet në letrën interesante e drejtuar nga Parisi të vesë së Marko Boçarit ( 30 qershor 1828) ( Shënim. Letra u botua e tëra në gazetën e përditshme të Qeverisë greke ( nr,47, viti3, fq.193/5), si dhe të përkthyer në revistën frankofone”L’obeille Grecque”

“…Sapo arrita në Paris fillimisht shkova me rekomandimet e Peshkopit tek dukesha Dhugisi dhe konti Kantoleri, të cilët më pritën me darkë të madhe. Dukesha, e cila meriton një mijë lëvdata më prezantoi me kryetarin e shoqatës grekdashëse zotin Terno, i cili më njohu me shumë personalitete grekdashës: Gjeneralin Lafajet, z. Benxhamin Konstagjeneralin Sevastianonkontin Lasteri, z. Aleksandër Lamet, z. Andrea Gotier, konti D’ Arkur,etj. Këta bamirës dhe burra të shquar më dërguan tek profesori i famshëm Ru. Gjithashtu, vendosën të më japin 200 franga në muaj, për tre muaj nga shoqata grekdashëse për shpenzimet e mjekimit tim. Ky profesor i dëgjuar pranoi të më vizitonte në shtëpi së bashku me një grup kirurgësh. Ky fakt nuk do të shlyhet nga kujtesa ime për sa kohë do të marr frymë në këtë tokë. Herën e fundit më bënë një injeksion në qafë dhe pata një përmirësim të dukshëm. Fillova të dëgjoj dhe të shikoj pas shumë kohësh. Sa m’u fuqizuan duart, falënderova me shkrim bamirësit për kujdesin dhe interesimin ndaj meje…”.

Më poshtë vazhdon:

“Gjatë qëndrimit tim në Paris m’u dha mundësia të njihem me shumë personalitete të shquara, në sajë të pritjes së ngrohtë të grekdashësve dhe kujtimit të pavdekshëm të komandantit tim legjendar (M.Boçarit). Përjetësisht do të mbetem me faktin se, kam qenë nëpunës i tij. Gjenerali i lavdishëm Lafajet nuk e konsideroi të padenjë për të, faktin të më mbante pranë dhe të më prezantonte personalisht, duke më shprehur konsideratën e tij për mua dhe respektin e tij për Markon. E ndiente për detyrim të më pyeste vazhdimisht për jetën dhe veprën e prijësit tim legjendar.       

Ky respekt i madh që tregoi, më detyroi, që si shenjë minimale mirënjohjeje, t’i dhuroj nipit të tij 13- vjeçar një veshje tradicionale greke. Ai më tha se do ta vishte dhe në darka zyrtare. Kur e përshëndeta për herë të fundit, pasi më porositi që  të përcjell përshëndetjet e tij të përzemërta tek luftëtarët e lirisë, më tha dhe këto fjalë: “Përshëndet nga ana ime Kosta Boçarin dhe gjeneralët e tjerë të Greqisë. I bekoj në gjakun që derdhën për Atdheun e tyre, të respektojnë ligjet dhe Qeverinë si dhe të ndjekin këshillat dhe urdhrat e Kapodistrias, atij burri të shquar, që është i vetmi që mund të qeverisë Greqinë. Këtë detyrë dhe burrat më të shquar të Europës do ta kishin të pamundur ta kryenin. Ai është krenaria e Greqisë dhe janë të paktë ata, që i afrohen për njohuritë politike dhe diplomatike”.

U mbusha me ngazëllim dhe krenari nga nderimet që i bëri komandantit tim të paharruar dhe vetë ambasadori amerikan në Francë. Ky admirues i zjarrtë i familjes Boçari, me të cilin më prezantoi gjeneral Lafajet, më ngarkon t’ju përcjell përshëndetjet dhe urimet e tij më të ngrohta dhe sidomos gjeneral Kostës.

Eshtë e pamundur të përshkruaj se sa lot derdhi i madhi Korais ( shkrimtar), kur mori vesh se unë isha njeri i afërt i Markos dhe më pa në atë gjendje të mjerueshme. Aq i madh është respekti që ushqen për familjen Boçari, sa, me penën e tij të pavdekshme, shkroi një dedikim si dëshmi për brezat e ardhshëm në një libër që po ju dërgoj: “Trimes Znj. Boçari, të vesë së gjeneralit të lavdishëm dhe martirit të luftës për liri”, Korais 1827.                                        

Duke vazhduar të tregojë rrjedhën e ngjarjeve tek e njëjta letër , V.Gudha shkruan:

“Nuk u treguan më pak të ndjeshëm për fatkeqësinë time dhe personalitete të tjera të shquara. Ndër ta më duhet të përmend muzikantin e famshëm Rosini dhe gruan e tij bamirëse, e cila më dhuroi një mbajtëse argjendi qendisërinash për gruan time. Gjithashtu, piktorin e famshëm Dupré, i cili pikturoi portretin tim…“ .

Theksojmë, se Vasili, krahas dhuratave simbolike, që ju dhuruan nga dashamirësit, ai shkruan, po në këtë letër: Evnandros, “babai i madh i grekërve më dhuroi pushkën e çmuar me emrin e tij dhe orën e tij të artë” dhe në fund “pikturën, vepra e piktorit të famshëm Dupré” dhe përfundon: “Këto ishin pak a shumë ato që më ndodhën. Dëshiroja t’jua tregoja nga afër, por po pres kthimin e Guvernatorit për të ofruar veten time në beteja të reja. Gjithmonë nën urdhrat tuaja”.    

Kthimi në Greqinë e lirë

Në kryeqytetin francez V. Gudha duhet të ketë ndenjur deri në fillim të muajit Maj 1828, pak a shumë 3 muaj dhe pasi “u shërua plotësisht nga verbimi i rëndë”  u kthye në Greqinë e lirë.

 

Louis Dupré dhe portreti i Vasil Gudhës ( 1828)

 

Image result for Louis Dupré

Louis Dupré  (1789-1857) është piktor francez i shekullit të 19-të, i njohur për portretet dhe vepra të tjera të inspiruara nga Revolucioni grek,1821. Louis Dupré, nga viti 1811 ishte rezident në Romë, i punësuar si piktor zyrtar pranë princit Jerome Bonaparte.

Në këtë kohë, ngjarjet e Greqisë ishin bërë temë e ditës në kryeqytetet  kryesore të Evropës, si në Paris, Romë, Londër etj. Antikiteti grek me artin e tij të fuqishëm ishte një shtysë e fuqishme për të, që i joshte gjithmonë dëshirën për të realizuar një udhëtim në Greqi.

Më  shkurt, 1819. Louis Dupré, sëbashku me tre miq të tij anglezë (Hyert, Hay dhe Viwien), të rinjë të pasur,  që kërkonin të njihnin Orientin  dhe me ndihmesën e konsullit francez Fauvel në Athinë, ndërmorri një udhëtim drejt Greqisë dhe më pas në Konstandinopojë.

(Shënim.Mendoj, se piktori Louis Dupré  duhet të  ketë udhëtuar në Greqi shpesh herë, deri në realizimin e albumit me piktura e tij (1819-1828).

Gjatë udhëtimeve  të tij në Shqipëri, Greqi dhe në Kostandinopoj, Dupré realizoi shumë vizatime me portrete të njerëzve të thjeshtë, por dhe të personaliteteve të kohës, ku, më së shumti dallohet cikli i tij në sarajet  e Ali Pashës në Janinë, suljotët në Korfuz dhe pikturat  në Athinë nga antikiteti, si Akropoli etj.

Midis temave nga Epiri është dhe portreti i Ali Pashë Tepelenës në liqenin e Butrintit, i realizuar më 14 mars 1819.

Piktura e 25- të e tij është portreti i Vasil Gudhës ( 1828),  nënshkruar nga piktori ”L Dupré,1828” dhe poshtë me legjendën” Vasil Goudas, Aide de campe de Marco Botzaris”.

Ja si e përshkruan Dupré takimin me Vasil Gudhën:

”…Sapo takova një tjetër trim, ish adjutantin e Marko Boçarit, i cili ishte dërgur në Pire dhe nga Pireu në Paris me rekomandimin e komitetit grek që të mjekonte plagët e rënda, që ai mori në krah të Karaiskaqit si dhe plagët akoma më të rënda që e detyruan të dilte në Misolongji para asaj dite fatale, ku gjithçka që mbeti në qytet u mbulua nga shkatërrimi.

Ky njeri  quhej Vasil Gudha, i cili ishte tepër  intersant për këdo që e shikonte dhe kur e pashë, mendova menjëherë se do ishte mirë ta gjenin atë figurë fisnike e mashkullore në koleksionin e pikturave të mia.

Ai po përgatitej të kthehej në Greqi. Nuk i ka mbetur më asgjë nga kjo botë, por ai do që ende të luftojë për atdheun e tij. Kishte një djalë, që i kishte vdekur papritur në moshën katër  vjeçare. Njëmbëdhjet nga anëtarët e familjes  së tij ia kthyen në skllevër. I kërkojnë 16 mijë piastra turke që t’ia lirojnë, por  ky haraç është mbi mundësitë e tij…”(Shënim. Vasili, si dhe pjesa më e madhe e heronjëve të Luftës të 1821, pas Pavarësisë së vendit, ngelën të zhgënjyer, të mos respektuar e të mos vlerësuar nga shteti i asaj kohe…).

Piktura

Piktori Dupré, i kënaqur, e realizoi portretin e Vasil Gudhës. Në mbarim, Vasili u ngrit e u drejtua nga portreti dhe me dorën e vet, lart, majtas mbi portret, shkroi: “Vasil Gudha, luftëtar nga Epiri, zëvendës gjeneral dhe sekretar i Marko Boçarit”.

Në pikturë V. Gudha paraqitet i ulur, i veshur me kostum kombëtar, duke tymosur një çibuk të gjatë. Duket i mesëm nga trupi, me tipare të imta dhe të qeta dhe me pamje ëndërrimtare. Është një kombinim mjaft i përsosur i luftëtarit dhe intelektualit.

(Shënim. Nga kujtimet e piktorit Louis Dupré, nga letra e Vasil Gudhës, si dhe viti i pikturës 1828,  mendoj se piktura duhet të jetë realizuar në Paris, në kohën kur Vasili ka qenë i shtruar për kurim).

Louis Dupré, pas udhëtimit të tij në Greqi, përgatiti albumin me pikturat e tij, me titull  “Voyage â Athènes et â Constantinople…”, Paris,1828,1837 (“Udhëtim në Athinë dhe në Konstandinopojë …”), ku kishte 40 litografi, portrete, kostume tradicionale dhe pamje nga antikiteti grek.

Kur ai i ekspozoi ato më vonë në sallonin  e artit në Paris, kritika i priti në një mënyrë të shkëqyer, pasi, jo vetëm që personazhet ishin vizatuar në një mënyrë të përsosur, por ato ishin të rrethuar dhe me një dritë të bardhë, që mbizotëronte në peisazhet e Ballkanit e të brigjeve të Jonit. Më pas, një pjesë e litografive të tij me ngjyra, u shpërndanë ndër koleksionistë të ndryshëm.

Në mbyllje                                                 

Piktura e Vasil Gudhës “L. Dupré, 1828”, ”Vasil Goudas, Aide de campe de Marco Botzaris” Imprimerie de Donday- Dupré, Rue St.Louis.nr.46 Au Marais, 1825-37. Paris), sot ajo gjëndet e botuar në Enciklopedinë Ilios vol.I, faqe 356-7, ndërsa origjinalja ruhet në “Muzeun Historik Kombëtar” Benaqi- Athinë, gjendet në Janinë, në Paris, etj, si dhe ka zenë vend në literaturën historike  e artistike në Shqipëri.

Referencat:

  1. “Luftëtarët epiriotë të vitit 1821 Vasil dhe Stavro Gudha. Mjeku filozof Anastas N.Gudha. Jeta dhe vepra e tyre”, Stefanos Betis. Botim në gjuhën greke. Patra, 1995.
  2. “Goudas (Gudha) Familje e madhe dhe e vjetër”( shqip, frëngjisht, anglisht) A.Gudha, V.Goudas, 2007.
  3. “Me arvanitët, udhëve të Greqisë”, Luan Rama,  2016.
  4. “Albania and Albanians in world Art”, Ferid Hudhri, 1990.

Gusht, 2017.

 

 

 

Please follow and like us: