Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: Si e njoha at Gjeçovin?

 

At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara Luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodër dhe atje, në Kuvend të Françeskanëve, një ditë u njohëm me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet, nderimi, që kisha pasur për At Gjeçovin për së largu, m’u shtuan ca më tepër që kur u poqëm. I mesmë nga gjatësia e trupit, pak si i thatë, me një palë sy të zezë, ku shkëlqente mendja, po edhe zemërmirësia, atë Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të paka, por kurdoherë në vend. Vetëm kur në të kuvenduar e sipër takohej ndonjë pikë mbi të cilën kish dituri të veçantë – si p.sh., Kanuni i Lekë Dukagjinit ose vjetrit greko-romane, atë Gjeçovi çelej ca më gjatë, ahere ish gëzim ta dëgjonte njeriu.

Asikohe, At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katund i Mirditës, mb’udhë nga Shkodra në Orosh. A i vemi musafirë atë Gjeçovit ndonjë ditë të kësaj jave – më pyeti një ditë At Fishta. Me të cilin piqesha çdo ditë në Shkodër. Mendimi i një vizite tel atë Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtu, pa humbur kohë, u nisëm. Një gjë për të vënë re, dhe që më mbushte me habi dhe trishtim, është se nga Shhkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtim shtatë tetë orësh me kalë, nuk gjetmë as katund dhe as shtëpi: veç një han të varfër, ku qëndruam për të pirë kafe, s’pamë gjëkundi ndonjë shenjë gjallërie, një vend i zmbrapsur dhe i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njerëzit. Po mërzia e udhëtimit na u shpërblye përtej shpresës posa arritëm në Gomsiqe, ose, që të flasim më drejt, në famulli të Gomsiqes – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhu një shtëpi këtu, një shtëpi nja dy milje më tutje, a s që dukej. Famullia-një bina prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysmë e zbrapsur nga plaçka, po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë-qëndronte mirëpritëse dhe e qetë anës lumit.

Këtu rronte At Gjeçovi. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjeve dhe mësimeve, një nga njerëzit më të lartësuar që ka pasur Shqipëria; një lartësi e përulur, në mund të afroj e të lidh dy fjalë aq të përkundërta; një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili bir i vërtetë i të Varfërit të Assisit, një në pastërti e vobësi të zemrës së tij e dinte veten të vogël. Famullia shkollë dhe vend këshillash të mira iu jepte fëmijëve themelet e stërvitjes, u shpërndante fjalët e urëta dhe ngushëllimet njerëzve në nevojë. Kohën që e tepronte, At Gjeçovi ia kushtonte studimit.

Merrej ahere me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arrin gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej atë Gjeçovit në diturinë e këtij kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nga dy mijë fjalësh, studim i palodhur e i hodh, ku kish mbledhur, radhitur dhe ngritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendimet të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë para kohës së mesme.

Në kat të sipërm të famullisë, përmbi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane të zbuluara e të mbledhura një e nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shije të mbetur të nga dora e vetë At Gjeçovit. Mbaj mend, veçan, një enë të vogël të quajtur “Lacxumatorium!”, lotore, asish që të vjetrit, në besim se të vdekurit qajnë të shkuarit e jetës së tyre, i mbulojnë në varr bashkime me të vdekurin, që ky të kish se ku t’i mblidhte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë ndër mend se pas ca vjetësh cilido prej nesh, miq dhe admirues të tij, do të kishim nevojë që në gjallësi për  nga një lotore ku të mbledhim lottë tanë për atë Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Françeskut, i ditur me nj dituri pa tingëllim, por edhe shqiptar i kthjellet, atë Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësi, nuk i mungoi asnjë hidhërim, asnjë shpifje, më e çuditshmja e të cilave ndoshta është e të mohuarit se ai ish shqiptar. Sepse ish lindur në një kufi gjuhërash, në një kufi ku sot mbaron shqipja dhe nis një tjetër, ca mëndje të klasës së katërt, të pazonjat të kuptojnë se folësit e shqipes në vijën më të përparuar janë stërnipërit e tyreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mprapsurit e vijës më tëhu, ca mëndje të klasës së katërt, e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdi.

Po atë Gjeçovi është përmbi çdo sharje. Emri i këtij njeriu të rrallë do të vijë duke u rritur-dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shenjtëruar të Shqipërisë.

Please follow and like us: