Albspirit

Media/News/Publishing

Çitaku: Qytetarët duhet të dëgjojnë nga udhëheqësit e tyre për LGBT

Sbunker pyet: Pse është tani koha të flasim për të drejtat e komunitetit LGBT?

Kam qenë 18 vjeç. Një nga udhëtimet e mia të para në Evropën Perëndimore. Ndalesa e parë, aeroporti i Vjenës. Kurrë nuk do ta harroj atë tronditje. Unë, me valixhe në dorë, dhe një çift, dy burra, po putheshin me epsh para meje. U shtanga nga ajo që po më shihnin sytë. E edhe më shumë u trondita që askujt përreth meje nuk po i bënte përshtypje. Fillova të dyshoj në kthjelltësinë e mendjes dhe qartësinë e të parit. Fërkova sytë. Çifti vazhdonte të ishte para syve të mi, dhe të gjithë përreth vazhdonin të ishin indiferentë.

Mirë, i thashë vetes, diçka nuk është në rregull këtu, po do ta zbuloj më vonë se s’bën. Kurrë në jetë, jo që nuk kisha parë çift homoseksual, por as që kisha besuar që ekzistojnë. Sigurisht, me shokët e shoqet e klasës përshpërtitej ndonjëherë se një “soj” i tillë ekziston, por ama për mua, e besa edhe për miqtë e mi, këto tingëllonin më shumë si legjenda urbane. Në familje kurrë askush nuk na kishte folur për LGBT, në shkollë aq më pak. As për të mirë, e as për të keq.

Vazhdova rrugëtimin tim, në mosbesim për atë që më panë sytë. Fati im, që personi i parë të cilës iu hapa për “traumën” e përjetuar ishte një trajnuese nga Suedia, në konferencën e të rinjve në të cilën unë po merrja pjesë. “Si, po mendon Vlorë,  që në Kosovë nuk ka homoseksualë?!”  U ndjeva keq për injorancën time. Mikja nga Suedia, të cilës ia kam harruar emrin, më tha një listë të gjatë të emrave të shkrimtarëve, artistëve, dhe shkencarëve të famshëm të cilët kanë qenë gej. U shtanga. “Mos u brengos, Vlorë, më pat thënë ajo, në këtë pikë më mirë është të jesh e paditur se homofobe”.

E unë vetë me vete sërish “Çka është homofobia?”. Nga turpi, nuk e pyeta miken time. Në atë kohë, ndonëse interenti ekzistonte, nuk kishte shumë të dhëna. Megjithatë, fillova të lexoj dhe ta edukoj veten time. Ai udhëtim ndryshoi rrënjësisht botëkuptimet e mia mbi jetën dhe dashurinë. Kuptova që kishte shumë forma të dashurisë. E sa më shumë dashuri, aq më mirë.

Fatkeqësisht, edhe sot në Kosovë, pas shumë vitesh nga udhëtimi im i parë në Vjenë, ka shumë padituri dhe shumë homofobi ndaj komunitetit LGBT. Njëra e ushqen tjerën. Ndonëse infrastruktura kushtetuese dhe ligjore në Kosovë është shumë e avancuar, madje shumë më e avancuar se në shumë vende perëndimore, gjendja reale është ende shumë e rëndë. Të jemi të qartë, në asnjë vend në botë, madje as në ato më liberalet, nuk ka një pajtim konsensual lidhur me të drejtat e komunitetit LGBT. Edhe në SHBA, ku jetoj tani, vazhdimisht raportohet për diskriminim. Gjithmonë do të ketë grupe të caktuara që do të kundërshtojnë martesat e së njëjtës gjini. Por, ajo që bën ndryshimin është mënyra sesi trajtohen nga shumica. Si trajtohen nga institucionet. Si trajtohen nga mediat.

Është momenti i fundit që në Kosovë të hapet ky debat. Urgjentisht duhen korrigjuar tekstet universitare, ku grupi LGBT konsiderohet kategori me të meta mentale. Urgjentisht duhen ndryshuar stereotipet. Qytetarët tanë duhet të dëgjojnë nga udhëheqësit e tyre se çka mendojnë ata për grupin LGBT. Artistët dhe akademikët duhet të flasin hapur. Duhet të flasim të gjithë. Ta mundim mosdijen dhe homofobinë. Mohimi nuk është përgjigje. Heshtja nuk është përgjigje.

Gjatë punës sime si ministre, jam munduar vazhdimisht të punoj në këtë drejtim. Por nuk është mjaft. Ka ende shumë punë për të bërë. Pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë, disa prej të cilëve i kam takuar edhe personalisht, kanë nevojë për më shumë përkrahje. Ata jetojnë me frikë. E disa edhe me turp e faj. Vetëm pse bëjnë pjesë në LGBT. Për hir të dashurisë, të cilën të gjithë e duam shumë, ne duhet të flasim me zë.

Tekefundit, kur është në pyetje dashuria, askush nuk duhet të bëjë pyetje.

10 mars 2016/sbunker.net/

Please follow and like us: