BE: Kosova nuk ka kohë për të humbur
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, në një prononcim për Gazetën Observer, deklaroi se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më shpejt të jetë e mundur, duke u bërë njëkohësisht thirrje edhe partive politike që të respektojnë Kushtetutën e vendit.
“Ne u bëjmë thirrje që sa më shpejt që të ketë mundësi të konstituohet Parlamenti, si dhe po ashtu, partive parlamentare të veprojnë me përgjegjësi duke përmbushur obligimet e tyre që derivojnë nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi ”, – u shpreh Kocijançiç.
Kocijançiç thekson se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se institucionet duhet të formohen shumë shpejt.
“Ne shpresojmë në formimin e Qeverisë së Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, – deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian.
Ajo ka numëruar dhe obligimet e reja që e presin Qeverinë e re, e të cilat i konsideron si esenciale në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.
“Presim që Qeveria e re me formimin e saj të angazhohet menjëherë në reformat që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe ekonominë, pritjet për liberalizim të vizave dhe angazhim konstruktiv në Dialogun me Serbinë. Krejt këto janë esenciale për Kosovën që të prodhoj përparime në rrugën e saj Evropiane”, – deklaroi Kocijançiç.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-NISMA, as sot nuk ka marrë pjesë në seancën e thirrur nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, për konstituimin e organeve të Kuvendit, ndërkohë që partitë tjera, presin që PAN të ndërroj kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Kanë kaluar gati dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë dhe vendi ende nuk ka institucione të reja.
Zvarritja po vjen si pasojë e mungesës së numrave për zgjedhjen e kryeparlamentarit fillimisht e më pastaj edhe votimit të qeverisë nga subjekti më i madh politik në vend, koalicionit PAN (PDK, AAK, NISMA) të cilit i takon e drejta të për mandatarin e parë që mund ta formojë qeverinë.