Prof. Abas Ermenji: Kryetrimi i Shqipërisë
Në krye të shekullit XV, gjendja politike e Shqipërisë kishte ndryshuar. Principatat e mëdha, për të cilat folëm më sipër, ishin copëtuar. Fuqitë e huaja kishin vënë prapë këmbën në tokat shqiptare. Venetiku i pushtoi njërin pas tjetrit Durrësin, Leshin, Drishtin, Shkodrën, Ulqinin e Tivarin. Në jugë, Napolitanët, të ndihmuar dhe prej Grekëvet, mundohëshin të shkelnin Despotatin e Artës. Shpeditat ushtarake të Turqvet e kishin trazuar fort gjendjen e brendëshme. Disa nga krerët e vendit i qenë nënshtruar Sulltanit, disa të tjerë i patën humbur fare zotërimet e tyre.
Por deri në çerekun e parë të shekullit XV, sundimi turk, i tronditur prej katastrofës që pësoi n’Anadoll Bajazit Jilldërimi dhe prej luftës për fronin që plasi midis djemvet të tij, qëndroi i lëkundshëm në Shqipëri. Më të shumtat e krahinave qeverisëshin prej krerëve vendas, të cilët i paguanin Sulltanit një haraç të përvitshëm dhe i shkonin në ndihmë me ushtëri kur ai t’i thërriste. Por feudalët shqiptarë nuk iu qëndronin gjithmonë këtyre kushteve. Prandaj Turqit dërgonin herë pas here ushtëri për t’i vënë n’udhë ata që s’bindëshin.
Mvarësia tek Sulltani nuk i ndalonte krerët shqiptarë të luftonin ndërmjet tyre për të zgjeruar zotërimet në kurriz të njëri-tjetrit. Këto grindje shtyhëshin edhe prej Turqvet vetë, nga njëra anë, edhe prej Republikës së Venetikut, nga ana tjetër.
Kështu, në krye të shekullit XV, Shqipëria ra prapë në një thërrmim zotërimesh a principatash të vogla, të cilat përgjithësisht pështeteshin ose tek Turqit, ose tek Venetiku. Mbi principatat e Balshajvet dhe e Thopiajvet kishin dalë përsëri në dukje familjet e vjetra, si ajo e Dukagjinëvet, e Aranitëvet, e Muzakëvet, e Zahariajvet, e Dushmanëvet, e Spanëvet, e Jonimëvet, e Gropajvet etj., ose familje të reja, si ajo e Kastriotëvet. Thopiajt dhe Balshajt mbahëshin akoma si familje, por zotërimet e tyre qenë ngushtuar tepër. Një pinjoll i shtëpisë së Balshajvet, Balsha III, i biri i Gjergjit II, u përpoq t’a mëkëmbte përsëri principatën e gjyshëvet dhe luftoi disa vjet me radhë kundër Venetikut duke pushtuar përkohësisht edhe Shkodrën. Por kushtet kishin ndryshuar dhe, megjith energjinë e tij, Balsha III nuk e ringjalli dot principatën e vjetër.
Edhe Despotati i Artës, në jugë, pas vdekjes së Gjin Bua Shpatës (më 1400), u nda në dy pjesë. Epiri i jugës ose Çamëria, me Janinën si qendër, mbet në duart e Maurik Buas, vëllaj i Gjin Bua Shpatës. Kurse krahinat veriore me qendër Gjirokastrën formuan një principatë më vehte nën Gjin Zenebishin. Të dy këta kryezotër, për të mprojtur principatat e tyre, luftuan vazhdimisht kundër Napolitanëvet, Grekëvet dhe Serbëvet.
Nga familjet e para të vendit shquhëshin tani ajo e Aranitëvet, në jugë, ajo e Dukagjinëvet, në veri, dhe ajo e Kastriotëvet në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Këto tri familje, duke përfituar nga natyra malore e krahinavet që zotëronin dhe ku ndërhyrja ushtarake e Turqve ndeshte në vështirësi më të mëdha, patën mundur të shkëpusnin ca të drejta më shumë prej Sulltanit dhe t’ushtronin një farë ndikimi mbi krerët e tjerë më të vegjël. Pas thërrmimit që pësuan principatat e Balshajvet dhe të Thopiajvet, Aranitët, përveç Kaninës, Labërisë, Himarës, patën shtirë nën zotërimin e tyre Çermenikën, Mokrën dhe Shpatin, rreth Elbasanit të sotshëm. Kastriotët, përveç Matit dhe Dibrës, e zgjeruan principatën e tyre, afër-ngjat, prej Shufadaje, në jugë të Leshit, deri në Prizrend. Zotërimet e Dukagjinëvet shtrihëshin prej malësisë së Leshit gjer në Kosovë.
Familja e Kastriotëve nis të shquhet nga mbarimi i shekullit XIV dhe në fillim të të XV-it, me Gjon Kastriotin, t’atin e Skënderbeut. Mbi të parët e tij nuk dimë pothuajse asgjë. Gjin Muzaka, në Gjenealogjinë, thotë se i gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe se zotëronte vetëm dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtmë, që ndodhen në Dibrën e Poshtme, pranë Drinit. Dëshmi e Gjin Muzakës ka të ngjarë të jetë e vërtetë, sepse ky ishte i njëkohshëm i Skënderbeut dhe kishte lidhje familjare me Kastriotët. Një tjetër gjenealogji e lajluar, shkruar më vonë prej Andrea Engjëll Komnenit, na çon gjer tek stërgjyshi i Skënderbeut, i cili, sipas këtij auktori, quhej Kostandin, dhe i gjyshi, Gjergj. Ky emër i fundit përputhet me atë që jep historiani gjerman J. Hammer-Purgstall, i cili thotë se në luftën e Kosovës, më 1389, ndodhej edhe një princ shqiptar i quajtur Gjergj Kastrioti, që propozoi në këshillën e luftës t’iu bihej Turqvet natën. Veçse Hammer-i nuk shënon se ngaha e di këtë hollësi, dhe s’kemi asnjë dokument që t’a vërtetojë. Ndoshta Hammer-i e ngatërron emrin e Gjergj Balshës me atë të Gjergj Kastriotit.
Është shkruar shumë edhe mbi origjinën e Kastriotëvet. Por dokumentat më të pakundërshtuarshme vërtetojnë se ishin prej malësisë së Hasit, nga një katund i quajtur Kastriot.
Sikurse Balshajt, ashtu edhe Kastriotët, të dalë nga një origjinë fshatare, patën një ngritje të shpejtë. I pari që e bëri të njohur familjen e Kastriotëvet dhe që e vuri në një radhë me familjet princore më të mëdha të Shqipërisë, qe Gjon Kastrioti. Ka shumë të ngjarë që ky të mos ketë trashëguar nga i ati veçse dy fshatrat që përmend Gjin Muzaka. Por pastaj vetë, duke përdorur herë politikën e herë forcën, arriti të formojë një principatë.
Në tronditjen që pësoi Shqipëria dhe gjithë Ballkani nga sulmet e para të Turqvet, Gjon Kastrioti, duke manevruar me mjeshtëri, herë si aliat i Venetikut, herë si vasal i Sulltanit, i zgjeroi vazhdimisht zotërimet e veta mbi ngastrat e principatës së Balshajvet dhe t’asaj së Thopiajvet. Nuk mund të japim kufij të përpiktë të principatës së Gjon Kastriotit, sepse kufijt e zotërimevet feudale, n’atë kohë, ndryshohëshin shumë shpejt. Sipas dokumentavet më të pranuarshme, Gjon Kastrioti, pasi zotëroi Dibrën dhe Matin, e shtriu sundimin e tij gjer në rrethet e Tiranës dhe, nga anë e detit, gjer në Shufadajë të Leshit, duke përfshirë kështu të tërë principatën e vjetër t’Arbërisë. Por Krujën duket se nuk e pati ose e mori më pastaj. Nga veri-lindja, principata e tij arrinte gjer në Prizrend. Këta kufij, në vija të përgjithshme, vërtetohen nga një traktat tregëtie dhe të drejtash doganore nënshkruar prej Gjon Kastriotit dhe katër bijvet me Republikën e Raguzës, më 1420. Aty caktohen taksat që duhej të paguanin tregëtarët raguzanë për të kaluar nëpër tokat e Kastriotëvet, prej Shufadajës, në jugë të Leshit, gjer në Prizrend.
Gjon Kastrioti ishte martuar me Voisavën, të bijën e sundimtarit të Pollogut, krahinë që shtrihej midis Tetovës dhe Shkupit. Megjithëse një pjesë e banorëve të Pollogut përbëhej prej Bullgarësh, familja sundonjëse Tribalda (ose “Triballorum princeps” siç e quante Barleti, emër që vjen nga dy fjalët shqipe : Tri-ballë) ishte fjeshtë shqiptare dhe i vazhdonte martesat me dyer shqiptare. Sipas Gjin Muzakës, Voisava lidhej nga e ëma me familjen e Muzakajvet. Prej kësaj martese Gjon Kastrioti pati pesë vajza dhe katër djem: Stanishin, Reposhin1 Kostandinin dhe Gjergjin. Ky m’i vogli u bë Skënderbeu i famshëm. Duket se Stanishi i qe dhënë peng Sulltanit disa herë, dhe ish martuar me një zonjë turke nga e cila pati një djalë, Hamzë Kastriotin2 që e nisi aq mirë dhe e sosi aq keq historinë e tij. Katër nga vajzat i martoi Gjon Kastrioti në familje të mëdha, duke zgjeruar rrethin e lidhjevet miqësore. Më të voglën, Mamicën, e martoi Skënderbeu me Muzakë Thopinë, pasi e çliroi principatën prej Turqvet.
Nuk i dimë me hollësi përpjekjet e para të Gjon Kastriotit, nga mbarimi i shekullit XIV, sesi arriti të formonte një principatë duke u nisur nga dy fshatrat që i la i-ati. Duket se dinte të përfitonte nga rastet a rrethanat e brendëshme e të jashtëme dhe t’a loste mirë politikën e kohës.
Gjatë luftës së brendëshme që plasi në Turqi midis djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, Gjon Kastrioti, sikurse edhe krerët e tjerë të Shqipërisë, u përpoq të çlirohej nga sundimi turk. Por duket se më 1410 u thye dhe u shtrëngua t’iu jepte Turqve si peng një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishin. Një vit më vonë, Gjon Kastrioti kërkon t’afrohet përsëri me Republikën e Venetikut si edhe me atë të Raguzës, të cilat, më 1413, e njohën njëra edhe tjetra si qytetar nderi. Me këto lidhje shpresonte ndoshta të forconte pozitën e tij kundrejt Turqvet. Por kur lufta për fronin mori fund tek Osmanllinjtë dhe Sulltan Mehmeti I e mblodhi të tërë Perandorinë nër duart e tij, Gjon Kastrioti e pau pisk, si të gjithë Shqiptarët. Më 1415, ushtëritë turke sulmuan përsëri Shqipërinë për të rivendosur autoritetin e lëkundur të Sulltanit. Gjon Kastrioti duket se u nënshtrua, mbasi më 1416 përmendet si vasal i Turqisë. Por principatën e tij e ruajti dhe ndoshta e zgjeroi ca më shumë. Vazhdonte gjithashtu të bënte një politikë të tijnë me shtetet fqinjë. Më 1420, nënshkroi me Republikën e Raguzës traktatin që përmendëm më sipër. Më 1422, kur Venetiku ndodhej në luftë me Krajlin e Serbisë, Stefan Lazareviçin, Gjon Kastrioti mori anën e Krajlit, të cilit i dërgoi në ndihmë edhe një nga djemtë e tij me një ushtëri shqiptare. Por pastaj u tërhoq nga lufta dhe hyri si ndërmjetës për të rregulluar paqen midis dy palëve.
Më 1423, Sulltan Murati II dërgon një ushtëri të fortë në Shqipëri për të vendosur pushtetin turk – gjithmonë i lëkundshëm deri atëhere – dhe për të siguruar besnikërinë e vasalëvet. Gjon Kastrioti mundi t’a shpëtojë edhe këtë herë principatën e tij, por duket se u shtrëngua t’i jepte Sulltanit tre ose katër djemtë si peng.
Më 1426, Gjon Kastrioti me të katër të bijtë përmenden së bashku në një dokument me anën e të cilit i falin dy fshatra manastirit serb të Hilandarit, në Mal të Shenjtë. Nga kjo mund të besohet se në këtë datë të katër djemtë ndodhen përsëri pranë familjes3.
Organizimi që patën nisur të bënin Turqit në Shqipëri duke regjistruar tokat dhe popullsinë dhe duke futur administratën e tyre në shumë pjesë të vendit, pat mërzitur jo vetëm krerët feudalë por edhe masat e gjera të popullit, të cilat në shumicë përbëhëshin prej fshatarësh të lirë. Prandaj që të gjithë ishin gati për kryengritje porsa të paraqitej rasti i volitshëm.
Gjon Kastriotit iu duk se erdhi ky rast më 1428, kur Sulltan Murati II i hapi luftë Venetikut për t’i marrë Selanikun. Njëkohësisht Turqit sulmuan edhe qytetet bregdetare të Shqipërisë që ndodhëshin nën Venetikun. Lufta mori gjatë në fillim, dhe Gjon Kastrioti u lidh me Republikën duke shpresuar se këtë herë mund të shkëputej nga mvarësia e Sulltanit. Por fati i luftës ndryshoi më 1430. Turqit e pushtuan Selanikun dhe nisën në drejtim të Shqipërisë një ushtëri të madhe, nën kumandën e Isak Bej Evrenozit, për të shtypur kryengritësit. Furtuna u përplas mbi Gjon Kastriotin, i cili këtë herë u thye keq dhe u shtrëngua të bënte me Sulltanin një paqe me kondita shumë të rënda: të gjitha kështjellat e Gjon Kastriotit u pushtuan prej Turqvet. Ca prej tyre u prishnë; në disa të tjera, si në Krujë e në Sfetigrad, Turqit vunë garnizone ushtarake. Krahina e Dibrës kaloi nën sundimin e Turqve, që e lidhën me vilajetin e Kosovës. Pjesa tjetër e principatës fort e ngushtuar i mbet prapë Gjon Kastriotit, por ky detyrohej të paguante haraç më të rëndë dhe të shërbente n’ushtërinë turke bashkë me të bijtë kurdoherë që të thërritej. Për t’i shpëtuar furtunës, ati edhe djemtë u kthyen myslimanë, sa për dukje, dhe Gjoni vetë mori emrin Hamza.
Venetiku bëri paqe të veçantë me Sulltanin dhe i ruajti qytetet që kishte në Shqipëri. Por Gjon Kastrioti s’u ngrit dot më prej katastrofës së vitit 1430. Përmendet edhe një herë më 1438, kur ai bashkë me të bijtë kërkojnë të bëhen qytetarë të Venetikut. Sipas një dokumenti të datës 10 Korrik 1439, u bënë edhe qytetarë nderi të Republikës së Raguzës. Në këtë dokument, emri i Gjergj Kastriotit është shkruar dhe pastaj prishur me një vijë. Nga kjo kuptohet se Skënderbeu, n’atë kohë, kishte marrë famë n’ushtërinë turke dhe shikohej si armik i krishterimit. Gjon Kastrioti vdiq aty nga viti 1442, dhe mbeturitë e principatës së tij u pushtuan prej Turqvet.
Mbasi dërrmuan Gjon Kastriotin, më 1430, dhe e shkelën të tërë Epirin duke marrë edhe Janinën, më 1431, Turqit iu vunë me forcë organizimit të vendit sipas mënyrës së tyre. Krijuan një sanxhak të Shqipërisë, me qendër në Gjirokastër, i cili përmblidhte pothuajse të gjitha krahinat e shkelura, përveç disa malësive të veriut dhe qytetevet që ndodhëshin nën Venetikun. Vendosja e administratës turke, me regjistrimin e tokave dhe të popullsisë, me detyrimin e taksave dhe t’angarive, ishte një masë fort e rëndë për Shqiptarët, të cilët qenë mësuar të jetonin të lirë nër malet e tyre. Prandaj, si krerët ashtu edhe populli u gjetën të gatishëm për një kryengritje të përgjithshme.
Flamurin e kryengritjes, këtë radhë, e rroku Gjergj Araniti pasi u muar vesh me të tjerë krerë të pakënaqur si ai. Por shënjat e para të luftës i dha Andrea Thopia, i cili u ngrit me rrethet e Durrësit dhe të Tiranës, në verën e vitit 1432, dhe theu një ushtëri turke në malet e Krrabës. Kryengritja u përhap deri në veri, ku Shqiptarët, nën kumandën e Nikollë Dukagjinit, sulmuan qytetin e Danjës. Kryengritësit iu ranë kudo garnizonevet turke dhe e spastruan vendin prej spahinjve të Sulltanit. Turqit dërguan fuqi të reja dhe e shtypën lëvizjen në veri dhe në Shqipërinë e Mesme. Por kur u ndeshën, në jugë, në qëndresën e Gjergj Aranitit, u thyen plotësisht. Atëhere Ali Bej Evrenozi, sanxhakbeu i Shqipërisë, u nis me një ushtëri të madhe për t’a shtypur kryengritjen e Aranitit dhe për t’a shtruar vendin me zjarr e me hekur. Ngado që kaloi kjo ushtëri, bëri dëme të mëdha. Por në male të Kurveleshit, ku e priste Gjergj Araniti, u bë një luftë e përgjakshme në të cilën Turqit u dërrmuan plotësisht. Në sulmet e tyre për të kapërcyer grykat e maleve, ata u shpartalluan dhe u copëtuan tërësej prej Shqiptarëvet. Ali Bej Evrenozi mezi mundi të tërhiqej me një pjesë të vogël t’ushtërisë së tij.
Kjo fitore e Gjergj Aranitit bëri bujë lartushtuëse n’Evropë dhe ngjalli shpresa të reja, sepse ishte e para herë që një ushtëri e madhe turke dërrmohej në një mënyrë t’atillë prej një ushtërie të krishtere. Papa Eugjeni IV, mbreti Alfons V i Napolit, Republika e Raguzës dhe perandori gjerman Sigismund i dërguan Aranitit letra përgëzimi dhe premtime për ndihmë.
Po n’atë vit, më 1433, Araniti korri një fitore të dytë kundër Turqve, dhe një fitore të tretë në vitin 1434. Kjo iu dha zemër edhe Shqiptarëve të krahinave të tjera. Rrethet e Gjirokastrës thirrën Depe Zenebishin, që ndodhej në Korfus, u ngritën dhe e qarkuan qytetin. Por garnizoni turk qëndroi deri sa arriti nga Thesalia, në mes të dimrit, Turhan Pasha me një ushtëri të madhe, i cili iu ra Shqiptarëvet prapa krahëvet. Të ndodhur befas midis dy zjarresh, Shqiptarët u thyen duke lënë përmbi njëmijë të vrarë. Depe Zenebishin e zunë rob Turqit edhe e varën.
Fuqi të reja turke erdhën nga Rumelia, nën kumandën e Sinan Pashës, për të shtypur kryengritjen shqiptare. Gjergj Araniti iu bëri ballë deri më 1435. Pastaj u thye, u tërhoq malevet dhe u shtrëngua të nënshtrohej si vasal i Sulltanit.
Më 1437, një tjetër kryengritje shpërtheu në rrethet e Beratit, e udhëhequr nga Theodhor Korona Muzaka, i cili e mori qytetin. Por një ushtëri e madhe turke arriti rishtaz nga Thesalia, nën kumandën e Turhan Pashës, dhe e rrethoi Beratin. Kjo ushtëri, pasi e rrahu me top fortesën disa muaj me radhë dhe s’mundi t’a merrte, iu lëshua Myzeqesë ku vrau e preu barbarisht sa deshi, dhe Turhan Pasha e nxori dufin duke ngritur një piramidë me koka të prera Shqiptarësh. Ata krerë të Myzeqesë që u zunë të gjallë, Turqit i vranë duke ua thyer kockat me çekan.
Siç shihet, të gjitha këto kryengritje u shtypën njëra pas tjetrës se nuk ishin të lidhura në një plan vepërimi të përbashkët, nuk bëhëshin në të njëjtën kohë dhe nën një kumandë të vetëme. Secili princ a kryetar luftonte veças në krahinën e tij, kur i mbushej mendja, dhe natyrisht ishte i dënuar që të shtypej. Kundër një perandorie ushtarake aq të fortë siç ishte Turqia, duhëshin bashkuar të gjitha fuqitë e kombit në një shtet të përqendruar dhe nën një kumandë. Mandej duhej ndërlidhur lufta e Shqiptarëvet me atë të popujve të tjerë që kishin të njëjtin armik. Këtë bashkim të forcavet shqiptare nën një kumandë të vetëme dhe në një shtet të përqendruar u mundua t’a bënte Skënderbeu, siç do t’a shohim më poshtë.
Jeta djaloshare e Skënderbeut
Mbi jetën djaloshare të Skënderbeut nuk dimë pothuajse asgjë. Sipas kronologjivet që kemi, duhet të ketë lindur aty nga viti 1405. Bëhet i njohur për ne pas vitit 1443, kur hyn në histori si udhëheqës i një kombi të vogël që kërkon të mprojë lirinë e tij kundër perandorisë më të fortë të kohës. Dhe çuditërisht i bëri ballë asaj perandorie njëzetepesë vjet rresht, me shpatë në dorë, pa u thyer, pa u përkulur, derisa vdiq.
Gjer tani vonë kishte një tregim, që duket si legjendë, mbi djalërinë e Skënderbeut. Auktori i këtij tregimi është Marin Barleti, një prift shkodran, i cili u mërgua në Venetik pasi ra Shkodra, dhe atje shkroi latinisht një histori të bukur të Skënderbeut, që u botua në fillim të shekullit XVI. Kjo vepër – aq tërheqëse nga ana letrare sa që u këndua gjithmonë me shije dhe u përkëthye në shumë gjuhë t’Evropës – lë mjaft për t’u dëshiruar si histori: është më fort si një epope në prozë e kryetrimit. Megjithatë, Barleti mbetet si burimi kryesor i shumë historive të Skënderbeut që janë shkruar më pastaj, dhe ngjarjet që tregon ai vërtetohen shpeshëherë prej dokumentash të tjera. “Legjenda” e tij mbi djalërinë e Skënderbeut, të cilën, në vija të përgjithshme, e tregon edhe Dhimitër Frëngu (ose pseudo-Frëngu, siç e quan kritika e sotshme), mund të përmblidhet shkurtazi kështu:
Gjon Kastrioti, i mundur, u shtrëngua t’i jepte Sulltan Muratit II të katër djemtë si peng, nër të cilët, m’i vogli, Gjergji, ishte nëntë vjeç. Djemtë u kthyen myslimanë dhe u vunë në shkollën ushtarake të Pallatit, n’Edërne. Pas ca kohe, tre më të mëdhenjtë vdiqnë të helmuar prej Turqve. Kurse Gjergji, me paraqitjen dhe zgjuarësinë e tij, fitoi simpathinë e Sulltanit dhe u bë i dëgjuar nën emrin mysliman Skënderbej. Me cilësitë e rralla që tregoi, arriti gradën e gjeneralit në kalorësinë turke që në moshën njëzetepesë vjeç dhe mori famë duke luftuar për Sulltanin n’Anadoll e gjetkë. Por kur vdiq Gjon Kastrioti, Sulltan Murati II e pushtoi principatën e tij, në vend që t’ia jepte Skënderbeut si trashëgimtar. Atëhere ky vendosi të këthehej në Shqipëri, t’a merrte principatën me forcë dhe t’iu tregonte grushtin Turqvet. Rasti i volitshëm i erdhi më 1443, kur ushtëria otomane u mund prej Gjon Huniadit në betejën e Moravës, afër Nishit. N’atë luftë merrte pjesë edhe Skënderbeu bashkë me Turqit, dhe veproi në mënyrë që t’ia bënte Huniadit të mundëshme fitoren. Në rrëmujën e tërheqjes, kapi sekretarin e vulës së Sulltanit dhe e shtrëngoi t’i jepte një dekret për qeveritarin e Krujës, që ky, n’emër të Muratit II, t’ia dorëzonte qytetin Skënderbeut. Pastaj, që të mos zbulohej plani, e vrau sekretarin e Sulltanit; dhe bashkë me treqind kalorës shqiptarë që kishte me vehte, dhe me të nipin, Hamzën, u kthye në Shqipëri. Pasi e mori Krujën me anën e dekretit të rrem, mblodhi një fuqi dhe i pushtoi fortesat e tjera në një muaj e sipër duke e çliruar të tërë principatën.
Fan Noli, në botimin e dytë të historisë së Skënderbeut, bën këtë vrejtje: “E para, si është e mundur që një çilimi prej nëntë vjetësh të rritet si Muhamedan gjersa u bë burrë i pjekur prej dyzet vjetësh, edhe pas të dyzetave të këthehet i Krishterë dhe të çfaqet përpara botës si një nga çampionët më të mëdhenj të Krishterimit? E dyta: Si është e mundur që ky çilimi të shtudionjë nja pesëmbëdhjetë vjete në shkollën ushtëriake të pallatit, të shërbenjë nja pesëmbëdhjetë vjete të tjera si oficer në ushtërinë e rregullt të Sulltanit, dhe më në funt, tamam kur u gradua gjeneral, të dezertonjë dhe të bëhet një nga kapedanët më të dëgjuar të bashibozukëve dhe një nga ustallarët më të shkëlqyer të luftës së parregullt të maleve? Çudira të këtilla ngjajnë vetëm në mithollogji dhe jo në histori. Logjika elementare e kërkon që Skënderbeu të jetë rritur dhe fanatizuar si i Krishterë në konakun e Kastriotëve nga njëra anë, dhe nga tjetra të ketë shtudiuar zanatin e luftës bashibozuke në një universitet të specializuar për këtë degë, në malet edhe në rripat e Shqipërisë, me profesorë si i ati, si të vëllezërit, edhe si kapedanët e tjerë më të djathtë e më të mëngjër”
Megjithëse kjo vrejtje e Nolit duket me vend nga njëra anë, nga ana tjetër vinë dy pyetje të cilat duan përgjigje: E para, si është e mundur që Skënderbeu, vetëm me zanatin e luftës bashibozuke të shtudiuar në malet edhe rripat e Shqipërisë të përballonte gjatë njëzetepesë vjetëve fuqinë ushtarake më të madhe të kohës, dhe më të shumtën e herës në luftë frontale? Edhe kur ajo ushtëri vinte e kumanduar prej vetë sulltanëvet, me artilerinë më të rëndë t’atëhershme dhe në numër nja dhjetë herë m’e madhe nga ushtëria e Skënderbeut, ky e pat përballuar me anën e organizimit të mprojtjes si në fortesat ashtu edhe jashtë, me anën e një vepërimi të ndërlidhur dhe të disiplinuar, qoftë kur e goditte armikun në befasi të rrufeshme, qoftë kur i priste prapavijat a kur tërhiqte në pusi reparte të kalorësisë turke. Për këtë lloj pune, përveç një mendjeje strategu të radhës së parë, duhet edhe një farë njohurie e artit të luftës. Dhe Skënderbeu e njihte artin ushtarak në mënyrën më të përsosur, siç e treguan veprat e tija. E dyta, si qe e mundur që, në Kuvendin e Leshit, të gjithë krerët shqiptarë – deri një Gjergj Aranit në ballin e të cilit shkëlqenin fitoret e vjetëvet 1433-1435, deri Dukagjinët që mbahëshin si një familje m’e vjetër nga e Kastriotëvet – t’a njihnin Skënderben me një zë si kryetar të Lidhjes dhe si kryekumandar të forcavet shqiptare të bashkuara kundër Turkut? Këto arësye na bëjnë të mendojmë se Skënderbeu duhej të kishte një emër të madh n’atë kohë, emër që iu frymëzonte besim krerëvet shqiptarë. Këtë e thotë haptas Gjin Muzaka1, i cili tregon edhe se Gjergji bashkë me dy nga vëllezërit i qenë dhënë Sulltan Muratit që të vegjël; po kur u bë Turk (mysliman), e quajtën Skanderbeg, dhe u rrit i ditur, i ardhur e trim. Sipas Muzakës, në Kuvendin e Leshit Zotërinjtë e Shqipërisë e bënë Skënderben Kapedan (kryekumandar) të tyren sepse ishte i zoti në luftë e i vlefshëm, prandaj gjithkush do t’i bindej dhe do t’a ndihmonte me ushtarë e me të holla; po ashtu disa nga djemtë e familjeve bujare luftonin nën urdhërat e tij, edhe për të mësuar mjeshtërinë e luftës, edhe për të mprojtur krahinat e tyre.
Tani duhet shpjeguar se ku u bë Skënderbeu mjeshtër i luftës dhe ku i kishte treguar deri atëhere ato cilësi ushtarake sa t’a njihnin për kryekumandar dhe t’i bindëshin të tërë Zotërinjtë e Shqipërisë? A është punë e lehtë që Shqiptarët t’i binden kujtdo? Dhe përse vazhdoi t’a mbante edhe pastaj emrin Skënderbej? Sepse “Emri i Skënderit i kujtonte Aleksandrin e Madh,” thotë Fan Noli, “edhe titulli i Beut tregonte shkallën e gjeneralit në ushtërinë turke, e cila ishte më e mira e asaj kohe. Duke qënë Kastriotët nga një derë e vogël katundare, Skënderbeu vetë nuk i jipte rëndësi llagapit atëror… i cili nuk ishte veçse emri i një fshati dhe e mbanin me duzina shokë fshatarakë të kryetrimit…”. Ky shpjegim na duket pak si i lehtë sepse, me sa dimë, Skënderbeut nuk i pëlqenin madhështitë dhe se ai nuk e pat përbuzur kurrë emrin e familjes. Në letër-shkëmbimin me princa e mbretër t’asaj kohe, ai nënshkruante latinisht: Georgius Castriota alias Scanderbeg, ose italisht: Giorgio Castrioto, decto Scanderbego; gjë që lë të kuptohet se ai ishte i njohur në botë me emrin Skanderbeg.
Prandaj në legjendën e Barletit duhet të ketë diçka të vërtetë. Të tjerë kronikanë të shekullit XV pohojnë se Gjergji ishte në moshë të re kur vajti peng n’Oborrin e Sulltan Muratit II. Edhe nëqoftëse nuk ishte nëntë vjeç, siç thotë Barleti, duhet të-jetë dhënë peng më 1423, kur ishte djalosh tetëmbëdhjetë vjeçar. Nuk përjashtohet as hipoteza që Gjergji të ketë qënë dërguar në shkollën ushtarake të iç-ogllanëvet, në Edërne, edhe m’i ri akoma, si shumë djem princash të krishterë n’atë kohë, kur dimë se Gjon Kastrioti u nënshtrua më 1416 duke e njohur Sulltan Mehmetin I si kryezot dhe e ruajti të tërë principatën me anën e një politike t’urtë. Për të provuar besnikërinë, mund të ketë dërguar të birin në shkollën e Edrënesë, dhe djali mund që këthehej herë pas here pranë familjes, në Shqipëri. Dy datat 1420 dhe 1426, ku përmendet emri i Gjergjit në një traktat tregëtie lidhur me Republikën e Raguzës dhe në dy dokumentat e Hilandarit, nuk janë një provë absolute që Skënderbeu, deri atëhere, të jetë ndodhur vazhdimisht pranë familjes.
Sidoqoftë, kjo periudhë e jetës së kryetrimit mbetet akoma e pa-ndriçuar. Por duket se më 1438 ndodhej në Shqipëri, mbasi n’atë vit pranohet si qytetar nderi i Venetikut.
Gjatë kohës së kryengritjevet shqiptare ndërmjet vjetëve 1432-1438, Kastriotët nuk lëvizën. Por oshëtima e atyre kryengritjeve, ngadhënjimet e para, shtypjet mizore të pastajme, nuk mund të mos i kenë lënë mbresë Skënderbeut. Dhe ndoshta, në shpirt, priste një rast më të mirë, rrethana më të favorshme, për t’a rrokur ai vetë flamurin e kryengritjes.
Rasti iu duk se erdhi më 1443. Një nga shtyllat e qëndresës së krishtere kundër Turqvet ishte bërë Mbretëria e Hungarisë dhe e Polonjës me kryekumandarin e famshëm, Gjon Huniadin, vojvodën e Transilvanisë. Nuk ishte e para herë që Huniadi ndeshej me Turqit. Por më 1443, me shtytjen e Papës Eugjen IV, lëvizja mori një shtrirje më të gjerë. Papa mendoi t’organizonte një kryqëzatë të përgjithshme për t’i dëbuar Turqit nga Evropa. Përveç Mbretërisë së Hungarisë dhe së Polonjës, peshkopët katolikë, në Ballkan, u vunë të shtynin princat e krishterë që të ngrihëshin me armë porsa të lëvizte ushtëria hungareze. N’atë kryqëzatë u ftuan të merrnin pjesë edhe princat shqiptarë, një ndër ta edhe Skënderbeu. Shqiptarët, gjithmonë të gatishëm për kryengritje, mezi që e prisnin një rast t’atillë. Araniti filloi të lëvizte, në jugë, kundër ushtërisë turke. Po ashtu edhe Gjin Zenebishi, i biri i Depes, u ngrit me një pjesë të krahinavet dhe u lëshua kundër Kosturit. Por aty u ndesh me ushtërinë turke të kumanduar prej Feriz Pashës, luftoi, u thye edhe u vra.
Skënderbeu, si duket, priti gjersa ushtëria hungareze të hynte në vepërim. Prandaj u nis me kalorësinë e tij në drejtim të Danubit bashkë me ushtërinë turke, që përbëhej prej 20.000 vetash, nën kumandën e Kasem Pashës, bejlerbeut të Rumelisë. Të dy ushtëritë zunë vend kundrejt njëra tjetrës tej e përkëtej lumit Morava. Por më 3 të Nëntorit 1443, Hungarezët, ndonëse më të pakët në numër, kapërcyen lumin dhe e sulmuan ushtërinë turke afër Nishit. Kjo filloi të prapsej dhe pastaj të tërhiqej e shpartalluar. Skënderbeu, i cili duket se lozi një rol në këtë tërheqje, me treqind kalorës kalorës shqiptarë që kishte me vehte, nër ta edhe i nipi, Hamza, e la ushtërinë turke edhe u nis për në Shqipëri. Fermanin e rrem nuk dimë a ia mori me të vërtetë sekretarit të vulës së Sulltanit që shoqëronte bejlerbeun e Rumelisë, siç tregon Barleti, a po u zogrofis prej ndonjë fallsifikatori, siç mendon Fan Noli sipas kronikanit të Raguzës, Luccari-t. Fakti është që, në krye të shtatë ditëve, Skënderbeu arriti në Dibër. Aty gjeti popullin besnik dhe të gatishëm për kryengritje. Mbasi ua shpjegoi krerëvet planin e tij, mori me vehte nja treqind Dibranë edhe u nis natën në drejtim të Krujës. Kjo fuqi u fsheh jashtë qytetit, mbasi Skënderbeu kishte nër mend t’a merrte Krujën me anën e fermanit të rrem. Edhe ashtu u bë. Kumandari i Krujës, Hasan bej Vërzhezda, e besoi fermanin dhe ia dorëzoi qytetin Skënderbeut. Ky ua tregoi Krujanëvet planin e tij dhe i porositi që të rrinin gati. Kur u bë natë, njerëzit e fshehur në pyll hynë brenda në kështjellë, dhe bashkë me Krujanët e armatosur zunë pikat strategjike të qytetit. Aty nga mesi i natës buçiti fjala “liri! liri!”, dhe Shqiptarët u hodhën mbi garnizonin turk të cilin e çfarosnë. Të nesërmen, në vend të flamurit të Turqisë, valonte mbi kështjellë flamuri i kuq me shkabën e zezë dykrenore.
Pasi mori Krujën në këtë mënyrë edhe u kthye në fenë atërore, Skënderbeu u nis për në Mat e Dibër, që ishin pjesë e principatës së Kastriotëvet, dhe filloi t’organizonte fuqinë e parë të tij. Ngado që shkonte, populli e priste me krahë hapët dhe tregohej i gatishëm të vihej nën urdhërat e kryetrimit. Pastaj me një fuqi të mjaftë u kthye në Krujë, ku kishin ardhur për ta përgëzuar shumë krerë shqiptarë si edhe miq e dashamirë të lidhur me familjen e tij. Më 28 Nëntor 1443, në mes të një gëzimi të përgjithshëm, Skënderbeu u shpall kryezot i principatës së Kastriotëvet me qendër Krujën. Mandej me fuqinë që kishte mbledhur pushtoi njërën pas tjetrës, gjatë muajit Dhjetor, fortesat e principatës atërore, Petrelën, Gurin e Bardhë, Stellushin, Tornaçin dhe pak më vonë, pas tre muajsh rrethimi, Sfetigradin. Garnizonet turke që u dorëzuan, u përzunë në Turqi. Kështu, me një shpejtësi të vetëtimshme, Skënderbeu e ringjalli principatën e lirë të Kastriotëvet.
Që në fillim të punës, u duk që Skënderbeu ishte tjetër burrë, me zotësi dhe cilësi të rralla. Jo vetëm që e zgjodhi kohën e kryengritjes kur rrethanat ndërkombëtare ishin të favorshme, kur ushtëria turke u dërrmua prej Huniadit, i cili vazhdonte përparimet në Ballkan, po edhe mundi t’a zbatojë planin e tij me një energji dhe shpejtësi të jashtëzakonshme. Brenda dy muajve e çliroi krejt principatën. Por e dinte se nuk ishte e largët koha kur do të përpiqej me Turqit: gjer në prendverën e ardhëshme. Prandaj duhëshin bërë pregatitjet.
Ndryshe nga kapedanët e tjerë shqiptarë që ishin ngritur kundër Turqvet njëri pas tjetrit, deri atëhere, dhe qenë shtypur njëri pas tjetrit, Skënderbeu sillte dy ide të mëdha: bashkimin e gjithë forcavet shqiptare në një kumandë të vetëme dhe organizimin e një ushtërie të përhershme. Pa humbur kohë, iu përvesh punës për arritjen e këtyre dy qëllimeve.
Pik së pari, thirri në Lesh në një mbledhje me karakter kombëtar krerët më të përmendur të Shqipërisë, për të bërë bashkimin e fuqivet. Rrethanat ishin të favorshme: Huniadi kishte zbritur në Bullgari dhe lajmet qarkullonin se një kryqëzatë e përgjithshme evropiane ishte në pregatitje e sipër. Shqiptarët i kishin akoma të gjalla plagët e kryengritjevet të mëparshme. Shpejtësia me të cilën Skënderbeu e çliroi principatën e tij iu dha shpresë edhe krerëve të tjerë se mund t’i rifitonin të drejtat e humbura. I dha shpresë gjithë popullit se mund t’a thyente zgjedhën e huaj. Si vend të mbledhjes Skënderbeu zgjodhi Leshin, i cili ishte nën Venetikun, dhe jo Krujën, për të mos iu prekur sedrën kapedanëvet shqiptarë. Ashtu ndoshta mund t’i vinte mirë edhe Venetikut.
Mbledhja u mbajt më 1 të Marsit 1444, në kryekishën e Shën-Kollit, në Lesh. Merrnin pjesë n’atë kuvend: Gjergj Araniti, Theodhor Korona Muzaka, Andrea Thopia me të nipin Tanush, Nikollë dhe Pal Dukagjini, të gjithë këta kishin qënë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme. Vinin pastaj Gjergj Stres Balsha, Lek Zaharia, Lek Dushmani, Pjetër Spani, Stefan Çernojeviçi, sundimtari i Malit të Zi, dhe shumë krerë të tjerë më të vegjël, nga veriu dhe nga juga.
Skënderbeu iu foli mbi qëllimin e mbledhjes dhe mbi nevojën e bashkimit. Iu tregoi se rrethanat ndërkombëtare ishin të favorshme dhe se me forcat e të gjithëve mund t’i bëhej ballë ushtërisë turke. Krerët e tjerë u gjetën të gatishëm për t’u bashkuar në luftën kundër Turkut, dhe u vendos me një zë formimi i Lidhjes Shqiptare me Skënderben kryetar. Kjo Lidhje do të kishte edhe një ushtëri të bashkuar me Skënderben kumandar të përgjithshëm. Të pranishmit iu zotuan këtij se do t’a ndihmonin me ushtarë, me të holla dhe me ushqime. Gjergj Araniti propozoi që seicili t’a caktonte aty për aty shumën e përvitshme që do të jepte. Pal Dukagjini kërkoi të caktohej edhe numri i ushtarëvet që do të dërgonte gjithkush nga krerët, por kjo çështje u la në pëlqimin e seicilit.
U krijua kështu një fond i përbashkët, i cili, me t’ardhurat e principatës së Skënderbeut dhe me ato të kriporevet të Shën-Kollit, në veri të Durrësit, edhe me ndihmat që do të jepnin krerët e tjerë, arrinte në shumën e përgjithshme prej 200.000 dukatash t’arta në vit. Ushtëria e Lidhjes parashihej t’arrinte në 18.000 veta, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori.
Kuvendi i Leshit ka një rëndësi të veçantë për historinë e Shqipërisë, sepse ishte e para herë, që nga Kohë e Mesme e këtej, që krerët shqiptarë bashkohëshin në një mbledhje me karakter pak a shumë kombëtar dhe zgjidhnin një kryetar e kumandar të përgjithshëm që s’ishte i huaj por vendas dhe Shqiptar, si ata. Seicili nga krerët mbetej zot mbi krahinën a krahinat e tij, i qeveriste si të donte, dhe Skënderbeu s’kishte të drejtë t’i ndërhynte. Lidhja e Leshit ishte si një farë konfederate, ku Skënderbeu ishte si një i parë ndërmjet të barabartëve, sa për të kumanduar ushtërinë e përbashkët në luftë. S’mund të mblidhte drejtpërdrejt taksa ose ushtarë nëpër krahinat e zotërve të tjerë, veçse ç’t’i dërgonin ata vetë. Por edhe me kaq, në Kuvendin e Leshit u hodh çapi i parë drejt lidhjes kombëtare, sepse ishte e para herë që krerët e Shqipërisë zgjidhnin një kryetar midis tyre dhe vendosnin bashkimin e fuqivet ushtarake dhe të ndihmavet financiare në shërbim të një qëllimi të përgjithshëm. Skënderbeu, duke përdorur principatën e tij si bazë dhe me prestigjin e madh që fitoi në luftën kundër Turqvet, i shtroi nën vehte disa nga krerët e tjerë, ua mori krahinat, dhe u përpoq të formonte një shtet shqiptar të përqendruar, siç do t’a shohim më poshtë.
I vendosur tani t’i bënte një luftë për jetë a për vdekje ushtërisë më të fortë të kohës, Skënderbeu nis t’i pregatitet, duke treguar që në fillim disa nga cilësitë e jashtëzakonshme të kapedanëve të mëdhenj. Ai e dinte se fitimi i betejavet varet sigurisht edhe nga zotësia e kumandarit, por sidomos nga përbërja dhe forca goditëse e ushtërisë. Këtu qëndron e fshehta e fitorevet, dhe vetëm me anën e një ushtërie kompaktësisht t’organizuar kanë mundur të ngadhënjejnë ata që kanë lënë vrraga të thella në historinë e njerëzisë. Aleksandri i Madh, përveç cilësivet vetiake, ua detyroi fitoret legjendare falangavet maqedonase, që sulmonin bashkarisht si një maqinë shtypëse, dhe kalorësisë që goditte si rrufeja. Roma shtroi tërë botën me anën e legjionevet, që shkonin përpara si një masë dërrmonjëse ose qëndronin në vend si një mur i patundur. Edhe Turqia e kohës së Skënderbeut epërsinë ushtarake mbi botën e krishterë ua detyronte trupit të jeniçerëvet dhe kalorësisë së lehtë sulmonjëse.
Skënderbeu, që e njihte mirë ushtërinë turke dhe i kuptonte shkaqet se përse kryengritjet e mëparshme të Shqiptarëvet kishin dështuar, u vu edhe ai të krijonte mjetin e mprojtjes, domethënë një ushtëri në kuptimin e vërtetë. Nuk kishte shumë besim në një ushtëri “federale”, domethënë në trupat që do të dërgonin krerët e tjerë shqiptarë, mbasi ato kumandohëshin prej kapedanëvet të tyre dhe s’mund të kishin as kompaktësinë as disiplinën e një ushtërie të rregullt. Prandaj nisi pikësëpari t’organizojë një ushtëri të përhershme, të rekrutuar në principatën e tij. Bëri regjistrimin e burrave t’aftë për shërbim, duke dalë vetë fshat më fshat, dhe krijoi me lulen e djalërisë një trupë të zgjedhur që Barleti e quan “garda pretoriane”. Kjo përbëhej prej nja 3.000 vetash, e tërë kalorësi, dhe kumandohej drejtpërdrejt prej Skënderbeut. Kjo ishte bërthama e çeliktë e ushtërisë shqiptare, gjithnjë në ushtrim, gjithnjë në lëvizje, dhe sulmet e saja në luftë ishin të rrufeshme, ashtu si shpata e kryetrimit. Një pjesë tjetër e ushtërisë së përhershme ishin trupat e kufirit, nja tre a katër mijë veta, që mpronin kështjellat nga ana e lindjes. Këto ishin nën kumandën e Moisi Golemit, i cili qëndronte në Dibër. Pastaj vinte ushtëria e përkohshme, e përbërë prej atyre që thirrëshin vetëm në kohë lufte, zakonisht nga një burrë për derë në principatën e Skënderbeut, dhe prej trupavet që dërgonin krerët e tjerë aliatë. Këta vinin t’armatosur dhe qëndronin në shërbim përsa kohë që vazhdonte lufta; mandej këthehëshin nëpër shtëpitë e tyre. Numri i ushtërisë së përkohshme arrinte e shumta në 10.000 veta, një pjesë kalorës por më tepër këmbësorë. Në kohë rreziqesh të mëdha, me kushtrimin e Skënderbeut delnin të gjithë burrat e aftë. Një pjesë e tyre organizohëshin në çeta për t’i prerë shtigjet armikut.
Formimit t’ushtërisë dhe pregatitjes s’oficerëvet iu dha aq rëndësi Skënderbeu sa që merrte pjesë vetë n’ushtrimet e gardës dhe e mbante këtë gjithmonë nën syrin e tij vëzhgues. E dinte se Shqiptarëve iu mungonte disiplina e një trupe të rregullt: hidhëshin në luftë me guxim, po edhe shpartallohëshin shpejt kur armiku përdorte numrin e madh, mjetet e rënda, kohën e gjatë. Prandaj iu vuri një kujdes të veçantë inkuadrimit dhe disiplinës. Vrejti gjithashtu me hollësi topografinë e vendit duke shënuar dhe mbajtur në mendje çdo mal e fushë, çdo shpat a luginë, pyje e kodra, lumenj e përrenj, shtigje e gryka, sepse e dinte që njohja e vendit është kushti i parë i një plani strategjik dhe i manevrimevet taktike. Ndreqi kështjellat edhe i vuri në gjendje mprojtjeje. Siguroi armatimin dhe rezervat ushqimore për ushtërinë e përhershme. Organizoi një rrjetë informacjoni për të marrë vesh lëvizjet dhe përbërjen e ushtërivet armike. U përpoq të pregatiste moralin e popullit për një qëndresë të gjatë, heroike, kundër një ushtërie që tmerronte botën, dhe tmerret e së cilës Shqiptarët i kishin provuar mbi vehten e tyre kushedi sa herë. Pastaj i qetë, i patundur si shkëmbi, po priste rastin se kur do të përplasej furtuna.
Rasti erdhi më Qërshor të vitit 1444. Një ushtëri turke prej 25.000 vetash, pjesa m’e madhe kalorësi, nën kumandën e Ali Pashës, hyri në Shqipëri nga anë e Kosovës dhe zbriti në Dibrën e Poshtme. Sulltan Murati II mendoi se do t’a shtypte edhe këtë herë kryengritjen shqiptare ashtu si kishte shtypur ato të mëparshmet. Skënderbeu, i lajmëruar për afrimin e ushtërisë turke, i dolli përpara në fushën e Dibrës me ushtërinë shqiptare që ai kishte pregatitur brenda disa muajve. Kjo përbëhej prej 15.000 vetash, pjesa m’e madhe e rekrutuar në principatën e Skënderbeut, dhe vetëm nja 2.000 kalorës qenë dërguar nga krerët e tjerë të Lidhjes. Çasti ishte vendimtar, sepse në këtë përpjekje të parë vihej në provë qëndresa shqiptare. Oficerët dhe ushtarët, përgjithësisht të rinj, nuk ishin mësuar deri atëhere të përballonin në fushë të hapët një armik aq të fortë sa ç’ishte ushtëria turke. Populli dukej m’i shqetësuar akoma. Fshatarët fusharakë iknin maleve ose futëshin nëpër fortesat. Gra, pleq e fëmijë rrinin gjithë ditën në kishë duke iu lutur Perëndisë që t’a shpëtonte vendin nga rreziku. Vetëm Skënderbeu qëndronte i patronditur. I fliste popullit për t’a qetuar, iu fliste oficerëve dhe ushtarëve për t’iu dhënë zemër dhe për t’i siguruar se do t’a fitonin betejën.
Mjeshtër n’artin e luftës, Skënderbeu kishte zgjedhur për këtë ndeshje të parë fushën e ngushtë të Torviollit, rrethuar me male e pyje. Sipas planit të tij, do të fshihte në pyjet një pjesë të fuqisë, e cila do të sulmonte me befasi kur lufta t’ishte ndezur nga të gjitha anët. Për t’a tërhequr armikun në këtë kurth, i dolli përpara me pjesën tjetër t’ushtërisë dhe bëri sikur prapsej, duke manevruar me mjeshtëri. Dy nga oficerët e tij më të zotë n’artin ushtarak, Kont Urani dhe Aidin Muzaka, e ndihmuan në këtë taktikë: i pari, duke i qëndruar përballë ushtërisë turke për të penguar përparimin e saj, dhe i dyti duke rreshtuar në Torvioll grupet e ushtërisë shqiptare që prapsëshin dhe arrinin aty ca nga ca. Skënderbeu, sa andej këtej, ndihmonte njërin vepërim dhe tjetrin. Ndonëse të pamësuar me manevra të këtilla, Shqiptarët lëvizën rregullisht, duke zbatuar urdhërat, dhe puna shkoi mirë, siç ishte parashikuar. Kur u kthye Skënderbeu në Torvioll, e gjeti ushtërinë të radhitur sipas planit. Kumandën e krahut të djathtë e kishte Tanush Thopia me Labërit e Aranitit dhe malësorët e Dukagjinit; kumandën e krahut të mëngjër e kishte Moisi Golemi me Dibranët; në qendër ishte vetë Skënderbeu me gardën pretoriane, i ndihmuar nga Aidin Muzaka dhe Gjergj Stres Balsha. Një fuqi prej 3.000 kalorësish, e kumanduar nga Hamzë Kastrioti, Muzaka i Angjelinës, Zaharia Gropa, Pjetër Emanueli dhe Gjin Muzaka, ishte dërguar të fshihej në një pyll aty afër, me urdhër që të mos lëvizte gjersa të ndizej beteja në të gjitha anët. Trupin e rezervës prej 3.000 vetash, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori, e kumandonin Kont Urani dhe Marin Spani. I pari, me kalorësinë, duhej ta sulmonte armikun përballë kur Hamzë Kastrioti me shokë t’i kishin rënë befasisht nga krahët. I dyti, me këmbësorinë, nuk duhej të lëvizte veçse kur ushtëria turke të jepte shënja tronditjeje. Skënderbeu kishte vënë kudo kalorësinë përpara, mbasi pjesa kryesore e ushtërisë turke ishte kalorësi dhe beteja do të niste me një përpjekje kuajsh. Por skuadrat ishin rregulluar në mënyrë që edhe këmbësoria të merrte pjesë në luftim pa qënë e penguar prej kuajvet.
Kur ushtëria turke arriti në Torvioll, dita ishte më të ngrysur, dhe beteja mbeti për të nesërmen. Ali Pasha kujtoi ndoshta se e futi Skënderben në një vend të ngushtë, ku s’kishte se nga t’i shpëtonte. Në mëngjezin e 29 Qërshorit, Shqiptarët e panë se sa e madhe ishte ushtëria turke, e cila mbushte tërë fushën. Ulurinte dheu nga trumbetat, daullet dhe bërtimat e saja. Mbasi një pjesë e ushtërisë shqiptare ishte e fshehur, ajo që ndodhej në fushë të hapët dukej fare e vogël përpara mizërisë anadollake. Skënderbeu i kishte pregatitur radhët që me të zbardhur të mëngjezit. Por duke menduar se mos Shqiptarët, të rrëmbyer, hidhëshin në mënyrë të çrregullt dhe merrëshin nëpër këmbë prej numrit të madh t’armikut, dha urdhër që të mos lëviznin deri sa Turqit të sulmonin të parët.
Sulmi i tyre nuk vonoi. Me një bërtimë të përgjithshme dhe tmerronjëse, Turqit u lëshuan kundër ushtërisë shqiptare. N’atë çast, trumbetat e gardës pretoriane dhanë shënjën e betejës, dhe Skënderbeu, duke iu thirrur Shqiptarëvet me zë të fortë, u vërvit si luani drejt armikut. E tërë garda, me Aidin Muzakën dhe Gjergj Balshën, e ndoqi pas si një trup i vetëm. Beteja u mbërthye në të gjitha anët, e rreptë, e tërbuar. Përpiqej çeliku me çelik, përmbysëshin kuaj e kalorës, dridhej toka nën këmbë. Turqit e sulmuan me aq forcë qendrën shqiptare sa që kjo do t’ishte thyer sikur të mos ndodhej aty vetë Skënderbeu. Por krahu i djathtë që kumandonte Tanush Thopia, e pa më ngushtë akoma. Shumë kapedanë nga më të mirët ishin vrarë, nër ta edhe Anton Linjërosa, kumandari i Labërvet dhe i Himariotëvet. Tanushi po bënte qëndresën e fundit, kur u vërsul nga pylli kalorësia e Hamzë Kastriotit me shokë dhe i ra armikut nga krahët, ndërsa Kont Urani me rezervën e goditi përballë. Nga kjo befasi e rrufeshme që e vuri midis dy zjarresh, krahu i mëngjër i ushtërisë turke u thye shpejt. Në të njëjtën kohë, Moisi Golemi me Dibranët bëri një sulm të rreptë dhe e shpartalloi krahun e djathtë t’armikut. Qendra turke, ku ndodhej vetë Ali Pasha me pjesën më të fortë t’ushtërisë, po mbahej akoma. Por Skënderbeu, kur pau se të dy krahët e ushtërisë së tij ishin në fitim, u hodh në mes t’armiqvet si një shigjetë, thotë Biemmi1, duke thyer radhët e tyre dhe duke përmbysur me shpatë ç’gjente përpara. Gardës pretoriane që luftonte rreth kryetrimit i erdhën shpejt në ndihmë Kont Urani dhe Marin Spani me rezervën, dhe me një goditje të fundit qendra turke u dërrmua plotësisht. Ali Pasha iku nga sytë këmbët me mbeturitë e ushtërisë së tij duke lënë 7.000 të vrarë në fushën e betejës, 500 robër dhe 24 flamure në duart e Shqiptarëvet. I tërë kampi i ushtërisë turke, me plaçkat, ushqimet dhe mijëra kuaj, mbeti aty. Nga Shqiptarët pati 1800 të vrarë dhe 2.000 të plagosur, prej të cilëve nja 400 vdiqën pastaj. Nër të plagosurit rëndë ishte edhe Aidin Muzaka, një prej oficerëvet më të shquar, i cili vdiq në Dhjetor t’atij viti dhe u vajtua nga e tërë ushtëria.
Beteja e Torviollit është një kryevepër strategjike dhe taktike, në të cilën Skënderbeu tregoi zotësitë e rralla të kapedanëve të mëdhenj. Kjo fitore iu bëri shumë përshtypje Shqiptarëvet dhe i mbushi me lavdi. Këta e kuptuan atë ditë se çfarë rëndësie kanë bashkimi, plani dhe disiplina në fitimin e një lufte dhe se çfarë luani ishte kryekumandari i tyre. E panë me sy kur vërvitej i pari me shpatë në dorë në mes t’armiqvet dhe njëkohësisht drejtonte tërë betejën, si Aleksandri i Madh. Prova e parë u bë. Me një burrë të këtillë në krye, Shqipëria mund t’i qëndronte furtunës turke; mund të bëhej mburoja e Evropës dhe e Krishterimit, siç u bë për njëzetepesë vjet rresht.
Pas këtij ngadhënjimi, Skënderbeu u kthye në Krujë në mes të një gëzimi të papërshkruarshëm. Populli delte rrugës për t’a parë me sy, për t’a përshëndetur, për t’i çfaqur adhurimin. Kur arriti në Krujë, gjeti aty shumë miq dhe krerë aliatë që kishin ardhur ta përgëzonin.
Përveç në Shqipëri brenda, ku forcoi pozitën e Skënderbeut, fitorja e Torviollit bëri bujë të madhe n’Evropë. Papa Eugjeni IV mori zemër për të pregatitur një kryqëzatë të re kundër Turqvet. Oborrët e Perëndimit filluan të shikojnë tani edhe nga Shqipëria. Hungarezët u vunë përsëri në lëvizje. Një lidhje e gjerë u formua, në të cilën Papa dhe mbreti Vladisllav i bënë thirrje edhe Skënderbeut.
Sulltan Murati II, i tronditur nga këto pregatitje, iu kërkoi paqe Hungarezëvet. Vladisllavi, mbreti i Polonjës dhe i Hungarisë, pranoi, dhe një paqe prej dhjetë vjetësh u nënshkrua në Szeged, më 12 Korrik 1444. Në bazë të këtij traktati, Murati II e linte të qetë Hungarinë dhe ia këthente Serbinë Gjergj Brankoviçit, i cili u bë vasal i tij. Pas kësaj paqeje, Sulltan Murati ia lëshoi fronin të birit, Mehmetit II, dhe ai vetë shkoi n’Anadoll për t’a ngrysur jetën në qetësi.
Por paqja prej dhjetë vjetësh nuk mbajti as gjashtë javë. Papa Eugjeni IV, me anën e Kardinal Julianit, e bindi mbretin Vladisllav t’a shkelte traktatin dhe, duke përfituar nga abdikimi i Muratit II, të vihej në krye t’ushtërivet të krishtere për t’i përzënë Turqit nga Ballkani. Filluan thirrjet dhe premtimet për kryqëzatën. Vladisllavi mblodhi një ushtëri prej 14.000 Hungarezësh, Polakësh e Rumunësh, nën kumandën e tij dhe të Gjon Huniadit, zbriti në Bullgari dhe e nguli kampin afër qytetit Varna. Pritej të lëviznin fuqi të tjera të cilat mbetën premtime të thata, si zakonisht. Ndërkaq, Sulltan Murati II, me të marrë vesh që Hungarezët e shkelën paqen, u kthye përsëri në fron, mblodhi me të shpejtë n’Anadoll një ushtëri prej 40.000 vetash, e kaloi Bosforin me anije Gjenovezësh duke paguar nga një dukatë për kokë, dhe u ndodh papritur përpara ushtërisë së krishtere në fushën e Varnës. Në betejën e përgjakshme që u bë më 10 Nëntor 1444, Vladisllavi u vra dhe ushtëria e tij u thye keq duke lënë 10.000 të vdekur në fushë. Gjon Huniadi me një pakicë mezi shpëtoi dhe mundi të kapërcejë Danubin. Disfata e Varnës qe një humbje e madhe për Krishterimin dhe provoi se ky s’ishte në gjendje t’organizonte një qëndresë të përgjithshme kundër Turqvet. Shpresat e popujve ballkanikë filluan të bjenë. Sulltan Murati II, i liruar nga pesha e Hungarezëvet, mbetej ballë për ballë me kryengritjen shqiptare.
Po edhe në Shqipëri brenda nisën grindjet si nga herë, për të mbjellë farën e përçarjes në Lidhjen Shqiptare të Leshit. Në vitin 1445, Mamica, motra m’e vogël e Skënderbeut, u martua me Muzakë Thopinë. Në dasmë e sipër, ku ishin ftuar shumë krerë dhe kapedanë shqiptarë, ngjau një zihje midis Lek Dukagjinit dhe Lek Zaharisë. Shkak u bë Irena, bija e vetëme e Gjergj Dushmanit, kryezotit të Zadrimës, e cila me bukurinë e jashtëzakonshme të saj ua mori mendjen dy rivalëvet që e kërkonin për martesë. Mbasi zemra e Irenës anonte nga Lek Zaharia, një luftë e vërtetë u ndez ndërmjet këtij dhe Lek Dukagjinit. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë dhe i turpëruar përpara Irenës. Pas ca kohe, Skënderbeu i thirri të dy dhe i pajtoi. Por pajtimi i Lek Dukagjinit nuk qe i sinqertë. Sepse pas dy vjetësh ky e vrau me të pabesë Lek Zaharinë, kryezotin e Danjës. Nga kjo vrasje rrodhi lufta ndërmjet Skënderbeut dhe Republikës së Venetikut, siç do t’a shohim më poshtë.
Po edhe lufta kundër Turqvet vazhdoi e paprerë. I shqetësuar nga pregatitjet e reja që bënte Huniadi, Sulltan Murati II provoi t’a ndreqte me të mirë me Skënderben duke i propozuar këtij paqen me kushtet që kishte pranuar i ati, Gjon Kastrioti, më 1430. Me fjalë të tjera, Skënderbeu duhej t’i nënshtrohej Sulltanit, t’i lëshonte një pjesë të principatës dhe të mbetej si vasal i atij në krahinat e Krujës dhe të Matit. Porsa që Skënderbeu e hodhi poshtë këtë propozim me një përgjigje krenare, Sulltani nisi për në Shqipëri Firuz Pashën me 9.000 kalorës, i cili hyri nga anë e Ohrit. Skënderbeu e tërhoqi ushtërinë turke në një pyll të Mokrenës, afër Dibrës së Sipërme, dhe e shpartalloi më 10 të Tetorit 1445. Kjo fitore bëri bujë dhe ngjalli shpresa të reja n’Evropë pas disfatës që pësoi ushtëria hungareze në Varna. Skënderbeu zu të shikohej si shtylla e Krishterimit. Papa Eugjen IV dhe mbreti Alfons V i Napolit dërguan ambasada të veçanta për t’i çfaqur përgëzimet dhe për të lidhur miqësinë me të.
Më 1446, një tjetër ushtëri turke prej 15.000 kalorësish, nën kumandën e Mustafa Pashës, u nis nga Shkupi dhe arriti në fushën e Otonetës, në Dibrën e Sipërme. Skënderbeu e sulmoi befas, më 27 të Shtatorit, dhe e shkatërroi.
Fitoret e Shqiptarëvet gjatë tre vjetëve kundër ushtërisë më të fortë t’asaj kohe dhe forcimi i pozitës së Skënderbeut zgjuan shqetësimin e Republikës së Venetikut, e cila sundonte një varg qytetesh bregdetare të Shqipërisë. Në fillim, Venetiku e pat shikuar me sy të mirë kryengritjen shqiptare dhe lejoi, më 1444, që Kuvendi i krerëvet shqiptarë të mbahej në Lesh, ku dërgoi edhe Republika disa këqyrës për të parë se ç’bëhej. Skënderbeu, nga ana e tij, i shtrënguar prej nevojës dhe duke ndjekur politikën e familjes, desh të qëndronte në marrëdhënie sa më të mira me Republikën. Ai bashkë me të vëllanë, Stanishin (i cili duket se ishte gjallë akoma), u njohën prej Venetikut si qytetarë nderi më 1445. Por ky “qiell miqësie” zuri të vrënjtej shpejt. Venetiku mendonte t’i përdorte Shqiptarët dhe Skënderben sa për t’ia hedhur Sulltanit si ferra nëpër këmbë, dhe jo që këta të formonin një shtet të fuqishëm, i cili mund të vinte në rrezik zotërimet e Republikës. Prandaj filloi t’i trembej rritjes së fuqisë së Skënderbeut, principata e të cilit kufizohej me qytetet që sundonte Venetiku. Kur pa se Skënderbeu, ngadhënjyës mbi ushtërinë më famëmadhe t’asaj kohe, po mundohej të formonte një shtet shqiptar të fortë dhe se Lidhja e Leshit qëndronte e bashkuar, Republika nisi intrigat e përçarjes dhe marrëveshjet e fshehta me Turqit kundër Skënderbeut.
Shkak lufte ndërmjet Shqipërisë dhe Ventikut u bë qyteti i Danjës. Duket se Lek Dukagjini e vrau Lek Zaharinë, kryezotin e Danjës, aty nga vjeshta e vitit 1447. Mbasi Lek Zaharia nuk linte trashëgimtar, qyteti i Danjës duhej të përfshihej në principatën e Skënderbeut, i cili ishte kryetari i Lidhjes Shqiptare. Për këtë qëllim, ky dërgoi pranë Borës, nënës së Lek Zaharisë, Kont Uranin që ta rregullonte punën. Por Venetikasit e pushtuan Danjën përpara se t’a merrte Skënderbeu, dhe Zonjën Bora e çuan në Shkodër, ku me intriga ia mbushën mendjen që t’ia falte qytetin Republikës. Një nga çpifjet e Venetikasvet ishte se gjoja Skënderbeu kishte pasur gisht në vrasjen e Lek Zaharisë për të trashëguar Danjën.
I vënë përpara kësaj gjendjeje, Skënderbeu thirri menjëherë mbledhjen e Lidhjes Shqiptare për të marrë një vendim lufte kundër Venetikut. U detyrua gjithashtu të shpallte botërisht se ai s’kishte pasur asnjë dijeni në vrasjen e Lek Zaharisë dhe se çpifjet e Venetikasvet kishin për qëllim të cënonin nderin e tij dhe të përçanin Lidhjen Shqiptare. Në mbledhjen e Lidhjes, shumica e antarëvet e pranoi propozimin e Skënderbeut, që t’i shpallej luftë Venetikut nëqoftëse ai nuk do t’a lëshonte Danjën me të mirë. U treguan kundër këtij vendimi vetëm dy kapedanë, Pjetër Spani i Shalës e i Shoshit dhe Gjergj Dushmani i Zadrimës, të cilët u ndanë nga Lidhja Shqiptare dhe muarën anën e Venetikut.
Mbasi Republika nuk e lëshoi Danjën, e cila kishte shumë rëndësi për të sepse sundonte hyrjen e daljen e luginës së Drinit dhe rrugën e Shkodrës, Skënderbeu filloi menjëherë vepërimet ushtarake kundër zotërimeve të saj. Disa nga antarët e Lidhjes, si Gjergj Araniti, Theodhor Korona Muzaka, Andrea Thopia, e të tjerë, e ndihmuan me ushtëri, e cila arriti në 14.000 veta, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori. Me këtë fuqi Skënderbeu bariti kundër Danjës dhe njëkohësisht rrethoi Durrësin, në Dhjetor të vitit 1447. Nisi gjithashtu të bënte presion mbi qytetet e tjera të Republikës në tërë bregdetin shqiptar. Por mbasi nuk kishte artileri të rëndë, dhe këto qytete mprohëshin prej kështjellash, nuk i mori dot, prandaj e shtrëngoi rrethimin e Danjës duke pritur që kjo t’i dorëzohej nga uria.
Për t’i dalë në krye luftës me Venetikun, Skënderbeu nuk mungoi të shfrytëzonte edhe gjendjen ndërkombëtare. Republika n’atë kohë luftonte edhe në Lombardi kundër Dukës së Milanos, i cili ishte aliat i Alfonsit V të Napolit. Me ndërmjetësimin e këtij, u bë një marrëveshje në mes të Skënderbeut dhe Gjergj Brankoviçit, despotit të Serbisë, për të sulmuar njëheresh zotërimet e Republikës gjatë bregdetit t’Adriatikut.
Rrethimi i Danjës vazhdoi gjithë dimrin dhe prendverën e vitit 1448. Venetiku, i zënë në luftë edhe në Lombardi, i hapi shpeshëherë bisedime paqeje Skënderbeut, por Danjën nuk desh t’a lëshonte n’asnjë mënyrë. Nga ana tjetër, bënte marrëveshje të fshehta me Turqit për t’a vënë ushtërinë shqiptare midis dy zjarresh. U mundua gjithashtu ta këthente despotin e Serbisë, Gjergj Brankoviçin, kundër Skënderbeut. Sjelljet e dobëta të Republikës zbritën në shkallën më t’ulët kur ajo i premtoi, më 4 mars 1448, një pension prej 100 dukatash në vit atij njeriu që do të vriste Skënderben. Deri këtu kishin ardhur punët.
Për të ruajtur kufijtë nga ana e lindjes, Skënderbeu kishte lënë Kont Uranin me një fuqi prej 4.000 vetash. Ai e lajmëroi se Turqit po lëviznin. Ishte Venetiku që i ftonte për t’i rënë Skënderbeut pas krahëve, ndërsa ky ndodhej i zënë me rrethimin e Danjës. Por kryetrimi shqiptar nuk ishte nga ata që e humbasin mendjen përpara situatash të këtilla. Vendosi pra t’i qëronte llogaritë me Republikën më parë se t’arrinte ushtëria turke. La 4.000 veta për të mbajtur rrethimin e Danjës, dhe me pjesën tjetër t’ushtërisë u nis kundër Shkodrës. Një fuqi venetikase prej 15.000 vetash, nën kumandën e Daniel Juriçit, i dolli përpara. Skënderbeu e sulmoi më 23 korrik 1448. Këtu u provua se fati i mirë i luftës e ndihmonte kudo, dhe jo vetëm kundër Turqvet. Pas një beteje t’ashpër, megjithëse m’e madhe në numër, ushtëria venetikase u thye plotësisht, duke lënë nja 2.500 të vrarë dhe 1.000 robër. Skënderbeu e ndoqi me atë vrull deri përpara murevet të Shkodrës. Kjo fitore e shkëlqyer e lartësoi më shumë akoma emrin e tij dhe të Shqiptarëvet. Përforcoi gjithashtu pozitën e brendëshme të kryetrimit. Dukagjinët kërkuan të pajtohëshin me të.
Por Danja nuk u dorëzua as këtë herë. Skënderbeu nuk pati kohë t’a shfrytëzonte fitoren kundër Venetikut, sepse ushtëria turke prej 15.000 vetash, nën kumandën e Mustafa Pashës, hyri nga ana e Ohrit dhe arriti në Dibër. Prandaj, për të vazhduar rrethimin e Danjës, la të nipin, Hamzën, me një fuqi prej 4.000, dhe ai vetë me pjesën tjetër t’ushtërisë u nis kundër Turqvet. Me një shpejtësi të çuditshme, i dolli përpara Mustafa Pashës n’Oranik të Dibrës së Sipërme, i dha betejë edhe e dërrmoi, më 14 Gusht 1448. Ushtëria turke pati humbje të mëdha, rreth 5.000 të vrarë, dhe i tërë kampi i saj mbeti në duart e Shqiptarëvet. Mustafa Pashën vetë me 12 oficera të lartë dhe një numër ushtarësh e zuri rob të nesërmen Moisi Golemi, në fushën e Rethes, pranë Oranikut.
Pas shkatërrimit t’ushtërisë turke dhe pas disfatës që pësoi ajo vetë, shpresat e Republikës për t’a mposhtur Skënderben me anën e forcës u venitën. Ky nisi ta shtrëngojë më shumë akoma rrethimin e Danjës dhe të Durrësit. Kështjellat e këtyre dy qyteteve zunë të tronditen dhe ndoshta do të kishin rënë sikur rrethimi të vazhdonte edhe ca kohë. Atëhere Republika, e trembur, i kërkoi paqe Skënderbeut. Po edhe ky, nga anë e tij, donte t’i jepte fund sa më shpejt kësaj lufte për t’i vajtur në ndihmë Gjon Huniadit, i cili, me një ushtëri hungareze, po zbriste në drejtim të Kosovës.
Delegatët e Venetikut, Pal Loredani dhe Andrea Venieri, erdhën në kampin ushtarak të Skënderbeut, afër Leshit, dhe paqja u nënshkrua më 4 Tetor 1448. Lidhjen Shqiptare e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, të ndihmuar nga peshkop Andrea i Leshit dhe nga abati Gjergj Pelini. Sipas traktatit të paqes Danja i mbetej Venetikut, por ky i lidhte Skënderbeut një pension prej 1.400 dukatash në vit, iu njihte atij edhe Aranitit disa të drejta në skelën e Durrësit duke i përjashtuar nga taksa e kripës, dhe iu siguronte atij dhe gjithë krerëvet Shqiptarë të drejtën e strehimit në tokat e Republikës në rast se vendi i tyre do të pushtohej prej Turqvet. Për dëmet që kish pësuar nga ushtëria shqiptare, Venetiku nuk kërkoi asnjë shpërblim.
Kështu mori fund kjo luftë e nxehtë ndërmjet Skënderbeut dhe Republikës së Venetikut. Por një farë lufte të ftohtë, me anë sabotimesh dhe intrigash të brendëshme, Republika ia bëri gjithnjë; dhe, në tre-katër raste, desh erdhi përsëri në një përleshje ushtarake me Skënderben, i cili, kur ngushtohej shumë, i tregonte dhëmbët e luanit. Vetëm më 1463, kur Venetiku u gjend në prakun e luftës me Turqinë, kërkoi afrimin e Skënderbeut me të cilin bëri një aliancë ushtarake, siç do t’a shohim më poshtë. Po as atëhere Republika nuk i mbajti premtimet, dhe e tërë furtuna turke u përplas mbi Shqipërinë.
Në Tetor të vitit 1448, kur nënshkruhej paqja ndërmjet Shqipërisë dhe Venetikut, Gjon Huniadi po zbriste në Kosovë duke pritur edhe ndihmën e Skënderbeut, sipas marrëveshjes që kishte me këtë. Por ky nuk vajti dot me kohë, jo vetëm se u pengua nga krerët e Lidhjes dhe nga përfundimi i paqes me Venetikun, po edhe sepse despoti i Serbisë, Gjergj Brankoviçi, vasali i Sulltan Muratit II, të cilit i kishte dhënë të bijën për grua, ia preu rrugën ushtërisë shqiptare. Kjo u vu të kalonte me forcë, por Huniadi u dërrmua prej Turqvet më 18 e 19 të Tetorit, afër Prishtinës, përpara se t’i arrinte ndihma e Shqiptarvet. Mbeturitë e shpartalluara të ushtërisë hungareze mezi mundën të tërhiqeshin nëpër Serbi dhe nëpër Shqipëri, t’urët, të xhveshur e si mos më keq. Skënderbeu, për të dënuar qëndrimin e Brankoviçit, i dha një grusht të mirë Serbisë duke e shkelur nën thundra dhe duke shkretuar një pjesë të tokavet të saja.
Dërrmimi i dytë i Huniadit në Kosovë, pas dërrmimit të parë që pësoi në Varna, ia largonte Sulltanit peshën hungareze dhe ia linte duartë të lira kundrejt Shqipërisë dhe Skënderbeut.
Në prendverën e vitit 1449, Sulltan Murati II, me një ushtëri prej 80.000, u nis kundër Shqipërisë. Skënderbeu mori të gjitha masat e mprojtjes, forcoi kështjellat dhe vendosi në to garnizone. Pastaj me një ushtëri prej 12.000 vetash zbriti në Dibër, sepse pas shënjavet dukej që Sulltani do të rrethonte më parë Sfetigradin, i cili ishte kyçi i Shqipërisë nga ana e lindjes. Në këtë fortesë kishte një garnizon prej 2.000 ushtarësh, nën kumandën e Pjetër Prelatit. Skënderbeu iu dha zemër mprojtësvet, shikoi fortifikimet dhe mbeti i kënaqur nga pregatitjet.
Ushtëria turke arriti përpara Sfetigradit në fillim të Majit dhe nisi t’a rrihte fortesën me topa të rëndë. Topi dhe armët e zjarrit u përdorën prej Turqve për herën e parë në Shqipëri, në rrethimin e Sfetigradit dhe të Krujës. Pasi u ça një pjesë e murevet, Turqit bënë sulme të përgjithshme kundër fortesës, por u prapsën me humbje të mëdha. Skënderbeu, që përjashta, s’e linte kurrë të qetë ushtërinë armike, por e godiste me befasi, kur ditën kur natën, dhe tërhiqte në pusi pjesë të saj që i copëtonte. Për të ruajtur krahët nga Skënderbeu, Sulltan Murati II dërgoi kundër atij Firuz Pashën me 18.000 kalorës. Në ndeshjen që pati me ushtërinë shqiptare, Firuz Pasha, m’i zoti nga të tjerët, dolli përpara dhe e ftoi Skënderben në një dyluftim. Ky nuk vonoi t’ia plotësonte dëshirën megjithëse rrethi i tij u përpoq ta ndalonte. U lëshua mbi Firuzin si drangua dhe me një të sjellme shpate e rrëzoi të vdekur përdhe. Ushtëria turke atëhere, e mbetur pa kumandar, u thye duke lënë në fushë përmbi 3.000 të vrarë. Një tjetër sulm të përgjithshëm që urdhëroi Murati II kundër fortesës i kushtoi 7.000 të vrarë dhe shumë të plagosur. U duk që Sfetigradi nuk mund të merrej me anën e forcës. Por Turqit zbuluan të vetëmen qyngje që sillte ujin në qytet edhe e prenë. I mbetur pa ujë, Sfetigradi u shtrëngua të dorëzohej me kusht që mprojtësit e tij të liheshin të lirë për t’ikur me armët e me plaçkat e tyre. Pasi ndreqi muret e fortesës dhe la në të një garnizon të shëndoshë jeniçerësh, Murati II, i lodhur dhe i dëshpëruar për humbjet e mëdha, e ngriti kampin aty nga mbarimi i Gushtit dhe u kthye n’Adrianopojë. Nuk guxoi këtë radhë të shtyhej në drejtim të Krujës.
Megjithëse tërheqja e Muratit II u shikua si një fitore e Shqiptarëvet, humbja e Sfetigradit, që ishte fortesa kyç në kufirin lindor të Shqipërisë, u ndie si një plagë e rëndë. Prandaj Skënderbeu provoi, po në Shtator t’atij viti, t’a merrte përsëri fortesën dhe e rrethoi. Mirëpo, duke mos pasur artileri të mjaftë, nuk mundi. Shirat e vjeshtës e bënin rrethimin më të vështirë akoma, aq sa u detyrua ta ngrerë mbasi la nja 2.000 të vrarë nga ushtëria e tij.
Disa muaj më vonë, në fillim të vitit 1450, Skënderbeut i dolli nga dora edhe Berati të cilin Theodhor Korona, që s’kishte trashëgimtar, ia linte me testament. Nga ana e Skënderbeut, shkoi Pal Maneshi me 800 ushtarë për t’a marrë në dorëzim qytetin. Por Pashaj turk i Gjirokastrës dërgoi me nxitim një ushtëri të madhe, e cila hyri trathëtisht natën në Berat edhe e pushtoi fortesën. Theodhor Koronën, që ishte duke vdekur, e ngritën Turqit nga shtrati dhe e varën. Pal Maneshin e zunë rob dhe e lëshuan pasi Skënderbeu pagoi për të 500 dukata si shpërblim.
Viti 1450 ka qënë një nga më të vështirët për Skënderben dhe për Shqipërinë. Humbja e Sfetigradit dhe e Beratit, nga njëra anë, përgatitjet e mëdha që po bënte Sulltan Murati II për t’i dhënë grushtin e fundit qëndresës shqiptare, nga ana tjetër, shkaktuan një panik të përgjithshëm. Morali në popull filloi të tronditej. Njerëzisë i kishte hyrë tmerri në zemër dhe shihte fantazma me sy hapët. Për fat të keq, e shumta e kapedanëvet të Lidhjes Shqiptare e lanë Skënderben vetëm në këtë provë. Araniti, i zemëruar që ky po e shtynte martesën me të bijën, nuk desh t’i dërgonte ndihmë. Disa nga krerët e tjerë i punonte intriga e Venetikut për t’i shkëputur prej Skënderbeut. Por ky, si në çdo tjetër rast kritik ashtu edhe këtë herë, u tregua në një lartësi olympiane. Krahas me përgatitjet ushtarake, iu desh të ngrinte edhe moralin e popullit, me mbledhje e fjalime, dhe t’i forconte besimin në fitoren e sigurtë.
Në prendverën e vitit 1450, Sulltan Murati II, pasi mblodhi të gjitha ushtëritë e Azisë edhe t’Evropës, siç thotë kronikani bizantin, Laoniku, u nis në drejtim të Shqipërisë bashkë me të birin, Mehmetin II. Ushtëria turke, e përbërë prej më shumë se 100.000 vetash, hyri nga ana e Ohrit dhe, duke ndjekur luginën e Shkumbinit, arriti përpara Krujës më 14 të Majit. Ishte ushtëria m’e madhe edhe m’e tmerrshme që kishte parë bota n’atë kohë. Përveç armatimit të zakontë, sillte me vehte edhe metalin e duhur për të derdhur topa të rëndë, dy prej të cilëve hidhnin gjyle të gurta prej 400 librash (nja 200 kilogramësh) aq sa dridhej toka rreth e rrotull.
Skënderbeu kishte lënë në Krujë një garnizon prej 4.000 vetash, nën kumandën e Kont Uranit, me nja 30 topa të vegjël që përdorëshin prej artilierësh frëngj dhe me rezerva ushqimore për një kohë të gjatë. Ai vetë me pjesën më të madhe t’ushtërisë, rreth 8.000 vetash, shumica kalorës, zgjodhi si bazë malin e Tumenishtit, në veri të Krujës, i cili sot quhet mali i Skënderbeut. Mbasi grumbulli i madh i ushtërisë turke e kishte ngulur kampin në fushën e Tiranës dhe nisi nga plaçkitjet rreth e qark, popullsia e fshatravet të Shqipërisë së Mesme u tërhoq malevet ose u mbyll nëpër fortesat. Gra, pleq e fëmijë zbritën në qytetet e Venetikut anës detit.
Si pas zakonit, Sulltani i kërkoi Kont Uranit dorëzimin e fortesës pa luftë. Pas përgjigjes krenare që mori nga ky dhe pasi u derdhën topat e rëndë, dha urdhër që të rrihej fortesa me tërbim. Një pjesë e murevet u shkallmua si edhe porta e kështjellës. Atëhere filluan sulmet e përgjithshme, si tallazet e detit që përpiqen kundër shkëmbit. Por mprojtësit e Krujës i prapsën këto sulme të jeniçerëvet me humbje të mëdha. Ishte e para herë ndoshta që ushtëria e Osmanllinjvet ndeshte në një qëndresë të këtillë. Skënderbeu, që përjashta, s’i linte të qeta hordhitë turke as ditë as natë. Herë i sulmonte nga njëra anë dhe herë nga tjetra, gjithmonë atje ku s’e prisnin. Herë tërhiqte reparte turke në pusi, herë iu priste prapavijat dhe iu rrëmbente nozullimet. Goditjet e tij ishin të shpejta, të papritura, të rrufeshme. Nganjëherë iu bënte shënja me zjarr mprojtësve të Krujës për një dalje heroike kundër rrethonjësvet ndërsa ai vetë i mësynte nga krahët si rrebesh. Të gjitha sulmet që urdhëroi Sulltani kundër Krujës u prapsën me shumë humbje. Në një përpjekje të tmerrshme që bënë Turqit më 25 të Qërshorit, patën 8.000 të vrarë. Më në fund nisi t’iu mungonte edhe ushqimi, mbasi karvanët që ua sillnin binin përgjithësisht në duart e Shqiptarëvet. Por në këtë mes u ndodhën tregëtarët e Venetikut, të cilët gjetën rastin të fitonin duke i shitur ushqime ushtërisë turke. Kjo desh shkaktoi një përleshje të dytë me Republikën, sepse Shqiptarët, kudo që i zinin këta tregëtarë të saj, ua merrnin mallin dhe në një rast patën vrarë dy prej tyre.
Lufta e përgjaktë rreth murevet të Krujës vazhdoi gjithë verën dhe Turqit humbën përmbi 20.000 të vrarë. Sulltanit nuk i mbet asnjë shpresë për t’a marrë qytetin me anën e forcës. U përpoq edhe një herë t’a blinte Kont Uranin me të holla, i hapi bisedime paqeje Skënderbeut që ky t’a njihte Sulltanin për kryezot duke i paguar një haraç të vogël, por të gjitha këto i shkuan kot. Duke prashikuar se me shirat e vjeshtës dhe me afrimin e dimrit gjendja e ushtërisë së tij do të keqësohej, Sulltan Murati II e ngriti rrethimin e Krujës më 26 të Tetorit 1450 dhe, i ndjekur prej Skënderbeut gjer përtej kufijvet, u kthye i mundur e i trishtuar n’Adrianopojë ku vdiq pas disa muajsh.
Kjo ishte fitorja m’e shkëlqyer që Skënderbeu me ushtërinë shqiptare kishte korrur deri atëhere. Sulltan Murati II që kish njohur gjatë tridhjetë vjetëve ngadhënjime pas ngadhënjimesh, që dërrmoi Gjon Huniadin në Varna dhe në Kosovë, iku i mundur dhe i turpëruar përpara forcës shqiptare të kumanduar prej Skënderbeut. Lajmi u përhap si vetëtima anë e mb’anë Evropës dhe ngjalli kudo gëzim e shpresa të reja. Skënderbeu u kthye në Krujë në kulmin e triumfit e të lavdisë, i brohoritur e i nderuar si heronjt e vjetërsisë klasike. Pozita e tij këtë radhë u forcua më tepër se kurrë jo vetëm në Shqipëri brenda, po edhe n’Evropë ku zu të shikohej si mprojtësi i Krishterimit dhe si gjenerali m’i madh i kohës. Papa Nikolla V, Alfonsi V i Napolit, Duka i Burgonjës, Mbreti i Hungarisë, Republika e Raguzës i dërguan ambasadorë për ta përgëzuar. Nga të gjitha vendet e Evropës nisën të vinin vullnetarë për të shërbyer nën urdhërat e burrit famëmadh.
Populli shqiptar njohu në Skënderben kryekumandarin e shquar, kryetrimin e pashoq, prijësin e vërtetë të tij. Gjergj Araniti u afrua dhe i dërgoi përsëri ndërmjetës për martesën me të bijën, Donikën, duke i premtuar një pajë më të madhe. Skënderbeu këtë herë s’kishte sesi t’a shtynte për më tutje, dhe martesa u bë më 26 të Prillit 1451.