Albspirit

Media/News/Publishing

Mit’hat Frashëri: Fillimet e Shqipërisë

Shkruar nga Mit’hat Bej Frashëri dhe botuar në L’Indipendance Albanaise – Viti 1, Nr. 6, 1 Maj 1915

Për fat të keq ka njerëz, që thonë se eksperienca e Shqipërisë ka qenë faktkeqe, se Shqipëria nuk mund të jetojë, se ajo nuk duhet të ishte shpallur e pavarur.

Nëse ju do t’i pyesni përse, ata do t’ju përgjigjen, duke mos e fshehur dot keqdashjen e tyre, se punët në Shqipëri nuk kanë shkuar mirë, se janë bërë shumë gabime dhe se vështërsitë janë të panumërta. Që kjo është pjesërisht e vërtetë, nuk ka pikë dyshimi, por që të arrihet në konkluzionin se Shqipëria nuk mund të jetojë dhe se ka qenë gabim shpallja e pavarësisë së saj, kjo është një gënjeshtër cinike dhe e padrejtë.

Cili ndër shtetet e rinj nuk ka pasur vështirësi në fillimet e egzistencës së vet? Cili është ai shtet që nuk është dukur si një varkë në det të hapur, e lëkundur nga dallgët dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve?

Përse harrohen vështirësistë që ka kaluar Bullgaria në fillimet e saj, mbrapësitë dhe fati i saj i keq? Por këto nuk e ndaluan as Greqinë e as Bullgarinë, që të marrin veten, të rriteshin, të fitonin forcën dhe fuqinë e duhur për të jetuar. Në rast se do t’i kishin dënuar qysh në fillim, nëse do t’u kishin mohuar të drejtat për të jetuar, ato do të ishin tani dy provinca të mjera turke, në vend të dy shteteve në zhvillim e sipër, me forcën për t’u ndeshur e për të fituar.

Ashtu siç nuk mund të shpresosh të lindë nga barku i nënës njeriu i pjekur dhe i mençur, po ashtu nuk duhet të presësh, që ta gjesh këtë urtësi te një shtet i posalindur.

Pra, atij i duhet lënë kohë dhe së shpejti do të shohësh, se nga eksperienca dhe gabimet ai do të mësojë dhe do të ndërtojë jetën dhe veprën e vet.

Duke e parë çështjen me pa anësi dhe pa keqdashje, mund të mendosh se Shqipëria është po aq e zonja për të ecur përpara si të gjithë shtetet fqinj, në mos më mirë akoma. As njerëzit dhe as tokat nuk kanë të meta të pakorrigjueshme. Përkundrazi, ato kanë cilësi që ndoshta u mungojnë të tjerëve.

Ajo që na nevojitet dhe që duhet ta fitojmë me përpjekjet tona, pa dyshim është një edukatë politike dhe një eksperiencë pune.

Kjo rrugë drejt përsosmërisë do të shoqërohet me një përparim material, që nuk do të mungojë në të ardhmen. Dhe kështu, provinca e vjetër turke, gjysmë primitive dhe e lënë pas dore, siç ishte, do të bëhet një shtet i vogël, modest në fakt, por jo pa një farë prosperiteti.

Ata pak milionë shqiptarë inaktiv dhe joproduktiv, së shpejti do të japin ndihmesën e tyre për mirëqenjen e vetvetes dhe të mbarë njerëzimit.

Gjëja esencialisht më e nevojshme për ne është paqja e brendshme dhe e jashtme. Të parën e kemi vet në dorë, mund ta bëjmë me forcat tona dhe atëherë do të kemi siguri dhe qetësi, ndoshta jo menjëherë sa të hapësh e të mbyllësh sytë, por dalngadalë, me vullnet dhe një dëshirë të mirë. Tashmë, eksperienca e një viti është për ne një mësim që s’duhet harruar.

Por si mund ta sigurojmë paqen e jashtme, atë qetësi që duhet të na e sigurojnë të tjerët? Padyshim, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Serbia kanë qenë mjaft të përkëdhelura, duke pasur simpatinë e Fuqive të Mëdha dhe të botës së qytetëruar.

Kjo përkrahje i ka ndihmuar këta që të kalojnë vështirësitë dhe të mënjanojnë rreziqet; dora miqësore dhe bujare i ka shpëtuar nga rënia në greminë. Pa u gënjyer nga asnjë iluzion, ne kemi shpresuar, ndonëse jo të njëjtin përgjërim për Shqipërinë, të paktën pak mirëkuptim dhe sidomos më shumë sinqeritet.

Kemi thënë më lart se lindja e Shqipërisë ka qenë mjaft e vështirë. Kjo sepse interesat e Fuqive të Mëdha mbi shumë pika kanë qenë diametralisht të kundërta. Ndërkohë që njëri grup (Austria, Gjermania, Italia) kishin interes të vërtetë që të shihnin një shtet shqiptar të pavarur, grupi tjetër mendonte ta zhdukte Shqipërinë nga harta e botës.

Atëherë, u krijua një Shqipëri e zvogëluar, e sakatuar, e copëtuar. Dhe kjo pak gjë, që quhet Shqipëri e pavarur, vetëm sa u tolerua, por kurrë nuk u pranua. Pjesëtarët e Antantës mendonin se nga krijimi i një Shqipërie do të përfitonin vetëm kundërshtarët e tyre, prandaj do të ishte më mirë zhdukja e kësaj Shqipërie dhe copëtimi i saj ndër fqinjët që ishin më besnik ndaj Antantës.

Serbia dhe Greqia trajtoheshin si fëmijë të përkëdhelur. Ndaj tyre shfaqej vetëm dashamirësi, sepse mbrojtësit e tyre ishin më të bashkuar, ndërkohë që miqtë tanë ishin në rivalitet midis tyre.

Krimet e Serbisë dhe të Greqisë kundër Shqipërisë jo vetëm toleroheshin, por edhe nxiteshin, ndërkohë që askush nuk e ngrinte zërin për ne.

Nuk po flasim këtu për humanizëm dhe moral, sepse këto fjalë nuk kanë pothuajse asnjë kuptim në gjuhën dhe jetën politike. Por, e parë në një këndvështrim thjeshtë material dhe politik, ne mund të themi se moskokëçarja dhe përbuzja në zgjidhjen e çështjes shqiptare kanë qenë një gabim i madh nga ana e Fuqive të Mëdha, si nga antantistët, ashtu edhe nga aleatët. Sepse, rezultoi jo vetëm një prishje e ekuilibrit të çalët në të gjithë Lindjen e Afërt, por nuk doli asgjë e mirë dhe e dobishme për vetë ato Fuqi, që nuk ishin të prirura ndaj nesh.

Duke mos njohur të drejtat e një kombi, Fuqitë e Mëdha, kanë krijuar në Ballkan një ekuilibër të paqëndrueshëm dhe një vatër zjarri të përhershme. Me një Shqipëri në kufijtë e saj natyrorë, do të kishte pasur paqe dhe qetësi në Lindjen e Afërt, do të kishte pasur një dalje të re për produktet e manifakturës, një fushë të virgjër për çdo lloj investimi.

Interesat ekonomike dhe tregtare do të na kishin afruar më shumë dhe do të kishin bërë që ta njihnim më mirë njëri-tjetrin. Por ç’farë përfitime nxorën Franca dhe Rusia nga dashuria e tyre për Greqinë? Si po i shpërblen tani Greqia mirëbërësit e saj të djeshëm dhe të përhershëm?

Me pak më shumë vendosmëri nga ana e Italisë dhe me pak më shumë vullnet të mirë nga ana e Fuqive të Antantës, Greqia do të ishte larguar nga provincat tona të jugut, njerëzimi nuk do të kishte parë një spektakël të neveritshëm krimi dhe nuk do të kishim sot zona të tëra të përgjakura dhe të shkretuara.

Italia, që ka pasur një farë dobësie ndaj Greqisë për çështjen e Epirit, po shpërblehet tani prej saj vetëm me mosmirënjohje dhe paturpësi të pashembullt. Po të mos kishin ndodhur ato që ndodhën në Jug nga qëndrimi i pabesë i Greqisë, ne nuk do të kishim pasur aspak trazira të brendshme dhe këto çaste Shqipëria do të kishte qenë vendi më i qetë në botë.

Pra, duke e parë çështjen e Shqipërisë me qetësi dhe gjakftohtësi, nuk mund të thuash kurrë se punët nuk po ecin përpara, por mund të thuash se Fuqitë e Mëdha, po bëjnë ç’është e mundur, që të na fusin shkopinjtë në rrota.

Please follow and like us: