Yzedin Hima: PD dhe sindroma e tepsisë
(Zemërimi për rezultatin e dobët në zgjedhje është pronë vetëm e demokratëve të thjeshtë).
Pas humbjes traumatike të PD-së ajo çka bie në sy është flakja e maskave dhe shfaqja në sheshin e “betejës” e personalitetit tjetër, atij agresiv, zemërak, arrogant, pa pikë tolerance e finese në fjalor dhe në veprime. Maskat kanë rënë dhe disa politikanë të së djathtës janë shfaqur si njerëz të zakonshëm, që u ka rënë një hall i madh. Pamja i ngjet skenave të komedisë së zezë së Udi Alenit, kur personazhet i shmangeshin një kolltuku si djalli temjanit, sepse sapo uleshe në kolltuk, befas artikuloje atë që në të vërtetë mendoje. Çdokush i largohej atij kolltuku, që do të zbulonte mendimet e gjithkujt për gjithkë.
Në skenën tonë në fakt ka ndodhur e kundërta, shqitja nga kolltuku i ka bërë disa njerëz të shfaqin ato që mendojnë, të shfaqen siç janë në të vërtetë. Nëse do të ndodhtë dukuria e uljes në kolltuk (futjes në listat e deputetëve) këta “dashuronjës” të flaktë të rregullave dhe parimeve demokratike do të koteshin në hotelet luksoze të Gadishullit të Ilirisë apo vendeve ekzotike të Europës dhe botës në pritje të hapjes së parlamentit, ku do të përplasnin fort llamarinat e tyre, (duart kur duartrokasin pa vend shndërrohen në llamarina), në çastin kur fjalën e kishte shefi. Ajri i ndotur nga helmi i fjalëve në parlament rrezikon jo vetëm mjedisin politik.
Ka një shprehje të mrekullueshme te kryevepra e Servantesit “Don Kishoti i Mançes”, kur Don Kishoti i drejtohet Sanço Pançës: “Hidhi një sy vetes!”
Nëse këta “udhëheqës” të PD-së do t’i hidhnin një sy vetës, ndoshta do t’i trembte vetja, do të arrinin në përfundimin se përherë të parë po shfaqen pa maska, pa hipokrizinë që aq shumë i ka lodhur, aq shumë i ka stresuar, aq shumë ua ka shtrembëruar fytyrën, ndoshta edhe personalitetin.
Kur Partia Demokratike ka patur domosdoshmëri mendimin e tyre kritik, fjalën e tyre të mençur dhe të sinqertë, qendrimin e tyre parimor, këta nuk kanë folur. I janë përulur deri në baltë Shefit. E kanë lavdëruar kur kishin siguri se boja e tyre do të arrinte deri te objekti. Ose i janë turrur me egërsi atyre që guxuan dhe shfaqën mendimin e tyre të sinqertë alternativ. Me qendrimin e tyre kanë ndihmuar në ndërprerjen e karrierës normale politike të të tjerëve, me sevilizmin, sulmin apo heshtjen e tyre. Asnjëherë nuk kanë menduar se një ditë “kambana” do të binte edhe për ta. Në fakt, edhe gjendja e sotme e lidershipit të PD-së, për të cilin kanë rezerva, është si ndihmesë e qendrimit të tyre në vite.
Që këta djem e vajza mjaft të rritur nuk kanë asnjë pikë fisnikërie në sjelljen e tyre duket në çastin që Partia Demokratike ra në një fatkeqësi, nuk u turrën ta ngrinin, ta ndihmonin, t’i jepnin frymë nga fryma e tyre, të sakrifikonin për ta mbajtur në shpinën e tyre edhe humbjen, për t’ia lehtësuar paksa dhimbjen, por hapën çantat ku kishn ruajtur dhe bërë gati prej kohësh gurët dhe e goditën fort drejt Kryetarit, që në të vërtetë ka përgjegjësitë e tij. Nuk pritën të dilte vapa dhe të frekohej disi mendja e tyre dhe të shfaqeshin më durues, më shpirtgjerë me Partinë Demokratike, me anëtarët e saj të dëshpëruar, natyrisht jo thjesht me Kryetarin. Kjo nuk është aspak fisnike. Nuk është aspak qytetare. Nuk është aspak demokratike. Po cilët janë këta? Emrat e tyre i gjen në median e shtypur dhe elektronike këto ditë vape mbytëse.
Po si guxojnë dhe u dalin para demokratëve të thjeshtë, atyre që rrinin gjithë natën në Çadër me një shishe ujë dhe një panine?! Njerëzit e thjeshtë në Partinë Demokratike u kanë besuar për vite e vite, për dekada shpirtin e tyre, votën. Këta janë të zhgënjyerit e mëdhenj, demokratët e thjeshtë, që prej dekadash e ndoqën pas lidershipin që u premtoi që në vitin 1991 se do t’ju bëjmë qytetarë të Europës së Bashkuar dhe sot, pas 27 vjetësh Shqipëria, ndonëse ka ndryshuar mjaft falë asaj lirie anarkike dhe vullnetit e punës së qytetarëve të saj, gjendet larg Europës. Këta djem e vajza të dikurshëm që tani po bëhen gjyshër duhet t’i kërkonin llogari lidershipit të PD-së: Ku është Europa?! Pse na gënjyet?! Pse i ramë për Europë nga Afrika, kur ka rrugë më të shkurtëra?!
Këta kanë të gjithë të drejtën të kërkojnë llogari ndaj lidershpit të Partisë Demokratike dhe Kryetarit humbës, jo ata që përcjellin në medja një revoltë dhe një zemërim tejet të parfumuar.
Pse ndodhi kështu?! Lipsen analiza të mëdha. Sot, ata që ndihen vërtetë politikanë në PD, do të duhet të lënë pas mëritë e tyre meskine që kanë lidhje vetëm me tepsinë.(Po ia marrim këtë fjalë hua kryeministrit Rama, natyrisht fjalën sepse objektin( tepsinë) e ka të gjithën për vete dhe shpesh e më shpesh po e përdor edhe si timon).
Po mirë- mund të pyesë dikush, vetëm nga njëra anë u bjerrë fisnikëria?! Po nga ana tjetër?! Me të drejtë duhet thënë se të tëra palët dolën nga këto zgjedhje me sindromën e tepsisë. Për shkak të saj sot Partia Demokratike nuk ka një fuzion demokratik që shpie në konstruksion, por një gjullurdi që çon në destruksion. Zemërimi, sjellja e dhunshme janë dukuri primitive, që kurrsesi nuk ngjallin admirim dhe miratim te anëtarët e thjeshtë të Partisë Demokratike dhe te qytetarët në përgjithësi. Madje pyetja më e thjeshtë që mund t’ju lindë është kjo: “Këta udhëheqësit tanë që na morën votat, postet, të mirat e pushtetit, karriget e drejtorive, kolltuqet e ministrive dhe parlamentit, tani pse po na vjedhin edhe revoltën, zemërimin dhe protestën që na takon neve, vetëm neve për rënien e Partisë Demokratike në këtë derexhe?!”
Partia Demokratike lipset të ketë më shumë frymëmarrje brenda saj. Ajo duhet të çlirohet nga sindroma e tepsisë dhe t’i hapë rrugë konkurencës për çdo pozicion brenda saj. Vota e lirë, e fshehtë, e pa ndikuar dhe e pa devijuar do të të vitalizojë të gjitha strukturat e saj.
Në këtë kohë të vështirë Partia Demokratike ka nevojë për të gjithë, për ata që u ulën në kolltuk dhe për ata që u shqitën nga kolltuku, për ata që u ulën në një karrige dhe për ata që mund të ulen në një karrige dhe për ata që nuk synojnë një karrike. PD duhet t’i mbledhe rreth “tepsisë” së virtyteve dhe vlerave fisnike të së djathtës. Deklarata e disa të pakënaqurve se do të qendrojnë në PD është një lajm i mirë.