Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Përse të dua

 

Nuk e di arsyen përse të dua,
por di që jam dehur për ty
jam ngushëlluar me ty
kam qarë për ty.

Kam recituar
kur më sillnin në shtëpi
duke më mbajtur nga krahët
recitoja më bukur se një aktor teatri
kam thënë se dashuria nuk është arsye
por pjell arsye dhe vritet nga arsyet
kam kënduar me shpirt
më bukur se një këngëtar i madh
kam mbushur me fjalë mbrëmjet
me fjalë xixëllonja
sado humbëtirë është jeta
prapë e dua këtë vend
sepse ti jeton këtu

Jam rrëzuar për ty
dhe më kanë ngritur sërish
njerëz që me mëshirë më kanë parë
edhe më kanë sharë

Pra të dua ty
pa asnjë arsye
për asnjë më të vogël se grimca
ty tërësia e arsyeve e
marrëzive të mia.

Please follow and like us: