Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Shën Naumi dhe e vërteta historike

1 – Ahmet Zogu i dhuroi Shën Naumin Jugosllavisë”!

Përcaktim jo i saktë. Jugosllavia e kishte marrë Shën Naumin qysh në vitin 1912 ushtarakisht dhe nuk ia dhuroi kush. Pra, nuk e kishte shteti shqiptar që “t’ia dhuronte”.

Shteti shqiptar ose duhet të luftonte për një kishë si kjo, ose nuk duhej të mbyllte çështjen e kufijve. Shkëmbimi me vise të tjera si Vermoshi, Peshkëpia, etj, ishin përfitues për shtetin shqiptar. Një gjë është shumë e rëndësishme. Asnjë veprim nuk bëhej në atë kohë pa miratimin e fuqive të mëdha. Kështu ka ndodhur. Askush prej shqiptarëve nuk kishte kompetenca të dilte mbi vendimet e ndërkombëtarëve.

Kufiri i Shqipërisë ka qenë vullnet i ndërkombëtarëve, ndërsa nga pala shqiptare kërkohej mirëkuptim dhe mosshfaqje pengesash. Në vitin 1925 me meritën e padiskutueshme të Ahmet Zogut, u nënshkrua në Firence me miratimin e fuqive të mëdha, protokolli i kufijve me Jugosllavinë e Greqinë.

Asnjëherë nuk ka pasur çështje të veçuar të Shën – Naumit, por çështje të vijës kufitare nga Buna deri në Liqenin e Ohrit. E vetmja periudhë që shteti shqiptar e pati në zotërim Shën Naumin ka qenë ajo e viteve 1941 – 1944. Qeveria komuniste e Enver Hoxhës është e vetmja qeveri që e ka dorëzuar Shën Naumin në dhjetor 1944 shtetit jugosllav. Kur Enver Hoxha kishte deklaruar se nuk njihte marrëveshjet e mëparshme të regjimit të Zogut, pse e dorëzoi Shën Naumin në dhjetor 1944?

2 – Çështja e dytë për sqarim.

29 nëntori nuk është dita e çlirimit të Jugosllavisë, por mbledhja e dytë e AVNOJ-it në Jajce të Bosnjës më 29 nëntor 1943 (kopjimi i trashë i kongresit të Përmetit të Shqipërisë).

29 nëntori i Shqipëri është dëshirë jugosllave për festë të përbashkët.

Unë personalisht nuk ndjej detyrimin si qytetar se duhet të festoj me jugosllavët. Kush ta ndjejë le ta bëjë.

Mua më mjafton 28 nëntori 1912.

Please follow and like us: