Albspirit

Media/News/Publishing

Ysh o deputetë ysh drejt Europës!

Afrim Krasniqi sjell një rast interesant që na bën të kuptojmë se ABC-ja e politikës nuk ka lidhje organike me ABC-në e shkollës. Një rast i një deputeti që shkruan me gabime, që ngatërron terma dhe koncepte, por që ka qenë edhe ministër dhe kryetar bashkie. Shkruan Krasniqi:

Prej vitesh vitesh është një prej 20-25 politikanëve më të rëndësishëm në Shqipëri, deputet, minister, kryetar bashkie. Është rizgjedhur deputet dhe në shtator do ta kemi përsëri aty, “në tempullin e demokracisë”. Thotë se di dy gjuhë të huaja dhe me siguri njërën prej tyre e di. Thotë se ka përvojë politike dhe me siguri ka sepse ka pasur e ka poste të larta politike.

Pjesa më interesante është tek deklarimi në KQZ me shkrimin e tij origjinal mbi arsimimin:

• Thotë se ka mbaruar “fakukteti” dhe me siguri ka dashur të thotë “fakulteti”!

• Thotë se bëhet fjalë për “fakulteti ndërkombëtar” dhe me siguri duhet të jetë i vetmi “fakultet ndërkombëtar në botë”!

• Thotë se fakulteti ndërkombëtar ku është diplomuar është “i shkencave juridike” dhe duke hequr pjesën e parë e dyta mund të jetë e saktë.

Ai është i pasur, i pushtetshëm, i rizgjedhur, i fuqishëm, “i zoti” për standardet tona dhe, ashtu si dje, edhe sot, edhe nesër, me “votat” tona i është dhënë e drejta të marrë vendime për ne, vendime që kanë qenë, janë e natyrisht që do të jenë po kaq të sakta sa të dhënat që ai jep për arsimimin e tij

Nuk është edhe kaq keq. Fundja jetojmë në një vend që provon përherë risititë e veta, shpik hijen që I vjen përshtat pse kështu edhe mendjes I jep pak qetësi. Ja p.sh bota ka njohur drejtues analfabetë, mes tyre edhe të mirë, por politikanë që janë siç quhen tani analfabetë funksionalë, jo. Pse të mos e provojmë ne një të tillë dhe meqenëse nuk legalizuam hashashin, të legalizojmë këtë mall e të modelojmë për botën.

Nuk ke çfarë të thuash. Edhe Krasniqi bën kritika akademike. Boti këtu ka marrë votën. Fap te xhepi dhe vazhdon përpara. Kësaj angështie i ka shkrua edhe poeti kohë më parë me ca vargje të cilat i ka sjellë në një shqipe të cilës I jemi borxh, Sejfulla Malëshova. Ja disa të shkruara gjetkë shekuj më parë:

 

Shiko atë bandill me një gisht ballë

A futet dot Platoni aty vallë?

Filozofia kërkon tru me çika

Në kokën e të tillit bëhet dhallë

 

Hafez’ e myezinë plot pazari

Përtypet me Kuranin edhe gomari

Nga mendja e tyre s’dalin shkreptima

Po litari e psalme bajraktari

 

Bien daullet, vërshëllen zurnaja

Rrokullisen hadithet si rrugnaja

Imami flet e tunden minaretë

Dhe zhurmëmadhe ngrihet berihaja

 

Librat e shenjta si tabu i kanë

Syleshët e verbuar myslimanë

Dhe ecin drejt, si kali me veshoke

Atje ku bie vetëm një këmbanë

 

I thonë zemrës: hesht e mos këndo

I thonë mendjes: rri e mos mendo

I thonë shpirtit që kërkon të ngjitet

Në majat e lirisë: mos guxo!

T’ia heqim Platonin e të vëmë Rilindjen apo revolucionin, Republikën e Re, Integrimin, të heqim Kuranin e të vëmë Programin dhe ja ku mbetemi njësoj. Pa prishur qejf, madje çakërqejf, shtruar drejt Europës: Ysh o deputetë ysh drejt Europës!/Respublica/

Please follow and like us: