Zhapokikë 1948, kryengritja e fshatarit të lirë shqiptar
Sadik Bejko
Kryengritja e Zhapokikës është një fakt historik, një ngjarje tragjike, heroike, e ndritur dhe e përzishme. Burrat e fshatrave Zhapokikë, Luftinjë dhe Kamçisht në vjeshtën e vitit 1948 u ngritën me armë në dorë për të mbrojtur liritë e të drejtat e tyre zakonore dhe pronësore, për të mbrojtur pavarësinë legjendare të malësorit shqiptar nga shteti, pavarësi, të cilën fshatari i lirë shqiptar, i mbrojtur nga normat e ngurtësuara zakonore, e ka gëzuar edhe nën pushtimet e çdo kohe, edhe gjatë mbretërisë në vitet ’30 të shekullit që shkoi, e ka gëzuar në shekuj.
Për këtë lloj lirie burrat e kësaj krahine luftuan me armë dhe u vranë në përplasje të pabarabarta në numër dhe në armatim me forcat qeveritare. Ata që mbetën gjallë nga betejat, u pushkatuan dhe u burgosën. Në hetuesi dhe në gjyq me kokën lart ata pohuan se “ne u ngritëm si ushtarë”, “ishim ushtarë në luftën për demokraci”.
Më lejoni që të shtjelloj atë që mendoj se nënkupton termi fshatar i lirë shqiptar. Pjetro Kuaroni, diplomat italian në Shqipëri në vitet ’30, në librin “Valixhja diplomatike”, shkruan se, siç i kishte njohur ai, fshatarët, malësorët shqiptarë mund të ishin burrat e fundit me të vërtetë të lirë në Evropën plakë. Dhe shton se marksizmi nuk mund të tolerojë asnjë mbijetesë të kohëve të kaluara. Fan Noli këtë fshatar me kalin, me pronën (pak tokë, ca bagëti), me pushkën, me jetën e vet asketike brenda normave zakonore e ka cilësuar më bej sesa beu. Ky fshatar ka bërë kryengritjet e Tanzimatit, luftërat për Pavarësi, Luftën e Vlorës, Luftën Antifashiste, ka bërë të gjitha luftërat në historinë shqiptare. Luftën gati e ka pasur profesion. Ka luftuar si nizam, ka luftuar si ushtar me pagesë. Ky fshatar sot nuk ekziston. Pas 1944-ës krenarisë dhe pavarësisë së trashëguar me një copë tokë dhe me një pushkë krahut do t’i vinte fundi. Prona e vogël, kanunet, pushka, krenaria e ashpër e varfërisë duhet të zhdukeshin. Burrat e kësaj zone këtë humbje nuk e honepsnin dot. Në thellësitë e viteve ata gjithmonë e kishin larë me gjak çdo cenim në pronë, në nder, në jetesën familjare. Nuk mund të bëheshin lodra në duart e shtetit. Kryengritja e Zhapokikës ishte grahma e fundit e kësaj lirie që dha shpirt njëherë e përgjithmonë.
Cilat qenë rrethanat dhe a pati ndonjë ngjarje të veçantë që i dha shkëndijën e zjarrit kësaj kryengritjeje? Shkrimtari i policisë së diktaturës, Themi Bare, në librin “Komplote, provokacione, dështime”, Tiranë 1976, shkruan se Kryengritja e Zhapokikës nuk ishte e nxitur nga jashtë, nuk ishte kryengritje e të quajturve kriminelë të luftës, të mbetur ende nëpër male.
Nga lindi dhe si lindi atëherë? Lindi nga brenda kësaj bashkësie, nga njerëz që diktatin e “jetës së re” në katër vjet e kishin duruar me shpirt ndër dhembë. Raportet e diplomatëve thonë se pas katër vjetësh nën diktaturë Shqipëria ndiente nevojë të mprehtë për ushqime dhe veshmbathje. Ishin vite të zisë së bukës. Në parti pas ndëshkimit të Koçi Xoxes kishte një ndarje në titistë dhe stalinistë. Raportet e diplomatëve japin pasqyrën e një gjendjeje të pakënaqësisë dhe të revoltës në tentativë në gjithë Shqipërinë. Edhe nga dosja hetimore e kësaj ngjarjeje del se dy të tretat e njerëzve në zonë ishin të pakënaqur.
Më 1948 zona tronditet e rrëqethet nga arbitrariteti, nga dhuna. Vriten me pushkatim disa prej njerëzve më me emër të kësaj krahinë. Duke vrarë më të mirët, diktatura kërkonte t’u ulte kokat gjithë të tjerëve. Pushkatohet Zenel Shehu, ish-komisar batalioni, Veiz Vasjari, agronom, i studiuar në Francë, bej dhe nacionalist, pushkatohet babai bektashi Shevqet Mahmutaj, pushkatohet atë Gjergj Suli, prifti i fshatit Lekël dhe Baba Ali Tomori, autor i gjashtë librave me ese, prozë, poezi. Katër nga këta u pushkatuan në Gjirokastër të lidhur duar më duar, në një ditë, në datën 14 janar 1948. U përzie gjaku i komisarit me të beut nacionalist, gjaku i klerikut bektashi me atë të priftit ortodoks. Vetëm diktatura mund t’i bëjë bashkë dhe njësh si armiq të saj njerëz kaq të ndryshëm.
Këto ishin kushtet në verën e vjeshtën e vitit 1948. Prapë mendoj se motivet bazë të rrëmbimit të armëve duhen kërkuar vetëm brenda jetesës së bashkësisë, duhen kërkuar në padrejtësitë që po ua bënë jetën të padurueshme këtyre banorëve. Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, ish partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë, i ri 30-vjeçar.
Në Levan, major Sulo Zaimi, ish-oficer i ushtrisë së mbretërisë, punonte në fshehtësi, nxiste e frymëzonte të tjerët duke qëndruar vetë në plan të dytë. Xhemali pas dy-tre muajsh, nëpërmjet mbledhjesh të fshehta, nga korriku në shtator, siguroi njerëzit, armatimin dhe komandën e asaj që u quajt çeta Baba Shevqet, për nder të klerikut të pushkatuar më 14 janar 1948. Të 20 e ca burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë. Veç njërit, të tjerët nuk ishin dënuar asnjëherë nga gjykatat. Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës, nëpunës të administratës lokale. Xhemali i dha çetës organizimin ushtarak. Flamuri i çetës u bë flamuri shqiptar me shqiponjën pa yll. Të gjithë bënë betimin sipas kodit zakonor. Kënga e çetës ishte Kënga e Baba Tomorit.
Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vijë në fuqi një qeveri demokratike. U zgjodh shtabi i komandës. Komandant u zgjodh ish-xhandari 59 vjeçar, Bajram Kamberi. Ky lloj orgaizimi luftarak (çeta, flamuri, betimi, arma, komanda, shtabi, detyra) këtyre burrave u pëlqeu. E vlerësuan seriozisht. Tani ata ndjeheshin të shndërruar në ushtarë, ushtarë të luftës për demokraci. Dhe kësaj i qëndruan deri në fundin e tyre.
Ja dhe disa nga vargjet e këngës së Baba Tomorit: “Ejani o popull, mblidhuni me ne./ O baba Tomori lësho një rrufe./ Armët ne i kemi fshehur nën dhe./ Do të bëjmë luftë flakë e batare/ si luftoi me pallë trimi Skënderbe”. Këtë këngë mendohet se e ka bërë baba Shevqeti. Shënojmë se zona ku u bë kryengritja, atëherë besonte shumë te faltoret bektashiane, se kishin kultin e malit të Tomorit, ku bënin pelegrinazhe dhe flijonin bagëti të imta dhe gjedhe.
Më 2 tetor çeta ra në përpjekje me policinë në fshatin Kamçisht. Forcat policore u thyen. Mbeti i vrarë toger Xhezo Makashi, shefi i policisë së Tepelenës. Kryengritësit morën drejtimin për nga Berati. Rezistojnë për rreth një javë të ndjekur nga forcat e shumta qeveritare. Përplasen me armë dhe tërhiqen. Kthehen prapë drejt Tepelenës se bazat e tyre në zonën e Beratit ishin zbuluar.
Më 10 tetor në qafën e Gllavës bëhet beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Luftëtarët janë të lodhur, të uritur, por rezistojnë. Mbesin të vrarë dy policë, mbesin të vrarë dhe dy kryengritës. Të tjerët çajnë rrethimin. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA. Të tjerët u kapën nëpër shtëpitë e tyre, shumica të fshehur në pyje e stane. Komandanti u kap i fundit, rezistoi tre muaj në arrati. Gjatë bastisjeve u vranë kryengritës dhe të afërm. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatua, u ekzekutua në Gjirokastër, më 21.07.1949. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arrin në nëntë. Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i Kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg.
Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri më 1991. Xhemali u stërvit në kampet e trajnimit në Maltë dhe në mbi dhjetë vjet si një Rambo nuk dihet sa herë hyri e doli nga Shqipëria. Ai në heshtje gëzonte simpatinë e krahinës si kundërshtar mitik i shtetit, i ndjekur këmba-këmbës nga sigurimi dhe policia, por që nuk u kap, nuk vrau njeri, nuk dhunoi, nuk mori hak në njerëz të tjerë. Nga takimet e fshehta me gruan e tij të internuar në Lushnjë më 1960 lindi një vajzë, që jeton ende. Xhemal Brahim Asllani vdiq në SHBA më 1983, 65 vjeç.
Pas eliminimit të çetës Baba Shevqet u kap për revoltë në tentativë grupi i Demo Kasos. Arrestimet dhe dënimet me burgim në të dyshuar për rebelim me armë u shtrinë dhe në 30 burra të tjerë nga fshatrat Luftinjë dhe Gllavë. Familjeve të të burgosurve iu sekuestrua pasuria. Ata u varfëruan dhe vuajtën përndjekjen politike si familjarë dhe bij të armiqve të shtetit. Në atlasin politik të luftës së klasave krahinat e Luftinjë dhe të Buzit u quajtën të padashura nga regjimi i kohës. Krahina nuk kishte përfaqësuesit e vet në Kuvend, në rreth, në polici e në gjykatë. Kur donin t’i poshtëronin politikisht ua thoshin copë: ju jeni nga ata të Zhapokikës. Dua të përmend me emër disa nga të rënët dhe të burgosurit: Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Sefer Yzeiri, të vrarë, anëtarë të shtabit të çetës, Safet Kamberi i vrarë, Hajri Mahmutaj, qëlluar me armë në burg, Adem Memaj, ish-mësues nga Salaria, u ridënua sa vdiq në burg. Xhemil Asllani vdiq shpejt i sakatuar nga burgu. Beg Veiz Rrodhja nga Zhapokika ishte komunist. Ishte më i varfëri i kryengritësve dhe luftoi deri në fund. S’e shkeli betimin. Dua të përmend disa nga ata që kam njohur si: Gani Kojdheli nga Kamçishti, Bejo Asllani nga Luftinja etj.
Këta burra të Zhapokikës, Luftinjës, Kamçishtit, burra të vitit 1948, nga formimi, nga bindjet, nuk ishin as komunistë, as antikomunistë, as përparimtarë as reaksionarë, ata ishin thjesht fshatarë. Me fjalët “jemi ushtarë jo banditë”, “do të bënim qeveri demokratike” ata shprehnin përgjegjësinë për të ndryshuar fatin, ndjenjën e dinjitetit të prekur dhe kërkesën për një jetë më të drejtë. Ata ushtarin e dinin se ç’ishte: ushtari merr një detyrë dhe vdes me nder për ta kryer atë. Sa për demokracinë, le ta themi se veç një iluzioni të turbullt, ata nuk e njihnin demokracinë. Por edhe kështu, dhe pa e kuptuar dhe pa e ditur se ç’ishte demokracia, ata luftuan për të, u vranë dhe u burgosën.
Ata luftuan me vetëmohim për ato çfarë donin dhe për ato që i besonin. Lufta politike e viteve ’30, lufta antifashiste e ndarë në nacionalistë dhe në partizanë kishin farkëtuar një fshatar shqiptar me kërkesa politike, një njeri që rrok armët për të mbrojtur idetë në të cilat beson.
Disa nga këta burra, siç e thamë, edhe vdiqën si luftëtarë… Sot ata mund t’i quajmë martirë. Më lejoni që, duke e përfunduar fjalën time, ta shtjelloj më tej këtë mendim. Njeriu që çliron veten nga pushtetet e jetës së përditshme, për t’iu kushtuar një ideje që e çmon, një ideje sublime, shndërrohet në martir. Këta njerëz e kishin arritur këtë stad të lartë shpirtëror. Duke hedhur armën në sup për t’u ndeshur për jetë a vdekje me shtetin, ata braktisën shtëpinë, katandinë, pasurinë, tokat, pra, braktisën pronën që është një nga pushtetet zotëruese të njeriut. Ata braktisën familjen dhe fëmijët që janë nga pushtetet më thelbësore për një jetë njerëzore. Ata braktisën edhe jetën e tyre, jetën që është e dashur mbi gjithë të tjerat. Ata i thanë jetës së tyre shko, shkëputu nga trupat tanë, hidhu tej si pluhur, si rërë, si shi a si farë. Ky stad shpirtëror i njeriut quhet lumturimi më i madh, është çlirimi nga çdo pushtet. Ata, mbase pa e ditur, janë vënë nën një frymëzim mistik dhe fetar, si ai që përjetojnë martirët para vdekjes. Derisa ata luftuan me armë në dorë kundër forcave që ishin më të shumta, më të armatosura, luftuan për një ide që e besonin, ata janë njëherësh martirë dhe luftëtarë.
Të tillë qenë pavarësisht se koha dhe fati ishin kundër tyre…
Që kur i luteshin Baba Tomorit të hidhte rrufe, ata mbase e parandienin fundin. Tomori kësaj here nuk gjuajti me rrufe mbi armiqtë e tyre. Ata vetë u gjuajtën me plumb e me burg. Me persekutim 40-vjeçar u gjuajtën edhe të afërmit dhe farefisi i tyre dhe gjithë fshatrat e krahinës së tyre.