Partitë, pakt me OMN për të shkelur Kushtetutën? Në komisionet e Vetting-ut një kryetar partie
Afrim Krasniqi
Reforma në drejtësi drejt jetësimit? Po. Janë ngritur komisionet e Vetting-ut, janë zgjedhur drejtuesit kryesorë dhe në shtator nis procesi i Vetting-ut për kandidatët në nivelet e larta gjyqësore.
Cili ishte argumenti kryesor i reformës në drejtësi? Do të kishim gjyqtarë e ekspertë të pavarur, do të kishim procese vendimmarrëse transparente, do të zgjidhnim më të mirët dhe më të ndershmit, do ti japim fund abuzimeve me Kushtetutën dhe ligjin! Premtim shumë më i madh e më i rëndë sesa pesha që autorët e reformës mund të mbanin mbi supe!
Tani që kemi të zgjedhur komisionet e Vetting-ut, – Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Apelimit, – mund të kemi një ide për procesin dhe integritetin e tij. Ka emra të mirë, ka emra profesionistë, ka prurje të reja, – por brenda listës ka edhe raste flagrante përfshirë edhe shkelje të dukshme të Kushtetutës së vitit 2016. Le të ofrojmë sot një shembull konkret. Sipas Kushtetutës, aneksit mbi reformën, “anëtarët e Komisionit dhe gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit kanë arsim të lartë juridik dhe jo më pak se 15 vjet përvojë si gjyqtar, prokuror, lektor i së drejtës, avokat, noter, jurist i nivelit të lartë në administratën publike, ose në profesione të tjera ligjore që lidhen me sistemin e drejtësisë. Kandidatët për anëtarë të Komisionit dhe gjyqtarë të Kolegjit nuk duhet të kenë qenë gjyqtarë, prokurorë ose këshilltarë ligjorë apo ndihmës ligjorë gjatë dy vjetëve të fundit përpara kandidimit. KANDIDATËT NUK DUHET TË KENË MBAJTUR FUNKSIONE POLITIKE NË ADMINISTRATËN PUBLIKE DHE FUNKSIONE DREJTUESE NË PARTITË POLITIKE GJATË 10 VJETËVE TË FUNDIT PËRPARA KANDIDIMIT”. Në fakt, Komisioni Ad-Hoc parlamentar për përzgjedhjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka votuar dhe zgjedhur një emër, – Pal Shkambi. Zoti Shkambi ka qenë për vite më radhë kryetar i Partisë Popullore Kristiandemokrate. Ai është regjistruar së fundi (2015) edhe në zgjedhjet lokale në Shqipëri.
Sipas Kushtetutës ai nuk duhej të kishte funksione drejtuese në partitë politikë në 10 vitet e fundit, pra përpara vitit 2007. Me këtë klauzolë, – pra kufizimin me 10 vite, kanë përfituar anëtarë të tjerë të komisionit, përfshirë ish zv/ministri i drejtësisë S. Ç., dhe disa emra të tjerë. Kurse në rastin e zotit Shkambi kemi të bëjmë publikisht dhe qartësisht me shkelje të Kushtetutës, – të Kushtetutës që miratuam vetëm një vit më parë. Vendimi është marrë nga parlamenti (komisioni ad-hoc) ku bëjnë pjesë deputetët e partive kryesore politike dhe ka gjetur miratim nga organet e mëparshme verifikuese dhe në fund edhe nga OMN, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit!
Shumë kohë përpara procesit të përzgjedhjes së strukturave të Vetingut, Instituti i Studimeve Politike i dërgoi letër zyrtare Kuvendit, Komisionit të Ligjeve, OMN, dhe Euralis, – duke paralajmëruar pamundësinë ligjore të verifikimit të strukturave partiake në 10 viteve të fundit dhe spekulimeve që do të krijohen nga emra të veçantë në kandidim dhe në promovim. Nuk morëm përgjigje. Asnjëherë. Edhe pse na ishte premtuar privatisht e zyrtarisht se do të kishte përgjigje për çdo mendim e sugjerim dhe se procesi do të ishte model për transparencën publike…
Çështja është kaq e thjeshtë: si është e mundur që për një procedurë kaq të rëndësishme të ndiqet standard kaq minimal, të shkelet Kushtetuta dhe të injorohen fakte publike? A është kjo një devijim nga parimet kushtetuese dhe parimet e reformës apo një gabim konsensual i partive dhe OMN? Si është e mundur që asnjë palë politike nuk flet, asnjë grupim asistues në proces nuk flet, asnjë media nuk e raporton skandalin dhe që gjërat absurde vijojnë të na ofrohen si procese normale, madje novative?
Nuk është shqetësim as emri i cituar dhe as roli i tij i mundshëm në Komision. Shqetësim është devijimi nga parimi dhe Kushtetuta, devijimi nga standardi, dhe bashkë me to, paralajmërimi se edhe për të tjerë mund të ketë sistemeve paralele vlerësimi e promovimi, – standarde të dyfishta, pse jo, edhe standarde “për Shqipërinë”. Nëse lexohet CV reale e një pjese të zgjedhur tashmë komisionerë, – nga gjyqësori, nga bota akademike, nga shoqëria civile apo nga profesione të tjera, – nuk është e vështirë të konstatohet se kanë arritur të kalojnë vetingun dhe kështu, të drejtojnë procesin e vetingut për të tjerët edhe individë me rekorde negative profesionale dhe ligjore. Në shtator ISP do të ketë një raport të detajuar për rastet dhe problematikat e detajuara.