Debati për Kadarenë, Dervishi i përgjigjet Demaliajt: Nuk je studiues, as njohës historie
Një përgjigje për Ilir Demaliajn.
Sot në të përditshmen “Panorama”, Ilir Demaliaj, nga llogorja e luftëtarit publicistik kundër Ismail Kadaresë, më ka përmendur në një shkrim të radhës në lidhje me çështjen e letrës së vitit 1980 të Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës. Nisur nga kjo, për pjesën time, nga llogorja e arkivistit e studiuesit i jap këtë përgjigje atij dhe çështjeve që ngrihen në atë artikull.
Nuk kam përmendur në asnjë rast emrin e Ilir Demaliajt sepse ai është rastësor e pa lidhje në këtë histori, është vetëm një shpërndarës dokumentesh. Unë i dal për zot vetë çdo materiali që emetoj dhe askush në botë nuk mund të më përdorë si shpërndarës. Kësisoj, Demaliaj le t’i linte “furnitorët” t’i dilnin për zot letrës dhe të debatonin si të donin e sa të donin. Demaliaj nuk është studiues, as njohës historie. Nëse ju kujtohet, ai deklaroi se disa fletë të dosjes që i dhanë për ta shpërndarë qenka “deklasifikuar”, në një kohë që ajo nuk ka qenë asnjëherë e tillë sepse letër është e nuk ka lidhje me sekretin. Në gjuhën e arkivistikës dhe të studiuesve këto janë gjëra elementare. E kur Demaliaj nuk i njeh këto gjëra të thjeshta, mos duhet pretenduar se njeh më shumë se kaq?
E kam ndjerë si detyrim që atë që dija ta ndaja me publikun, sepse këtë histori unë e njoh shumë mirë prej kohësh. Për kujtesë, në qershor 2011 kam dhënë disa intervista ku kam shpjeguar ndryshimin midis proceseve agjenturore-operative dhe atyre hetimore-gjyqësore. Në atë kohë u duk sikur “mbrojta” shkrimtarin Fatos Kongoli të cilin nuk e kam takuar asnjëherë në jetën time, sepse qëllimi i reagimit tim ishte vetëm e vërteta dhe jo avokatitë e qokat. Të gjitha këto çështje të viteve 1978-1980 janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ato nisin me një denoncim që bëhet dhe vijojnë me arrestime, vetëvrasje, këshillime, presione.
Edhe vetë Demaliaj nuk është konsekuent në atë që pretendon se mbron. Fillimisht, duke mos qenë në dijeni të aktivitetit antikomunist të Kadrie Kadaresë postoi letrën duke pretenduar “ligësinë” e Ismail Kadaresë kundër motrës së vet, e cila “i dhimbsej”. Më pas, hedh insinuata në lidhje me ndonjë rekrutim me “material shtrëngues” të Kadries (të jetë i qetë edhe këtu se nuk ka ndodhur). Po ashtu vendos në gojën time shprehje që nuk i kam thënë se gjoja dosja e Kadries është mbyllur në vitin 1978. Në asnjë postim timin nuk e kam shkruar këtë. Postimet janë të hapura dhe lehtësisht të verifikueshme. Presioni ndaj Kadries ka qenë i lartë dhe i pandryshueshëm në vitet 1978-1980. Edhe në hetuesi e kanë thirrur gjatë kësaj periudhe (fakt tjetër që Demaliaj nuk e di). Në rast se Ismali do ishte aq i keq me motrën e vet, mjaftonte të mos ta shkruante atë letër dhe Kadria do ishte në burg.
Demaliaj niset nga argumenti se e publikoi letrën, sepse nuk ishte e njohur më parë. Mendoj se nuk ishte çështje kureshtjeje, por qartësisht për të çorientuar publikun shqiptar, i cili pjesërisht e kuptoi si denoncim sepse nuk i njihte historitë e vjetra të dosjeve “Shtrigat” dhe “Krokodili”. Ashtu sikurse çështje të tjera dalin në problemet e centralizuara p.sh. “Bloza”, “Katrani”, “Aventurierët”, etj. Në atë kohë u hap dosje ndjekjeje edhe për Ismail Kadarenë, por këto janë asgjësuar në vitin 1979.
Kjo letër është e lidhur me proceset e tjera. E veçuar, ajo nuk është gjë tjetër veçse një manipulim ndaj publikut. Në mënyrë të habitshme, më pyet nëse e kam diskutuar me Ismail Kadarenë apo jo? Kam lexuar aq letra, saqë nëse do bëja diskutime me shkruesit e tyre nuk do më dilte jeta. Kushedi sa letra kam lexuar për shembull nga oficerët e punëve të brendshme. Mos duhet të kërkoja se ku ishin ata edhe bijtë e tyre brenda apo jashtë Shqipërisë?
Së fundi, po ju them diçka tjetër. Kam lexuar qindra letra të të dënuarve politikë të dënuar me vdekje apo edhe me burgim. Ka mjaft raste kur ata apo familjarët shkruajnë se vuajnë nga çrregullime mendore, prandaj i duhej falur jeta apo ulur dënimi. Tani t’i marrin këto letra e t’i botojmë në këtë formë e të themi se e kanë pranuar vetë çfarë kanë qenë dhe e meritonin dënimin me burgim apo me vdekje?