Albspirit

Media/News/Publishing

Si u shkrinë me gëlqere të pashuar eshtrat e 400 ish të burgosurve politikë?

 

Agim Musta tregon tmerret e Burrelit e Spaçit dhe, ecejaket e familjarëve që kërkojnë ende eshtrat…

“Në në vitin 2001 ishim në Spaç dhe, sipas dëshmitarëve që ne takuam, këto varreza janë prishur nga komanda e Spaçit më 1989-n dhe vërshimet e përroit kanë zhdukur gjithçka. Nga viti 1968 deri në 1990 vetëm në kampin e Spaçit kanë vdekur 40 veta.

Një gropë gjigante pas burgut shërbeu si varr masiv. Në anë të gropës nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një qershie që u bë simboli i vdekjes.

Pikërisht kjo qershi e frymëzoi një regjisor hungarez që banonte në Gjermaninë Perëndimore, për të realizuar filmin e titulluar “Qershia”

E kanë zhdukur një pjesë të historisë së tyre, edhe pse ecejaket për t’i gjetur nuk kanë shterrur. Eshtra… eshtra… Mes kujtimeve që i mundojnë dhe shpresës së largët, qindra familjarë duhet të përballen me godinat e vuajtjes-vdekje: Spaç, Burrel. Dikush kërkon vëllain, bashkëshortin, babain… Pjesa më e madhe e jetës së tyre ka kaluar në kampet e internimit apo të punës së detyruar. Mjaftonte një akuzë për agjitacion e propagandë, tentativë arratisjeje apo grup armiqësor dhe mijra familje hipnin në Ziz-at e tmerrit, ndërsa të akuzuarit degdiseshin në burgje. Familje të tjera që kishin lidhje gjaku më të largëta me “tradhtarin”, nuk internoheshin, por edhe nuk shpëtonin lehtë nga kthetrat e terrorit.

Jeta e tyre endej me vështirësinë e një peri të trashë, që vegjët me zorr e kalonin. Viti ’90. Familjet e internuara nisën të ktheheshin. Disa gjetën shtëpitë dhe i rimorën, disa të tjerë banonin me qira, pasi nuk quheshin më pronarë. Kur busti i diktatorit Enver Hoxha u tërhoq zvarrë në rrugët e kryeqytetit dhe fjalorit të përditshëm iu shtua termi “pluralizëm”, të lodhur nga punët e vështira dhe dhuna psikologjike, shumë familje nisën të kërkonin pjesët e humbura të vetes, eshtrat e të afërmve të shuar në akullsinë e burgjeve. Në Spaç dhe në Burrel familjarët e ish-të burgosurve politikë përpiqen ende që, nëpërmjet njerëzve që banojnë rrotull apo ndonjë roje të vjetër, të gjejnë pas shumë vitesh eshtrat. Agim Musta, i dënuar me 13 vjet burg për anëtarësi në Partinë Socialdemokrate të krijuar nga Pjetër Arbnori e Petrit Kalakula, tregon tmerret e burgjeve të komunizmit dhe zhdukjen e “gjurmëve të vdekjes” – eshtrat e rreth 400 të burgosurve politikë.

Burreli

Burgu i Burrelit nisi të ndërtohet në vitin 1938 dhe përfundoi më 1940. Për një kohë të shkurtër u përdor si burg, por, me ardhjen e italianëve, u kthye në kazermë e një batalioni kavalerie. Pas vendosjes së diktaturës më 1944-n, godina nisi të riparohej dhe vetëm pas dy vjetësh u hap si burg i sigurisë së lartë. Aty u dërguan intelektualët dhe antikomunistët nga të gjithë burgjet e vendit. Me flokët e bardhë e sytë që i lotojnë, revolta brenda 70- vjeçarit bërtet. Ka qenë viti 1962, kur Gjykata Ushtarake e Tiranës me në krye Llazi Polenën dënon me vdekje Pjetër Arbnorin e Petrit Kalakulën, ndërsa Agim Musta degdiset në Burrel. Burg shfarosës. Kështu e emërton ish-i burgosuri politik godinën e tmerrit, ku, sipas tij, nga viti 1946 deri më 1948 kanë vdekur mbi 200 intelektualë, mes tyre ish-kryeministri Koço Kote; ish-ministri i Arsimit, Xhevat Korça; ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, Gjergj Kokoshi; Xhavit Leskoviku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare; Arqile Tase, që kishte kryer studimet në Harvard… “Merrnim në ditë 500 gramë bukë misri të thatë; s’kishim trajtim mjekësor, s’lejohej takimi e marrja e pakove nga familjarët. Në vitin 1949 Partia Komuniste Shqiptare, duke ia faturuar të gjitha krimet Koçi Xoxes, në burgun e Burrelit u bënë disa lehtësira, duke u dhënë të dënuarve 600 gramë bukë gruri, supë në drekë dhe çaj pa sheqer në darkë. Po kështu, u lejua dërgimi i pakove dhe takimi me familjarët”, thotë Agim Musta.

Kaushët

Kështu i quanin të burgosurit politikë në Burrel qelitë e vogla, të cilat kishin vetëm një dritare të vogël nga ku dielli e kishte të vështirë të hynte. Në banjë të burgosurit shkonin dy herë në ditë dhe thuajse çdo kaush qelbej nga era e rëndë e amonjakut. Në librin “Dosjet e Gjalla”, i shkruar nga Agim Musta, kemi shkëputur një pjesë të vizitës së Aranit Çelës në Burrel. Të veshur me rroba doku e kapele sipas modës kineze, prokurori i përgjithshëm, Aranit Çela, dhe sekretari i parë i partisë për rrethin, Mustafa Pajenga, kishin arritur në Burrel. Sipas kujtimeve të Mustës, Araniti ishte prezantuar me shprehjen arabe “Alekum Selam”, ndërsa u drejtonin pyetje të burgosurve, të cilët nuk guxonin t’u kthenin përgjigje. “Porosia e atij varrmihësi të drejtësisë shqiptare, sa herë që takonte vartësit e tij, ishte: Kodet në sirtar, veprat e Enver Hoxhës mbi tryeza”, shkruan Agim Musta.

“Qershia” dhe gëlqerja

Një gropë gjigante pas burgut shërbeu si varr masiv. Në anë të gropës nuk kishte asnjë lloj bimësie, përveç një qershie që u bë simboli i vdekjes. Pikërisht kjo qershi e frymëzoi një regjisor hungarez që banonte në Gjermaninë Perëndimore, për të realizuar filmin e titulluar “Qershia”. Sipas llogaritjeve aproksimative, në Burgun e Burrelit që nga 1946-a deri në 1990-n kanë vdekur rreth 400 të burgosur. Një metodë e lashtë u përdor për të zhdukur gjurmët e krimit – gëlqerja. “Për të zhdukur kufomat, punonjësit e burgut të Burreli hidhnin mbi kufoma gëlqere, nga e cila kufamat shkriheshin. Rreth viteve ’80 sërish, me qëllimin për të humbur gjurmët, me preteksin se u krijua ferma e Burrelit, një buldozer i shtypi kufomat, ndërsa bashkë me thërmimin e tyre u zhduk edhe shpresa e familjarëve”, vijon rrëfimin e tij 70-vjeçari. Në Tiranë, ata që dënoheshin me vdekje, pushkatoheshin te bregu i Lumit, pranë ish-frigoriferit, në Sharkë pranë Vorës, si dhe Farkë. Edhe në kryeqytet shumë familje nuk kanë mundur të gjejnë eshtrat e njërëzve të afërm, të pushkatuar me akuza të ndryshme. Burgu i Burrelit u mbyll në vitin 1990 gjatë kohës së vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Havier Perez de Kuelar, (Javier Perez de Cuelar), ndërsa aktualisht shërben si burg i sigurisë së lartë, ku vuajnë dënimin shumë kriminelë.

Revolta e Spaçit

Spaçi ishte burgu me punë të detyruar, i ndërtuar më 1968-n. Ndërtimin e tij Ministria e Punëve të Brendshme e bëri me të burgosur ordinerë, ku u rrethua një sipërfaqe prej dhjetëra hektarësh dhe u hapën galeritë e bakrit dhe piritit (rërë e trashë nga ku del acidi sulfurik). Me përfundimin e burgut, 600 të burgosur politikë i shpërndulën nga kampi me punë të detyruar i Elbasanit për në Spaç. “Në Fushë-Krujë na takuan qëllimisht me të burgosurit ordinerë që ndërtuan Spaçin, të cilët nisën të bërtisnin: Jua bëmë varrin”, thotë Agim Musta, duke rikthyer edhe një herë ndër mend pamjen e kampit të tmerrshëm. Sipas tij, kampi përbëhej nga disa barraka të vogla të ndërtuara nga drejtoria gjologjike në 1956-n, ndërsa qielli pa kufij nga Spaçi dukej sa një tepsi. Puna në galeri bëhej me tre turne dhe pa asnjë lloj sigurimi teknik. Norma e punës ishte 4 vagonë për dy të burgosur e, ai që s’e realizonte, e lidhnin me kavo të zhveshur në pemët jashtë galerive. Nga trajtimi mizor më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit u hodhën në revoltë, e cila më pas u cilësua si revolta e parë me karakter politik në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës. “Ngritëm në kamp flamurin e kuq me shqiponjë, por pa yll, që u përgatit nga piktori Mërsin Vlashi dhe po kështu hodhëm parulla kundër diktaturës. Kishim shtënë kështu në dorë kampin e brendshëm”, vijon ish-i burgosuri politik. Agim Musta na shpjegon se alarmi dhe paniku i qeverisë ishte mjaft i madh dhe si pasojë ata urdhëruan korpusin e Burrelit për rrethimin e kampit të Spaçit me forca të shumta e tanke. Operacioni drejtohej nga drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu. Pas tri ditësh revolta u mposht mes përdorimit të shufrave të hekurit e zjarrit. 200 veta u arrestuan, ndërsa 100 prej tyre u dënuan me 1700 vjet burg.

Zhdukja e eshtrave

Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Hajri Pasha u dënuan nga gjykata speciale me vdekje dhe vetëm pas disa ditësh u ekzekutuan po në Spaç. Të katër të dënuarit ishin nën moshën 30 vjeç. “Sipas hulumtimeve të mia, revolta e Spaçit është më e madhja në të gjitha kampet e vendeve të Lindjes, me përjashtim të revoltës së vitit 1957 në Karaganda”, thotë Agim Musta. Varrezat e Spaçit ishin përtej përroit. “Ne në vitin 2001 ishim në Spaç dhe, sipas dëshmitarëve që ne takuam, këto varreza janë prishur nga komanda e Spaçit më 1989-n dhe vërshimet e përroit kanë zhdukur gjithçka. Nga viti 1968 deri në 1990 në kampin e Spaçit kanë vdekur 40 veta. Kur takuam rojet e Spaçit që është shkatërruar tërësisht, ata na thanë se shpesh aty mbërrijnë familjarë për të kërkuar varret apo eshtrat e të afërmve, por pa mundur të gjejnë gjë”, vijon 70-vjeçari Agim Musta. Burgu-minierë u mbyll më 1990-n, ndërsa të burgosurit u shpërngulën në burgun e Përparimit, që ndodhet në katundin e Shën Vasit në Sarandë. Aktualisht kampi i Spaçit është shkatërruar krejtësisht.

Liria e frikshme

Në fletën e hollë të letrës të burgosurit politik mbanin në dorë lirinë. Dikush kishte vuajtur 5 vjet, një tjetër 10 e disa të tjerë më shumë. Çfarë i priste pas izolimit? Kjo ishte pyetja që e tmerronte cilindo të burgosur që lirohej. Shumë prej tyre ndiheshin të braktisur. Nën presionin e madh të partisë, gratë ndanë burrat, për të mos u internuar, vëllai mohoi vëllanë. Shyqo Zagomerau, pasi u lirua nga burgu, vrau veten; Met Mezini u var në një hotel të Durrësit, pasi nuk u pranua nga familja; Balil Hadëri u mbyt në Vjosë, sepse nuk kishte me se të jetonte. Shumë të tjerë ishin vrarë gjatë tentativave për arratisje, ndërsa të tjerë binin përsëri në burg. Më 19 nëntor të vitit 1972 Agim Musta lirohet nga kampi i ferrit. Nën presionin se ç’do të ndodhte me të, tmerri nuk e linte ta shijonte lirinë e fituar. “Kur e kujtoj atë ditë, edhe sot ndihem keq. Nuk e dija se ç’më priste, a do të më pranonte familja apo jo, si do të reagonit të afërmit. Megjithatë, kur takova motrat dhe nënën, u lehtësova. Isha mbi 40 vjeç, por flokët i kisha më të bardhë se të nënës sime”, kujton teksa i dridhen ritmikisht duart ish-i burgosuri politik. Edhe pse kanë kaluar shumë vjet, këta njerëz e kanë të vështirë t’i largojnë nga kujtesa e tyre vuajtjet në burgjet e vdekjes.

40 vjet nga revolta

Më 21 maj të këtij viti ish-të burgosurit politikë do të përkujtojnë 40-vjetorin e revoltës së Spaçit, që u zhvillua më 1973-in. Shqipëria, në krahasim me popullatën, duke përjashtuar republikat Balltike dhe Bashkimin Sovjetik, zë vendin e parë për sa u përket të dënuarve politikë. Ky konstatim ka dalë nga kongresi i Vilniusit në Lituani, kongres i cili u zhvillua në vitin 2001, ku pjesëmarrës ishin edhe të burgosur politikë shqiptarë. Në këtë kongres personazhi ynë mbajti referatin “Burgjet e shtetit-burg”, duke u paraqitur të pranishmëve edhe hartën e burgjeve në vendin tonë. Mes këtyre rreshtave jemi përpjekur të japim një informacion të përmbledhur të dy burgjeve më të tmerrshme gjatë rregjimit komunist dhe njeriu që rrëfen për “Gazetën” është pjesë e historive të Burrelit e të Spaçit. Edhe pse kanë kaluar thuajse 13 vjet nga lirimi i të burgosurve politikë, shumë prej tyre vuajnë ende pasojat e burgjeve të vdekjes. E, krahas tyre, qëndrojnë qindra familje të cilat vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e të afërmve në Spaç e Burrel, ndërsa mundohen të rrëmojnë mes së shkuarës kujtimet që i kanë zhdukur me kohë.

Please follow and like us: