Largimi tragjik i prozatorit brilant
Shtëpia Botuese “Toena” nxori nga shtypi, në serinë “Tregime të zgjedhura shqiptare”, librin “Mbama pak pallton, çun!” të shkrimtarit Faik Ballanca. Për lexuesit e rregullt e dashamirësit e letërsisë së viteve ’70, F. Ballanca do të kujtohet me nderim, sepse ka lënë gjurmë të një proze sa jashtë skemave e politizimeve, aq të bukur e origjinale. Që në tregimet e librat e parë, Ballanca u dallua si më prodhimtari e më cilësori mes shkrimtarëve të brezit të tij. Duke pasur një sërë dhuntish, me talent të vërtetë, me kulturë të gjerë e me intuitë artistike, ai shkroi në një kohë relativisht të vogël tregimet, novelat dhe romanin e tij të vetëm. Kjo përmbledhje antologjike është një pasqyrë brilante e tregimeve të Ballancës, ku drama e dashurisë së vërtetë, ndjenja e pashuar për liri, lufta për të ruajtur të pacënuar dinjitetin njerëzor, mirësia si virtyt e vlerë e natyrshme shpirtërore, shpalosen lirshëm përmes rrëfimesh të thjeshta e të kristalta. Ja si shprehet për Faik Ballancën shkrimtari Vath Koreshi: “Gjithë artin e tij ky njeri me zemër vezullimtare e vuri në funksion të fisnikërimit të njeriut; të tregojë se ç’rrezatim të fuqishëm ka një shpirt që do, që dhemb dhe që nuk pranon meskinitetin”. Faik Ballanca pati një jetë të shkurtër që u mbyll tragjikisht, por la pas veprën e tij që do të jetojë gjatë, sepse krijimtaria me vlera të vërteta estetike e jetësore gjithmonë do të pëlqehet e shijohet nga njerëzit e qytetëruar. Libri mbyllet me mendime e vlerësime të kritikës letrare dhe të shkrimtarëve të njohur shqiptarë.
KADARE: Romani “Nomeja e largët” i Faik Ballancës më pëlqeu. Asnjë nga akuzat që i bën redaksia nuk qëndrojnë. Ky është romani i tij i parë dhe çuditem se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne.
AGOLLI: Faik Ballanca e pati të shkurtër kohën e krijimtarisë, ashtu siç e patën Lermontovi, Migjeni, Veli Stafa apo Drago Siliqi. Nga kjo anë, e fundit të dhimbshëm të jetës së shkurtër, megjithëse në rethana të ndryshme shoqërore, ai u shëmbëllen në fatin tragjik këtyre shkrimtarëve, që nuk i dhanë dot të gjitha ato që mund të jepnin. Megjithatë Faik Ballanca, ky i dashuruar i marrë i librave, la një trashëgimi të vyer letrare, që përcjell te njerëzit një kënaqësi të vërtetë estetike edhe sot e kësaj dite. I pajisur me një kulturë të pasur letrare dhe me një shije të hollë artistike, shumë bashkëkohore, me tregimet dhe novelat e tij të një drejtimi të ri dhe modern, ai la gjurmë në novelistikën shqiptare, megjithëse vdiq i ri. Tregimet e novelat e tij shquhen për frymën e re përparimtare, për konfliktet e natyrshme e të pastisura, për dinamikën e rrëfimit dhe për lëvizjen e elementeve të frazës. Por mbi të gjitha, në prozën letrare dhe publicistike të Faik Ballancës ngrihet fryma humane e një krijuesi me stofin bashkëkohor. Duke lexuar prozën e Faik Ballancës, ndjehet serioziteti dhe respekti që ka pasur ai për punën e mundimshme të shkrimtarit; prandaj, që me vështrimin e parë në fytyrën e tij do të dalloje lehtë-lehtë një hije melankolie, ku fekste një shkëndijë gjysmë pesimiste e gjysmë ironike – shenjë kjo që vihet re në përgjithësi te njerëzit e talentuar.
KORESHI: Jo rrallë më ndodh që, duke lexuar tregime të Faik Ballancës, më vjen në vesh zëri i tij gjithmonë i shtruar dhe i mbushur me magjinë e zemrës dhe mendjes së tij aq të mprehtë. Faiku ngjallet sa herë, sepse gjithmonë ne kemi nevojë të na plotësojë me diçka që na mungon. Kur jemi të padrejtë, ai na ofron ndershmërinë e tij, kur na tut jeta, ai na bën më të guximshëm. Ai di të na shtyjë gjithmonë që të bëhemi më shumë njerëz, më shumë shokë dhe më shumë të mençur. Gjithë artin e tij ky njeri me zemër vezullimtare e vuri në funksion të fisnikërimit të njeriut; të tregojë se ç’rrezatim të fuqishëm ka një shpirt që do, që dhemb dhe që nuk e pranon meskinitetin. Ai ishte kundër cinizmit dhe prepotencës së më të fortit ndaj më të dobtit; ai ishte një i afërt i jashtëzakonshëm i njeriut me halle. Kur kam lexuar tregimin e tij “Njerka”, kam pasur një bashkëshoqërim aq të afërt të fytyrës së tij me atë të Migjenit. Kjo vinte jo thjesht nga një ngjashmëri edhe jo shumë e largët e tipareve të tyre me një si lëngim të përhershëm, por sidomos me një dhimbje fine që nuk e fyen dhe nuk nënçmon njeriun, por e bën atë dhe më njerëzor tek shfaqet në hallet e përditshme. Të mbetet një dhimbje kur vë re se Faiku nuk e ka kapur penën që të mallkojë një njerkë, por që t’i qajë hallin asaj për sakatllëkun që i ka dhënë natyra. Janë shumë e shumë tregime të Faikut që përshkruajnë njerka të tilla, nëna, motra, burra të heshtur e si të mënjanuar, në përgjithësi njerëz që mezi bien në sy në kopshtet dhe në shtëpitë e tyre përdhese, në rrugicat e ngushta dhe në një jetë pa zhurmë e pa bujë. Në këtë peizazh bojë hiri për një sy të zakonshëm, Faiku zbulon një botë që të trondit me njerëzillëkun e saj, vajza që përmes një dashurie të turbullt e të paqartë krehin flokët para pasqyrave dhe gatiten për të dalë në jetë dramatikisht të zakonshme, por aq të zbukuruara në përfytyrimin e tyre. Sepse Faiku ishte një shkrimtar që ishte aq hollë, një zemër që dridhej aq lehtë, një dashuri njerëzore që donte aq shumë. Ai donte ta mbillte trevën letrare me “Njerka” dhe “Kaleidoskopi”, me “Mbama pak pallton çun” dhe “Mbasdite të lagura” në vend të skemave dhe steriotipeve të mërzitshme. Ai ishte një shkrimtar që nuk u tundua asnjëherë nga apelet propagandistike të ditës, nga manierat dhe modat, aq të parapëlqyera nga mesatarët. Sigurisht një shkrimtar i përmasave të tilla të shtyn të flasësh për shumë e shumë gjëra. Unë kisha për të bërë këtu një zbërthim të disa vlerave artistike të tregimeve të Faikut, po më rrëmben ideja se këto cilësi të shkrimtarit si talent, rrjedhin nga shumë cilësi të shkrimtarit si njeri. Unë e kam dashur gjithmonë Faikun njeri, i cili e ka lënë veten në qindra faqe të shkruara me një talent të rrallë. Ai është në të gjitha rastet djaloshi shtatpakët që ecën me një çap të shpejt dhe lëkundje të rregullt të shpatullave, bashkëbiseduesi me një zë pak si nëpër grykë dhe pak si nëpër hundë, i vëmendshëm dhe i durueshëm deri në vetëmohim, vështrimçiltëri me sy të gjelbër dhe me dritë të butë, i paepuri dhe vullnet-hekuri, karakteri i fortë dhe udhëpalëshuari para çdo padrejtësie. Edhe letërsia e tij është e tillë. E thjeshtë dhe e çiltër. E mençur dhe fjalëkursyer. E mbushur me dashuri. E mbushur me dhimbje. Duke luajtur në fushën më të rrezikshme për suksesin, siç është jeta e përditshme pa maja, aq komode për të rënë në sy, Faiku tregon se është shkrimtar i kualiteteve të larta. Ai është një shembull nga më domethënësit se nuk mund të zëvendësohet magjia e artit nga manipuluesit e fjalës.
LAÇO: … Faik Ballanca nuk arriti dot tek ai cak që të fliste për vete, cak që, pse të mos e themi, është gjithashtu një nga atë ambicjet e mira të njeriut të cilat kthehen në forca lëvizëse. Mbështetja më e mirë për këtë pohim është romani i tij “Nomeja e largët”. Çfarë e bëri këtë vepër që t’i shpëtojë “vjetërimit” prej së cilës e kanë pësuar shumë vepra të tjera? Është e vërtetë, romani i përket një pene të zgjuar që jo vetëm nuk vuan për fjalën, por që zotëron edhe atë cilësi stili që e bëjnë atë të këndshme e tërheqëse. Është e vërtetë, gjithashtu, se dramat që përjetojnë personazhet e tij, jepen në mënyrë bindëse e nuk janë vetëm disa halle të përkohshme e për dukuri kalimtare që shfaqen, zgjidhen e zhduken për një periudhë të caktuar, gjë që mund t’iu japë veprave disa vlera njohëse, por jo një shtrirje të gjatë kohore. Megjithatë, edhe kjo nuk do të mjaftonte për ta shmangur vjetërimin, i cili shfaqet si një rrezik potencial ku e ku më i madh në atë vepra që rreken të flasin drejtpërdrejt për atë çka ndodh njëkohësisht me procesin letrar…Romani “Nomeja e largët” e sjell jetën e një fshati të jugut me gëzimet e shqetësimet, përpjekjet e hallet, me ëndrrat e shpresat për një të nesërme më të bukur, nëpërmjet një sërë figurash, që janë mjaft të veçanta, ndonëse përfaqësojnë të njëjtën psikologji. Ata i bashkon ndjenja dhe qëndrimi i njëjtë ndaj historisë dhe së sotmes, por i dallojnë fatet personale e veçoritë psikofizike. Të vrullshëm e me temperament, të ndershëm e të vetëdijshëm, për punën që bëjnë, janë dhënë barinjtë: Peçoja, Liloja, Myrtoja, e Hiqmeti. Pak më i zbehtë Ndrekoja. Plot freski dy skajet e moshës, xha Golja dhe Ndoni me romantikën e adoleshentit. Me nënvizime të holla, që e mënjanojnë paraqitjen bardh e zi është Bardha. S’ka si të mos bjerë në sy se proza e Ballancës, me fjalën e saj intensive e të shkathët, të pasur në gjuhë e në frazeologji dhe me një sintaksë që ballafaqohet denjësisht me prozën moderne, në kuptimin më të mirë të fjalës, qëndron me dinjitet të plotë krahas prozës sonë më të mirë.
LERA: …Faik Ballanca nuk është nga ata shkrimtarë që luajnë me vdekjen për të tronditur lexuesin. Për të kjo ishte sa e pandershme, aq edhe e padenjë. Njeriu, edhe kur nuk ka respekt për jetën e të tjerëve, është i detyruar të përulet me nderim përpara vdekjes së tyre. Dhe Faiku, si askush tjetër, dinte të përulej me dhimbje para vdekjes së personazheve të tij, duke respektuar tek ata aktin e fundit të burrërisë së tyre… …Faik Ballanca kapi në moshë të re atë që shumë shkrimtarë e arrijnë në moshë të madhe, sepse të tilla ishin parimet e tij letrare, parime që u shfaqën që në tregimin e parë dhe erdhën duke u thelluar në romanin e tij të vetëm dhe të fundit. Ai i qëndroi besnik vetes, sepse e dinte se shkrimtari nuk ka një vdekje, se shkrimtari ka edhe një vdekje të dytë, më të tmerrshme se e para, vdekjen e pasvdekjes. Ndershmëria e tij mund ta përballonte vdekjen e parë siç e përballon çdo njeri, por si shkrimtar nuk do ta përballonte vdekjen e dytë, atë të pasvdekjes. Ky ndërgjegjësim e shoqëroi në çdo hap krijimtarinë e tij, si cenzori i vetëm i tij. Dhe nëse Faiku si njeri prej mishi dhe gjaku nuk është më, cenzori i tij është ende gjallë. Duke qëndruar pranë nesh, për të na thënë se jeta ndryshon formë, por nuk zhduket. Ajo përcillet në mijra ngjyra. Faiku e përcjell me prozën e tij, e cila filloi atë mëngjes, me një tregim të shkurtër, me një titull më se të raskapitur nga përdorimi, po që nën penën e shkrimtarit fitoi një peshë të papritur, si të ishte titulli i parë…
ASHTA: Që të mbesësh shkrimtar i njohur dhe të zësh një vend në letërsinë e vendit tënd, mosha në kuptimin e jetëgjatësisë është një tregues relativ, kryesor është talenti. Edhe prozatori Faik Ballanca, ndonëse vdiq i ri në moshën 31 vjeçare, zë një vend të nderuar në prozën tonë. Prandaj botimi dhe ribotmi i krijimtarisë së tij letrare do të shërbejë për ta bërë këtë prozator të talentuar, të njohur e të çmuar edhe për lexuesin e sotëm.
ÇAUSHI: Vlera më e madhe artistiko-profesionale e veprës (e romanit “Nomeja e largët” – shën. i red.) është ndoshta fakti që pothuajse në më shumë se gjysmën e saj nuk bëhet fjalë fare për Bendon, por tregohen rrëfenja nga pleqtë e fshatit për të kaluarën dhe posaçërisht për luftimet, për pushtuesit e huaj, për masakrat e tyre që nga 191… e deri në Luftën e Dytë Botërore. Krerët e romanit, ku bëhet fjalë për Bendon, këmbehen me krerët që emërtohen “Gjithsecili tregon një histori”, ku parakalojnë biseda, ndodhi e kujtime të pleqve për ngjarje, në të cilat kanë qenë vetë pjesëmarrës. Këta dy lloj krerësh janë si dy paralele që shtrihen bashkërisht nëpër faqet e romanit. Por, ndërsa teoria thotë se edhe vijat paralele takohen në infinit (çka do të thotë se nuk takohen kurrë), paralelet e Ballancës takohen diku, në një qafë dhe krijojnë një aliazh të paçbëshëm. Kjo s’është thjesht risi (fjalë, kjo fort e shfrytëzuar), është një zbulim në artin e të shkruarit, që mund ta bëjnë vetëm talentet.
DILAVERI: Pas vëllimeve të para me tregime, në këtë lloj të prozës sonë, debutoi edhe prozatori Faik Ballanca në përmbledhjen me tri novela (“Katër orë larg shtëpisë”, “I fundit”, “Shtigje me helm”), ku mund të vërehen disa tipare të krijimit të tij si edhe ndonjë problem i novelistikës sonë, i gërshetuar ngushtësisht me pasurinë jetësore që ka mundur të derdhë ai si nëpërmjet rrëfimit realist, ashtu edhe nëpërmjet forcës artistike të fjalës së tij. Të tri novelat janë të ngritura mbi subjekte të pasura me ngjarje dhe episode, shumica e të cilave dëshmojnë se autori e njeh mirë realitetin për të cilin flet; kjo bie në sy sidomos kur është fjala për novelat me temë aktuale. Autori jo vetëm e njeh jetën, por ai edhe ka ditur ta japë nëpërmjet një rikrijimi të shkathët artistik duke ngjallur te ne emocione e ndjenja të cilat na ndihmojnë ta shijojmë më lehtësisht veprën, duke na komunikuar njëherazi ide e mendime për njerëzit dhe ngjarjet.
JAKLLARI: Urtësia e vjetër e latinëve “Jeta është e shkurtër, arti jeton gjatë” na kujtohet teksa lexojmë librin “Nomeja e largët”. Megjithëse autori i tij ka kohë që nuk është më midis nesh, ai vazhdon të komunikojë me lexuesin. Dhe komunikon bukur. Kritika dhe opinioni ynë ka parë me kohë te shkrimtari Faik Ballanca prozatorin e talentuar. Përmes romanit dëshmohet jo vetëm rrëfimtari i zhdërvjellët, por edhe shkrimtari me një vizion të gjerë e vëzhgime të holla mbi botën shoqërore e vetjake të njerëzve.
JORGONI: Nga pikëpamja e stilit, shkrimtari F. Ballanca tregohet i kursyer në fjalë. Gjuha e novelës Kënga e Fundit e Marko Boçarit, është sintetike, ajo ngërthen lëndë të pasur, fakte e një ngarkesë të madhe dramatike. Autori na skicon një mori tipash që na mbeten në mendje sepse jane kapur tipare përgjithësuese e individuale të karakterit të tyre. Këto personazhe jane dhënë në veprime, ata janë paraqitur të diferencuar dhe me ndjesinë e maturisë e të veshtrimit realist, duke mos rënë në skematizëm e paraqitje të përciptë të jetës e të dramës së personazhit. Gjerësia e paraqitjes së jetës dhe shtrirja e subjektit, na flasin bindshëm për aftësinë e shkrimtarit për rrokje e hulumtime të anëve të ndryshme të jetës për një vështrim në gjërësi e thellësi, vështrim që e shpëton veprën nga karakteri përshkrues e biografik.
KEKO: Tregimi “Mbama pak pallton çun” ishe vërtet i shkëlqyer dhe më la mbresa të thella… Ai vazhdon të mbetet një nga perlat e tregimit tonë të ri.
KONDO: Ka njerëz që jetojnë gjatë e harrohen shpejt. Ka të tjerë që jetojnë pak dhe nuk harrohen kurrë. Faiku ishte njëri nga këta. Për mua, në letërsinë shqiptare të shekullit XX, dy janë që ngjajnë si vëllezër siamezë si nga jeta e shkurtër dhe nga krijimtaria e shquar, Migjeni në poezi dhe Faik Ballanca në prozë. Ishim shumë që e kishim mik atë. Jemi pak që afrojmë me të nga kultura, nga vullneti, nga pasioni për letërsinë dhe dashuria për jetën. Ai lexonte lehtësisht në tri gjuhë të huaja, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Dhe të mendosh se me sa mundim i binte atij në dorë libri letrar në këto gjuhë. Ai donte dhe çmonte shumë Kamynë dhe Kafkën. I lexonte natyrisht në orgjinal, se edhe të donte t’i gjente në shqip, nuk kishte se ku, thjesht nuk përktheheshin. Adhuronte shumë Dostojevskin, për të cilin na kishte zili neve që këndonim në rusisht. Jam i sigurt që vetëm për të, Dostojevskin, ai do ta mësonte një ditë rusishten. Faiku ishte gati dhjetë vjet më ri ri se unë dhe kisha kënaqësinë të bisedoja me të si me një më të madh se vetja. Ai pëlqente shumë pëllumbat dhe prej tij mësova nofkat e tyre “kacalyc”, “komlesh” etj. Ishim tifoz boksi dhe ndiqnim edhe natën vonë së bashku Muhamed Aliun me shokë. Ai ishte elegant, por i imët dhe me trup mesatar. Në boks ai do të ishte pesha e puplës, por në letërsi ai u mat me peshat e rënda dhe fitoi. Janë dy Faikër në prozën shqiptare. Faik Konica plaku, mohues dhe hokatar dhe Faik Ballanca i riu, pohues dhe tragjik. I pari jetoi dhe vdiq patriark në vend të huaj, i dyti jetoi e vdiq djalë në vend të vet. Fate të ndryshme, jetë krejt të ndryshme, herë groteske e herë skeptike, por i bashkon të dy përjetësia. Pa dyshim në jetë Faiku që si meteor që u dogj herët, por në letërsi ai mbetet një kometë që kthehet gjithnjë në planetin e vet.
SPAHIU: Faiku ishte njeri i lirë. Atë e zemëronte padrejtësia. Ai ishte herë shoqëror e herë individualist. Këto tipare shfaqen edhe në krijimtarinë e tij. Veçanërisht në tregime ai është një autor me emër mjaft të veçantë dhe origjinal. Në tregimet e tij, realizmi i ruajtur me zgjuarsi dhe thellësi bashkohej me një lirizëm, me zbulimin e detajit të hollë e herë – herë me një romantikë të ndritshme. Temat jetësore, stili i drejtpërdrejtë e veçanërisht ndjenja e masës – të gjitha këto tipare të Ballancës i jepnin modernitetet e zhanrit, tregimit shqiptar, në një çast kur ai po shkëputej nga një frymë herë – herë e vjetëruar, sipërfaqësore. Unë them se ai ka mësuar shumë nga proza migjeniane. Marrë në përgjithësi vëllimi “Mbasdite të Lagura” i Faik Ballancës është një kontribut i vlefshëm letrar.
SHAPLLO: …Pastaj mbaj mend kur lexova tregimin “Mbama pak pallton çun”, se u befasova kur gjeta shkakun që e kishte shtyrë shkrimtarin për atë tregim: një shef i moshuar e kishte krahun të plagosur në luftë dhe kërkonte ndihmë… S’ishte pra punë servilizmi, po qëndrim human, të cilin një i ri e pranon me dinjitet…Si për Faikun, e për të tjerët para tij si Dragua, rri e mendoj me pikëllim që ikën të rinj, natyrisht në rrethana të ndryshme. Po e tillë është jeta. Faiku flet edhe sot me atë pjesë të shpirtit që hodhi në krijimtarinë e tij.
Gusht 2003