Albspirit

Media/News/Publishing

Sigurimi i Shtetit dhe Vatikani

Armand PLAKA

Fati tragjik i Dom Shtjefën Kurtit tashmë, më shumë se dy dekada pas ardhjes së demokracisë, është zbardhur plotësisht; sipas raporteve të shtypit në vitet 2000, aludohej madje se trupi i priftit të pushkatuar më 20 tetor 1971, ka shërbyer edhe si kadavër ku kryheshin praktikat e studentëve të mjekësisë.

Ai nuk është i vetmi objekt persekutimi ndër radhët e klerit katolik shqiptar, qysh prej ardhjes në pushtet të komunistëve në vitin 1945, por renditet në mënyrë simbolike, si martiri më sublim i Kishës Katolike në Shqipëri. Ngjarja, që fillimisht u fsheh, më pas bëri bujë në përmasa ndërkombëtare dhe ngjalli një reagim plot urrejtje e përbuzje për makabritetin e Tiranës zyrtare. Lajmi i pushkatimit u mësua nga Vatikani, dy vjet më pas, më 1973, ndërkohë që akti kishte ndodhur pas riarrestimit të klerikut me origjinë kosovare në qershor 1971. Por lajmin e vërtetë e bënte shkaku i ekzekutimit të tij: thjesht se kishte guxuar të pagëzonte një foshnje, të cilën nëna e vet ai kishte besuar duarve martire të Dom Kurtit. Ndoshta kjo urrejtje lidhej edhe me origjinën e klerikut, i cili i ardhur në Shqipëri si meshtar në vitet ’30 të shekullit të shkuar, në CV-në e tij regjistronte edhe protesta politiko-diplomatike drejtuar ish-Lidhjes së Kombeve, kundër raprezaljeve shoviniste serbe në Kosovë dhe një letër të fshehtë drejtuar Papës nga burgjet shqiptare, ku kish nisur të kryente dënimin në vitin 1946 (të cilin e mbaroi në 1966). Duket se për regjimin e Hoxhës, ky rast nuk mund të kalonte dot kaq lehtë tashmë, pasi përkon me një kohë kur Tirana po përpiqej të përmirësonte disi imazhin e saj, duke u afruar sidomos me fqinjët në anën tjetër të Adriatikut, të cilët mund t’i përdorte si një kanal i mirë diplomatik për lidhjet e mëtejshme me Perëndimin. Por jo vetëm kaq. Edhe interesat ekonomike me Italinë tashmë dukej se ishin vënë në një plan të konsiderueshëm. Por diktatori shqiptar kishte shkuar shumë larg me “luftën” e tij të pakompromis ndaj fesë, e mbase nuk e kishte llogaritur se fati i një prifti, mund të sillte aq shumë telashe. Situata mes Vatikanit (por edhe Italisë) dhe ish-RPSSH-së nisi të agravohej, duke sjellë deklarata e kundërdeklarata në distancë nga të dyja palët. Por deri në këtë pikë, duket se Vatikani ishte përpjekur të ndiqte një linjë më të butë për riafrimin me Tiranën, gjë e cila jo vetëm që nuk solli rezultat, por me zbulimin e çështjes “Kurti”, sigurisht se gjithçka shkoi drejt acarimit të mëtejshëm.

Mendimin dhe strategjinë e Vatikanit në lidhje me këtë çështje na e rrëfen më së miri edhe një dokument sekret i ish-Sigurimit të Shtetit, që mban datën 18.2.1974 ( shih: AQSH, F. 14 / APSTR, V. 1974, D. 550, fq. 3-5.), ku shprehimisht thuhet se: Për një kohë Vatikani shpresoi se edhe në Shqipëri, si dhe në vendet e tjera revizioniste, do kishte një rehabilitim gradual të fesë; për këtë, sektorët që merren me Shqipërinë në Vatikan morën orientimin që jo vetëm të mos flasin hapur kundër pushtetit tonë, por edhe të kërkonin rrugë për afrim e kontakte me ne. Kur panë se kjo nuk pati rezultate dhe lufta në drejtim të fesë u ashpërsua, atëherë u vendos që të ndërmerrej një fushatë kundër persekutimeve fetare në Shqipëri dhe për këtë u përdor si shkak rasti i Shtjefën Kurtit. Dokumenti në fjalë e vendos këtë çështje në themel të tij, duke reflektuar edhe klimën ekstreme të mosbesimit që mbizotëronte në atë kohë mes Tiranës dhe Vatikanit. Tirana në fakt kishte ndezur tashmë makinerinë e saj propagandistike dhe i kishte shtuar tonet e akuzave të hershme ndaj Vatikanit për lidhje me fazhizmin, gjë e cila, sipas raportit të Sigurimit, kishte dhënë rezultat duke bërë që Vatikani të tërhiqej. Por prej tij mëson edhe detaje me shumë interes nga pikëpamja historike kombëtare, kur konstaton se në pontifikatin e saj Selia e Shenjtë udhëzonte se: “Në drejtim të Kosovës, Vatikani synon… të ndalojë emigrimet familjarisht të kosovarëve në vendet perëndimore. …Vatikani nuk është për shpërnguljen e kosovarëve përgjithmonë”. Më poshtë, materiali i dokumentit sekret nr.273 të Drejtorisë së Tretë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Informacion
Nga të dhënat e një burimit tonë të besuar rezulton:

1.Këto dy vjetët e fundit, Vatikani ka intensifikuar veprimtarinë e tij armiqësore kundër vendit tonë dhe Kosovës, duke e maskuar atë nën aktivitetin fetar. Përveç veprimtarive direkte që zhvillon në forma e me mjete të ndryshme, kundër vendit tonë, nga të dhënat rezulton se ai po bën një punë intensive fetare, si në drejtim të Kosovës e viseve shqiptare në Jugosllavi, ashtu dhe në drejtim të emigracionit reaksionar e kosovar në shtetet e Perëndimit.

Në drejtim të Kosovës, Vatikani synon:

a) të forcojë në masat ndjenjat fetare dhe duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë, të influencojë në këtë drejtim edhe në Shqipëri. Në rast ndryshimi të situatës në Shqipëri, Kosova do të jetë baza nga ku do të furnizohet me kuadro fetare vendi ynë;

b) të ndalojë emigrimet familjarisht të kosovarëve në vendet perëndimore. Sipas burimit, Vatikani nuk është për shpërnguljen e kosovarëve përgjithmonë.

Ata inkurajojnë dhe aprovojnë vetëm emigrimin e përkohshëm për qëllime pune dhe të kthehen prapë. Për këtë problem, Vatikani u ka tërhequr vërejtjen edhe tre priftërinjve shqiptarë që, për përfitime personale, kanë tërhequr në SHBA një numër të mirë familjesh kosovare. Për të arritur këto qëllime, kleri katolik në Kosovë bashkëpunon ngushtë me kishën katolike të Kroacisë dhe të Sllovenisë, sidomos për përgatitjen dhe të murgeshave shqiptare. Deri tani në Kosovë e viset e tjeta shqiptare janë hapur disa kisha katolike që i kanë qendrat kryesore në Ferizaj, Shkup e Prizren. Janë hapur gjithashtu 13 degë të instituteve fetare femrore për Kosovën, ku mësojnë rreth 160 murgesha të kombësisë shqiptare.Në drejtim të emigracionit reaksionar e kosovar, Vatikani zhvillon një aktivitet të gjerë, sidomos në pjesën e besimit katolik. Në këtë drejtim, ai synon:

a) të mbajë të gjalla ndjenjat fetare dhe t’i aktivizojë ato në veprime të kësaj natyre; i nxit që, nëpërmjet korrespondencës e formave të mundshme, këta të influencojnë edhe në njerëzit e tyre që kanë në Shqipëri për të mos e braktisur fenë dhe zotin;

b) ta kenë emigracionin reaksionar nën kontrollin dhe influencën e vet dhe si forcë politike, për ta përdorur në situatë të favorshme kundër vendit tonë. Këtu Vatikani punon me kujdes për të mos ju kundërvënë zbulimeve të tjera imperialiste, sidomos atij amerikan, që e konsideron emigracionin reaksionar si pronë të tij.
Për të punuar në drejtim të emigracionit, Vatikani ka shpërndarë priftërinj dhe ka çelur ose po çel kisha në SHBA, në Francë, Belgjikë, Jugosllavi, Gjermani, etj. Në Romë ka formuar një grup drejtues të të gjitha këtyre aktiviteteve, që përbëhet nga priftërinjtë Daniel Gjeçaj, Gjeto Radi dhe Injac Perolli.

2. Burimi shpjegoi edhe qëllimin e fushatës së Vatikanit për problemin e priftit Shtjefën Kurti.
Për një kohë Vatikani shpresoi se edhe në Shqipëri, si dhe në vendet e tjera revizioniste, do kishte një rehabilitim gradual të fesë; për këtë, sektorët që merren me Shqipërinë në Vatikan morën orientimin që jo vetëm të mos flasin hapur kundër pushtetit tonë, por edhe të kërkonin rrugë për afrim e kontakte me ne.
Kur panë se kjo nuk pati rezultate dhe lufta në drejtim të fesë u ashpërsua, atëherë u vendos që të ndërmerrej një fushatë kundër persekutimeve fetare në Shqipëri dhe për këtë u përdor si shkak rasti i Shtjefën Kurtit. Duhet shtuar, tha burimi, se krerët e Vatikanit besojnë se prifti me të vërtetë është pushkatuar për faktin se ka pagëzuar një fëmijë dhe se nëna e fëmijës është akoma në burg.

Qëllimi i fushatës ka qenë:

a) Të influencojë që qeveria shqiptare të ndërpresë veprimet e ndërmarra kundër fesë dhe prioftërinjve dhe t’u krijohen atyre kushte të më të mira jetese:

b) të influencojë negativisht në qëndrimin e emigracionit në drejtim të vendit tonë, veçanërisht në kolonitë dhe në emigracionin kosovar.

Fushata nuk dha rezultatet e dëshiruara dhe Vatikani nuk është i kënaqur. Prandaj ata edhe e ndërprenë këtë fushatë. Për këtë influencoi edhe kërcënimi që i bëmë ne Vatikanit me anë të shtypit, për bashkëpunim me fashizmin. Artikullin tonë, që trajton këtë çështje e kanë analizuar në Vatikan dhe në diskutime kanë pranuar se ai ka një të vërtetë, por që i takon së kaluarës, që vetë Papët e mëvonshëm e kanë dënuar. Sidoqoftë, ata i tremben publikimeve të mëtejshme të këtyre materialeve.

Drejtori i Drejtorisë III-të
Jonuz Mersini

Thirrje nga ferri

Letra e Dom Shtjefën Kurtit, drejtuar Atit të Shenjtë Papa Piut XII;
Kërkoj bekimin Tuaj që të luftojmë, pa e lëshuar veten!

“Atë shumë i Shenjtë,
[…] Radhët e martirëve shtohet çdo ditë; në burgje praktikohen tortura të tmerrshme ndaj të gjithëve pa dallim; mijëra burra, gra, pleq e fëmijë të zhveshur lakuriq dhe të uritur, internohen në kampe përqendrimi, në vendet më të izoluara dhe më të rrezikshme, në shtëpi pa dyer dhe pa dritare, të shtrënguar që të bëjnë punë të rënda, gjithë ditën, vetëm për një copë bukë. Më qëllim që të burgosurit të dobësohen fizikisht dhe të lëngojnë për shkak të shterimit të fuqive dhe të tuberkulozit, me një vendim të kohëve të fundit u është ndaluar familjeve t’u sjellin atyre ushqime.

Shenjtëri, do të kisha për të të thënë edhe shumë gjëra të tjera, por duhet të kufizohem duke hedhur shpesh e shpejt këto rreshta prej frikës se mos më kapin duke i shkruar. Duke u përulur në këmbët e Shenjtërisë Suaj, me përvujtëri kërkoj bekimin Tuaj atëror dhe apostolik për mua, për krejt klerin, për mbarë popullin, me qëllim që të luftojmë, pa e lëshuar veten, për fenë tonë”

16.10.1946

Please follow and like us: