Albspirit

Media/News/Publishing

Gjirokastër, zbulohet pusi 300-vjeçar

Një pus mesjetar 17 metra i thellë u zbulua në dyshemenë e godinës qendrore të Qafës së Pazarit të Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si 6-këndëshi.

Kastriot Dhrami, i cili administron prej vitesh godinën si njësi për shitjen e suvenirëve, vendosi të kryejë disa sistemime dhe modifikime të brendshme, por ndërhyrja evidentoi pusin për të cilin ishte dëgjuar të flitej nga të moshuarit.

“Kisha dëgjuar për këtë pus që para 30 vitesh, por nuk e dija ku ishte me saktësi. Pusi do të bëhet i dukshëm dhe do të vëmë ndriçim. Është një vlerë e shtuar për qytetin, jo vetëm për pazarin. Është diçka e veçantë”, thotë Dhrami.

Pusi mendohet të jetë ndërtuar para ndërtimit të pazarit, çka do të thotë më shumë se 300 vjet më parë dhe paraqitet në gjendje shumë të mirë. Niveli i ujit që dikur përdorej për tu pirë është deri në lartësinë 5 metra.

Vepra e rrallë ka filluar të befasojë vizitorët, ndërsa i ka shtuar një tjetër atraksion turistik pazarit karakteristik të Gjirokastrës. Banorët e vjetër të qytetit flasin për të paktën 7 puse në pazarin e qytetit si dhe për një sistem të sofistikuar furnizimi me ujë të lidhur me ujësjellësin e Ali Pashës, por kjo ende nuk është faktuar.

Please follow and like us: