Misteri “MH370”, dyshime të reja për avionin e zhdukur
Autoritetet franceze realizuan foto satelitore të objekteve “mbase të krijuara nga njeriu”, që pluskonin mbi oqeanin Indian dy javë pasi avioni malajzian “MH370” u zhduk në vitin 2014, gjë që hedh më shumë dritë mbi fatin e avionit fatkeq.
Katër foto janë të një zone prej 25 mijë kilometrash katrorë të oqeanit Indian, ku mund të ketë rënë avioni, por autoritetet australiane thonë se ajo nuk është kërkuar pasi gjendet në veri të zonës zyrtare të kërkimit.
Ekspertë australianë thanë se këto foto duhen publikuar me kujdes, për të mos krijuar shpresa të kota, por shtuan se informacioni mund të përdoret në kërkimet e ardhshme.
Sigurisht që objektet e fotografuara nuk janë identifikuar si pjesë të fluturimit “MH370”, por mbështesin një teori që qarkullon prej kohësh se “nuk u kërkua në vendin e duhur”.
Kërkimet në det për avionin janë ndërprerë që prej janarit, por ekipe hetuesish vazhdojnë që të shqyrtojnë të dhënat që kanë në dispozicion. Zhdukja e “MH370” me 239 njerëz në bord, më 8 mars të vitit 2014, është një prej mistereve më të mëdha të aviacionit, e mesa duket do të vazhdojë të jetë i tillë.