Dashuria e ndaluar në kampin e internimit në Saver
Historia e Bedra Kabës, vajza që kaloi rininë në kampet e internimit në Lushnje, atje ku nuk e sillte fati kurrë “princin e kaltër”. Si u refuzua nga brigadieri komunist, kur e mësoi biografinë.… “Një fqinje më kishte parë me të dhe i kish thënë mamasë: e pashë vajzën tënde me një djalë… sa i mirë që ishte”… Ishte… por ai qe Kurrkushi … E tillë ishte ajo kohë që quhej komunizëm!!!
“Vij me një maj, me trenin e orës nëntë, dil e më prit!”, ky ishte telegrami që i erdhi Bedra Kabës nga brigadieri komunist i Lukovës në pranverën e vitit 1979, në Saver të Lushnjes. Ai kishte rënë në dashuri me Bedrën dhe kishte vendosur t’i kërkonte dorën në familjen e saj. Ishin takuar në aksionet e rinisë në Lukovë.
Ajo, me të cilën do të përballej djali simpatik me teserën e partisë në xhep, do të ishte shumë zhgënjyese për të, ndërsa për Bedrën ishte krejt e zakontë. Bedra ishte vajza e Myslym Kabës nga Dibra, i cili ishte internuar në Saver të Lushnjes, sepse njëri prej djemve të tij ishte arratisur dhe për pasojë ishte internuar e gjithë familja. Bedra ishte një prej shtatë fëmijëve të familjes Kaba. Ishte vajzë e re 18 vjeç, kur erdhi në barakat pa dritë të Savërit për të ngrysur atje pjesën më të madhe të jetës, në vuajtje e dëshpërim. Historia me brigadierin komunist të Lukovës do të ishte një prej këtyre momenteve që i përforconte asaj fatin e keq të projektuar nga sistemi komunist.
Është një histori prekëse, e cila përcjell dramën e të rinjve në kohën e komunizimit. Dramë jo vetëm për Bedrën që përfaqëson pjesën e të rinjve të shtresës së persekutuar, por edhe të palës tjetër, komunistëve që shpesh ndodhte që të hidhnin sytë tek këto vajza, dashuria, për të cilat ishte e ndaluar.
Kur dy të rinj dashuroheshin në kohën e komunizimit, e para pyetje që vinte nga prindërit e secilit ishte: A ka njollë në biografi?! Nëse kjo kapërcehej çdo tjetër ishte shumë e lehtë. Ky ishte kriteri bazë që kushtëzonte lidhjet e gjithkujt në atë kohë. Ishte pikërisht kjo pyetje, ky kriter që përcaktonte fatin e të rinjve në komunizëm. Biografia ishte mallkimi që i ndiqte nga pas vajzat e shtresës së të pëndekurve politik. Për to nuk kishte asnjë shans që të mund të lidhnin jetën me një njeri të zakonshëm e aq më pak me një që i përkiste familjeve komuniste.
Ky mallkim e ndoqi pas dhe Bedra Kabën e shoqet e saj në kampin e Savërit në Lushnje. Kanë kaluar shumë vite dhe Bedra rrëfen sot momente pikante të jetës së saj, por edhe të shoqeve në kampet e internimit. I rrëfen thjeshtë dhe pa pompozitet, në profilin e saj në facebook. Disa rrëfime të Bedra Kabës i ka mbledhur studiuesi Jozef Radi dhe i ka publikuar në faqen e tij, “RadiandRadi”. Më poshtë publikojmë një prej këtyre rrëfimeve, dhe pikërisht atë që ka të bëjë me historinë me brigadierin komunist.
Rrëfimi
Në fillim të viteve ’70, lufta e klasave ishte pak e zbutur! S’kisha as pesë muaj që kisha filluar punë në bujqësi kur një shoqen time dhe ajo me biografi të keqe, e caktuan në aksion në Lukovë të Sarandës. Prindërit e saj nuk e lejuan të shkonte në aksion, por ajo kishte aq shumë dëshirë të shkonte dhe më lutet mua: “Po të vish edhe ti ato do më lejojnë!” “Po tani sa kam filluar pune – i thashë – si t’i them babait do iki në aksion! Ama thellë në shpirt edhe unë e kisha dëshirën të ikja, ngaqë u mërzita shumë që s’vazhdova dot shkollën e Lartë…
Isha vërtet keq, pothuaj çdo natë shihja në ëndërr vetëm shkollën. Atëhere thashë: Po i them babait se më kanë caktuar për të shkuar në aksion dhe duhet të shkoj, sepse ti e di pak s’jemi me biografi në rregull, e pak të neglizhojmë. Dhe kështu bëra. Ai më tha: “Po mirë moj bijë shko. Kështu me 4 janar të 1979 nisemi për aksion në Lukovë. Ftohtë… Rruga tepër e vështirë… Udhëtimi na zgjati dy ditë… Një natë flejtëm nëpër familje në Memaliaj. Kur mbrritëm në Lukovë vendi ishte një parajsë e vërtetë… Taraca plot me limona e portokalle… Një punë vullnetare e paparë nga rinia!! Atje të dukej se ishe në një botë krejt tjetër… e izoluar nga vendi. Stacionet e radios kapnin vetëm Greqinë…
Kështu filluam të punojmë për hapjen e tarracave të reja nëpër kodrat e atij vendi. Një shoqja ime një vajzë nga Savra, e cila kishte qenë më parë aty në aksion, i kish dhënë një letër shoqes që ishim bashkë për t’ia dhënë një djali që kishte njohur aty në Lukovë dhe ajo mbasi e gjeti ia dha porosinë e letrës. Ai ishte vendali dhe brigadier i vullnetarëve të një rrethi. Dukej djalë i sjellshëm. Mbasi kalojnë nja pesëmbëdhjetë ditë, ai vjen dhe i thotë shoqes time: “Më pëlqen shoqja jote, a mund t’i thuash ndonjë fjalë për mua!! Po, i thotë ajo, i them por është pak e vështirë… Një ditë ajo më thotë… Ej, i them unë, ti je e re dhe s’e di që ne jemi si kantrabandë këtu… Ajo mundohej të më mbushte mendjen… Isha aq e zhgënjyer nga biografia, që s’më kishin dhëne shkollën e Lartë, e jo të më merrte ai djalë komunist mua!!! Megjithatë gjithmonë i kam pas qejf sfidat, edhe pse mund të vuaja thashë do ta provoj sa mund të bëj ky njeri për mua.
Të nesërmen niseshim për në shtëpi, mbasi aksionit i kish ardhë fundi… I them shoqes i thuaj se sonte mundem ta takoj… E takova dhe i thashë: Mirë jam dakort mund të vish të më kërkosh në shtëpi… mirë më thotë, posa të më jepet mundësia do të vij. Të nesërmen u nisëm. Mbas katër muajeve, një ditë para një majit, më vjen një telegram: “Vij me një maj, me trenin e orës nëntë, dil e më prit!” Oh sa keq e ndjeva veten… Si t’i them babait… po si ti them atij për biografinë, ku ta fus në këto baraka!!! Rashë në pikë të hallit ç’të bëja… më dridhej trup nga frika… se ç’mund të më thoshin të shtëpisë, po sikur ai të më pranonte kështu siç isha… Më duhej të shkoja atje në Lukovë në fund të botës. Me shumë dilema dhe frikë afrohem te babai dhe i them… O babë, kam njohur një djalë kur isha në aksion, por mos ki frike se unë nuk është se e dua, por ai do vij nesër dhe dua që t’i tregosh historinë tonë. Sido që të vijë puna mos të ngelet merak për mua se unë e di që ai s’më merr, se është me testë partie!! Eh… edhe tani që e kujtoj, them Kushedi sa keq duhet të jetë ndjerë babai i shkretë…
Të nesërmen dola dhe e prita te stacioni i trenit dhe bashkë u nisem për në Savër. Nga Lushnja ishte nja katër kilometra larg. Se di si e bëra atë rrugë… flisja për t’i treguar se diçka më pengonte në atë lidhje me të, por ai s’më kuptonte… Njiherë më pyeti: Mos ka qenë gjë babai me ballin! Jo, i thashë por s’arrita t’i shpjegoj asgjë pa ardhur në shtëpi. Erdhëm në shtëpi mirë që s’ishte nëna, po vetëm babai… Mbas një bisede prezantuese, ai filloi t’i tregojë për historinë tonë. Në këtë kohë ai vetëm u nxi në fytyrë dhe s’foli asnjë fjalë… veç u ngrit të ikte. Dal e përcjell deri në xhade të madhe dhe gjatë rrugës nuk këmbyem asnjë fjalë të vetme. S’e di… çdo gjë m’u mblodh lëmsh në grykë… Ishte zhgënjimi i dytë nga biografia… E lashë të ikte atë djalë pa i thënë e pa më thënë asnjë fjalë…
E tillë ishte ajo jeta jonë midis ferrit dhe dritës… Një komshie më kishte parë me të, dhe i kish thënë mamasë e pashë vajzën tënde me një djalë… sa i mirë që ishte… Ishte… por ai s’qe kërkushi, sepse nga pas na ndiqte si hije biografia… E tillë ishte ajo kohë që quhej komunizëm!!!
Takim pas 25 vitesh në vendin e vuajtjes..
Një ditë tepër e veçantë takimi mbas 25 vjetëve . Këto janë disa zonja që jetuan me vite në këto baraka, të ngritura nga rregjimi komunist për ne armiqet e tij. Ritakohemi shihemi, përqafohemi mbas kaq vjetësh me emocion dhe mall duke përkujtuar vitet më të dhimbshme ndoshta dhe të bukura për dashurin, respektin dhe mirësinë që patën familjet tona me njëra-tjetrën . Kujtojmë nuk harojme, nuk hakmerremi por themi se eksistojmë falë forcës dhe dinjitetit tonë. B.K.
Vajzat e kampit të internimit në Saver, 25 vjet më vonë. Takimi më 20 gusht 2015 i vajzave që jetuan dramën në këto baraka pa dritë, mes tyre edhe Bedra Kaba