7 maj 1944, letra e Nexhmije Xhuglinit dërguar Dushan Mugoshës
I dashur shoku Dushan, Me keqardhje të madhe mora vesh largimin tënd nga Shqipnija. Veçanërisht me erdhi keq që nuk mundëm të takohemi para se t’ikje. Megjithë se kemi ndenjë pak kohë bashkë, e ndjej mungesën tënde në mes tonë, ashtu si edhe shokët tonë më të afërt. Sigurisht do të kujtojsh jo vetëm kohën që jetove dhe bashkëpunove gjatë këtyre dy vjetëve e ma, por sigurisht do të marr malli dhe për malet dhe fushat e Shqipëris që i lave me djersë dhe që u pive dhallën apo jo? Jo vetëm ne, por i gjithë populli shqiptar, do të të ketë një mik të dashur të tij, e sigurisht kur të sjellë rasti të kthehesh ndonjëherë në vendin tonë, do të shohësh se me punë, do të shpërblejë atë që bëre për ne. Sigurojmë me bindje të plotë se do të shtojmë gjithnjë hovin punës, që të formojmë e naltësojmë partinë tonë dhe t’i sigurojmë edhe popullit tonë pushtetin e tij. Vetëm kështu do të shpërbljemë dhe ndihmën tuaj të vlefshme. Dushan, thuaji shokëve të Jugosllavisë, se shokët shqiptarë ndjekin me besim hapin e tyre dhe kërkojnë çmos që të ndjekin edhe shembullin e tyre heroik. Thuaj që gjithë populli shqiptar ndjen për popujt e Jugosllavisë dhe për luftën e tyre, një dashuri të madhe. Të gjithëve të fala shoqnore. Mos na harro. Po të mundesh na kujto me ndonjë copë letër. Udhë e mbarë dhe u pjekshim për së shpejti në botën e lirë. Të fala shoqnore Nexhmija (Vladimir Dedijer “Il sangue traditto”, 1949, faqe 208 – 209).
Vetë Nexhmije Hoxha, në të njejtën ceremoni për nder të grave jugosllave, do të shprehet: “Të dashura shoqe! Më lejoni që më parë të falenderoj nga zemra përfaqësuesen e grave heroike të BS-së, delegaten trime të Jugosllavisë së mareshallit Tito… Duke dëgjuar shoqe nga një anë zërin e grave të nderuara të vendit të socializmit e të demokracisë popullore të Jugosllavisë së Titos që, nën pushtetin popullor po ndërtojnë një jetë të lumtur për vetë e për fëmijët e tyre, Lufta nacional – çlirimtare e popullit e në radhë të parë, e atyre që kishin në krye partitë komuniste, siç qe Partia e lavdishme Komuniste e Jugosllavisë, e udhëhequr nga biri i shquar e besnik Josip Broz Tito, përmbysi, bashkë me okupatorët dhe klikat reaksionare, tradhtarët, që ishin taman ata që kishin shtypur, shfrytëzuar e shitur shumë herë popullin e vendin e tyre… Rroftë miku i shquar i shqiptarëve, mareshalli Tito! Rroftë bashkimi e vëllazërimi i popullit tonë me popujt e Jugosllavisë, që është edhe garancia e indipendencës e të ardhmes së vendit tonë!”.