Albspirit

Media/News/Publishing

Arbën Xhaferri, një politikan i rrallë që do t’u mungojë shqiptarëve

Jeta e filozofit, që punoi si gazetar e më pas si një politikan, që prodhoi ide të mëdha dhe firmosi për paqen në Marrëveshjen e Ohrit, është shuar para pesë vjetësh, më 15 gusht 2002, në moshën 64-vjeçare.

Varrimi i tij u kthye në një pelegrinazh të madh me njerëz të thjeshtë dhe personalitete nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët, por edhe nga diaspora.

Arbën Xhaferi lindi në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në Tetovë, ndërsa studimet për Filozofi i kreu në Universitetin e Beogradit. Pas universitetit ka punuar si gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës deri në rrëzimin e regjimit komunist në Jugosllavinë e atëhershme.

Ai do të mbahet mend si një nga mendimtarët që lexoi drejt kalendarin në të cilën jetonte dhe atë kalendar e shënoi me veprimtarinë dhe mendimin e tij që zbërthente dhe u jepte krahë proceseve në mbarë shoqërinë shqiptare.

Pjesën më të madhe të jetës së vet Arbën Xhaferri e kaloi në Prishtinë, atje ku gjetën strehim shumë intelektualë shqiptarë nga Maqedonia gjatë sistemit socialist. Xhaferri u kthye në Tetovë në vitet e hutesës së madhe politike që e jetonin shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata. Pra, ai u kthye në vendlindje në vitet e kundërshtive të mëdha brenda partisë më të madhe shqiptare, Partisë për Prosperitet Demokratik, e që do përfundonin me përçarjen e saj; dhe, nga njëri krah i kësaj partie do formohej PDSH-ja e sotme, e cila do drejtohej nga Xhaferri deri në vitin 2007, kohë në të cilën ai ishte kryetar i saj i nderit.

Me kthimin në Maqedoni, në njëfarë mënyre, shqiptarëve, Xhaferri ua ktheu nderin e munguar të mendimit politik shqiptar. Ndaj edhe shumë shpjet u bë figura më e spikatur  politike, e cila nga dita në ditë do merrte edhe përmasat e mendimtarit mbarëkombëtar. Ai ia doli të kontribuojë për faktorizimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe ta përcaktojë vendin e tyre si faktor i rëndësishëm për mbarë shqiptarinë.

Duke vepruar në një Maqedoni ku përballë kishte arrogancën e politikës maqedonase, e pas vetes inferioritetin e politikës shqiptare, Xhaferri duhej të ecte drejt së ardhmes si ai që duhet të vinte baraspeshë mes ëndrrave irracionale maqedonase dhe ambicieve shumë tokësore të shqiptarëve. Pra, ngaqë duhej të vepronte lokalisht, por duke menduar mbarëkombëtarisht, ai herë-herë nuk u kuptua drejt as nga bashkëkombësit e vet në Maqedoni, e aq më pak nga maqedonasit etnikë, të cilët në fillimet e veprimtarisë së tij politike, mendimin e tij e përjetonin si fatkeqësi natyrore që i ka ndodhur Maqedonisë.

Arbën Xhaferri mbase ishte nga politikanët e rrallë që ia doli nga e përkohshmja, politika, të bëjë shumëçka që atë do e bëjë të përjetshëm në botën shqiptare. E ajo që atë do e bëjë të pavdekshëm, mbase nuk janë vendimmarrjet politike, të cilat gjithsesi nuk mungojnë, por mendësia e tij, e një filozofi që gjithmonë shihte më qartë e më larg se thuajse të gjithë politikanët e tjerë shqiptarë.

Arbën  Xhaferi ishte dhe do të mbetet shembull i një politikani e intelektuali me ideale të larta kombëtare, i cili tërë qenien, energjinë  dhe kapacitetin  e vet intelektual  e vuri në shërbim të mbrojtjes  së  interesave të shqiptarëve në Maqedoni dhe çështjes  kombëtare  në tërësi.

Please follow and like us: