Aksidentoi për vdekje 54-vjeçarin, flet deputeti Rakipi: Si ndodhi aksidenti, pse e gdhiva atë natë në Durrës
Deputeti i i PDIU, Aqif Rakipi, i cili aksidentoi për vdekje një 54-vjeçar në autostradën Tiranë-Durrës, duke shprehur keqardhjen për humbjen e jetës së 54-vjeçarit ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe ai nuk kishte pasur mundësi ta shmangte aksidentin fatal.
“E them me sinqeritetin më të madh që jam tej mase i hidhëruar për atë që ndodhi.E kam thënë dhe e ripërsëris që ndjej keqardhje dhe dhimbje për jetën e viktimës Fatkeqësisht nuk kam mundur ta evitoj aksidentimin e tij megjithë përpjekjen e bërë”, tha Rakipi për mediat.
“Viktima ka kaluar në fraksion sekondi dhe nuk kam asgjë për të sqaruar sepse nuk kam bërë asnjë përpjekje të përdor pozicionin tim si deputet për të fshehur të vërtetën e këtij aksidenti që u pa edhe nga të paktën dy a më shumë persona që kaluan rrugën duke mos pyetur për rrezikun që sjell kalimi i saj prej tyre në atë mënyrë aq të pakujdesshme.
Policia dhe prokuroria kanë aty provat filmike dhe të gjitha provat e tjera . Nuk jam tip që i fshihem të vërtetës. Në këtë rast ajo është kështu si po e them dhe sikurse e kam deklaruar e nënshkruar para organeve kompetente.Ndërsa gjithçka tjetër është spekullim keqdashësh ndaj emrit dhe figurës time publike”, u shpreh Rakipi
Ai gjithashtu kërkoi seriozitet në maksimum për zbardhjen e së vërtetës dhe që ngjarja të hetohet deri më detaj.
“Garantoj gjithkënd në këtë proces kam kërkuar seriozitet max për zbardhjen e të vërtetës .Kërkoj të investigohet deri në detajet më të imtësishme për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
Atë mëngjes po kthehesha pasi kisha qëndruar deri në agim në Durrës, pranë nënës së një njeriut tim që po lëngon nga një sëmundje e rëndë. E bëj publik edhe këtë detaj të panevojshëm pasi po spekullohet edhe se ku isha, ku shkoja e se çfarë mund të kisha për të fshehur pas ngjarjes.
Në atë moment gjykova se shkuarja menjëherë në polici ishte zgjidhja më e mirë. Nuk i kam telefonuar askujt.
I jam nënshtruar testit të alkolit para kamerave dhe jam trajtuar nga ekspertët sikurse çdo kush tjetër i përfshirë në aksident.
Shpreh keqardhje për jetën e humbur dhe nuk ia uroj askujt t’i ndodhë një aksident i tillë. Gjithkush eshtë i bindur që në këtë jetë ka plot gjëra që nuk varen prej vullnetit tonë.
Lidhur me akuzat e PD deputeti Aqif Rakipi theksin se ai nuk shqetësohet për akuzat e ulëta politike, aq më tepër kur bëhet fjalë për një jetë të humbur që dikush kujtohet të bëjë politikë edhe në fatkeqësi.
Nuk dua fare t’i komentoj tani këto, jam i hidhëruar për atë që ndodhi”, përfundoi Rakipi.