Albspirit

Media/News/Publishing

MUSINE KOKALARI – IKONË E OPOZITËS ANTIKOMUNISTE SHKRIMTARJA E PARË NË HISTORINË E LETRAVE SHQIPE

 

13 gusht 1983, u nda nga jeta Musine Kokalari…

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!

1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943, themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se në krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e ishin vetëm komunistët por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.

Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”. Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari, u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj. Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e internuan në Rrëshen, punoi në ndërtim, doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1981, sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983, ndahet përgjithmonë nga jeta.

2. Kredo intelektuale

Si intelektuale antikomuniste e paepur mbetet ikona e opozitës shqiptare në kohën e diktaturës. Në gjyq me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë ajo e ka formuluar kështu kredon e saj:
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”

Këto fjalë mund të gdhendeshin në bronz në një memorial të saj.

3. “La mia vita universitaria”…..

Antropologu Mauro Geraci në bashkëpunim me Simonetta Ceglie, arkiviste në Arkivin e Shtetit në Romë, e cila ka bërë transkriptimin jashtëzakonisht të vështirë të dorëshkrimit origjinal, plot me ndërhyrje, korrektime, fshirje, mendime të shtuara, ka botuar në Itali një punim kritik të ditarit-roman të Musine Kokalarit,. “La mia vita universitaria”.
“Jeta ime universitare” (2016) është një libër autobiografik, historik, etnografik dhe filozofik, i shkruar nga Musine Kokalari në vitet 1940-1942 në Romë, kur ishte në vitin e fundit të studimeve. Ditari u shkrua në italisht. Kokalari përshkruan në të momentet më të rëndësishme të jetës studentore. Libri është një përvojë e rrëfyer nga vetë Kokalari me detaje, përjetime, ngjarje deri dhe mbi dashurinë për një djalë.

Në këto muajt e fundit është deklasifikuar dosja formulare, ky dokumentohet përndjekja nga Sigurimi e Musine Kokalarit.

Vepra e saj është botuar në dy vëllime.
Ajo është nderuar me dekorata të larta të shtetit të sotëm shqiptar.

4. Mbi fundin tragjik ka dëshmuar:
C’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”…. “Këtu, (në spitalin onkologjik) kuptova një gjë. Për mua, jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”.

5. Epilogu
“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje”.

Një Nesibe Dobi nga Gjirokastra, poete me një poezi shqip në dorëshkrim, shkruar me alfabet arab, njihet si shkrimtarja (poetja) e parë grua në letrat shqipe.
Musine Kokalari ka qenë shkrimtarja e parë e letërsisë shqipe, shkrimtare me tre libra të botuar që me gjalljen e saj.

Please follow and like us: