Respublica: Elitat e dyfekut
Sot është kujtuar në disa media 16 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit. E firmosur në viitn 2001 pas një konflikti të armatosur, marrëveshja vendosi kushte të reja bashkëjetese politike dhe sociale mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ajo vuri në zbatim praktik terma të reja për lirinë e shqiptarëve që kishin qenë deri më atëherë të margjinalizuar. Mirëpo ky është një vlerësim i përgjithshëm që ndonëse do të mbetet në histori, nuk i shpëton dot gjykimit të saj.
Një nga pasojat më të mëdha, në mos më e madhja e vitit 2001 dhe kësaj marrëveshje, është rotacioni i elitave politike të shqiptarëve, fenomen që ishte parë më herët në Shqipëri në vitin 1944 dhe në Kosovë në vitin 1999. Ky rotacion i katalizuar nga dhuna e armatosur dëshmon krizën ciklike shqiptare në shteformim, e sidomos në përmbajtjen dhe vënien në jetë të një ideologjie shteformuese. Duhet thënë se shqiptarët janë një popull që po e formojnë ende shtetin e tyre krahas dinamikës së indetitetit që nuk dihet se çfarë përfundimi do të ketë. Ngjarje si këto të vitit 2001 janë në thelb konsumatore të mëdha emocionesh të narrativës nacionaliste, prej nga ku buron edhe një legjitimitet që detyrohet të rrëshqasë në terma populizmi për shkak të korrupsionit masiv. Kjo sepse në trija rastet(më pak në Shqipëri) elita që merr frenat e pushtetit nuk është provuar ta ketë shpalljen programatike si bindje, por si manual pragmatizmi.
Aq më tepër vlen kjo në rastin e Maqedonisë, pasi tanimë një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare në Ballkan ka përvojën historike dhe pjekurinë politike që të kuptojë dhe analizojë se çfarë gjeneron politika e dyfekut kur nuk shoqërohet me besimin në atë që thuhet. Në vitin 2001 u firmos një dokument për gjuhën, identitetin dhe lirinë politike të shqiptarëve. Në vitin 2017 u firmos një ligj për gjuhën që thjesht pohon ekzistencën e disa detyrimeve që rrjedh nga kjo Marrëveshje. Këtë e kuptojnë të gjithë. Paradoksi i madh i popullit tonë është që si në vitin 1944, si në vitin 1999 në Kosovë edhe në vitin 2001 në Maqedoni, ata që të vrisnin për lirinë dhe gjuhën, ishin kulturalisht analfabetë(në një masë të madhe) në raport me ata që po luftoheshin. Si mundet një i paditur të dojë më shumë se një i ditur diçka që është shumë komplekse dhe nuk zgjidhet si nyja gordiane?
Kjo është një pyetje të cilës elitat e militarizuara shqiptare i kanë dhënë përgjigje indirekte përmes pasurimit dhe kapjes së institucioneve për të mbuluar këtë dështim spektakolar. Në Maqedoni elita që përfaqësohet te BDI-ja konsiston në njerëz me identitet politik lokal, njerëz praktikë dhe oportunistë, të pasuruar shumë në kohën e “diktatorit” Gruevski. Asgjë në kredencialet e tyre nuk lidhet me shqetësimin për gjuhnë, për identitetin shqiptar si të tillë përtej nevojave taktike. Ndaj edhe Platforma e shqiptarëve, firmosur edhe nga një parti nacionaliste e sponsorizuar nga Turqia, është një letër që establishmenti sllav e menaxhoi së fundmi me një ligj që nuk dihet sa do të zbatohet. Statusi i shqiptarëve ka përparuar në një aspekt: ata kanë përfaqësimin e tyre politik, njësoj si në Shqipëri. Në kuptimin që ata kanë të drejtë të zgjedhin bejlurçinën që njeh gjuhën shqipe, por ky status është iluzion në kontesktin e aspiratës së një Maqedonie demokratike, Shqipërië demokratike apo Kosove demokratike. Sepse ajo legjitimon gënjeshtrën e madhe se standardet u përmbushën dhe çdo pretendim të shihet si objektivisht i parealizueshëm, pra si subversion.
Është kjo arsyeja pse përkujtime të tilla duhen sjellë në një kënd tjetër, kritik. Elitat shqiptare të dyfekut kanë dëmtuar si rrallëkush shanset e shoqërisë shqiptare për të bërë një kapërcim në stadin demokratik dhe në vetëperceptimin e lirisë. Duke u mishëruar si njësi që kanë monopolin e dhunës dhe që kanë konsumuar rrugën e armës, ato konsiderojnë të ezauruar çdo aspiratë. Këtu demokracia del në plan të dytë, pasi asnjë deklamacion ekskluziv nuk lidhet me demokracinë. Kjo ka shumë rëndësi pasi një popull si shqiptarët i njollosur së fundmi me damkën e korrupsionit dhe krimit të gjeneruar nga njerëzit që i ka zgjedhur vetë, ka vetëm demokracinë si shpresë për t’u çliruar nga hajnia e sojit arbëror që po gërryen çdo shpresë.