Ermonela Jaho shkëlqen edhe në Spanjë
Sopranoja shqiptare është vlerësuar për debutimin në interpretimin në Peralada (Spanjë) të Cio-Cio-San në “Madama Butterfly”, duke u cilësuar ‘geisha yll’. Sopranoja Ermonela Jaho ka emocionuar publikun në “MASH AMB” dhe është krahasuar me Maria Kallas. Pas suksesit në Festivalin Castell de Peralada, ajo ka dhënë një intervistë për “El Periodico” në Spanjë.
E pyetur se çfarë domethënie ka për të, t’i rikthehet mishërimit të një geishe, Jaho është shprehur se çdo herë është ndryshe.
“Opera është si jeta dhe është plot me ndjenja universale. Por jeta ndryshon dhe interpretimi i Cio-Cio-san, gjithashtu. Gjithnjë e këndoj si të jetë hera e parë dhe e fundit. Çdo moment është unik, i papërsëritshëm. Në Peralada, duke qenë në një ambient të hapur, kur arrin në fundin e aktit të parë, dueti që këndohet, në një natë me yje është magjik”.
Më herët, “The Indipendent” ka shkruar se Jaho është Cio-Cio Sani më e mirë që Londra ka parë. Ndërsa, pas suksesit në Spanjë, Jaho thotë në intervistën e saj për “El periodico” se “si një ballkanase e mirë dhe mesdhetare po ashtu, bart me vete në gjak pasionin dhe mundësinë për të kontrolluar emocionet dhe për t’i drejtuar deri në çastin e fundit. Këngëtari është një strateg kur i duhet të llogarisë nëse duhet të japë më pak a më shumë”. Publiku sipas Jahos duhet të emocionohet, por edhe të dëgjojë muzikën. Ajo është shprehur edhe njëherë se kënga është një terapi. “Interpretimi i Cio-Cio-san dhe i Violetës sjell një shpirt të të rraskapitur. Jeta është luftë. Duhet të punosh e të flijohesh. Unë e adhuroj këtë profesion edhe pse kërkon shumë sakrificë”, ka thënë sopranoja.
Muaj më parë në “Convent Garden” me performancën e saj ka magjepsur.
Në shtator të 2016-ës, mediat spanjolle e kanë cilësuar një fund triumfal aktin final të operës së famshme pas premierës së “Otello” në të gjitha netët kur është shfaqur Ermonela Jaho. Duartrokitjet kanë zgjatur disa minuta për dyshen dhe për gjithë ekipin që në fund të operës mblidhet në skenë.
Sopranoja e njohur shqiptare është shpallur fituese në “International Opera Awards” e më pas pat falënderuar admiruesit e saj në Shqipëri dhe në botë. “Dua të falënderoj të gjithë admiruesit e artit tim nëpër botë dhe veçanërisht në Shqipëri për mbështetjen dhe dashurinë. Kushdo që i dedikon jetën pasionit të tij është gjithmonë fitues… Ju dua të gjithëve!”, qe shprehur ajo.
Përgjatë rrugëtimit të saj, shpesh ka pasur disa ndalesa të suksesshme. Hera e parë ishte me një soprano nga Italia, Katia Riçiarelli, e cila e ftoi Ermonelën për të studiuar në Itali, atje ku ajo nisi karrierën. Ajo është martuar me një shok fëmijërie, i cili jetonte në Nju Jork dhe akoma jeton atje përgjatë dy muajve të vitit kur nuk udhëton.
Ajo ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera e Marsejës, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice, Teatri Capitoul de Toulouse, etj.