Ambasadori amerikan: Jam i lumtur që Vuçiç flet për pranim të realitetit në Kosovë
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka shfaqur shpresën se nisma e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për dialog të brendshëm për çështjen e Kosovës do të rezultojë me përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Nuk e di se ç’ka saktë në mendje presidenti Vuçiç, por sigurisht jam i lumtur që po e dëgjoj duke folur për kompromis dhe për pranim të realitetit. Sigurisht që për Kosovën dhe për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është thelbësor që të dyja vendet të përparojnë drejt institucioneve evropiane, për të cilat flasin ato”, ka thënë Delawie për KTV.
Delawie ka folur edhe për dialogun e Brukselit.
Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka sjellë përfitime të vërteta pozitive për Kosovën, siç janë “mbledhja e taksës doganore në kufirin verior, integrimi i Policisë e gjëra të tilla”.
Ai ka theksuar se dialogu ka ngecur për momentin dhe i ka inkurajuar palët që të vazhdojnë tutje me këtë proces.
“Nuk mund të mohoni se kohëve të fundit dialogu ka ngecur. Mendoj se është shumë me rëndësi, të paktën për interesat e Kosovës, që dialogu të rimarrë energji dhe që të dyja vendet të punojnë drejt normalizimit, të cilit i janë përkushtuar”, ka përfunduar Delawie.
Ambasadori amerikan në Kosovë u ka sugjeruar subjekteve politike të Kosovës që të zgjedhin ngërçin politik pa ndërhyrje nga të huajt.