Albspirit

Media/News/Publishing

UN Women: Roli jetik i përfshirjes së djemve dhe burrave për barazi gjinore

Nicola Brassil

Tema e kësaj “Përballje” na fton të analizojmë të mirat e barazisë gjinore. Shpesh, barazia gjinore asociohet me betejën për të arritur të drejtat e gruas. Si rezultat, ndodhë që vetëm një pjesë e shoqërisë të ndihet përgjegjëse në mënyrë të drejtpërdrejtë për t’u angazhuar për këtë kauzë. Sidoqoftë, barazia gjinore ka të bëjë me arritjen e të drejtave të barabarta, përgjegjësive, mundësive dhe prioriteteve për gratë, duke u siguruar që asnjë person nuk diskriminohet për shkak të gjinisë. Ashtu që shoqëria të përfitojë në tërësi nga barazia gjinore, ne duhet ta eliminojmë diskriminimin gjinor. Në këtë artikull, unë përqendrohem në vetëm një karakteristikë të rëndësishme të një strategjie të suksesshme për arritjen e barazisë gjinore dhe përfitimeve që pasojnë: kontributi i përkushtuar i burrave dhe djemve.

Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave ka theksuar se, që të arrihet barazia gjinore, duhet të ketë partneritet mes grave, burrave, vajzave dhe djemve. Në shumë raste burrat gabimisht besojnë se lufta për barazi gjinore nuk u takon. Megjithatë, duke anashkaluar rolin e tyre në këtë përpjekje, ata gjithashtu humbasin rastin të përfitojnë nga pjesëmarrja e tyre. Rolet negative gjinore ndikojnë edhe te burrat. Për shembull, pikëpamjet stereotipike mbi maskulinitetin dhe “forcën” mund të rezultojnë me rrezikim të shëndetit mendor për burrat. Në mënyrë që mbarë shoqëria të përfitojë, burrat mund të luajnë rol aktiv në arritjen e barazisë, edhe vetëm duke ndarë përgjegjësitë familjare në shtëpi, apo duke denoncuar dhunën ndaj grave. Përmes marrjes së një qëndrimi për barazi gjinore, burrat bëhen modele për fëmijët dhe adoleshentët, duke i kontribuuar shoqërisë në tejkalimin e sjelljeve negative tradicionale, të cilat përforcojnë diskriminimin gjinor.

Fushatat për rritjen e vetëdijes publike janë një metodë, me anë të së cilës mund ta ngremë vetëdijen e burrave dhe të djemve në çështjet e barazisë gjinore. Këto fushata janë një mjet i rëndësishëm i shpërndarjes së mesazheve pozitive dhe ndikimit në opinionin publik. Në Kosovë, organizatat vendore dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile kanë luajtur një rol aktiv në riformimin e qëndrimeve mbi barazinë gjinore përmes shumë fushatave për rritjen e vetëdijes, që nga viti 1999. Një tregues suksesi është rritja e raportimit të dhunës në familje në Kosovë në vitet e fundit. Për shembull, 1,179 raste u raportuan në vitin 2014, në krahasim me 1,021 të raportuara në vitin 2012. Edhe pse rritja në këto raste mund të duket si rezultat negativ, gjithashtu mund të interpretohet edhe si ndryshim në qëndrimet e shoqërisë ndaj dhunës kundër grave dhe një përmirësim i besimit të publikut tek Policia e Kosovës.

Përfshirja e burrave dhe e djemve është tema qendrore në fushatën e sivjetme ‘16 ditë kundër dhunës në baza gjinore’ në Kosovë, udhëhequr nga UN Women në kuadër të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore. Siç është cekur gjatë fushatës, heronjtë dhe heroinat e barazisë gjinore mund të jenë të formave të ndryshme, dhe mund të dalin në sipërfaqe përmes veprimeve më të thjeshta. Të rinjtë, si djemtë dhe vajzat, kanë qenë të angazhuar në fushatën e 16 Ditëve. Ata janë trajnuar në fotografi dhe shkrime me tema që trajtojnë gjininë, dhe fotografitë e tyre me temën“Heronjtë dhe Heroinat e përditshme të barazisë gjinore” janë një sukses i madh!

Mbi të gjitha, gratë, burrat, vajzat dhe djemtë së bashku, mund të ndryshojnë stereotipet negative gjinore dhe ta eliminojnë diskriminimin. Në një mënyrë që mbarë shoqëria të përfitojë nga barazia gjinore, të gjithë anëtarët e saj duhet të kontribuojnë.

Autorja është praktikante në organizatën UN Women./2 dhjetor 2015

_______

Ky edicion i Përballjes është një nismë e përbashkët mes Sbunker dhe UN Women, në kuadër të Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, si pjesë e fushatës 16 ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Kjo fushatë globale ka për synim ngritjen e vetëdijes publike dhe rritjen e vullnetit dhe burimeve politike për parandalimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave kudo në botë. Për më shumë, vizitoni: http://www.16-dite.com/

Please follow and like us: