Studiuesi Qerim Vrioni rrëfen jetën e fotografit të shquar Gjon Mili
Ilir Ikonomi/VOA/12 nëntor 2011
Shqiptaro-amerikanët mund të krenohen me një njeri të tyrin, që shkëlqeu në një fushë mjaft të veçantë. Ai ishte Gjon Mili, mjeshtër i fotografisë, emri i të cilit përmendet edhe sot nga specialistët amerikanë të kësaj fushe. Ne ftuam për një bisedë në studio studiuesin Qerim Vrioni, autor i dy librave për fotografinë shqiptare, i cili banon në Grand Rapids të shtetit Miçigan.
Gjon Mili erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923 nga Rumania. Ai ishte bir i dy prindërve shqiptarë, Vasil Mili dhe Viktori Çekani nga Korça. U regjistrua për inxhinier ndriçimi në MIT, një ndër universitetet më të njohura të botës.
Studiuesi i fotografisë, Qerim Vrioni, ka shkruar një seri artikujsh për Milin. Ai na përshkruan një djalë me shumë cilësi dhe talente.
“Gjon Mili merrej edhe me veprimtari atdhetare. U aktivizua në Vatra, u bë kryetar dege, redaktor tek Dielli; ka shkruar për Diellin, merrte pjesë gjallërisht në veprimtaritë e Vatrës. Pas mbarimit të universitetit në vitin 1927, punoi në Westinghouse, firmën e madhe të prodhimeve elektrike. Me fotografi merrej si amator. Në vitin 1937, takon një profesor të ndriçimit në MIT, Harold Edgerton dhe mbajnë një leksion të dy për ndriçimin dhe për fleshin. Mili u habit me fleshin që kishte shpikur Edgertoni dhe i tha: Sikur të kisha këtë dritë, do të lija çdo gjë tjetër. Që nga ky moment, Mili e la punën dhe u mor vetëm me fotografi”.
Në vitin 1938, Mili filloi të botojë në revistën LIFE, si fotoreporter i lirë. Më 1943, filloi të realizojë fotografitë strobostropike, me shumë shkrepje. Më vonë u zhvendos nga Bostoni për në Nju Jork, ku ngriti një studio.
“Mili ishte njeri shumë paqësor dhe krijonte një mjedis shumë të këndshëm në studion e tij, ku vinin këngëtarë, valltarë, kompozitorë e poetë, sa miku i tij, fotografi i madh francez, Henri Cartier-Bresson thotë se studioja e Milit ishte bërë Athina e Nju Jorkut”.
“Gjon Mili ngriti në art fotografinë, anën teknike të fleshit stroboskopik, sepse Edgerton vërtet ishte shkencëtar por si artist ishte pas Milit dhe këtë e pranon vetë. Ai thotë se Mili kishte vizion dhe na nxiti të shkojmë përpara. Ishte natyrë me temperament të hedhur por ishte natyrë artisti.”
Në vitin 1944, Gjon Mili mori përsipër të realizojë një film, “Jamming the Blues”, film dokumentar prej dhjetë minutash për muzikën.
Ky film shfaqet ende në festivale ndërkombëtare të muzikës xhaz, megjithëse ka rreth 70 vjet që është bërë. Eshtë film bardhë e zi ku çdo sekuencë mund të jetë një fotografi e bukur më vete.
“Në vitin 1946, Gjon Mili ndodhet në Paris dhe hap një ekspozitë fotografike nga 1 deri më 10 tetor. Ekspozitën e përuroi Zhan Paul Satre, me disa fjalë shumë të ngrohta për autorin dhe këtu nuk duhet harruar se Gjon Mili kishte vetëm 7-8 vjet që merrej seriozisht me fotografi. Ndërkohë që ndodhej në Paris, ai lëvizte dhe shkoi e fotografoi Edit Piafin duke kënduar. Kështu kishte qejf Gjon Mili”.
Gjon Mili ka fotografuar edhe Pikason me shumë shkrepje. Pikasoja vizatoi një centaur dhe Gjon Mili e fotografoi me teknikën e tij.
“Miqësia e tyre vazhdoi dhe në vitin 1961, Gjon Mili e takon prapë Pikason. Gjon Milit i ka ndodhur një fatkeqësoi e rëndë. Në vitin 1966 i është djegur studioja. Iu dogj e gjithë korrespondenca, ndërmjet tyre edhe korrespondenca me Pikason, që do të ishte e veçantë, pra, çfarë i ka shkruajtur Pikaso Gjon Milit.”
Artistët shqiptarë të fotografisë kanë një shembull mjaft domethënës që mund të ndjekin – Gjon Milin. Por, sipas zotit Vrioni, fotografia në Shqipëri ka një rrugë të gjatë për të bërë.
“Shqipëria nuk ka një shoqatë fotografësh, nuk ka një revistë a gazetë për fotografinë. Është problem publiciteti dhe përhapja e fotografisë, konkursi i fotografisë. Në Shqipëri, në vitin 1998, filloi të organizohej konkursi Marubi nga Galeria e Arteve. U organizua deri në 2005 pastaj u ndërpre. Kjo është e papranueshme. Në Republikën e Kosovës organizohet konkursi çmimi Gjon Mili, çdo shtator. Ata nuk e kanë ndërprerë, e vazhdojnë rregullisht. Në Shqipëri, konkursi Marubi nuk zhvillohet”.