70 parti politike “fantazma”, nuk dihen as adresat e as kryetarët
Në vendin tonë janë mbi 120 parti, ndërsa mësohet se rreth 70 prej tyre nuk po auditohen dot. E çuditshme se si shumë nga këto parti politike marrin dhe fonde nga KQZ dhe e përdorin partinë si burim të ardhurash?!
Krijimi i partive politike vijon të jetë një burim të ardhurash për dhjetëra persona.
Shqipëria është ndër shtetet me numrin më të madh të partive në Evropë dhe kjo ka bërë që të krijohet një kaos me kontrollin e tyre.
Pasi u mbyll procesi i zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi procedurën për të audituar partitë politike mbi të ardhurat dhe shpenzimet e tyre. Për këtë arsye është ngritur një grup pune, por mësohet se po përsëritet e njëjta situatë me vitet e shkuara. KQZ po has vështirësi me kontrollin e dhjetra partive politike.
Këto parti mund të quhen “fantazmë”, pasi për to nuk ka asnjë të dhënë.
Edhe pse në gjykatë figurojnë të regjistruara, shumë prej tyre kanë ndryshuar adresa dhe nuk kanë asnjë të dhënë se ku i kanë selitë, ndërsa ka dhe shumë të tjera që nuk u dihen kryetarët.
Për këtë arsye, KQZ po has shumë vështirësi në kontrollin e të ardhurave të forcave politike. Të vetmet që mund të auditohen lirisht janë parti parlamentare, ndërsa për të tjerat po haset shumë vështirësi.
Sipas ligjit, KQZ çdo vit bën auditimin financiar të partive në vend dhe gjithmonë janë kontrolluar financat e partive të mëdha, pasi të vegjlit gjithmonë kanë nxjerrë probleme.
Ky problem ka kohë që është prezent dhe pritet që të zgjidhet me reformën zgjedhore. Aty do të përcaktohen kritere të veçanta, ku do të synohet që të ulet numri i partive politike dhe të ketë rregulla strikte sa u takon financave. Shumë nga këto parti politike marrin dhe fonde nga KQZ dhe e përdorin partinë si burim të ardhurash.
Për këtë arsye, në 2015 ish-kryetarja Lefterie Luzi kërkoi që t’i bëhej kërkesë gjykatave dhe të çregjistronin partitë, mirëpo nuk u arrit asnjë rezultat.