Abaz Hado: Opozita e PD dhe një aksident automobilistik
Në të gjitha vendet e botës ndodhin përditë aksidente të rënda nëpër rrugë dhe autostrada, në për dete mbyten anije e tragete, bien avionë, madje për ҫdo orë në botë, ndodhin disa të tilla, disa madje janë ngjarje tragjike.
Kujtdo, që ecën me makinë, mund t’i ndodhë një aksident për arsye të ndryshme, të humbjes për arsye të ndryshme të kujdesisë së palëve që janë përfshirë. Para disa ditësh, më tronditi një lajm që erdhi përmes valëve të televizorit, që një mik i imi, Aqif Rakipi, ishte përfshirë në një aksident të rëndë. Sigurisht e kuptoj që këto janë momente të rënda që po kalonin të gjithë ata që ishin përfshirë në këtë aksident.
Por ajo që të trondit dhe habit më shumë ishte pikërisht një deklaratë e PD që u lëshua në moment porsa u dha lajmi pa pikë maturie, pa shpirt njerëzor, pa një analizë dhe pa pritur fare raportet e policisë, prokurorisë dhe pa pritur konkluzionet e institucioneve që janë ngarkuar të trajtojnë raste të tilla në të gjithë vendet e botës.
Duke e njohur shpirtin e A. Rakipit si njeri, si familjar, dhe si politikan që gëzon mbështetje të gjerë popullore, gjykoj dhe besoj se është personi që ka dhimbjen më të madhe në këtë rast, të cilën e shprehu sinqerisht në media. Por duke mos kuptuar deklaratën e PD që ishte aq e pa vend, si për momentin e dhënë, ashtu dhe për mënyrën e ndikimit dhe qëllimit të saj. Kam ndjerë keqardhje dhe dhimbje, për faktin se sa shumë e egër vazhdon të jetë politika në këtë vend, sa egoiste është ajo, sa që futet në jetët tona, deri në aksidente të tilla, për të goditur cilindo që e mendon si kundërshtar, si armik politik, sepse nuk gjej shpjegim tjetër në atë deklaratë.
Në rrugët tona, pavarësisht punës që bën policia rrugore, ndodhin përditë aksidente të padëshiruara. Aksidenti është i tillë sepse është një moment që ndodh në situatë të padëshiruar nga palët, askush nuk i do, nuk i dëshiron apo të presë që t’i ndodhin. Prandaj janë dhe masat paraprake, prandaj dhe kërkohet kujdes por që gjithsesi ato ndodhin, kudo kurdoherë dhe nuk mund të ndalen me gjithë dëshirën e mirë të shoqërisë njerëzore për shekuj me rradhë, deri në ditët tona.
Pa hyrë në analizë, sepse do dëshiroja të respektoja ekspertët rrugorë, që përcaktojnë në mënyrë ligjore fajësitë e palëve në raste të tilla. Unë nuk dua të ndaj, si ndaloi furgoni, si veproi personi për të kaluar rrugën para furgonit ku kishte ndaluar etj., sepse edhe të dua, nuk di ta bëj këtë gjë. Ashtu sikundër më vjen keq për viktimën, edhe familjarët e tij të cilëve u përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta. Por kjo ka të bëjë dhe me fatet tona sepse gjithsesi është një aksident i padëshiruar nga të gjithë, aq më shumë nga një njeri si Aqif Rakipi. Jam shumë i sigurtë që ai po vuan me shpirt e me zemër, se është vetë familjar dhe ka mirësinë në shpirt.
Por ajo që të vret, që të lë me gojëhapur në këtë rast është përdorimi i këtij aksidenti rrugor (që sado i rëndë, përsëri mbetet një ngjarje që nuk e deshi njeri), nga Partia Demokratike, e cila menjëherë doli me deklaratë për shtyp, duke bërë aludime të forta që nuk kishin lidhje me faktet, apo të mund të ndihmonin në zbardhjen e së vërtetës, Aksidente të tilla mund t’i ndodhin kujtdo nga ne që ka një makinë, që lëviz me të nëpër rrugët e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Prishtinës, Kosovës etj. Përse u sulmua A. Rakipi për aksidentin, sigurisht që ishin justifikime dhe alibia që ta godisnin politikisht, madje duke u përmendur dhe se ishte mik i kryeministrit?! Përse për herë të parë një parti politike merret me një rast të tillë? Këto gjëra janë pa lidhje për këtë rast, A. Rakipi si ҫdo qytetar i këtij vendi u paraqit në polici, qëndroi sipas rregullave, dhe po vazhdon të hetohet ҫdo element i këtij aksidenti. Por në të gjithë këtë, ajo që lë një shije të keqe është momenti që kupton, që luhet kaq egër duke përdorur ngjarje të tilla, kaq pa moral jemi ne, që edhe aksidentet t’i trajtojmë si luftë politike, pa asnjë princip njerëzor. Në jetët tona, secilit mund t’i ndodhë që të përballet me raste të tilla aksidentale, por zoti na ruajt familjarët, se krahas fatkeqësisë duhet të mbajmë dhe barrën politike të një lufte politike të një krahu apo krahun tjetër.
Nëse në raste të tilla, do lëmë të flasin organet e ngarkuara me ligj, që të hetojnë ngjarjet, nuk ngremë gjakra të shpirtrave të vrarë në ato momente, më pas kushdo ka të drejtën të bëjë deklarata nëse sheh që nuk vepron ligji për cilindo. Në këtë rast, ju siguroj se vetë Aqif Rakipi është më shumë se cilido i interesuar të ketë drejtësi dhe është shumë i dëshpëruar për gjithë ҫfarë ka ndodhur, sepse është njeri dhe ka dhimbje në shpirt. Prandaj kërkon dhe është shumë me rëndësi të dalë e vërteta për të e familjarët. Nga ana tjetër, ne duhet të mësojmë të jemi të duruar. Në raste të tilla, nuk ka vend për politikë, në një aksident automobilistik në rrugët e ҫdo vendi që ndodhin.