Reshat Kripa: Genocidi komunist në Shqipëri
Sot në Shqipëri po bëhet një debat i madh nëse ka patur apo jo genocid. Një pjesë e të ashtuquajturëve historianëve pretendon se kjo qenka një shpikje e atyre që në vitin 1945 u ndodhën në krahun e humbësve dhe që, një gjë të tillë, e paguan me eliminimin dhe ndëshkimin e shumë personaliteteve të njohura. Pjesa tjetër i përket pikërisht këtyre të ashtuquajtur humbës të kësaj beteje të paparë në historinë e njerëzimit.
Duke parë se një pjese të historianëve dhe e drejtuesve të shtetit shqiptar nuk u shkon për shtat zbulimi i së vërtetës ndaj mundohen ta kalojnë në heshtje këtë çështje, po ju paraqes disa të dhëna të dokumentuara të këtij genocidi të cilat vërtetojnë faktin se ky genocid në Shqipëri ka qenë në përmasat më të mëdhaja.
Të flasësh për genocidin komunist në Shqipëri, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetni ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.
Pyetni të mbijetuarit e këtyre torturave dhe do të mësoni për rrahje me kamxhik deri në vdekje, për ngacmim të plagëve të hapura dhe hedhje kripe mbi to, për djegie me cigare të ndezura, për rrymë elektrike dhe veshje jeleku të forcës, për lënie me ditë të tëra pa bukë dhe ujë, për përdhunim të familjarëve në sytë e tyre, për varje me kokë poshtë, për vendosje vezësh të porsa zjera nën sqetull, për futje gjilpërash në thonjtë e gishtrinjve dhe dhjetra e dhjetra forma të tjera torturash. Kriminelët viheshin në garë se kush do t’ia kalonte shokut në egërsinë e tij, se kush do të shkaktonte më shumë viktima. Një garë e vërtetë kanibalësh që nuk ngopeshin me gjak bashkëqytetarësh.
Ky tmerr ndodhte në shekullin e njëzetë, në “Shekullin e Megavdekjes“ , siç do ta quante Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij “Jashtë kontrollit“ botuar në vitin 1993. Në librin e mësipërm paraqet shifrat e viktimave civile të shkaktuara gjatë shekullit të kaluar.
Sipas këtij libri, Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 milion, ndërsa holokausti komunist 65 milion njerëz. Vini veshin. Ndërsa në të dy luftrat botërore u zhdukën 48 milion njerëz, gjatë periudhës së sundimit komunist kjo shifër arriti në 65 milion. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, këto vrasje kryheshin në periudhë paqeje, me gjakftohtësi dhe cinizëm, me ndërgjegje të plotë prej sadisti, vetëm e vetëm se dikush mendonte ndryshe nga sundimtari.
Shqipëria, duke e marrë në proporcion me numrin e popullsisë zë një nga vendet e para në këtë drejtim. Nëqoftëse do t’i referohemi shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, rezultojnë këto të dhëna:
1. Të ekzekutuar 6.023 persona
2. Të vdekur në burg 1.065 “
3. Të burgosur 34.135 “ (26.768 burra dhe 7.367 gra)
4. Të sëmurë mendorë 260 “
5. Të internuar deri në vitin 1954 59.517 “
6. Të vdekur në internim 9.000 “
Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën katërmbëdhjetë vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista, atëhere rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar direkt persekutimin i kalon të 260.000 personat. Duke marë parasysh se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 banorët, rezulton se mbi 18% e asaj popullsie është persekutuar direkt. Po t’i shtojmë kësaj edhe pjestarët e tjerë të familjeve të tyre, atëhere përqindja arrin përmasa rrënqethëse.
Bisedoj me ata që i kanë hequr mbi shpinat e tyre mizoritë e sistemit komunist dhe para syve më dalin tmerret që kanë hequr ata ose miqtë e tyre. U shtoj atyre dhe kujtimet e mia dhe më del pamja e dhimbshme që do të bënte të dridhej çdo zemër njeriu. Dëgjojini pra këto dhe më thoni nëse nuk është zhvilluar genocid në Shqipëri.
Burgu i Burrelit, tmerri i të burgosurve. Sa jetë njerëzish janë shuar atje! Qershia e famshme, po të kishte gojë, do të tregonte për Koço Kotën, Xhevat Korçën, Et-hem Haxhiademin, Arqile Tasin, Kristo Kirkën, Xhavit Leskovikun, Mustafa Bajraktarin, Gjergj Kokoshin, Sazan Hadërin, Salo Lezhën, Qemal Vrionin, Mihal Bellkamenon, Kol Mjedën dhe plot burra të tjerë të shquar të këtij vendi, plot 350 persona të groposur.
Viti 1947. Të mbyllur në birucë, por të dënuar për të vdekur, dergjen ish Kryeministri Koço Kota, Mihal Bellkamenua, Qemal Vrioni dhe Atif Golja. U hapnin plagët dhe ua lëndonin, U jepnin ushqim me shumë kripë dhe i linin ditë të tëra pa ujë. Kështu u shuan njeri pas tjetrit. Rezistonte vetëm Atif Golja. Të tërbuar nga një gjë e tillë, një grup policësh sadistë, hynë në birucë dhe e mbytën me duart e tyre deri sa dha shpirt.
Në shenjë proteste për kushtet shumë të vështira të burgut, Xhevat Korça futet në grevë urie. Po shkrihej nga dita në ditë. Duke parë se gjendja e tij po keqësohej, Padre Mëshkalla ndërhyri për ta bindur të hiqte dorë.
– Padre! – i përgjigjet ai, — mendoja se të kam mik dhe nuk shpresoja se do më këshilloje të ndërpres rrugën e nisur.
Kishte vendosur të sakrifikohej. I mbylli sytë pas disa ditësh. Kriminelët i mohuan edhe takimin me të shoqen dhe të birin, Mërgimin, në çastet e fundit të jetës së tij.
Ish Kryeministri Ibrahim Biçaku, biri i Aqif Pashë Elbasanit, person kryesor në shpalljen e pavarësisë, ndodhej në burgun e Burrelit. Roja e detyron të lajë nevojtoret. Ai e kryen detyrën pa u ndier dhe largohet. Roja kthehet dhe për ta provokuar e urdhëron që ta pastrojë përsëri se gjoja nuk ishte pastruar mirë. Bile e kërcënon se po të mos e bënte do t’i fuste kokën në vrimën e nevojtores. Sedra e Ibrahim Biçakut nuk mund të duronte një fyerje të tillë. E rrëmbeu rojen dhe i futi kokën atje ku ai e kishte kërcënuar. Kjo i kushtoi shtrenjtë. Filluan ta torturojnë egërsisht. Ai qëndroi si hero. Zëri i tij nuk u dëgjua. Së fundi e përplasën pa ndjenja në birucë.
Në spitalin e burgut të Tiranës vdiq i harruar nga autoritetet ish Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj. I sëmurë rëndë, në momentet e fundit të jetës, mundi t’i jepte shokut që kishte në dhomë, Agron Çarçanit, poezinë “Lamtumirë jetë, lamtumirë botë!” Agroni e ruajti këtë poezi dhe e botoi pas shumë vitesh në gazetën “RD“ më datën 28 gusht 1991. Por edhe trupi i të ndjerit nuk gjeti qetësi. Ai u përdor si kavie në tavolinat e eksperimenteve anatomike për studentët e mjekësisë. Korçë viti 1946. Dymbëdhjetë të dënuar me vdekje tentojnë të arratisen. Mundohen të kalojnë murin e lartë duke hipur njeri mbi tjetrin. Por më pleqtë nuk munden. Avdul Gjyli, një djalë i ri, mundohet t’i ndihmojë. Por, ndërkohë ishin diktuar nga rojet që filluan të qëllojnë me armë zjarri. Mundi të arratisej vetëm Emin Gjergjevica me një djalë të ri. Një pjesë u vranë, ndërsa të tjerët u kapën dhe pasi u torturuan egërsisht, u pushkatuan në Shipkë, vendi i zakonshëm i ekzekutimeve. Burgu i Gjirokastrës, viti 1946. Gjykoheshin Xhemil Mustafaraj, Hava Golemi, Haziz Qamili, Feride Kanani dhe Maliq Shehu, vëllai i Havasë. Akuzoheshin se gjoja donin t’i bënin atentat Shefqet Peçit, si hakmarrje për pushkatimin e Ismail Golemit. Të pestë qëndruan si heronj. Mbi të gjithë Xhemil Mustafaraj që u drejtohet gjyqtarëve: – Unë kurrë nuk do të vdes nga plumbat tuaj. Poshtë komunizmi! Me një brisk që e kishte ruajtur enkas, preu damarët e dorës. E morën urgjentisht dhe e çuan në spital ku e shëruan përkohësisht. Jepen vendimet e gjyqit: Xhemili me pushkatim, Havaja 20 vjet, Hazizi 30 vjet, Ferideja dhe Maliqi me nga 5 vjet. Në kohën kur shkuan për ta marrë për ekzekutim, Xhemili u drejtohet policëve: – A nuk iu thashë se nuk do të vdes nga plumbat tuaj? Dhe me një teneqe që e kishte përgatitur më parë, çau barkun, preu zorrët dhe u shtri pa jetë në tokë.
Kampi i Lekajt, viti 1951. Toger Hamdiu i kërkon Thabit Rusit të nënshkruajë deklaratën e bashkëpunimit. Ai refuzon. Izolohet në birucë pa bukë dhe pa ujë. Pas tre ditësh i paraqitet përsëri togeri me dy deklarata në duar. E para ishte deklaratë bashkëpunimi, ndërsa në të dytën pranonte se ishte armik i betuar i pushtetit. Thabiti nënshkroi të dytën. Pasojat ishin tortura të tmerrshme dhe pas lirimit nga burgu disa vite të tjera internim.
Pesë dënime mori martiri i demokracisë Xhelal Koprencka. I pari në dhjetor 1957, i dyti në mars 1967, i treti në nëntor 1976, i katërti në shkurt 1979 dhe i pesti pas tre muajsh në maj 1979. Ndërsa katër dënimet e para jepeshin sa herë afrohej koha për ta liruar, dënimi i pestë ishte kapital, me akuzën e krijimit të një organizate nacionaliste. Shkak për këtë u bë një letër proteste që i shkroi Ramiz Alisë dhe Hysni Kapos. Së bashku me të morën dënime të ndryshme edhe IrfanVrioni, Eduard Marashi, Bardhosh Gjonzeneli, Napolon Koleci, Ernest Kraja, dhe të tjerë. U ekzekutua së bashku me gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Nezho të akuzuar edhe ata se i kishin shkruar një letër të tillë Enver Hoxhës.
Një fat të tillë pati edhe Sami Dangëllia nga Menkulasi i Korçës. Arrestohet që në ditët e para të sundimit komunist. Dënohet me burgim të përjetshëm. Pas shumë vjetësh lirohet nga burgu, por internohet në Shtyllas, Kuç dhe Gradishtë. Arrestohet përsëri i akuzuar për tentative arratisjeje. Dënohet me 25 vjet burg. Mer pjesë në revoltën e Spaçit dhe ridënohet përsëri. I mbylli sytë në burg në vitin 1987.
Gjendja shumë e rëndë që ekzistonte nëpër burgje dhe kampe, bënte që shumë raste të kishte tentativë për arratisje apo revolta, që përfundonin në mënyrë të përgjakshme. Një tentativë e tillë është ajo e kampit Nr. 4 në Tiranë, ku njëzetë të burgosur tentuan të hapin “Tunelin e Lirisë“. Pasojat ishin katër të pushkatuar: Mark Zef Pali, Isuf Velçani, Zyhdi Mancaku dhe Abdulla Bajrami. gjashtëmbëdhjetë të ridënuar midis të cilëve Besim Latifi, Abdyl Kërluku, Kol Pepa, Emin Bakalli, Niko Malo, Ali Çollaku, Xhelal Sulo, Stefan Gora e të tjerë.
Tentativë tjetër ishte edhe ajo e burgut të Burrelit në vitin 1967, ku Adem Hallçi, Dhori Grinjoti dhe Sazan Hadëraj shpërthejnë dyert e burgut dhe rendin drejt lirisë. Por armët e policëve rrëzojnë për të mos u ngritur më Sazan Hadërin dhe kapin dy të tjerët që u nënshtrohen torturave çnjerëzore.
21 maj 1973. Revolta e madhe e kampit të Spaçit. Për tre ditë me radhë në kamp valoi i lirë flamuri i skuqur nga gjaku i të burgosurve, pa yllin e komunizmit. Ai u bë flamuri i revoltës. Por në fund pagjumësia, uria, etja dhe forcat e shumta policore bënë që revolta të shtypej. Përsëri gjyq ushtarak. Përsëri katër të pushkatuar Hajri Pashaj, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Skënder Daja. Përsëri të ridënuar midis të cilëve Bedri Çoku, Demir Pojani, Sami Dangëllia, Luan Koka, Njazi Medolli, Njazi Bylykbashi, Bebi Konomi, Fiqiri Muhaj, Agron Kalaja dhe plot të tjerë.
Një revoltë e ngjashme ndodh edhe në majin e vitit 1984 në kampin e Qafës së Barit. Të burgosurit kërkojnë trajtim njerëzor. U krijua dhe një komision për këtë qëllim. Por komanda u përgjigj me zjarr dhe shkopinj gome. Dy të dënuar me vdekje Sokol Sokoli, Tom Ndoja dhe një i vrarë në tortura Sandër Sokoli.
Një tmerr i vërtetë ka qenë në ato vite qëndrimi në qelitë e tmerrshme të sigurimit. Të detyruar nga torturat, viktimat shpesh herë detyroheshin t’i jepnin fund jetës, duke u hedhur nga dritaret ose duke prerë damarët e duarve. Një pjesë tjetër mbeteshin në duart e torturuesve. Mund të përmend këtu emrat e Baba Myrteza Krujës, Thoma Orollogajt, Lekmi Sharrës, Marie Tucit, Jonuz Kacelit, Muhamet Spahisë, Ramazan Jellës, Profesor Simon Dedes dhe dhjetra të tjerëve që mbetën shtatore të gjalla në memorien e këtij kombi.
Një meritë të veçantë në shpëtimin e sa dhe sa jetëve të burgosurish kanë edhe mjekët heronj Isuf Hysenbegasi, Irfan Pustina, Dhimitër Konomi, Kadri Kërçiku. Një nder i madh u takon figurave të tyre të ndritura!
Një kapitull më vete terrori ishte qëndrimi në kampet e internimit gjatë periudhës 1945-1954. Ato ishin kampe të vdekjes, më keq se burgjet, se në to ishin me mijëra gra dhe fëmijë të pafajshëm. Vlen të përmendim këtu kampet e Turanit, Memaliajt, Tepelenës, Beratit, Krujës, Porto-Palermos dhe të tjerë.
Po transferoheshin nga kampi i Beratit për në Tepelenë. Në afërsi të Përmetit, befas njëra nga makinat frenoi papritur. Njerëzit që ishin ngjeshur sipër fluturuan dhe ranë në greminë. Shumë u plagosën, Por Fadil Petrela dhe e shoqja Xhumaja, bija e Abaz Kupit, nuk u ngritën më. Në gjirin e Xhumasë qëndronte e shtrënguar fort fëmija gjashtë muajshe që nëna e kishte mbështjellë rreth vetes për ta mbrojtur. Fëmija shpëtoi mrekullisht së bashku me tre motrat dhe vëllezërit e saj, më i madhi i të cilëve nuk i kishte mbushur të dhjetë vjetët. Ishin të internuarit që u kujdesën për rritjen e jetimëve.
Helena Beça, një franceze, e shoqja e Andon Beças, dëgjoi emrin e saj që e thërrisnin.
Përgjegjësi i thotë se do të shkonin të ngarkonin dru në krah. Ajo e habitur i përgjigjet me një shqipe gjysmake:
– Pse mba dru nieri? Dru mba kala.
Kapter Selfua e dëgjoi, e rrëmbeu dhe filloi ta godasë ku të mundtte. Shoqet e ngritën dhe e tërhoqën zvarrë deri në vendin e punës. Kështu vazhdoi disa ditë deri sa i mbaruan fuqitë. Ra pa ndjenja në tokë. E shtruan në infermieri ku mjeku i qytetit që i vizitonte, Lluka Dhimolea, i sajoi një diagnozë falso dhe e nisi për në spitalin e Gjirokastrës. Mjekët e atjeshëm e kuptuan diagnozën, por heshtën. U vinte keq për francezen e ngratë. As që u shkonte ndër mend se mund të trajtohej ashtu njeriu. Helena qëndroi e shtruar deri sa e mori veten mirë dhe pastaj u kthye përsëri në kamp.
Trasportoheshin shtylla për në minierën e Memaliajt. Trasporti bëhej nëpërmjet lumit të Bënçës. Ishte dimër. Çdo gjë kishte ngrirë akull. Disa trungje kishin ngecur pa rënë në lumë. Reshter Kamberi i drejtohet Kec Grimcit pesëdhjetëvjeçar:
– Hej ti që më rri si hu gardhi, shtyji ato trungje.
Keci mori një degë druri dhe u mundua të shtynte trungjet. Reshteri nuk priti por e shtyu dhe e hodhi në lumë. Keci u drodh nga të ftohtit dhe në pak minuta mbeti i ngrirë me duart përpjetë. Shokët e kapën dhe e nxorrën nga lumi. Ashtu të ngrirë e çuan në kuzhinë ku u munduan që nga nxehtësia e ambjentit të atjeshëm ta sillnin në vete. Pak nga pak filloi të shkrijë dhe arriti t’u thotë shokëve:
– Mos harroni racionin tim të bukës!
Kampi i Turanit. Një nënë mirditore vajtonte mbi kufomën e birit të vdekur gjatë natës. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër që qante me ngashërim. pas pak ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën dhe befas lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.
Në kamp kishte edhe disa të huaj. Midis tyre edhe një italian, një ushtarak i zoti i quajtur Mario Verdi. Një ditë kur dikush e pyeti nëse do t’i shkruante ndonjë ditë këto tmerre, ai u përgjigj:
– E para nuk e di nëse do të mund të kthehem gjallë apo jo. Por edhe po u ktheva nuk do t’i shkruaj sepse nuk do të më besojnë, do të më quajnë gënjeshtar.
Dhe këto fjalë i thoshte një person që i përkiste atij kombi që kishte provuar mbi shpinën e tij diktaturën fashiste.
Një mendje e shëndoshë nuk mund të besojë tmerre të tilla. Ato duhet t’i kesh jetuar vetë. Si mund të besohet për Fuat Voshtinën që e gjetën kufomën e tij të zbuluar nga qentë e rrugës vetëm dy ditë pasi ishte varrosur? Si mund të besohet që Faik Quku dhe Rrok Pali, në kampin e Bonos në Peqin, do të rezistonin pa nxjerrë zë, të lidhur pas shtyllës në mes të vapës së korrikut, pa ujë deri sa t’u binte të fikët? Si mund të besohet për Shega Frashërin në kampin e Turanit që do të rezistonte për disa ditë e varur për duarsh në tavan, në mënyrë të atillë që vetëm pak majat e gishtërinjve të këmbës t’i preknin tokën? Dhe kjo bëhej me qëllimin e vetëm se torturuesi donte të provonte se sa do të mund të rezistonte një femër në kondita të tilla. Si mund të besohet që Dilaver Çorogjati nga Skrapari të mund të arratisej nën breshërinë e plumbave të policëve në Berat, ku mbetën të vrarë shumë të tjerë? Si mund të besohet që Abaz Korçari, Ago Çela, Nexhip Dauti do të mund të arratiseshin nga kampi i Rinasit, nëpërmjet tunelit që kishin hapur vetë, ndërsa shoku i tyre Shefqet Nexhipi do të binte në duart e kriminelëve që do ta torturonin egërsisht? Si mund të besohet për Pepe Levin, tregëtarin e madh hebre që, pasi i kishte shpëtuar holokaustit nazist në bazë të marëveshjes së bërë nga qeveria e Mehdi Frashërit me autoritetet gjermane, do të torturohej egërsisht në qelitë e sigurimit, për të treguar florinjtë, në vitin 1946 dhe do të vuante dhjetë vjet burg e pasi të dilte prej andej do të detyrohesj të punonte si punëtor në ndërmarrjen ullishte në Vlorë?
Por ky genocid nuk u zhvillua vetëm pas marrjes së pushettit nga ana e komunistëve. Ai kishte filluar qysh në periudhën e luftës për liri kundër okupatorëve që komunistët e kthyen në luftë civile. Këtu bie në sy lufta civile e zhvilluar në Dibër në shtator 1943, Masakra e Malit me gropa ku me urdhër të Mehmet Shehut u pushkatuan 20 oficerë dhe 120 karabinierë italianë të zënë robër, beteja e Dukatit, një fshat nacionalist, ku komunistët angazhuan dy batalione partizane, masakra e Lushnjes ku u pushkatuan pa asnjë shkak 70 bujq të varfër, vetëm e vetëm pasi refuzuan të bashkoheshin me forcat partizane dhe plot të tjera raste të kësaj natyre. ( shif Uran Butka “Lufta civile ne Shqipëri 1943 – 1945” Vol. I dhe II)
Një genocid i paparë u zhvillua si pasojë e kryengritjeve të para antikomuniste si ajo e Malësisë së Madhe, Postribës dhe Zhabokikës. Përveç të vrarëve pa gjyq një sërë seancash gjyqësore zhvilloheshin dhe si rezultat i tyre një numër i madh krerësh të kryengritjeve të mësipërme ekzekutoheshin ose dënoheshim me vite të tëra burg, ndërsa familjet e tyre internoheshin ne kampet e tmerrshme të internimit. (Shif Uran Butka “Kryengritjet e para kundërkomuniste”)
Me ligjin numër 7380, datë 08.05.1990 Kuvendi i Shqipërisë e zëvendësoi nenin e mbiquatur “tentative arrtisjeje” me “kalim të paligjshëm të kufirit” sipas të cilit nuk kishte më dënim me vdekje për ata që tentonin të kalonin kufirin. Por në kundërshtim me këtë ligj gjatë kësaj periudhe janë vrarë ne kufi 54 persona dhe dënuar 509 te tjerë (Shif Kastriot Dervishi “ Vrasjet në kufi në vitin 1990”).
Kjo është një pasqyrë e genocidit komunist të ushtruar nga regjimi totalitar ndaj popullsisë së pafajshme. Numri me siguri është shumë më i madh por paraqitëm vetëm ato që janë të dokumentuara dhe të mbijetuara nga vetë ne.
Më lejoni tani të tregoj një rast që e kam mbijetuar vetë:
Para disa vitesh më ndaloi ish operatori i sigurimit toger Ademi. Donte të bisedonte me mua. Më zgjati dorën. Ndjeva neveri për atë dorë të përgjakur.
– Ç’kerkoni? – i thashë ftohtë.
– Nuk ishte faji i ynë – u pergjigj duke parë qëndrimin tim. – Ishte i sistemit që na bëri te tillë. Nuk kishim rrugë tjetër. Hymë në valle dhe nuk dilnim dot. Ato ligje ishin dhe ne ishim të detyruar t’i zbatonim.
Nuk po e dëgjoja më. Ai fliste ndërsa mua më dilte para syve një skenë mizore që lidhet direkt me të dhe të cilën nuk mund ta harroj kurrë. Dëgjoni tani historinë e dhimbëshme që ka lidhje me këtë njeri dhe gjykojeni vetë atë.
Kampi i Shtyllasit. Viti 1954 Sulejman Dizdari atë mëngjes u gdhi me temperaturë. U vizitua te doktor Isufi i cili urdhëroi që të shtrohej në infermieri. Por e kundërshtoi toger Ademi. Sipas tij shtrimet duheshin bërë vetëm pasditeve. Doli në punë. Por ethet bënë punën e tyre. Nuk mundi të rezistonte më. Tek shtynte karron me dhe u rrëzua për tokë. Togeri urdhëroi që të ngrihej, por ai nuk mundtte. Atëhere urdhëroi të tjerët të zbraznin karrot e dheut mbi trupin e tij. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk pranoi. I tërbuar togeri urdhëroi disa vegla të tij, të dënuar ordinerë. Neve s’na mbeti gjë tjetër veçse të shihnim se si mbulohej me dhe trupi i shokut tonë. Në mbrëmje e nxorrëm prej andej dhe në krah e shpumë në kamp, ku u shtrua në infermieri dhe ishte mrekullia e doktor Isufit që e shpëtoi nga vdekja e sigurtë.
– Shpormu nga sytë! – thirra sapo më kaloi vegimi që m’u shfaq. Por ai e kishte kuptuar me kohë dhe ishte zhdukur. Një tronditje të thellë ndjeja brenda vehtes time. Më ishte hapur një plagë e cila kishte zënë kore.
Në atë kohë m’u kujtua një film gjerman që kisha parë në fëmininë time. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që ndonse në aparencë tregohej njerëzor, në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kryente eksperimente nga më monstruozet për torturimin dhe shfarrosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe ai si shumë të tjerë dolën në bangën e të akuzuarve. Kanë kaluar vite që atëherë. I kam harruar pothuajse të gjitha skenat e atij filmi. Vetëm njëra nuk me është shkulur nga kujtesa, finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut duke thërritur:
– Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!
Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim i të gjithë kësaj, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar. Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.
Duke kujtuar këtë skenë pyes:
– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?
Pergjigja është një dhe e prerë. Po. Janë hetuesit dhe ish punonjësit e sigurimit të shtetit. Janë prokurorët dhe gjykatësit e pashpirt, që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijra të vrarë apo të vdekur nëpër burgje , të cilëve nuk u dihen as varret. Janë spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerës të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Në bazë të Ligjit Nr. 7514, datë 30.09.1991 ne kemi fituar pafajsinë për akuzat që na kishin ngritur personat e përmendur më sipër, atëherë përse nuk dënohen ata që na dënuan ne? Ata mund t’i gjesh kudo. Mund t’i gjesh në krye të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, asaj të Apelit dhe gjithë gjykatave të shkallës së parë. Mund t’i gjesh në krye të komisioneve të ndryshme të Kuvendit të Shqipërisë apo si deputetë të thjeshtë të tij. Mund ti gjesh në partitë politike, në shoqatat dhe në administratën shtetërore. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot kanë arritur majat e nomenklaturës shetërore dhe derdhin helm në ndërgjegjen e njerëzve. Ata ngjiren duke thërritur:
– Jemi te pafajshëm! Jemi të pafajshëm!!
Sikur të mos ishin këta njerëz të pa princip që e mbajtën gjallë atë sistem për gati një gjysëm shekulli..
Po kush pra qenka fajtori për gjithë këtë katrahurë që kishte mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë ne që e paguam me jetët tona???