Albspirit

Media/News/Publishing

Shkodra promovon librin e dr. Hysen Qendro “Po me fortifikimin ç’patën”

 

Image result for hysen qendro

 

Në 25 maj 2017 u promovua libri i dr. Hysen Qendro i titulluar “Po me fotifikimin ç’patën”, ku referuan Gjon Bruçi, Ndue Sana, ish-shef i Shtabit të Divizionit të Shkodrës; Bajram Mane, ish-zëvendës ministër i Mbrojtjes; Ismail Shulku, ish-ndihmës i Shefit të Shtabit të dhe komandant i Frontit Veri Lindor; Nevruz Sako, ish-komisar i Shkollës së Lartë të  Bashkuar të Oficerëve; Kujtim Çako, ish-Zëvendës Ministër i Mbrojtjes; Shpend Topollaj, ushtarak dhe shkrimtar; Vuksan Vukaj, ish-komandant Brigade; Agron Gërbi, inxhinier kimist; Ilmi Qazimi, komisar i Shkollës së oficerëve rezervistë dhe në fund ka përshëndetur autori, Hysen Qendro.

 

Gjon Bruçi: Fortifikimi i vendit, domosdoshmëri absolute

Image result for gjon bruci

Ish-Komandanti i Brigadës së 9-të të këmbësorisë në Divizionin e Shkodrës, në vitet 1989-1992, Doktori i Shkencave Ushtarake, Kolonel Hysen Qendro, në nderim e respekt të kolegëve të tij të kësaj njësie, promovimin e librit të tij më të fundit: “Po me fortifikimin ç’paten!”, gjykoi dhe vendosi ta realizojë sot këtu me ne. Në emrin tuaj dhe të të gjithë ish-uështarakëve të Brigadës e të Divizionit të Shkodrës, të pranishëm ose jo në sallë, unë e falenderoj për respektin dhe konsideratën që, ai vijon të ruaj për ne shokët e tij të punës, respekt e konsideratë, e cila kishte dhe ka në themel të saj: përkushtimin tonë të përbashkët për realizimi e detyrës fisnike që na pati ngarkuar Atdheu. Falenderimi në emrin tuaj shkon edhe për shokët kuadro të ushtrisë të ardhur nga Tirana, të cilët kanë shoqëruar kolegun e tyre dhe komandantin tonë, zotin Hysen, këtë aktivitet sa modest, aq dhe i rëndësishëm e domethënës.

Jam i nderuar të komunikoj se midis nesh ndodhen disa nga ish drejtuesit më të rëndësishëm të ushtrisë: Zoti Bajram Mana, ish-zëvendës Ministër i Mbrojtjes; zoti Ismail Shulku, ish ndihmës i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Komandant i Frontit të Veriut; Zoti Kujtim Çako, President i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë; zoti Nevruz Sako, ish-drejtues i Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve; zoti Naim Muho, ish-Komandant i Ishullit të Sazanit dhe më vonë, Komandant i Korpusit të Katërt të Tiranës, e Komandant i Divizionit RKP të Lushnjës; zoti Shpend Topollaj,shkrimtar dhe poet i mirënjohur ushtarak, e shokë të tjerë. Të gjithë ushatarakët e dinë fort mirë se tre janë elementët kryesorë të luftimit:  Njeriu, Arma dhe Terreni. Ushtria jonë Popullore, këta tre elementë i kishte në nivelet më të larta për kohën dhe hapsirën ku vepronte, në mbrojtje të Atdheut. Për elementin e tretë, për terrenin, strategu i lashtësisë, Piroja i Epirit tonë, thoshte:”Bëje tokën të luftojë për ty”! Pikërisht për këtë element shumë të rëndësishëm të luftimit, zoti Hysen Qendro na fletë në këtë libër, të cilin po e diskutojmë. Ai na fletë e na tregon jo vetëm për domosdoshmërinë e përgatitjes së terrenit, ku zhvillohen veprimet luftarake, por edhe për punën e madhe e vetmohuese që, kuadrot tanë të ushtrisë, specialistë të xhenjos, por edhe të të gjitha armëve e shërbimeve, realizuan në mbi dy dekada, duke e kthyer territorin e vendit tonë në një kala të pakapërcyeshme nga armiku dhe armët e tij. Leximi i këtij libri na bënë ne, ish-ushtarakëve, krenarë për punën që kemi realizuar. Ndërsa brezave që vijnë pas nesh duhet që, përveç krenarisë, t’i bëjë edhe të mendojnë e të kuptojnë se, pavarsishtë situatave të momentit, në dukje paqësore, fortifikimi i vendit ishte, është dhe do të mbetet një domosdoshmëri absolute, jo thjeshtë si element teorik i luftimit, por mbi të gjitha si një nevojë jetike për mbrojtjen e Atdheut. Dhe pikërisht ky, mendoj unë, është edhe mesazhi kryesor i librit të zotit Hysen Qendro.

 

Ndue Sana: Fotifikimi e bën një vend më të sigurtë

Image result for ndue sanaj

Me shumë respekt, kolonel Hyseni, më dërgon librin, me titull “Mehmet Shehu- reformator i Ushtrisë Popullore Shqiptare” dhe pas pak kohe edhe librin, me titull “Po me fortifikimin ç’patën!” Të dyja i kam lexuar me vëmendje, sepse, në të dyja më ka tërhequr një diçka  e veçantë e autorit: Ndjenja e lartë që ka Kolonel Hyseni për atë që shkruan. Ai shkruan me shumë pasion, pa inate, pa urrejtje, por ashtu siç e ndjenë problemin, kujtimin, historinë, mundin e djersën e njerëzve. Kolonel Hyseni ka qenë një ndër ushtarakët e karrierës me emër në jetën e Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai, si shumica e ushtarakëve të karierës, ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm e me kurajo, cilësi këto që i tregon edhe në librin, për të cilin jemi mbledhur. Në këtë libër pasqyrohet edhe jeta ime, jeta e kolegëve të mi, jeta e vartësve dhe eprorëve të mi, jeta e ushtarëve dhe e nënoficerëve, e punonjësve civil, jeta e gjithë popullit ushtar: në këtë ndërrmarrje të jashtëzakonshme. E jashtëzakonshme nga për nga përmasat, për nga mundësia ekonomike, për nga popullsia dhe për nga koha në dispozicion. Në këtë ndërrmarrje kaq të madhe, të këtyre përmasave, vetëm një popull i përfshir në nocionin “Popull Ushtar”- mund ta realizonte. Kolonel Hyseni e paraqet me vërtetësi atë punë të madhe që u bë. Por Ai, na paraqet me më shumë forcë dhe me dinjitet të thellë, denigrimin që i është bërë dhe vijon t’i bëhet kësaj pune kaq të madhe, kaq të domosdoshme për luftë, për mbrojtjen e vendit, si elementi i tretë i luftës, dhe i domosdoshëm. Zoti Hysen nuk ka pas ndërmend, që nëpërmjet këtij libri t’i bëj analizë fortifikimit, por paraqet dhe i bënë analizë qëndrimit absurd, që është mbajtur dhe vazhdon t’i bëhet fortifikimit. Më lejoni t’iu tregoj dy episode të shkurtra:

Së pari, në vitin 1992, në muajin maj, ishte një gjendje e rëndë me fqinjët, me Jugosllavët…, e vërtetë apo artificiale, këtë nuk jam në gjendje ta përcaktoj, por në fakt ne ishim në gjendje të gatishmërisë nr.1. Në këto kushte, erdhi në Komandën e Divizionit, Kryetari i Komitetit pluralist të rrethit të Shkodrës, zoti Fatos Gjyrezi, i cili pasi dëgjoi informimin që i bëri Kolonel Enver Gaba, në atë kohë Komandant i Divizionit, shfaqi dëshirën t’i bënte një inspektim kufirit. Komandanti i Divizionit më caktoi mua të shoqëroja Kryetarin Gjyrezin; me të cilin dolëm në përnjohjen e terrenit, duke parë gjithë vijën e kufirit, rajonet e mbrojtjes së postave kufitare, dhe madje duke hyrë në çdo qendër zjarri, që nga rajoni Pulaj të Velipojës, e deri në rajonin Hani i Hotit… Nga fundi i kësaj përnjohjeje, të këtij kontrolli, Kryetari më pyeti: “Shef, a mund t’i bëjmë ballë ndonjë agresioni të mundshëm?” I thash: “Po, se barut kemi, qendra zjarri kemi, siç i pe vet, por nuk e di, se sa kemi zemër, se sa na ka mbetë…Dje kishim zemër, sot nuk e di”. Ai heshti… Pra, ai që nuk linte gjë pa thënë për fortifikimin,duke folur keq, u fut qendër më qendër zjarri, duke parë frëngjinë, pastërtinë e tyre dhe duke u dhënë porosi ushtarëve e oficerëve, që të jenë gati në rast nevoje. “Këto qendra zjarri janë shtëpia jonë në rast lufte, për të mbrojtur vendin tonë të shtrenjtë, prandaj t’i mbani pastër dhe t’i maskoni sa të jetë e mundur, nëqoftë se është e mundur të mbillni edhe bar e pemë rreth tyre, me qëllim që të duket vendi sa më origjinal me mjedisin, me kusht që, të mos bllokohet pamja e qitjes…” Këto porosi u dha Kryetari efektivave të kufirit në çdo postë. Së dyti, në muajin gusht të vitit 2001, isha në rajonin Gargano të Italisë, në vendin e quajtur San Menaio, në Plazh. Aty ishte edhe një gjeneral-në pension, gjeneral Giuzepe Malçini, rreth 75 vjeç. Pasi u njohëm dhe mori vesh që isha nga Shqipëria, më tha: “Albania bunkerizëm…”!

Më habiti reagimi i tij, por e mora veten, iu drejtova duke i thënë: “Zoti gjeneral, çfarë detyre keni pasur para se të dilnit në pension?” Ai m’u përgjigj: “kam qenë komandant Divizioni”. “Ah, sa mirë, i thash,-paske qenë komandues, që i njeh mirë të tre elementët e luftimit… Edhe unë kam qenë në detyrën e komandantit të Brigadës e, më vonë kam qenë zëvendësi juaj, pra në detyrën e Shefit të Shtabit të Divizionit, me gradën kolonel… Prandaj, vazhdova,-më vjen keq, gjeneral, që e keni harruar elementin e tretë të luftimit….” Më pa me vëmendje, me njëfarë qortimi, ashtu siç shikon eprori vartësin, kur nuk i pëlqen vrejtja që i bëhet prej tij, por megjithatë u ngrit në këmbë. Ndërkohë, u ngrita edhe unë. Ai, ndonëse ishte i shkurtër, ngriti krahun dhe më ra shpatullave me pëllëmbë, duke u shprehur: “ke të drejtë zoti kolonel… më fal!” Me këta dy shëmbuj, dua të them se, kur e shohim politikisht me urrejtje, regjimin e kaluar, fortifikimi që kemi bërë zhvleftësohet dhe shikohet me të njëtin sy.

Ndërsa kur fortifikimi shikohet me syrin e specialistit, me syrin e ushtarakut, sigurisht do të flasësh ndryshe, por gjithnjë pasi problemin ia ke dërguar arsyes. Dua të ndalem tek një shqetësim e merak i kolonel Hysenit. Ai në faqen 98 të librit shkruan: “Ministria e Kulturës e Rinisë… është mirë që të ketë informacionin e nevojshëm për gjendjen e fortifikikmit, që është kryer në vendin tonë, duke e parë në këndvështrimin e saj…”. Sigurisht, shqetësimi i kolonelit është i drejtë, se ai mund aq i madh i yni dhe i popullit ushtar, gjithë ajo ngrehinë po humbet, po shkon dëm, po shkatrrohet. Shqetësimi dhe mendimi, që ky fortifikim të kthehet në monument kulture dhe të jetë në vartësi të  Ministrisë së Kulturës, mirë do të ishte, por mendoj se është një ndërrmarrje e madhe dhe e vështirë që të administrohet nga kjo Ministri.

Sistemi i fortifikimi, nuk është as në inventar të Ministrisë së Mbrojtjes, as të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Dhe kur nuk është në inventar të kësaj Ministrie e të këtij Shtabi, si mund të jetë në inventar të një ministrie tjetër?! Pra, në fillim duhet ta marri përgjegjësinë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, të cilët në radhë të parë, të përcaktojnë se në cilat rajone fortifikimi duhet të kthehet në monument kulture dhe të ruhet. Përse e them këtë?  E theksoj se fortifikimit, fizikisht, i është bërë një shkatërrim i jashtëzakonshëm. Në rapot me këtë, duhet të dali vendimi dhe ligji për marrjen e tyre në ruajtje, në të cilin duhet të përcaktohen edhe pasojat ndaj atij, apo atyre që do t’i shkatërrojnë. Pra për të zbatuar këtë ide, mendoj që, në bazë të bashkive, në bazë të njësive administrative, të përcaktohen se cilat objekte fortifikimi mund të jenë monument kulture dhe cilët, objekte luftarake, sepse ato janë të një niveli kështjelle. Në strukturat vendore, dhe kombëtare, të ketë objekte të tilla, e,të varen nga Ministria e Kulturës dhe e Mbrojtjes.

Në plan të parë, duhet të dali Ministria e Mbrojtjes. Mendoj se një kritikë e madhe duhet t’i shkojë Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sepse ato duhet të jenë mbrojtësit e saj, por deri tani, nuk kam dëgjuar asnjë Shef Shtabi të Përgjithshëm të flas për këto objekte mjaft të rëndësishëm të mbrojtjes. Ju, kolonel Hyseni, jeni i pari, që ngrini zërin në mbrojtje të kësaj pasurie kombëtare, me përmasa kaq të mëdha, për mbrojtjen e vendit. Të lumtë! Gjithashtu, dua të ndalem edhe te një çështje tjetër: Në faqen 38-39, shkruani: “Duke shprehur vlerësimet për fortifikimet ushtarake, që janë kryer në vendin tonë, nuk e përjashtoj faktin që në gjithë atë vepër të madhe, ka edhe pasaktësi, teprime e mangësi….” Jam me ty, zoti kolonel, se në planifikimin e tyre ka pasur teprime dhe në procesin e zbatimit, ka pasur patjetër gabime deri dhe të rënda, trashanike. Mendoj se specialistët dhe në veçanti, përgjegjësit e përgatitjes së hapsirës së Teatrit të Veprimeve Luftarake, të terrenit në pikëpamje luftarake, duhet të dalin para popullit dhe, së paku, të kërkojnë falje, se jo çdo gjë ishte e udhëheqjes, por ishte edhe e specialistëve.  Specialistët nuk duhet të fshihen pas shpinës së udhëheqjes të asaj kohe. Pra ka shumë vend për të kërkuar falje!

Së pari, në rajonet alpine, të gjitha qendrat e zjarrit i shkatërroi ngrica, se sasia e çimentos e caktuar për montimin apo lidhjen e elementëve në formë portokolli, nuk ishte në sasinë e nevojshme, që t’i rezistonte akullit dhe, me gjithë sugjerimet, nuk e bënë ndryshimin e duhur. Së dyti,u rend pas sasisë, në kurriz të cilësisë, duke e quajtur zbatimin e planit të fortifikimit, barometrin kryesor në gatishmërinë e njësisë. Për rrjedhojë, jo në pak raste, u vendosën qendrat e zjarrit jo në rajonet apo pozicionet e planifikuara. Vetëm në rajonin e Zgjeçit, në Has, në një pozicion zjarri skuadre ishin vendosur 57 qendra zjarri, nga 5 copë që kërkonte plani, sepse aty shkonte vinçi, ndërsa në rajonet e tjera duheshin çuar elementet me krah. Pra, ka pasur gabime të tilla të rënda edhe në zonën e mbrojtjes Korpusit e, mandej  Divizionit.

E mbyll, ashtu siç e thekson kolonel Hyseni, edhe unë, e kam për nder dhe krenari që kam qenë pjestar i Ushtrisë Popullore Shqiptare. I asaj ushtrie, që për asnjë çast dhe për asnjë arsye, nuk livizi aspak nga kryerja e detyrave të saj, në shërbim të popullit dhe në mbrojtje të Shqipërisë. Në pikëpamje profesionale ushtarake, ne kuadrot e asaj ushtrie, e quajmë veten me fat, që punuam për organizimin, stërvitjen, përgatitjen dhe drejtimin e njësive të mëdha ushtarake gjitharmëshe. Asnjë herë më parë, Shqipëria nuk ka pasur një numër aq të madh forcash dhe mjetesh nën armë, në mbrojtje të saj…

Të lumt, kolonel Hyseni!  Edhe njëherë: të lumtë koleg e miku im, kolonel Hysen Qendro, mendja e dora dhe me këto që ke shkruar e do të shkruash mbetesh i gjallë! Mirënjohje për punën që ke bërë!

 

Një reagim imi, në gazetën “Dukagjini”, me nr. 133, të muajit nëntor 2014

 

Në TV, në shtypin e përditshëm, në mes të tjrave thuhej dhe shkruhej…: “…por edhe për objektet ekonomike, spitalet dhe për strehimin e popullatës së paaftë për luftë, siç janë të moshuarit, fëmijët, personat me aftëzi të kufizuara e të tjera….”. Po, ishte interesant “zbulimi” i Vendkomandës së Përgjithëshme në afërsi të Babrrusë, gjoja: ishte strehimi i Enver Hoxhës me suitën e tij, për t’i shpëtuar kokën atyre nga një goditjeje bërthamore…. Është vërtet për të qeshur, për ndonjë estradë…. Këta “zbulues të famshëm” a kanë sadopak njohuri, për përgatitjen e vendit për luftë?! Këta e quanin paranojake të mendjeve të kohës së shkuar këtë ndërtim, që e zbuluan këta “zbulues” të “demoikracisë”. Ky njoftim ishte joreal. Objekti ka qenë për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Byroja Politike dhe Qeveria e asaj kohe kishin shumë objekte drejtimi, njëri ishte në Krrabë dhe tjetri në mal të Dajtit.

Duhet të dimë kohën kur vendi kaloi në fortifikimin e përgjithshëm të tij, duke zbatuar elementin e tretë të luftimit, atë të përgatitjes së terrenit në pikëpamje xheniere, në fortifikimin e tij. Pse? Në kohën e Luftës së Ftohtë e gjithë bota përgatitej për luftë, në veçanti dy kampet më të fuqishme të makinës ushtarake: Traktatit të Varshavës dhe NATO-s, duke mos llogaritur më gjatë, për mirqënien e popullit. Të gjitha vendet e Europës fortifikoheshin, megjithëse kishin armën atomike. Edhe Suedia, Zvicra, Austria e të tjera vende. Po ne, çfar duhej  të bënim në këto situata?! Sidomos në kohën që denoncuam botërisht Traktatin e Varshavës dhe dolëm prej tij në mënyrë demostrative, duke e konsideruar një traktat jo për paqe, jo për mbrojtje, një traktat agresor. Në këto rrethana, patjetër që do të mendohej për mbrojtjen e vendit. A i kushtoi shtrenjtë fortifikimi popullit e vendit? Patjetër i kushtoi shtrenjtë, por nuk kishim mundësi tjetër për të përballuar agresionin e mundshëm, nuk mundeshim të prodhonim armën atomike…

Atëherë, për armë të rënda deri dhe aviacionin e anijet luftarake, duheshin përgatitur terreni për t’i siguruar, ashtu siç u siguruan, nëpërmjet fortifikimit.  Nuk kam ndërmend të flas për fortifikimin dhe t’i bëj analizë atij, por e bëra këtë hyrje se na diktoi koha dhe koncepti i Luftës Popullore. Vendstrehim apo vend-drejtim nuk kishte vetëm udhëheqja ushtarake apo politike, por i gjithë populli. Skuadra, përveç pesë apo më shumë qendrave të zjarrit, që kishte, njëra prej tyre ishte për strehimin kolektiv në bazë skuadre. Komandanti i togës apo i kompanisë, po të njëjtën gjë: kishte vend-drejtimin e tij, në skuadrën e tretë apo në togën e tretë. Komandanti i batalionit kishte vendkomandën dhe vend-drejtimin e tij, me rreth 17 dhoma. Komanda e Korpusit apo Divizionit kishte vendkomandën apo vend-drejtimin operativ, me mbi 30 dhoma. Po kështu  kishte vend-drejtimin e tij Shtabi i Mbrojtjes së Rrethit.

Në qytete, në bazë ndërrmarrjeje dhe për çdo lagje, apo bllok, ishin strehimet për popullatën.

Në zonat aktive të luftës, popullata e paaftë për luftë,  ishte llogaritur të largohej nga kjo zonë dhe të dërgohej në thellësi. Për ta ishte plani i plotë, ishin caktuar forca shoqëruese, automjetet e transportit, rruga e lëvizjes dhe vendi ku do të vendoseshin, mënyra e trajatimit të tyre, e të tjera e tjera masa. Çdo armë artilerie kishte pozicionet e zjarrit të saj, qoftë në vijë të parë, apo dhe në thellësi të rajonit, të brezit apo të zonës, në të cilat jo vetëm ato armë mbroheshin dhe nga ku bëhej qitje, por strehohesh edhe efektivi i tyre.

Pra, dua të theksoj se udhëheqja e asaj kohe, nuk ishte paranojake, por ishte e përgjegjshme për vendin e për popullin, për ta siguruar në kohë lufte. Nuk e di se si mund të flitet sot, po të ishte bërë luftë?!

Falenderojmë zotin dhe urojmë që luftë nuk u bë.

 

 

Bajram Mane: Një gur i rëndësishëm në Historinë e Artit Ushtarak

 

Image result for bajram mane

Historia e popullit shqiptar është tragjike e mjaft e dhimbshme. Ajo pasqyron një histori pambarim luftrash e përpjekjesh, kundër pushtuesëve të huaj: për liri, pavarsi e përparim shoqëror. “Perandori të tëra erdhën e ikën,- thot Edith Durham,- ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, por ai nuk e ka pranuar kurrë nënshtrimin; me armë në dorë, ka gjetur forma të ndryshme luftimi dhe fortifikimi, për t’u bërë ballë gjithë atyre hordhive që donin ta zhduknin si komb”. Pikërisht, për të dhënë disa mendime për fortifikimin, falenderoj me përzemërsi organizatorët e këtij takimi: Shoqatën AKUSH- dega Shkodër, si dhe autorin e librit “Po me fortifikimin ç’patën!”, Zotin Hysen Qendro, që patën besim tek unë të bëja disa  vlerësime, për autorin dhe problematikën e gjerë e interesante që trajton. Duke lexuar librin e Z. Hysen Qendro, nuk është e lehtë të gjesh fjalët dhe shprehjet e përshtatshme, për aftësinë, pjekurinë e talentin e spikatur të një ushtaraku madhor, siç është ky zotëri, në trajtimin plot kompetencë të vlerave e të domosdoshmërisë së fortifikimit, të teatrit të veprimeve luftarake të vendit tonë. Qysh në fillim, dua të theksoj se autori nuk analizon fortifikimin si ushtarak- xhenjer, por e trajton si ushtarak-gjitharmësh, si strateg ushtarak, për rëndësinë që ka ai, në funksion të veprimeve luftarake të njësive e reparteve, në fushën e betejës. Zoti Hysen duhet vlerësuar për durimin e rrallë, për studimin e hulumtimin e tij, për një periudhë të gjatë të historisë së fortifikimit në Shqipëri e në botë, sidomos atë të Luftës së Dytë Botërore, dhe gjatë kohës kur ne sëbashku punuam intesivisht për këtë fortifikim. Hysenin nuk e zë gjumi, ai vuan, për baltën që hidhet mbi fortifikimin, se gjoja ishte i tepërt e i panevojshëm, për vendin tonë. Ai nuk pajtohet me këto qëndrime dhe i hedh poshtë me neveri. Hyseni argumenton shkencërisht, nevojën e patjetërsueshme të fortifikimit të vendit, si kërkesë historike e kohës, që ushtria shqiptare të kish mburojën e saj, gjatë veprimeve luftarake. Unë e vlerësoj pa masë librin e autorit dhe konsideroj se: zoti Hysen Qendro ka vendosur një gur të rëndësishëm në murin e madh të Historisë së Artit Ushtarak të Ushtrisë Shqiptare, për t’i treguar botës mbarë se, ushtria shqiptare ka historinë e vet, se teritori i vendit tonë është fortifikuar nga djem shqiptarë, nga strategët e ushtrisë shqiptare dhe se është unikal e i veçantë nga fortifikimet që njihte Lufta e Dyte Botërore. Autori nëpërmjet librit të tij, kërkon të thyej, siç e theksuam, mendimin e gabuar të shumë keqdashësve, por edhe të mjaft  personave indiferentë, që shprehen se fortifikimi ishte një barrë e rëndë  për vendin tonë. Pa vënë në ballancë, se çfarë e priste popullin e ushtrinë, në rast të një lufte eventuale. Kur, një vend me resurse të pakta njerëzore, të luftonte në fushë të hapur, do të kshte humbje të pa llogaritshme.

Disa argumentojnë se fortifikimi nuk e justifikoi vehten, se nuk patëm luftë, por harrojnë të arsyetojnë se pikërisht ky fortifikim ishte një nga arsyet që e mbajti larg luftën, ai e bëri mbrojtjen të qëndrueshme e të pathyeshme. Strategu i fortifikimit Mehmet Shehu, ngriti male në fusha dhe, fushat e malet i bëri vdekjeprurëse për armikun. Ai ideoi e planifikoi fortifikimin e gjithë teatrit të veprimeve luftarake, por tregonte kujdes të veçantë për drejtimet kryesore operative-strategjike, sidomos për objektet e rëndësisë së veçantë, siç i përshkruan edhe autori. Kështu ishin mali i Taraboshit; drejtimi i Koplikut, kodrat e Bërdicës, fusha e Nën-Shkodrës; mali  i Kuq; Llofka; mali i Ivanit, Qafa e Kazanit e shumë drejtime të tjera të rëndësishme. Fortifikime si i  yni bëjnë  të pamundur përparimin e armikut. Ai ul në maksimim tempin e mësymjes dhe autori, merr si shembull vijën “Zig-Frid”, ndërtuar nga gjermanët, ku forcat Anglo-Amerikane përqëndruan 7 divizione, 30 000 topa, 6500 tanke, 11 000  aeroplanë dhe mësymja dështoi  me humbje të mëdha.  Ose vija “Barlen” e ndërtuar nga izraelitët në vitin 1967, kishte vetëm 36 Qëndra zjarri të fuqishme, disa duna rëre ku ishin pozicionuar 300 tanke si dhe depozita me lëndë djegëse, ku u thyen përfundimisht 36 batalione të ushtrisë arabe.

Mendimet e autorit janë të konceptuara drejtë, reale e bindëse për atë fortifikim, që hëngri shumë mund e djersë. Të gjithë sa jemi këtu kemi marrë pjesë, kemi udhëhequr, drejtuar apo ndërtuar objekte fortifikuese, por asnjëri prej nesh nuk ka qenë vendimmarrës ose ideator i këtij sistem, që është i rrallë në llojin e vet. Por ne e kemi zbatuar atë me korrektësi e devotshmëri të pa parë. Hyseni shpreh edhe mendimin e qindra-mijëra oficerëve që ishin objekt e subjekt si dhe aktorë të kësaj çfaqjeje të madhe nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perndim.  Për të qenë i sinqert me ju, por edhe me autorin e librit, dua të theksoj se në këtë punë të madhe e të domosdoshme, pati edhe gabime e teprime, por nuk është objekt i këtij takimi, se ato janë të papërfillshme, para domosdoshmërisë dhe vlerave që ka fortifikimi.  Unë dua të vlerësojë dhe komplimentoj seriozisht Zotin Hysen Qendro, pasi ia vlerësoj në maksimum mendimet dhe përpjekjet që ka bërë, për të justifikuar në mënyrë shkencore këtë hap të madh në favor të Teatrit të Veprimeve Luftarake. Ne jemi tepër të kënaqur se kemi pasur në radhët tona një ushtarak të rrallë, me cilësi e virtyte të admirueshme, Doktorin e Shkencave Ushtarake, autorin e dy librave të rëndësishëm, vëllime e tregime për ushtrinë etj, etj.. Unë kam qenë me fat, që kam punuar 5 vjetë me Hysenin në Shtabin Epror të Ushtrisë, dhe më vonë, ai kaloi Sekretar personal i Strategut Ushtarak të të gjitha kohërave- Mehmet Shehut.

 

Ismail Shulku: Libër me interes kombëtar

Image result for ismail shulku

Ndjehem shumë i gëzuar që më jepet mundësia të flas këtu para jush e të jap disa mendime për librin e dytë të shokut e mikut tim, kolonel Hysen Qendros:”Po me fortifikimin ç’patën!”. Unë u ndjeva i vlerësuar, që Hyseni ma besoi mua të bëja parathënjen e këtij libri. Por, pse ta fsheh, mora mbi vete përgjegjësi dhe pasi e lexova disa herë dorëshkrimin, mbajta shënimet e nevojshme dhe fillova nga puna. Për Hysenin ky nuk është libri i parë, ai në vitin 2015 botoi librin:”Mehmet Shehu- Reformator i Ushtrisë Shqiptare”. Hyseni, me kurajo e guxim vendosi të shkruaj mbi veprimtarinë ushtarake të Mehmet Shehut, të bëj vlerësime e të shkruaj të gjitha kujtimet e tij, mbasi kishte punuar për një kohë të gjatë si sekretar personal i Mehmet Shehut. Por, jo çdo njeri mundet të shkruaj për atë personalitet të jashtëzakonshëm të historisë sonë kombëtare, të atij strategu ushtarak që ka dominuar jetën politiko-ushtarake të vendit. Këtë përgjegjësi të lartë e mori Hysen Qendro, i cili mundi t’i jepte armatës së ushtarakëve një libër të shkëlqyer. Të gjithë e vlerësuan pa masë punën e shkencore të Hysenit. Ndaj edhe sot dua ta përshëndes këtu para jush, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë.

Hyseni është një personalitet ushtarak me një karierë brilante dhe me njohuri të thella në fushën e ushtrisë e të mbrojtjes. Me duart e tij të arta ai ka bërë planizimin luftarak të ushtrisë, duke kontribuar në reformimin e saj, nën drejtimin e strategut të madh, Mehmet Shehut. Me nivelin e një ushtaraku akademik, në shkrimet e tij, ka guxuar të kap çështje me interes kombëtar, që kanë vlera jo vetëm historike, por edhe aktuale. Në librin që promovohet sot autori këmbëngul të argumentojë në pikëpamje ushtarake domosdoshmërinë e fortifikimit dhe lidhjes së ngushtë të tij me kërkesat e luftimit dhe të operacionit mbrojtës. Unë, por besoj që edhe ju, e mbështesim autorin plotësisht, sepse ne jemi vet pjesëmarrës në atë vepër të madhe të mbrojtjes së vendit. Pra, jemi objekt dhe subjekt të kësaj pune, të fortifikimit të vendit.

Libri ka katër kapituj (kre). Në kreun e parë flitet për domosdoshmërine e fortifikimit të mbrojtjes sonë. Hyseni, si bashkëkohës i përgatitjes të teatrit të veprimeve luftarake, në libër çfaq mendimet dhe vlerësimet e tij për fortifikimin, duke e parë nga këndvështrimi i kërkesave të luftimit dhe operacioneve mbrojtëse. Autori argumenton se vendi ynë i vogël, me numër të kufizuar forcash e mjetesh, e ka të domosdoshme përgatitjen e vendit që në kohë paqejeje, duke i fortifikuar të gjithë pozicionet, rajonet dhe brezat e mbrojtjes. Me shumë interes në këtë kapitull është analiza që i bënë autori, eksperimentit për të matur qëndrueshmërinë e qendrave të zjarrit. Këto qendra zjarri i u nënështruanë 719 predhave, që u hodhën në rajonin e Delvinës, duke futur në to edhe kafshë të ndryshme. Në kapitullin e dytë autori jep tabllo të plotë për fortifikimin në luftrat e kaluara, madje e ka filluar që nga Aleksandri i Madh i Maqedonisë e Jul Çezari. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe më parë, veprimet e ndryshme të të gjitha ushtrive janë ndeshur në rajone e vija të fortifikuara, disa të njohura edhe për ne. Vija “Marzhino” e ndërtuar nga francezët në vitin 1929-1936, rreth 700 km, ku për ta marrë at, trupat gjermane, futën një korparmatë dhe nuk patën sukses. Vija “Manrehejem” e ndërtuar nga finlandezët në një front 100-110 km. Për ta thyer këtë vijë, sovjetikët futën në luftim 20 divizionë. Vija “Zig-Frid”, e ndërtuar në vitin 1945 nga Gjermanët, bëri që të ndalonin mësymjen e forcave Anglo-Amerikane… Në libër, autori përmend edhe Murin e Madh Kinez, ndërtuar në vitin 206 para Erës sonë. Gjatësia e kësaj fortifikate arrin rreth 900 km.

Po kështu në libër theksohet puna e madhe e bërë në kohën e Skënderbeut për ndërtimin e shumë kalave, në disa drejtime strategjike të vendit. Pra, mbi këtë bazë dhe këto përvoja, u pa dhe u ndërtua strtegjia e fortifikimit, të gjithë teritorit të veprimeve ushtarake të vendit tonë.

Në kreun e tretë autori shtron me të drejtë pyetjen: Ç’duhet bërë? Në këtë kapitull shprehet dukshëm mungesa e kujdesit nga organet shtetërore e veçanrisht nga institucionet ushtarake për fortifikimin.           Autori sjell fakte të shkatërrimeve që u janë bërë objekteve fortifikuese. Edhe në këtë çështje jam i një mendimi me autorin, edhe për masat që duhen marrë nga institucionet shtetërore. Në kreun e fundit flitet për format e luftës së sotme dhe rolin e fortifikimit. Si përfundim mendoj se ky libër është nga më të arrirët në trajtimin ushtarako-shkencor të fortifikimit. Ka edhe autorë të tjerë që kanë shkruar artikuj dhe libra, por materiali i këtij libri, përmban një formë të plotë të çështjeve të fortifikimit.  Libri flet për njohuritë e gjera ushtarake të autorit, punës studiuese që ai ka bërë, për aftësitë letraro-artistike të tij, për t’ia përciell bukur lexuesit. Në të dy librat e këtij autori, stili i tij është konçiz e mjaft i kuptueshëm, me fraza të plota e të drejtpërdrejta. Autori përciell mesazhe të rëndësishme tek lexuesi për temën që ai trajton. Gjithashtu ai dallohet edhe për përshkrimet e bukura të mjedisit në shëmbujt që sjell nga stërvitjet eksperimentale dhe objektet konkrete, që përmenden në libër. Po kështu, në libër vërehet lidhja organike që ekziston ndërmjet katër kapitujve. Kalimi nga kapitulli i parë deri tek i katërti, bëhet në mënyrë harmonike e të pashkëputur. Së fundmi, falenderoj edhe një herë Zotin Hysen Qendro për informacionin e gjerë që na jep në këtë libër, për vlerat ushtarake, historike, artiktekturore dhe aktuale të fortifikimit.

 

Nevruz Sako: Shkatërrimi i fortifikimit, fuerje për popullin dhe ushtarakët

Image result for nevruz sako

 

Libri i zotit Hysen Qendro ka një titull shumë intrigues, që të shtyn, të nxit që këtë titull ta përdorësh si pyetje për çdo sektor, jo vetëm të ushtrisë dhe të mbrojtjes, por për çdo fushë të jetës në Shqipëri. Vet titulli të jep idenë se për fortifikimin është bërë një dëm i pallogaritshëm i vlerave të punës, ndërtimit dhe harxhimit, që populli ka bërë për fortifikimin. Në këtë libër janë trajtuar dhe analizuar vlerat dhe rëndësia e fortifikimit në pikpamjen e taktikës së luftimit dhe të strategjisë së mbrojtjes së vendit tonë. Libri ka një bazë të mirëfilltë shkencore, sepse është bazuar në shkencën ushtarake dhe Artin Ushtarak  Shqiptar të luftës në kohën e sotme, për mbrojtjen e Shqipërisë, jo vetëm kaq, por ky libër është bazuar  edhe në përvojën e përdorimit të fortifikimit në luftrat e popullit shqiptar dhe të popujve të botës.  Vlerat, rëndësia dhe domosdoshmëria e fortifikimit në luftën e sotme janë trajtuar në mënyrë shkencore, gjë që tregon se autori është njohës shumë i mirë i shkencës dhe Artit Ushtarak Shqiptar, është një teoricien ushtarak i nivelit të kohëve moderrne. Duke lexuar këtë libër, çdo ushtaraku dhe më gjerë i lind pyetja: përse e shkatërruan fortifikimin dhe ushtrinë?  Jo, jo “ushtrinë e transformuan” dhe e “moderrnizuan”, do të thonë, teoricienët e shkatërrimit të FA. Por mua nuk më duket “moderrnizim” i ushtrisë kur ka forca tokësore pa ashnjë rezervist, dhe nuk ka as forca ajrore dhe as detare. Ushtria sot këto i ka në letër, por në praktikë nuk ka as tanke, as artileri e avjonë luftarak dhe as anije luftarake dhe nuk ka as fortifikim të gatshëm, sot kemi vetëm terrenin, që mund ta shfrytëzojmë në kohë lufte, sepse edhe tokën e kanë shitur dhe shkatërruar banditët e politikës dhe të ekonomisë… Këtyre pyetjeve, unë nuk jam i aftë t’u përgjigjem plotësisht, por do të shpreh mendimin tim, bazuar në shqetësimin që ka ngritur autori, dhe nevojën e ruajtjes e mirëmbajtjes së fortifikimit.

  1. Shkatërrimi i fortifikimit, ashtu si dhe gjithë veprave të tjera ekonomike e sociale, historike, shkencore dhe artistike e kulturore e ka bazën tek mohimi dhe zerimi i çdo gjëje të sistemit të mëparshëm, duke filluar që nga mohimi dhe shtrembërimi i LANÇ-it të popullit shqiptar. Jemi të gjithë dëshmitarë të periudhës 25 vjeçare ku, për çdo gjë flasin politikanët dhe politika e ditës, flasin ca analistë dhe gazetarucë, duke u hequr si specialistë për çdo fushë. Edhe për fortifikimin flasin dhe vlerësojnë ata që nuk kanë haber as nga ushtria, apo mbrojtja e siguria, dhe as nga fortifikimi e arti ushtarak i luftës së sotme.
  2. Politizimi i tejskajshëm i çdo gjëje të trashëguar nga e kaluara ka bërë që të shkatërrohen jo vetëm struktura dhe organizimi shtetëror dhe politika e ideologjija e kaluar (gjë për të cilën ushtarakët dhanë kontributin e tyre, duke pranuar sakrificat përkatëse, të hedhjes në rrugë pa bukë e pa punë), por edhe veprat ushtarake dhe ekonomike, psh: Ç’patën me ato vepra industriale, uzinat e fabrikat, që ishin moderrne e të nivelit të kohës? Po me vreshtat, po me sistemin ujitës dhe vaditjes ç’patën?! Ato ishin mundi, djersa dhe gjaku i popullit dhe pasuria e tij. Po me veprat historike, artistike, kulturore etj ç’patën? Për të gjitha këto, seicili nga ju dhe çdo ushtarak shqiptar është i ndërgjegjshëm, që me përmbysjen e sistemit të vjetër, duheshin mohuar shumë gjëra, siç u mohuan, por jo gjithçka, që ishte ndërtuar me gjakun, djersën dhe mundin e popullit, me pasurinë e tij; jo çdo gjë e krijuar në atë sistem duhej shkatërruar dhe mohuar.
  1. Kjo ndodhi sepse forcat përparimtare, intelektualët e çdo fushe, kështu edhe ushtarakët, nuk u përballën me forcat dhe trashgimtarët e atyreve që u bënë bashkëpunëtorë të pushtuesëve të Shqipërisë, të cilët në periudhën e demokracisë morën pushtetin dhe qeverisën Shqipërinë, duke përçarë, duke shkatërruar dhe vjedhur pasurinë e popullit dhe të ushtrisë. Këto 25 vjetë kanë qeverisur hajdutët, që janë trashgimtarë të forcave regresive, që në kohën e LANÇ-it, dhe një pjesë e pinjollëve të nomeklaturës së kuqe. Këta të fundit kanë zbatuar udhëzimet e Ramiz Alisë, që solli nga Katovica, me idenë që do ta ndryshojmë dhe transformojmë sistemin dhe do ta mbajmë po neve pushtetin dhe do të jemi ne  klasa kapitaliste e Shqipërisë…
  2. Heshtja e ushtarakëve, organizimi i tyre i dobët dhe jo funksional, për të mbrojtur vlerat dhe dinjitetin e ushtarakut, vlerat e veprave të ushtrisë nga vjedhja, shitja dhe pasurimi i hajdutëve politik dhe ekonomik, i favorizoi këto veprime dhe në librin e Hysenit ato shprehen me keqardhjen, dhimbjen dhe fyerjen që ai përjeton për këto fenomene. Në librin e zotit Hysen Qendro trajtohet idea që: fortifikimi është një masë e pazëvendësueshme për ruajtjen e mjeteve dhe armatimit luftarak, për mbrojtjen e ekonomisë dhe prodhimit, për sigurimin e mbijetesës së popullit në kohë lufte etj. Ndërsa për të garantuar dhe mbrojtur vlerat historike të fortifikimit, vlerat turistike e kulturore, vlerat si trashgimi e nivelit shkencor të ndërtimit të veprave mbrojtëse fortifikuese, duhet të flasin shkencëtarët dhe intelektualët ushtarak.

Veprat mbrojtëse fortifikuese janë ndërtuar duke u bazuar në shkencat e ndërtimit dhe konstruksioneve inxhierike të ndërtimit me cilësi të lartë. Ju e dini që marka e çimentos ishte 500-ndëshe dhe hekuri i cilësisë më të mirë dhe jo si ndërtimet e zakonëshme. Fortifikimi është bazuar në shkencën e gjeologjisë dhe shtresëzimeve të tokës, në shkencën e hidrollogjisë etj. Zoti Hysen me këtë libër thekson dhe argumenton domosdoshmërinë e fortifikimit duke analizuar atë jo vetëm si elementin kryesor të sigurimit dhe ruajtjes së forcave, armatimit dhe vetë popullit e ekonomisë, për arritjen e fitores në luftimin mbrojtës për vendin tonë, por ai e trajton atë shkencërisht si element të domosedoshëm të rritjes së efikasitetit të shfrytëzimit të terrenit në luftë, si një nga tre elementët objektiv të zhvillimit të luftës në çdo kohë. Në libër del qartë, me gjuhë të thjeshtë, dhe të kuptueshme vlera e fortifikimit dhe lidhjes së tij me terrenin, për sigurimin, rritjen dhe forcimin e gjendjes morale – psikologjike e shoqërore të luftëtarëve dhe popullit në luftë. Besimi që ngjall fortifikimi për sigurimin dhe ruajtjen e jetës së ushtarit e të popullit, rrit gjendjen dhe qendrueshmërinë psikologjike dhe morale të tyre. Vlerat ushtarake dhe shkencore të fortifikimit analizohen dhe evidentohen duke krijuar bindje për domosdoshmërinë e objekteve fortifikuese. Në këtë libër të zotit Hysen jepen shembuj konkret të eksperimenteve ku janë përdorur forca, mjete e armatim si në luftë. Aty gjen llogari matematikore ku argumentohet zbatimi i shkencës ushtarake të luftës në fushën e betejës, me llogarinë e sasisë së predhave para vijës së parë të mbrojtjes. Në këto çështje autori i referohet edhe përvojës dhe fakteve nga koha e Luftës së Parë e të Dytë Botërore si dhe luftrave në vendet e ndryshme, deri në ditët e sotme. Çdo njeri që do të lexojë këtë libër, sidomos ushtarakët, do të bashkohen me indinjatën e dhimbjen që ndjen autori i librit, kur analizon gjendjen e fortifikimit, shkatërrimin dhe grabitjen e objekteve ushtarake fortifikuese. Ky libër të bën të mendosh dhe reflektosh, por edhe të ligështon, kur mendon se sa sakrifica, sa mund, djersë e gjak është harxhuar nga ushtarakët në ndërtimin e këtij fortifikimi, që antishqiptarët e shkatërruan dhe hajdutërit i vodhën hekurin për skrap…

Puna vetmohuese e kuadrove dhe ushtarëve për fortifikimin, oraret e zgjatura të punës, kushtet e vështira, të punës e jetesës në fortifikim, të bëjnë të mendosh e të reflektosh. Po bashkë me to edhe sakrificat e familjeve të oficerëve që mungonin në jetën familjare, dhe sidomos të fëmijëve. Të gjitha këto etj, të shkaktojnë fyerje kur sheh që janë shkatërruar dhe ca më shumë dëgjon politikanët  dhe, disa pseudo-intelektual dhe gazetarë, që shprehen: ” E, ç’na duhet ky fortifikim, ka qenë harxhim i kotë dhe sot nuk na duhet se na mbrojnë aleatët…”! Harrojnë këta, (dhe disa e bëjnë me qëllim) se historia e Shqipërisë është histori luftrash, luftë e popullit për të mbrojtur trojet tona. Harrojnë këta se fqinjët tanë gjeografik dhe historik, në periudhën e sistemit socialist, nuk ishin aq shumë kundër sistemit se sa kishin dhe kanë qëllime pushtuese e aneksuese ndaj vendit tone… (Siç i kanë pasur ndër shekuj e jo vetëm për 40 vitet e socializmit…).

Mohimi dhe shkatërrimi i fortifikimit si edhe shkatërrimi i ushtrisë dhe mbrojtjes është një fyerje e madhe për popullin dhe sidomos për ushtarakët. Gjatë gjithë historisë, në çdo sistem, lirinë dhe pavarsinë e Shqipërisë, duke u betuar solemnisht se do të jap edhe jetën për mbrojtjen e tyre, gjë që nuk e bënë asnjë qytetar e profesion tjetër. Për këtë ushtaraku ka një pozitë kushtetuese mbi bazën e të cilës ai pranon privimin e limitimin e të drejtave humane dhe liritë themelore të njeriut, e të ushtarakut. Duke përfunduar, dua të theksoj se libri i Hysenit,”Po me fortifikimin ç’patën!”, është një libër  që ka shumë vlera, të cilat u mundova t’i trajtoja, por jam i bindur se jo plotësisht, më sipër. Zoti Hysen nuk ndalet vetëm në analiza e përshkrime të fakteve dhe argumenteve. Ai duke ngritur shqetësimin për shkatërrimin, por edhe domosdoshmërine fortifikimit për mbrojtjen e vendit, nxjerrë konkluzione dhe jep ide se çfarë duhet bërë në të ardhmen, ku:

Së pari, del ideja që efektivat e ushtrisë duhet ta njohin e studjojnë fortifikimin ekzistues me qëllim që të kuptojnë përse duhet lidhur me artin e luftimit.

Së dyti, efektivat aktive duhet ta ruajnë nga shkatërrimi i mëtejshëm, si dhe ta riparojnë e mirëmbajnë. Dhe përsenë e kësaj pune e gjejnë në luftën e Kosovës kundër serbëve. Ne jemi dëshmitarë të punës që bëri ushtrija jonë dhe populli në zonën kufitare me ushtrinë serbe, për pastrimin dhe riparimin e objekteve fortifikuese. Për këtë, ata duhet ta ngrenë zërin, që zonja Kodheli e kushdo që bëhet Ministër i Mbrojtjes, të mos e dërgojnë ushtrinë të bëjë pastrimin e territorit nga plehrat dhe qeset në plazhe, por ta vëri në punë për mirëmbajtjen e objekteve të ushtrisë e të mbrojtjes.

Së treti, ky libër ka edhe një vlerë të madhe përdorimi, sepse duhet t’u shërbej efektivave si manual për të njohur konceptet taktike dhe operative të vendosjes së objekteve fortifikuese, të cilat lidhen me rëndësinë dhe drejtimet taktike, operative e strategjike të mësymjes së armikut dhe mbrojtjes sonë. Në përfundim dua ta falenderoj zotin Hysen që ma besoi këtë detyrë, dhe ashtu siç shprehet ai, edhe unë e ndjej vehten krenar dhe i vlerësuar, që i kam shërbyer vendit tim, popullit shqiptar dhe mbrojtjes së tyre duke kryer detyrat ushtarake në profesionin e oficerit të ushtrisë shqiptare.

 

Kujtim Çako: Një botim sa historik, aq edhe aktual

Image result for kujtim cako

Edhe unë përshëndes këtë promovim të librit me titull intrigues, shkruar me një pyetje retorike deri-diku: “Po me fortifikimin ç’patën!”, organizuar nga autori dhe kryesia e shoqatës, “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH). Doktori i Shkencave Ushtarake Hysen Qendro, si intelektual, akademik dhe ushtarak karriere, paraqitet sot, si autor i një botimi të ri, me karakter sa historik aq edhe aktual. Autori i mirënjohur, kryesisht nga publiku dhe lexuesi ushatrak, ka realizuar një botim të ri sa shkencor aq edhe larg politizimeve të kohës. Lexuesi dhe aq më tepër çdo studjues shqiptar mundet dhe duhet të arrijë disa konkluzione: Së pari, mendoj se, kemi të bëjmë me diçka më tepër se sa një promovim libri, me një aktivitet, sa të vogël aq dhe të rëndësishëm, që merr përmasa të një sesioni shkencor. Në librin “Po me fortifikimin ç’patën!”, me vërtetësi dhe analizë objektive autori shpalos vlera jo vetëm historike, por edhe aktuale për të tashmen dhe me prirje, pse jo edhe për të ardhmen. Libri është një sintezë, relativisht e vogël në fushën e fortifikimit, ndoshta nga volumi dhe nga tirazhi, por duhet thënë se fletë shumë për një realitet të deformuar me një politizim të skajshëm dhe të dëmtuar nga politika gjatë tranzicionit shqiptar. Së dyti, fortifikimi si element mbrojtës, është trajtuar si domosdoshmëri në tërë historinë njerëzore nga antikiteti deri në kohrat moderrne. Informacioni në literaturën shqiptare, për fortifikimet, ka qenë i mangët për botën antike ilire. Kjo ka ardhur jo vetëm nga mungesa e materialit dhe e gërmimeve arkeologjike, por kryesisht nga metodologjia e gabuar shkencore, që mbështetej në teorinë e “importimit të fenomeneve kulturore”. Vendbanimi i fortifikuar dhe tipari më dallues i ndërtimeve mbrojtëse ilire, janë muret e fuqishme të ndërtuara me gurë të mëdhenj të palatuar, ku trashësia e tyre ishte 2-4 m, ndërsa lartësia mbi 4 m. Fortifikimet  vendoseshin gjithmonë në pika strategjike, pranë rrugëve natyrore dhe luginave, që përshkojnë territorin e vendit tonë, apo të krahinave  të tjera të banuara dikur  nga ilirët. Vendbanimet e mbrojtura, ishin me shumë mure rrethuese, si një tipar karakteristik për fortifikimet e hershme ilire. Pushtimi romak ndërpreu, për një kohë, zhvillimin normal të jetës ekonomike, politike dhe kulturore të Ilirisë. U rrënuan një numër i madh qytetesh të fortifikuara dhe kështjellash, sidomos në Epir. Fortifikimet kufizohen vetëm në disa nga qytetet kryesore të bregdetit, si Butrint, Apoloni, Durrës, Lezhë etj.

Për fortifikimet mesjetare, studimet në të kaluarën janë jo vetëm të pakta, por edhe trajtimet  me mungesë kompetence. Natyrisht për faktin e kronologjisë para kohëve moderne të njerëzimit i takon të flitet konçiz, për ndërtimin e objekteve fortifikues, riparim-mirëmbajtje dhe deri përdorimin për qëllime turistike në kohën e sotme. Së treti, fortifikimet e shek.XVIII-XIX, – një faktor mbrojtës e fuqizimi të pashallëqeve të mëdha shqiptare. Një shëmbull i veçantë në kohën e Ali Pashë Tepelenës- i mbiquajtur Luani i Janinës dhe Bonoparti musliman i Ballkanit. Trajtimi i shkurtër i këtyre fortifikimeve si paraardhëse të kohëve moderrne, zë vend në planin historike.

Në kohën e pashallëqeve shqiptare, u dallua për ngritje fortifikimesh Ali Pashë Tepelena, i cili nga fundi i sundimit të tij, mundi të krijojë një shtet, thuajse të pavarur, me kryeqendër Janinën, që përfshinte Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut dhe zinte një pjesë të tokave të Maqedonisë e të Greqisë. Ai ndërtoi, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, mjaft fortifikata mbrojtëse, si në Janinë, Prevezë, Artë, Sul etj. Aliu ndërtoi shumë fortifikime brenda territorit të sotëm të Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme, si në Tepelenë, Gjirokastër, Shën-Triadhë, Butrint, Mahalla, Libohovë, Shën-Vasi, Porto-Palermo dhe Berat. Ndërtimet ushtarake të kësaj kohe u rezistuan rrethimeve dhe sulmeve të egra të pushtuesve osmanë. Ndërtimet mbrojtëse janë parë, kryesisht në pikëpamje ushtarake, si fortesa, pa u lënë mënjanë teknika e ndërimit. Ndërtimet mbrojtëse të shek.XVIII-XIX zenë vendin më të rëndësishëm, për çdo qytet në të tri pashallëqet e mëdha shqiptare. Ndërtimet e periudhës së pashallëqeve, psh në kalanë e Beratit, konsistojnë përveçse në riparimin e mureve dhe në ndërtimin e parapetave me frëngji, në oborrin e fortifikuar, pranë hyrjes kryesore, në ndërtimin e disa kullave dhe në hapjen e ndonjë frëngjie për topa gjatë murit rrethues. Midis pashallëqeve, për ngritjen e fortifikatave, zë vend të veçantë Ali pashë Tepelena. Qëllimi i tij, në ndërtimin e një rrjeti të tërë fortifikimesh në territorin e sunduar, ishte jo vetëm zhdukja e anarkisë feudale dhe sundimi i plotë i vendit, por edhe krijimi i një shteti të pavarur shqiptar, ku të përfshihej edhe Shqipëria Veriore. Në ndërtimet e tjera Aliu u vuri rëndësi të veçantë fortifikimeve dhe nxitoi të ndërtonte një sistem të tërë kështjellash dhe kullash të veçuara, pasi parashikonte një konflikt të armatosur me Turqinë. Kështjellat e tij janë ngritur në pika të rëndësishme strategjike, pranë rrugëve nga mund të kalonte ushtria turke si dhe në qytetet dhe portet kryesore, duke krijuar një rajon tepër të fortifikuar. Në ndërtimet e tij ushtarake Aliu përdori një numër të madh arkitektësh dhe inxhinierësh të huaj: francezë dhe italianë, por në krye të punimeve, nga viti 1800 deri rreth 1812-ës, qëndronte Petro Korçari, një mjeshtër shqiptar.

Fortifikimet e Ali Pash Tepelenës qëndojnë larg sistemit francez, me bastione. Ai u mbështet në fuqinë e zjarrit të artilerisë, që nuk do të lejonte vendosjen në afërsi të baterive të armikut. Kështu mund të shpjegohet pajisja me 400 topa e kalasë së Janinës dhe me rreth 80 topa e kalasë së Gjirokastrës. Në shumicën e ndërtimeve të kështjellave, Ali Pasha, u kushtonte vëmëndje, jo vetëm qëllimeve utilitare dhe qëndrueshmërisë, por edhe përsosurisë estetike, me të cilën synonte të shprehte ndjenjën e madhështisë e të pushtetit. Kjo ide e Ali Pashës, ka mbisunduar në ndërtimin e disa kështjellave. 1). Së katërti, Shqipëria veç të tjerave, ka  edhe historinë e saj të fortifikimit të vendit gjatë periudhës së socializmit. Ky sistem mbrojtës është objekt i këtij punimi serioz shkruar nga autori, Hysen Qendro, me një vërtetësi historike, me rigorozitet të shkencës dhe artit ushtarak të kohës. Është fakt historik, që në vitin 1971 Plenumi i 12 i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Tiranë diskutoi dhe vendosi për “fortifikimin e vendit”. Ky projekt i madh nga pikëpamja e vlerave mbrojtëse, efektivitetit mbrojtës dhe rëndësis ushtarake, peshës buxhetore të kohës, pati ideator kryeministrin, Mehmet Shehun. Ky ishte strategu i mbrojtjes të fortifikuar të vendit. Fortifikimi u realizua nga një grup specialistësh të Ministrisë së Mbrojtjes si, Mendu Backa, “Hero i Punës Socialiste”- zv-ministër i mbrojtjes për fortifikimin dhe nga një organizëm i veçant, duke filluar nga Drejtoria e Fortifikimit në aparatin e MM dhe tërë hallkat e specialistëve në njësit e repartet ushtarake.

Në literaturën e sotme ushtarake dhe civile njihet se modeli shqiptar i bunkerëve u projektua dhe u realizua pas një analize të sistemeve mbrojtëse të luftrave të shekullit XX-të, që nga vija Marzhino deri te lufta në Vietnam. Objektet fortifikuese mbrojtëse shqiptare ishin të aftë të përballonin të gjitha  armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton. Prova e parë e tyre u krye në vitin 1975 në grykën e Këlcyrës dhe prova e dytë u krye ne Peldhja të Sarandës në vitin 1976. Ja një konkluzion i qart mbas një analize të argumentuar të autorit të librit: “Fortifikimi i ndërtuar në vendin tonë përballon në një masë të madhe jo vetëm goditjen e kundërshtarit me armët konvecionale, por edhe nga armët e dëmtimit në masë. Objektet fortifikuese ishin të shumëllojshme. Siç ishin edhe llojet e armëve e të shërbimeve, për të siguruar mbrojtjen vetjake dhe  të përbashkët të luftëtarëve dhe të popullatës së paaftë për luftë”. 2) Në prononcime dhe botime të medies së shkruar dhe elektronike, krahas kritikës së fortifikimit të vendit gjatë socializmit, vërehen pikëpamje të gabuara, pa asnjë argument dhe pa asnjë  koncept ushtarak mbi mbrojtjen, si dhe analiza bajate tepër të politizuara, sipas interesave partiake. Ka patur edhe mjaftë deformime të konceptit të fortifikimit të vendit dhe disinformime për realitetin e ndodhur, apo shifra propagandistike fallco e të tjera opinione të gabuara, pa  asnjë korrektesë dokumentare, shkencore e kohore. “Gjatë regjimit komunist në Shqipëri janë “mbjellë” 168.000 bunkerë dhe të gjithë ishin testuar”.  3) Tashmë, që shkatërrimi ose riciklimi i bunkerëve është rritur dhe vendi është duke fshirë në mënyrë aktive të shkuarën e tij, puna e Dobruckes (fotografe polake) ndoshta mund të jetë kujtimi i fundit i shumë prej këtyre bunkerëve”. 4) Dhe më tej në një shkrim online theksohet: “Shqipëria, fshatrat dhe plazhet, jo më pak se qytetet, janë të mbushura me bunkerë në formë kërpudhe, prej të cilave më shumë se 750.000 u ndërtuan midis viteve 1967 dhe 1986.  5) Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Kostaq Karoli, në shtypin e kohës deklaron se u ndërtuan rreth 176.000 qendra zjarri. Në shtypin mbas viteve 2000 e në vazhdim jepen shifra të ndryshme, psh diku 360.000 deri 750.000 qendra zjarri, siç shihet me shifra të fryra dhe të pabesueshme. Ky deformim i realitetit bëhet, ose nga mungesa e informacionit, ose me qëllime spekulative politike, si: “Çmenduria e diktaturës dhe diktatorit, rrezik ireal dhe imagjinar i kohës, vdekje të konsiderueshme njerëzore gjatë punimeve fortifikuese, shpenzime të mëdha dhe pa kuptim, etj, etj”. Psh, ja si shkruhet për objektet fortifikuese-mbrojtëse edhe në artikujt e këtij viti: “Ata ishin një mit i mbrojtjes nga një rrezik imagjinar dhe janë sot një kujtesë e makthshme, e gjithë atyre që me shumë mund, arritën të bëjnë realitet një perde të hekurt, që diktatura komuniste përqarkonte vijat imagjinare të mbrojtjes.  Një pasuri e paçmim u derdh për të bërë reale atë kala të pakalueshme.”  6) Tranzicioni i tejzgjatur shqiptar i solli demokracinë vendit tonë, por edhe disa pasoja negative, sipas tezës së shkatërrimit, “terapisë së shokut”, si:

  1. Shkatërrimin e një pasurie të konsiderueshme kombëtare, e cila mund të konservohej për qëllime rikuperimi, riciklimi dhe fitimprurëse, si armatim-municioni dhe teknika luftarake: avion, anije, tanke, teknikë radioaktive etj, objekte ndërtimi.
  2. Shkatërrimin e industrisë, fabrikave, uzinave, ndërmarrjeve të sektorit ushtarak dhe civil.
  3. Emigrimin masiv të popullit.
  4. Vjedhjen e popullit nga firmat piramidale….
  5. Shkatërrimin e bunkerëve me një kosto të lartë (ndërtimi dhe shkatërrimi).

Shkatërrimi i objekteve fortifikuese mbrojtëse duhej bërë ose jo, kur dëshmia e objekteve të mesjetës vjen e gjallë deri në ditët tona? Përgjigjen e kësaj pyetjeje retorike e jep, sadopak, përvoja e vendeve perëndimore, si vepruan këto, psh mbas mbarimit të luftrave të ndryshme lokale dhe botërore. Ky vlerësim objektiv i një specialisti ushtarak ka vend të analizohet dhe të konkludohet edhe sot në kushte të reja gjeostrategjike si vend anëtar i NATO-s. Edhe unë, duke qenë bashkëpunëtor, bashkëkohës i asaj periudhe me autorin e librit dhe sidomos me ish zv-ministrin e mbrojtjes Bajram Mana, mund të shprehem pozitivisht për punimin e shprehur sot për promovim. Këtë privilegj ma jepë edhe qenia bashkautor i disa librave, njëkohësisht tekste mësimore të Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve. Mundet të them se, çdo objekt fortifikues mbrojtës në vite, iu nënështrua edhe një administrimi të rreptë rigoroz dhe të kodifikuar sekret, në Drejtorinë Operative.    Njëkohësisht është vendosur nga Drejtoria e Financës e MM dhe MF për herë të parë tregues ekonomiko-financiar në fortifikim si: koston, kontrollin bankar dhe financiar për çdo objekt fortifikues-mbrojtës.  7) Ja cila është përgjigjja “kristal” e autorit të librit: “Fortifikimi i ndërtuar sipas pozicioneve, rajoneve       dhe brezave tanë të mrojtjes, ka kushtuar vlera të konsiderueshme ekonomike dhe ka angazhuar fuqi të madhe njerëzore për një periudhë dhjetëvjeçare, edhe atje ku u ndërtua nuk cënon asgjë, përku  ndrazi, është një dëshmi e kohës dhe po të ruhet e mirëmbahet do të jetë i gatshëm për çdo rast.”   8)

Tendenca e intensitetit të zhvillimit të fortifikimit në 5-vjeçarin ’86-90 u zerua, si punime dhe shpenzime në buxhetin e Ushtrisë. Pikërisht shkurtimi i këtyre fondeve u rishpërnda duke u planifikuar të përdoreshin më vonë për qëllime dhe sektorë të tjerë.

Siç dihet, në 3 Korrik 1991 në Parlamentin e parë pluralist në Shqipëri u miratua ligji, që nuk u zbatua fare për rreth 6 vjet. Ky ishte për statusin, i pari në vend, që i takonte profesionit të vështirësisë, të rrezikshëm dhe të  veçantë të ushtarakut, që ruan edhe asnjanësinë politike dhe partiake. Duhet theksuar se efektet financiare të zbatimit të tij u mbuluan nga shkurtimi i fondeve, për mbajtjen e ushtrisë, si: ulja e kohës së shërbimit ushtarak të detyruar nga 24 muaj në 15 muaj fillimisht dhe nga zerimi i kuotave të fondeve të planifikuara për fortifikimin.

Së fundmi, Në këtë diskutim historiko-shkencor mund të paraqesim edhe disa mendime me qëllim plotësimi dhe përmirësimi me argumente shkencore, që po me bonsens edhe ish kuadro të larta të kohës, për t’u patur parasysh në një ribotim të mundshëm.

1-Autori si bashkëkohës dhe, në një pozicion të rëndësishëm detyre, u jep deridiku përgjigje realiste dhe historike perifrazimeve boshe dhe deformimeve të kohës në fushën e fortifikimit, që vijnë nga politika, si një rrebesh i egër kritikash ndaj së shkuarës.

2-Libri në tërësi dominohet nga vlerat pozitive që, brezi i ri dhe ata që do të vijnë, të njohin të vërtetat historike dhe t’i gjykojnë me objektivitet. Mundet që libri të ketë një shtrirje më të gjerë dhe më të plotë për të shërbyer  si material ndihmës historik, mësimor, arkivor dhe me vlera për institucionet ushtarake.

3-Të rekomandohet që çdo studjues duhet të shfrytëzojë përveç këtij libri edhe materiale të Arkivit të Ushtrisë;

4-Libri të pasurohet me referenca literature si botime ushtarake dhe civile të tjera si psh: “Pesmijë vjet fortifikime në Shqipëri” dhe shumë botime të tjera.

Literatura e përdorur:

  1. “Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri”, Karaiskaj, Gjerark, viti 1981;
  2. Dr. Hysen Qendro, “Po me fortifikimin ç’paten!;
  3. Alfred Moisiu, ish drejtor i përgjithshëm i fortifikimit, intervistë artikull online.
  4. Kërpudha të betonit: Reusimi (arritja e suksesit) i 750.000 bunkerëve të braktisur të Shqipërisë” (“Concrete Mushrooms: Reusing Albania’s 750.000 Abandoned Bunkers”) me autore Elian Stefa, Gyler Mydyti, Niku Alex Muçaj). viti 2011;
  5. “Kërpudha të betonit, Shqipëri, 2011” (Komisioni për eksperimentin EXD’11 Bienalen Arkikteturore në Lisbonë e kurrikuluar nga Joseph Grima. Dr. Thomas Frangenberg).
  6. Albert Vataj, “Bunkerët, si lindi miti i rrezikut dhe si u krijua perdja e papërshkueshme e mbrojtjes prej hekuri dhe betoni?” 3 prill 2017
  7. Dr. Kujtim Çako, autor i “Kontabiliteti Buxhetor në Njësi, Reparte dhe Institucione ushtarake” (viti 1988),

-“Kontroll-revizioni Ekonomik dhe Financiar në Ushtri” Viti 1989.

-“Udhëzime për Dokumentacionin Financiar e Kontabël në Njësi e reparte të Ushtrisë” (1982)

  1. Dr. Hysen Qendro, “(Po me fortifikimin ç’patën!”,viti 2017.

 

Albert Vataj: Bunkerët, si lindi miti i rrezikut dhe si u krijua perdja e papërshkueshme e mbrojtjes prej hekuri dhe betoni? (3 prill 2017)

 

Ata janë e shkuara, e cila nuk na lejon as të ndjehemi në faj, por as të krenohemi. Një e shkuar që gulçon në ato pak mbetje që kanë mbijetuar stuhisë së skrapit. Ata ishin një mit i mbrojtjes nga një rrezik imagjinar dhe janë sot një kujtesë e makthshme, e gjithë atyre që më shumë mundën, arritën të bëjnë realitet një perde të hekurt, që diktatura komuniste përqarkonte vijat imagjinare të mbrojtjes. Një pasuri e paçmim u derdh për të bërë reale atë kala të pakalueshme. Nuk u kursye asgjë: para, hekur, çimento, mund dhe sakrifica. “Parajsa” duhej të mbrohej me çdo çmim, edhe nëse këmbehej me ferrin e vetmohimit të atyre që do ta bënin realitet këtë ëndërr të diktatorit. Dikur, qendra zjarri kundër një armiku imagjinar dhe strehimore për topat e rëndë, sinonimi i fobisë së rrethimit nga armiqtë ” që na kishin në grykën e pushkës, dhe ne i kishim në grykën e topit”.

Në ato ngrehina prej hekuri dhe betoni, kanë derdhur djersë dhe gjak breza ushtarësh, ku ndër më “të devotshmit” ishin ata të xhenios, kontigjent i cili përbëhej nga rekrutë të familjeve “të prekura” dhe  atyre me “biografi të mirë”. Në këto kërpudha kanë “strukur” kokën artileria e rëndë, dhe ëndrra e Shqipërisë vigjilente që i druhej një rreziku, i cili më shumë se real ishte një propagandë betoni dhe hekuri. Në këto qendra strehimi, sa e sa manovra lufte imagjinare janë bërë, sa e sa “vullnete lirie” ushtarësh kanë mprehur syrin në shënjestër. Erdhën dhe ikën, gjithë ato breza ushtarësh dhe rezervistësh me ëndrrën e vrarë për tu bërë heronj të Shqipërisë komuniste, kësaj “Parajse socialiste” që ngrihej “si shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”. Sa e sa prej këtyre bunkerëve “etër” e “bij” të tyre anë e kënd Shqipërisë, përfunduan viktim të batërdisë së hekurit për skrap, u bënë pre e epikës së çbunkerizimit. Kishte nga ato syresh që mbajnë në gjoksin e kujtesës së tyre të akullt, hekuri dhe betoni, zjarre historish dashurie. Në vitin 1971 Plenumi i 12 i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Tiranë diskutoi dhe vendosi për “fortifikimin e vendit”. Arti Ushtarak Popullor parashikonte që e gjithë Shqipëria të stërvitej dhe armatosej për t’i bërë ballë armikut. Ideja e fortifikimit të vendit mbështetej  fort nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili u vendos vetë në vijën e parë së bashku me një grup specialistësh të talentuar siç ishin:  Mendu Backa, Alfred Moisiu (ish-President), Josif  Zegali etj. Modeli shqiptar i bunkerëve u realizua pasi u konsultuan të gjitha sistemet e mëparshme, që nga vija Marzhino deri tek lufta në Vietnam. Sipas literaturës së kohës, bunkerët shqiptarë ishin të aftë të përballonin të gjitha armët e kohës, por edhe armët kimike dhe bërthamore me fuqi deri në 20 kiloton.  Prodhimi i bunkerëve nisi menjëherë dhe prova e parë e tyre u krye në vitin 1995 në Grykën e Këlcyrës. Prova e dytë u krye në Peldhja të Sarandës në vitin 1976. Dhjetra specialistë xhenierë shqiptarë u nisën në Europë, kryesisht në Suedi, Francë dhe Itali, ku arritën të lidhin kontrata për blerjen e makinerive të prodhimit të çelikut dhe të betonit special. Në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore u krijua edhe posti i Zv-ministrit të fortifikimit. Sistemi i bunkerëve është bërë në mënyrë rrethore në mënyrë që të mbrohen nga njëri-tjetri përmes dy vijave mbrojtëse. I bindur se sulmi do të vinte nga Lindja, por edhe Perndimi, ai derdhi miliona dollarë në ndërtimin e rreth 750 mijë bunkerëve prej betoni dhe hekuri. Kur u projektuan për herë të parë këto struktura në formë kërpudhash, inxhinieri i tha Hoxhës se  është shumë i bindur se ato i rezistojnë një sulmi me tanke. Siç thotë historia, presidenti i tha inxhinierit të futej në bunker, ndërsa ai qëllohej me tank. Ai doli i paprekur prej aty dhe 20 vitet në vazhdim, deri në vdekjen e diktatorit në vitin 1985, bunkerët ishin ndërtuar virtualisht kudo. Sot ka pak a shumë një bunker për çdo katër shqiptarë. Shumë mendojnë se sasia e madhe e parave të përdorura për ndërtimin e këtyre strukturave mund të kishte shkuar për të zgjidhur problemin e strehimit në vend. Qindra njerëz vdiqën duke ndërtuar këto struktura. Pavarësisht jetgjatësisë së tyre. Pak bunkerë janë hequr, ndërsa shumë prej tyre janë ndryshkur apo dëmtuar, shumë janë në përdorim si depo apo si strehë për të pastrehët.

 

 

Shpendi Topollaj: Mbrojtjen e Atdheut  e kemi pasur dhe e kemi të shenjtë

 

Ndofta nuk ka vend më domethënës sesa ky që keni zgjedhur ju, për të promovuar librin e shokut tone, dr.shk. Hysen Qendro, për fortifikimin. Juve si ish ushtarakë, pa  tjetër që u kujtohen fjalët elokuente të Napoleon Bonapartit, drejtuar ushtarëve të tij para betejës në Egjipt: “Djema! Që lart këtyre piramidave dyzet shekuj na vështrojnë!” Duke i perifrazuar ato, edhe unë pa frikë mund të pohoj se ja vlen të diskutosh rreth një problemi të tillë, nën gjykimin dhe vështrimin hijerëndë të kalasë së Rozafatit, një qendër e fortifikuar që historiani latin nga Padova, Tit Livi e quante: “vendi më i fortë i labeatëve” dhe që historiani ynë Marin Barleti e vlerësonte, si: “roja, syri, forca e të gjithë mbretërisë, dera e detit Jon dhe e Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të krishterëve.” Falë këtij fortifikimi, dështoi me turp edhe përpjekja e parë e komandant Sulejmanit, pashait të Rumelisë, i cili e rrethoi Shkodrën në  Maj të 1474, pra para 543 vjetësh dhe iku pa lavdi nga trimëria e një grushti shkodranësh të prirë nga Andon Loredani. Ashtu sikurse ky fortifikim ua ruajti nderin dhe krenarinë edhe në betejat e mëpastajme.  Në shekuj historie, ne e kemi provuar avantazhin që të jep fortifikimi i vendit, sidomos kur ky vend është i vogël, dhe populli që banon në të është gjithashtu i vogël dhe paqësor. Por edhe zhvillimet e pafund të luftrave në botë e kanë vërtetuar rëndësinë e padiskutueshme të fortifikimit. Ai do të mbesë përjetësisht i domosdoshëm, për të mos thënë se me sofistikimin e armatimeve, roli i tij do të jetë gjithnjë në rritje.  Lufta e Dytë Botërore e vërtetoi fare qartë këtë, jo vetëm me pozicionet e hapura nga lopata këmbsore apo ajo xheniere, por edhe nga ndërtime tepër të kushtueshme të mbi e nëndheshme me beton arme të markave më të larta. Këto mësime dhe kjo përvojë, referuar koniukturave politike që sundonin aso kohe, por edhe duke u mbështetur në traditën tonë, u pa e arsyeshme që të planifikoheshin dhe zbatoheshin edhe nga ushtria e populli ynë. Ne vërtetë nuk kishim potencialet e shteteve të fuqishme si Gjermania, Franca, Suedia apo Bashkimi Sovjetik, që përballuan një fortifikim të pashëmbullt. Por, shpirti luftarak dhe dëshira për ta mbrojtur lirinë e atdheut tonë, bënë që me një mobilizim të pashoq të ngremë brenda një kohe relativisht të shkurtër, një sistem fortifikimi dinjitoz, i cili nga kushdo që ka haber nga arti ushtarak, nuk ka sesi të mos respektohet.  Ajo që e ka shqetësuar autorin Hysen Qendro është pikërisht ai shqetësim, që kemi të gjithë ne kuadrot e ushtrisë të atyre viteve: përse me ndërrimin e sistemit, ngriti kokë gjithë ai mllef e stigmatë edhe për fortifikimin e vendit. E përse duhej përbuzur e shkatërruar gjithçka kishim bërë me aq mund e aq sakrifica? Në rastin e librit të Hysenit për Vaterlonë e fortifikimit, vlen të sjellim në vëmendje citatin e Balzakut se: “Rrënimet  lejnë pas kujtime të vërteta dhe të pamohueshme”.

Tani që jemi aq pranë një kishe aq të njohur, pikërisht për këtë, m’u kujtua edhe mua shprehja e romakëve të kohës së Papa Urbanit të VIII, Mafeo Barberini, nga veprimi i të cilit për heqjen e llamarinave të bronxëta nga Panteoni, për të bërë kolonat e rrëfimit në Shën Pjetër, lindi thënia: “atë që nuk e bënë barbarët, e bënë barberinët”. Si mund të tregohej gjithë ai brutalitet nga vetë ne shqiptarët, gjithë ajo egërsi e përçmim ndaj përpjekjeve, djersës e deri gjakut të gjithë atyre djemve, që nuk kursyen as jetën e tyre te re, për t’i ndërtuar ato objekte që do të mbronin jetën e vëllezërve e motrave të tyre. Seicili nga ne ka kujtimet e veta nga ajo punë kolosale plot mundime e privacione, por unë dua vetëm të kujtoj në shenjë homazhi, ata oficerë dhe ushtarë të reparteve të  Burrelit, që hynë në tunel për të shpëtuar shokët, të ndërgjegjshëm se nuk do të dilnin vetë të gjallë nga gazi helmues. Ja, kjo e revolton Hysen Qendron, si një kuadër i vjetër i ushtrisë dhe si shqiptar i përgjegjshëm. Atij i pikon në zemër dhe i dhemb shpirti kur sheh se si janë trajtuar fortifikimet tona dhe gati-gati harron që po flet për probleme ushtarake, kur i duhet të shpalosë ndjenjat e tij të sinqerta dhe i kthehet letërsisë, ku krijon dialogje të paqena, por kuptimplota, midis objektit të fortifikuar të Morenës dhe kështjellës së Vasiliqisë, që ai e quan “nusja e Pashait mbi kalë” apo midis malit të Baba “Tomorrit” dhe atij të Shpiragut. Për të qenë sa më bindës, Hyseni përshkruan eksperimentet e bëra, bën llogari krahasuese me kalibra topash, dendësi municionesh apo rezistencë betoni dhe ilustron me shembuj nga jeta, pa lënë mënjanë interesin e atyre personaliteteve që e kishin mbi supe përgjegjësinë e fortifikimit. Si shumë të tjerë, kam shërbyer gjatë në ushtri dhe jam dëshmitar, për të mos thënë dhe drejtues i shumë e shumë stërvitjeve treguese. Më kanë mbetur në mendje stërvitjet me temë: “Toga apo kompania e këmbsorisë në mbrojtje, në sistem tunel” apo ajo e vitit 1972 me batalionin artmitralier në mbrojtje natën, po në rajon tepër të fortifikuar, që u zhvillua në Bishtin e Pallës, ku erdhi për ta parë e gjithë udhëheqja e vendit dhe e ushtrisë. Në planin moral, kushdo që mori pjesë në të, apo e pa, krijoi bindjen e palëkundur se vështirë të shkelte me këmbë armiku në atë qilizëm zjarri të qëndisur nga plumbat e predhat  gjurmëlënëse. Hyseni shkruan thjeshtë dhe kuptueshëm, pa pasur pretendimin që të tregojë sesa di. Ai hyn në llogjikën e gjërave, analizon fenomenin dhe ngre zërin për ndryshim mentaliteti dhe dëshirë e përpjekje për të shpëtuar, ç’mund të shpëtohet dhe të vihet ajo në efiçencë. Teksa lexoja librin e Hysen Qendros, m’u kujtua fati i trishtë i spitalit të kohës  së veçantë në Durrës. Është një mrekulli inxhinierike, për të cilin nuk është kujtuar kush sesa i ka kushtuar shtetit dhe sa mund të na shërbejë në rast nevoje. Se Hyseni i mëshon të vërtetës së pakundërshtueshme që askush nuk mund të na garantojë se paqja do mbisundojë në jetë të jetëve, pasi ushtritë e atyre që na duan dhe atyre që nuk na duan, nuk i komandon nënë tereza, por politikanë dhe gjeneralë, shpesh kapriçiozë e tekanjozë ndaj problemeve  të mbartura. Shumë saktë e ka parashtruar këtë Bjernsoni që thotë: “Lufta nuk evitohet në qoftë se nuk evitohen mendimet për luftën”. Por hajde dhe shkulua nga koka këto mendime ca trumykurve që na rrethojnë. Shpesh, Hyseni detyrohet të dalë nga tema, pasi gjërat janë të lidhura organikisht. Kështu, ai edhe pse e përshëndet pranimin në NATO, nuk rri dot pa theksuar faktin e kalimit në ekstremin tjetër: Shpartallimin e ushtrisë, asgjësimin e armatimit dhe municioneve, shkatërrimin e reparteve ushtarake, të sistemit të ndërlidhjes, etj, në një kohë që fqinjët tanë oreksmëdhenj, armatosen dhe këndojnë këngë gjatë paradave, ku çirren se do të lidhin këpucët me zorrët e shqiptarëve. Sidoqë këta qyqarë harrojnë se shqiptarët edhe kur ishin pa shtet u grumbulluan mbi njëqind vjet më parë, këtu ku jemi mbledhur ne, nga e gjithë Shqipëria dhe u dhanë një mësim si malazezëve, ashtu edhe serbëve. Po kështu, në provokacionet e Gushtit 1949 dëshmuan se kish ikur koha kur ndaj nesh mund të silleshin si dëshironin. Po a ka vend edhe për vrejtje në kët libër? Natyrisht që ka, dhe me besimin se Hyseni, me kulturën dhe edukatën e tij, nuk do të më keqkuptojë, po i rendis disa prej tyre. Nisur nga pasioni, ka ndodhur të humbasë sensin e masës dhe të bjerë në kurthin e përsëritjes. E folura me slloganet e njohura, por tani të dala mode, duhej shmangur. Kjo e metë çonë në mbivlerësimin e mundësive tona, duke krijuar idene e pabazuar, se ne mund të fitonim edhe mbi një koalicion armiqsh, qofshin këto edhe superfuqi.

Autori, nisur nga një bindje subjektive mendoj, bën një vrejtje se në periudhën kur ministër i mbrojtjes qe Beqir Balluku, fortifikimi ishte nënvlerësuar dhe kjo u ndreq, sapo i tillë u emërua Mehmet Shehu. Nisur edhe nga sa thuhet në librin e tij të mëparshëm kushtuar këtij burri shteti, për të ashtuquajturin grup të gjeneralëve, pra “puçistët” e famshëm që u fshinë me fshesën e hekurt së bashku me familjet e tyre, duket se autori ende është jo dhe aq i bindur në pafajsinë absolute të tyre dhe se ata ishin viktima të padyshimta të voluntarizmit  enverian, ku ka dhe Mehmet Shehu rolin e tij negativ. Beqir Balluyku me shokë, do i hynin fortifikimit të vendit, jo kur t’u mbushej mendja atyre, por kur Këshilli i Mbrojtjes të vendoste. Dhe e fundit: kapitulli “Fortifikimi në luftrat e kaluara” mund të ishte vendosur në krye të librit. Sidoqoftë, edhe pse vetë i dituri dhe i urti dr. Hysen Qendro thotë se: “E kam për nder dhe krenari që kam qenë pjestar i Ushtrisë Popullore Shqiptare”, pas përgëzimit që i duhet dhënë për hartimin e këtij libri interesant dhe me vlera, i duhet kujtuar se kuadro të kësaj ushtrie ne ndihemi edhe sot e kësaj dite, deri sa të kemi frymë, pasi mbrojtjen e Atdheut ne e kemi pasur dhe e kemi të shenjtë”.

 

Vuksan Vukaj: Mospajtimi me shkatërrimin e fortifikimit

 

E lexova me vëmendje librin e shkruar nga ish-Komandanti i Brigadës së Shkodrës, për disa vite dhe u befasova me punën e madhe për të treguar historikisht, politikisht e në mënyrë shkencore rrugën e zhvillimit të fortifikimit në vendin tonë, si pjesë e pashmangshme e strategjisë ushtarake dhe element teper i rëndësishëm i sigurimit të forcave e mjeteve. Si dhe krijimin e kushteve të sigurta për të goditur armikun në tërë hapsirën e tij duke krijuar kushte të plota e favorizuese, për të sigururar raporte të domosdoshme për të kaluar në sulme, kundërsulme e kundërgoditje deri në vendosjen e situatës,  në kufijtë tonë shtetëror e në pikat dominuese përballë tyre. Me këtë rast unë jam mirënjohës për të gjithë ata që u morën me strategjinë ushtarake të vendit dhe me punën e idetë e tyre si dhe përpjekjet e lodhshme të të gjithë ushtarakëve, që bënë të pamundur cënimin e kufijve dhe lirisë së vendit. Analizave, teorive dhe keqpërdorimin e gjithë çfarë pati ushtria, le t’ia lëmë kohës, por për asnjë moment nuk e pranoj këtë rrugë që është zbatuar deri më sot, veçanërisht për atë që është trajtuar në këtë libër- pra për fortifikimin e vendit. Ndryshimi i sistemit në vendin tonë, mbase ishte i nevojshëm, sepse kështu u krijuan kushtet politike e situatat, por askush nuk mund të ishte dakord me asgjësimin e ushtrisë në vitin 1997 nga klasa politike e majtë dhe e djathtë, kurse ne ish drejtuesit jo e jo.  Askush nuk mund të pajtohet me asgjësimin e armatimeve e anijeve tona moderrne, me asgjësimin e artilerisë bashkëkohore, tankeve që i kishte zili çdo ushtri e botës-të shoqëruar edhe me tunelizimin e tyre, me avionët luftarak, të tipeve të fundit etj. E këtu pastaj me të drejtë Zoti Hysen Qendro thotë: “Po me fortifikimin ç’paten!” E unë përgjigjem se ata patën mbi vete turpin dhe faqen e zezë, që populli dhe zoti s’kanë për t’i harruar kurrë e historia do t’i ndëshkojë, pavarësisht mbase dhe me të drejtë shprehjes së ish-MM Safet Zhulali se: “’97-ta është një dosje e zezë që s’ka për t’u hapur kurrë”. Më lejoni që ish oficerët e viteve ’91-98 t’i përshëndes përzemërsisht që me pjekurinë e tyre ushtarake e vlerësimin e situatës konkrete e shpëtuan Shqipërinë nga lufta civile e pa shmangshme. Këtu sqaroj se edhe ata pak njerëz, përfshi dhe ish kuadro ushtarak, të cilët shprehen me mosbesim dhe me përçmim, që nuk u hap zjarr nga repartet dhe njësitë. Fonogrami ishte-Mbroni repartet me çdo kusht, duke i bërë thirrje popullit. Për asnjë arsye dhe rrethanë nuk pranojmë gjak. Populli sulmoi në repërte… Pyet sot se si mbrohet reparti pa hapur zjarrë? Mirpo si mund të hapet zjarr kundër fëmijëve e vëllezërve, banorëve të tu të lagjes apo pallatit? Ne jemi përgatitur shumë mirë në shkollat tona ushtarake dhe në reparte apo kudo që kemi punuar e drejtuar, për të mbrojtur Atdheun nga armiku, por kurrën e kurrës kundër popullit tonë, prandaj këtu kërkoj mirëkuptimin e atyre që nuk e kanë jetuar situatën e asaj kohe. Të më falin pjesmarrësit dhe autori i librit, por u them të vërtetën se duke lexuar librin, më shkonte mendja tek puna jonë e jashtëzakonshme, aq sa ishim bërë një me ushtarin apo rezervistin. Sot kur e përfytyrojmë gjëndjen, më duket vetja sikur jam në një përkujtimore, por me që thuhet se ka zot, atëherë dhe shpirtrat jetojnë, e po jetuan shpirtrat, ka me u kujtue gjithmonë fortifikimi.  Ne, si ish- kuadro, veçe-veç, si dhe të organizuar në shoqata, do ta planifikojmë edhe kërkesën e autorit, për të sensibilizuar organet politike e shtetërore këtu në qarkun e Shkodrës, për rritjen e vëmenedjes dhe ruajtjen e atyre objekteve që fatmirësisht jetojnë.      Edhe një herë: respekte për punën e lavdërueshme të autorit dhe për vlerësimin që na bëri duke e promovuar këtu në Shkodër, këtë libër me vlera të mëdha ushtarake e historiko-shkencore.

 

Inxhinier Agron Gërbi: Botim i rrallë për fortifikimet në Shqipëri

 

Këto ditë ka dalë në qarkullim libri i zotit Hysen Qendro: “Po me fortifikimin ç’patën!” Që nga titulli i librit duket se për botimet e sotme është jo vetëm i rrallë, por edhe një guxim i autorit, mbasi sot abuzohet me fortifikimin si nga politika e brendshme ashtu dhe e jashtëme. Në këtë libër janë ndërthurur më së miri talenti ushatarak i autorit, përvoja teoriko-praktike shqiptare me atë botërore si dhe puna në këtë fushë e autorit me kryearkitektin e fortifikimit, me strategun Mehmet Shehu.

Për domosdoshmërinë e fortifikimit, autori merr si pikënisje luftën si dukuri e pashmangshme e shoqërisë njerëzore dhe paqen si kohë ndërmjet dy luftrave. Duke përshkruar në mënyrë të detajuar etapat historike të zhvillimit të fortifikimit, jo vetëm atë shqiptare, por edhe atë botërore, arrin në përfundimin se fortifikimit jo vetëm nuk i ka ardhur fundi, por përkundrazi ai vjen duke u perfeksionuar. Fortifikimi është i lidhur direkt me zhvillimin e mjeteve të prodhimit në tërësi, perfeksionimin e armatimit dhe me rritjen e fuqisë shkatërruese të tyre. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Ja një shembull: Të marrim projektin e Tiranës dhe zbatimin e tij në vitet 1925-1930. Ministritë kanë dhe strehime për mbrojtjen nga armët konvecionale të kohës, ku përveç hyrjes kryesore në strehim është parashikuar dhe dalja rezervë në formë vertikale. Këto strehime, pas Luftës së Dytë Botërore u perfeksionuan duke siguruar mbrojtje nga armët kimike, biologjike si dhe nga pluhuri radioaktiv i plasjeve bërthamore. Libri është i kuptueshëm, si për ata që nuk janë profesionistë dhe për specialistët ushtarak të kësaj fushe. Si për profesionistin edhe për joprofesionistin autori thot: “Kur gjykojmë dhe analizojmë vlerat e fortifikimit të mbrojtjes sonë, t’i shohim e t’i gjykojmë jo me gjendjen e sotme politiko-ushtarake dhe të sistemit ekonomiko-shoqëror të sotëm në vendin tonë, por me Shqipërinë e asaj kohe. Vlerësimi i situatave në atë kohë është bërë nga personalitete ushtarake të shquara të ushtrisë, të cilët e njihnin mirë gjëndjen e forcave ushtarake matanë kufirit, përqëndrimin e veprimtarinë që bënin fqinjët.” Autori është dhe dëshmitar i kësaj gjendjeje kërcënuese dhe provokacioneve që bëheshin sistematikisht në hapsirat e vendit tonë. Veçori e fortifikimit tonë, thotë autori, është se ndërtimi nuk është bërë për emërtesa të larta dhe familjet e tyre, si e propagandojnë qarqe të caktuara të politikës sot. Fillimisht strehimet në vendin tonë pas lufte, janë ndërtuar pranë çerdheve, kopshteve, shkollave, uzinave,  fabrikave, pra për të mbrojtur ata që jetonin e punonin në to: fëmijët, nxënësit e punëtorët, nga goditjet e para të mundëshme. Janë parashikuar dhe për sigurimin e jetës së punonjësve të ambasadave, brenda ose afër ndërtesës së ambasadës. Në rast lufte ishin marrë masa mbrojtëse jashtë kryeqytetit për të punuar në kushte normale. Këto argumente e shumë të tjera, për rëndësinë, vlerën dhe domosdoshmërinë e fortifikimit, bindin çdo lexues se: fortifikimi është për të gjithë, ësht i të gjithëve e duhet të ruhet e të mbrohet nga çdo shqiptar me ndjenja patriotike. Autori e shtron problemin si në këndvështrimin ushtarak dhe në atë shkencor, duke e vënë theksin se: ka ardhur koha që të futen në programet e shkollave ushtarake të vendit tonë. Duhet të studiohen nga çdo specialist i fortifikimit duke u përdorur si manual. Autori me shumë saktësi spjegon rradhën e punës për fortifikimin, duke filluar nga studimi, vlerësimi i situatës, njohja me imtësi e terrenit, mundësitë e tij për shfrytëzim në pikëpamje ushtarake, mënyra e vendosjes së elementeve te fortifikimit, etj. Në kapitullin e dytë, sutori flet për fortifikimin në luftrat e kaluara. Fillon me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë e deri në ditët tona. Nga ky kapitull dalim në disa përfundime:

– Fortifikimi nuk është shpikje shqiptare apo çmenduri, si e propagandojnë disa llafollogë, por është një faktor i rëndësishëm për mbrojtjen.

– Objektet fortifikuese shprehin nivelin e zhvillimit të shoqërisë.

– Përvoja e luftrave të kaluara tregon se për të shpërthyer mbrojtjen e fortifikuar, raporti i forcave mësymëse me ato të mbrojtjes shkon 3:1 dhe 10:1. Sidomos, kjo ka shumë rëndësi për vendet e vogla siç është Shqipëria, që historikisht kemi qenë vend në mbrojtje.

Autori nuk mjafton vetëm me të kaluarën e fortifikimit, por ai jep udhëzime shumë të vlefshme edhe për të ardhmen, çfarë duhet bërë me fortifikimin e mbetur pa u prishur, si duhet përshtatur me format e sotme të luftës.

 

Ilmi Qazimi: Mirënjoje për sakrficat e ushtarakëve

 

  1. Si lexues, jashtë mburrjes, i vëmendshëm e i thjeshtë, them me zë të lartë: me këtë libër e ke vendosur veten në radhën e shqiptarëve trima që në vetvete përbëjnë vlerë kombëtare në një nivel të caktuar, sepse je njeri që mbron me zotësi vlerën kombëtare me emrin fortifikim i mbrojtjes së Shqipërisë nga sulmet e mundëshme të armiqve të saj realë historikë, në këndëvështrimet më të mirë dialëktik, ushtarak, kombëtar e historik.
  2. Të jam shumë mirënjohës për këtë libër-dhuratë çmimlartë, titullintrigues e brendi zjarrbetontë që evokon një copë jo të vogël e të fortë të historisë shqiptare të gjysmëshekullit të XX-të.
  3. Në këtë libër, të pakët në fletë por të madh në brendi, pa rënë aspak në patetizëm dhe hiperbolizime të panevojshme, gjeta:

– Ngrohtësi shpirtërore për vlerat e kombit që fillojnë nga njeriu atdhetar shqiptar e mbarojnë tek  vijimësia e pandërprerë  e atdhedashurisë shqiptare, (domethënë nuk mbarojnë kurrë), e cila gjithsesi zhvillohet e përmirësohet në përshtatje me kushtet gjithnjë të reja, në ngjitje ose në zbritje të përkohshme, në ekonomi e politikë, në shkencë e kulturë;

– Mirënjohjen e merituar për ata punëtorë, ushtarë, specialistë e oficerë që ndërtuan fortifikimin shqiptar në vitet e luftës së ashpër e të ftohetë, kur ne mbronim paqen e kërcënuar të atdheut tonë të dashur, më i madhi fortifikim në historinë tonë të deritanishme.

– Dashurinë e një njeriu që di të shkruajë me respekt e dashuri për njerëazit, veçanrisht për ata të punës së ndershme.

– Dhimbjen e njeriut të veshur me uniformën ushtarake për njeriun e punës që krijoi vlera mbarënjerëzore, siç është fortifikimi, dhe po ashtu dhimbje e urrejtje për njeriun monstruoz, që më pas i shkatrron këto vlera;

– Shpirtin e një kuadri që evidenton me objektivitet një aspekt të historisë ushatarake shqiptare, siç është fortifikimi i sistemit të mbrojtjes së vendit tonë, nga sulmet potenciale ogurëzeza pushtuese të më të mëdhenjve shtete lakmitarë. Ushtri, filozofi, krenari atdhetarie dhe profesionale; letërsi; shkenca ekzakte; argumente shkencore të pakundërshtueshme;

– Histori të mirfilltë; episode e detaje që flasin më shumë se konferencat mediatike tashmë të ndotura me antinjerëzim;

– Koncepte e nocione të spikatura, të sakta dialektike, ushtarake shqiptare dhe të vendeve të tjera;

– Art ushtarak – detaje të mendjeve të ndritura ushtarake botërore (gjithnjë lidhur me fortifikimin e mbrojtjes), dhe më shumë, art ushtarak shqiptar të krijuar nga personalitete të papërsëritëshme të lartësive njerëzore të këtij kombi, siç do të quaja gjeneral Mehmet Shehun, kryeministri trim enciklopedik, më jetëgjatë i këtij shteti njëqindvjeçar, gjeneral Menduh Backa- drejtues kompetent me prirje shkencëtari të heshtur për armën e xhenios, inxhinier Abedin Galanxhi – i thjeshti në madhështinë projektuese, së toku me shokët e tij, etj.etj.

– Trajtesa shkencore, sado të shkurtra, dhe parashtresa ekonomike reale- oh sa bindëse janë ato!- bindin edhe atë që ka katër sy e veshë, bëjnë të heshtë edhe katilin edhe kriminelin e ndershëm.

– Shumë pjesë të viteve të jetës  time ushtarake (dhe jeta ime, ka qenë e mbeti ashtu si e jotja, vetëm ushtarake në kuptimin më të gjerë të fjalës) dhe të shokëve të mij të shumtë, oficerë e ushtarë të tepërvuajtur, por më shumë se kaq-krenarë për jetën e pastër atdhetare që bëmë!

– Pjesë nga jeta e familjes time, e të parëve të mi, e shpresoj thellë, edhe të pasardhësve të mi…

– Shpirtin demoniak shkatërrues të disa dritëshkurtërve individë, që fatkeqësisht vihen ose vetvihen- herë-herë në krye të turmave të verbëra njerëzish, në radhët e shqiptarëve që duan ta shuajnë lavdinë ekzistente dhe pasurinë e pamatur të këtij vendi, siç është Shqipëria jonë.

Po a mund të mbulohet djelli me shoshë? Jo, kurrë! Shqipëria jonë do të përparojë në rrugën e vet, duke mos harruar luftën kundër të tillëve që shitblihen…. Sa mirë i ke fshikulluar!

Shqipërinë tonë ushtarake, krenare për vitet 1945-1990 dhe gjysmëmjerane për vitet 1990-2017, por jo shpresëhumbur për të ardhmen e vet.

  1. Tre herë të lumtë mendja, shpirti e pena! Tre herë të përqafojë fort! Tre herë të urojë jetë të gjatë dhe penë të paheshtur! Më shtohet edhe më tepër krenaria që kam një mik oficer të tillë si ti, nga pena e të cilit kam mësuar shumë, i dashur Hysen Qendro!

 

Hysen Qendro: Simbolika e Shkodrës në promovimin e librit për fortifikimin

Faleminderit që keni ardhur në prezantimin e librit tim, mbi fortifikimin që është ndërtuar në vendin tonë dhe rëndësinë ushtarake të tij. Falenderoj në mënyrë të veçantë, ata që bënë të mundur këtë organizim, këtu në qytetin e Shkodrës. Ata janë: Shoqata e Ushtarakëve në Lirim, Në rezervë e në pension, degët këtu në Shkodër, me kryetar zotin Vuksan Vukaj e Marash Malaj; falenderoj Shoqatën “Dukagjini” me kryetar zotin Ndue Sana dhe presidentët e dy shoqatave qendrore të ushtarakëve në lirim, në rezervë dhe në pension, zotin Kujtim Çako e Thoma Konduri. Gjithashtu dëshiroj të falenderoj shokët që folën e që dhanë mendimet e tyre për fortifikimin. Ishte dëshira ime, që prezantimi i këtij libri të bëhej këtu në Shkodër; në respekt të kuadrove dhe efektivave të ish-Korpusit të IX-të, e më pas Divizionit të Shkodrës, që mban emrin e malit që kemi këtu, fare pranë: të malit të lartë të Taraboshit; në respekt të asaj njësie të madhe ushtarake, që i kreu me sukses të gjitha detyrat, në këtë krah të rëndësishëm të mbrojtjes së vendit tonë. Si ushtarak dhe si bashkëkohës i përgatitjes të Teatrit tonë të veprimeve luftarake, në këtë libër, kam shfaqur mendimet dhe vlerësimet e mija për fortifikimin, parë nga këndvështrimi i kërkesave të luftimit dhe operacionit mbrojtjës; i rëndësisë taktike dhe operative të vendosjes së objekteve në terren, sipas drejtimeve të tij dhe të organizimit të sistemit të zjarrit.

Tre janë motivet nxitëse, që më shtynë të shkruaja për fortifikimin e mbrojtjes sonë të ndërtuar në atë kohë:

Së pari, ishte fakti që, unë, që herët, kur punoja në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, në Drejtorinë Operative, pata mundësinë të merrja pjesë në hartimin e planit të fortifikimit, që u realizua në vitin 1976. Kjo më dha mundësi të njoh vëllimin e punës dhe mënyrën e fortifikimit të drejtimeve operative të mbrojtjes; të njihem me organizimin dhe angazhimin e ndërrmarjeve shtetërore dhe të ushtrisë për të realizuar brenda një pesëvjeçari, atë plan të rëndësishëm, që forconte qëndrueshmërinë e mbrojtjes sonë në të atë kohë.

Së dyti, kur erdha këtu, në shkodër- komandant i Brigadës së IX-të, në vitin 1989 deri në vitin 1992, në atë njësi të madhe me numërin koveksional 5001, gjeta të ndërtuar një brez mbrojtjeje të fortifikuar me të gjithë elementët e tij, të lidhur ngushtë me trajtëshmërinë karakteristike të terrenit, që ka zona e Nën-Shkodrës, nga ura e Bunës e deri në Lezhë.

Fortifikimi ishte ndërtuar sipas llojeve të armëve dhe shërbimeve, sipas rendimit luftarak, dhe në funksion të këtyre ishte bërë rajonizimi për t’u kompletuar dhe hapur forcat në një kohë sa më të shkurtër. Atë pamje fortifikuese të asaj kohe e ruaj edhe sot në kujtesën time.

Nxitja e tretë, për të shkruar librin, ishte keqardhja që ndjej, ndaj realitetit të sotëm të gjendjes së fortifikimit, ku dora keqbërëse, spontane dhe e organizuar, ka shkatërruar dhe po vazhdon të shkatrrojë atë vepër të madhe, pa marrë parasysh vlerat ekonomike, arkitekturore, historike dhe aktuale të fortifikimit.

Në libër jam përqëndruar te vlerat e fortifikimit, për të rritur qëndrueshmërinë e mbrojtjes, te organizimi i sistemit të zjarrit, te roli që luan në mbrojtjen e forcave nga goditjet me aviacion, artileri dhe raketa, nga kundërshtarët, dhe te vështirësitë, që ai paraqet për palën mësymëse. Ne, oficerët e periudhës së viteve 1960-1990, për vetë mundësitë e kohës, arritëm të merrnin në shkolla një kulturë ushtarake e të përgjithëshme të lartë, sepse Shkolla e Oficerëve, u bë shkollë e lartë, tre dhe katërvjeçare. Kontigjentet dominuese të saj, vinin nga shkolla e mesme ushtarake e lavdishme “Skënderbej”.  Edhe ata që vinin nga gjimnazet e vendit, patën kritere të caktuara dhe sipas dëshirës së tyre, për t’u bërë kuadro ushtarakë. Përveç asaj baze fondamentale, ne morëm kualifikime të vazhdueshme gjatë viteve në njësitë dhe repartet, si dhe në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë.

Ndonëse, për ne kuadrot e asaj periudhe nuk flitet sot, ne duhet t’ia njohim meritën vetes, sepse:

që në vitet e para të 1960-tës, përballuam futjen në procesin e madh stërvitor, të trupës rezerviste, të Forcave Vullnetare dhe më vonë edhe të Rinisë Shkollore. Këto kontigjente, sëbashku me trupat aktive, e rritën forcën dhe madhësinë e ushtrisë sonë.

Asnjëherë më parë, Shqipëria nuk ka pasur një numër aq të madh forcash dhe mjetesh nën armë, për mbrojtjen e saj. Ishte detyra e brezit tonë, që ta stërvitnim dhe ta përgatitnim atë trupë të madhe nga ana ushtarake, detyrë që e realizuam me sukses. Ne duhet t’i njohim, gjithashtu vetes, edhe meritën e madhe të reformimit dhe vënies mbi kritere shkencore të bazës teorike të jetës dhe veprimtarisë ushtarake, sipas parimeve të Artit tonë Ushtarak. Në atë kohë, strategët tanë ushtarakë, me në krye ushtarakun e shquar të ushtrisë sonë, Mehmet Shehun, sintetizuan në tekstin e Artit Ushtarak dhe në rregulloret e luftimit, parimet dhe normat sipas llojeve të armëve, llojeve të luftimit dhe të operacionit. Ishte Mehmet Shehu, me nivelin e tij teorik dhe përvojën e madhe luftarake që kishte, si strateg ushtarak, i cili qëmtoi nga literatura e teoricienëve të shquarë ushtarakë botërorë si: Klauzeviçi; Makjaveli; Sun Xuja; Mahani; Frederiku i Madh, etj dhe na dha të formuluar pesë ligjet objektive të luftës, siç janë:

  1. Ligji i Forcës,
  2. Ligji i Bashkëveprimit,
  3. Ligji i derejtimit dhe komandimit,
  4. Ligji i Lidhjes dhe ndërveprimit të tre faktorëve objektiv të luftës, s dhe,
  5. Ligji i Shtrirjes në kohë dhe në hapsirë i veprimeve luftarake dhe i luftës në tërësi.

Ne duhet t’i njohim këtij brezi meritën për punën e madhe të projektimit, planizimit dhe të realizimit të forgifikimit të brezave të mbrojtjes, ashtu si dhe përgatitjes së komandave, shtabeve dhe trupave me programe gjithëvjetore; si dhe të kryerjes me disiplinë të lartë të detyrave të gatishmërisë luftarake, sipas shkallëve dhe normave të saj. Ishim ne, oficerët e Ushtrisë Popullore Shqipëtare, që përballuam me sukses gjithë atë ngarkesë të periudhës së gjatë kërcënuese, e mbarsur me rreziqet reale, të krijuara nga fqinjët tanë dhe fuqitë ushtarake të kohës.     Ajo fazë e gjatë përgatitore, kërkonte energji, përkushtim dhe sakrifica të mëdha, sa edhe një luftë konkrete po të bëhej, do të na dukej më e lehtë, sepse ajo do të fillonte e do të mbaronte më shpejtë.  Pavarsishtë lodhjes dhe sakrificave që kishte, ajo periudhë pati vlerat e saj moralo-luftarake dhe ja vlejti,mbasi siguroi paprekshmërin e vendit tonë. Për përgatitjen ushtarake, gjatë periudhës përgatitore të luftës, Gjenerali dhe Komandanti i shquar me origjinë shqiptare nga arbëreshët e Italisë, Gjergj Basta, që në vitet 1550, na jep një shembull të vyer. Ai, si ushtarak i shquar i kohës, ka shkruar dy libra me përmbajtje ushtarako-profesionale. Librat e tij bëjnë fjalë, jo për betejat e zhvilluara nën komandën e tij, por se si shfrytëzohej periudha përgatitore e luftës, kryesisht për përgatitjen vetmore të luftëtarit, se si duhej mbajtur ushta, mburoja, si të sulmonte, si të mbrohej, si të ndiqte kundërshtarin dhe si të tërhiqej kur ishte e nevojshme; se si kalorësi, të dinte të luftonte e të manovronte duke qenë mbi kalë: si ta drejtonte atë gjatë sulmit, mbrojtjes dhe ndjekjes së kundërshtarit gjatë betejës. Edhe sot, pas pesqind vitesh, mbetet aktuale përgatitja vetmore e luftëtarit nga ana taktike dhe teknike, sepse po u bë mirë kjo, do të funksionojnë mirë reparti dhe njësia në fushën e luftimit. Për të gjitha këto tema të mëdha, nuk mjafton vetëm të flasim kur takohemi me njëri-tjetrin, por ne ushtarakët, duhet të ulemi dhe të marrim penën, të shkruajmë dhe të argumentojmë si specialistë dhe bashkëkohës, për vlerat e mëdha të ushtrisë e të mbrojtjes sonë; sepse fjala tretet, kurse shkrimi mbetet. Këtë duhet ta bëjmë edhe për një arësye tjetër, ngaqë sot, injoranca dhe mediokriteti janë hedhur në sulm ndaj vlerave të vërteta, si në aspektet e jetës shoqërore edhe në ato të ushtrisë dhe të mbrojtjes se vendit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: