Përse LSI nuk mund të jetë një opozitë reale?
Ramazan SHERJA
Zgjedhjet e 25 qershorit, pavarësisht nga ethet elektorale të saj për të dalë forcë “e parë dhe e paparë”, e nxorën LSI-në forcë e tretë, pas dy partive kryesore, PS dhe PD, dhe ajo kundër dëshirës së saj është e detyruar të bëjë opozitën për herë të parë, dhe drejtuesit e saj po mundohen ta marrin përsipër këtë mision të vështirë, pavarësisht sa mund ta mbajnë këllqet e dobëta të një trupi të fryrë artificialisht. Liderët e saj, pasi u ndërruan tri herë brenda dy muajve, duke e lënë së fundi këtë forcë politike në duart e një “gruaje të hekurt”, që “nuk futet kollaj në rresht”, siç deklaroi bashkëshorti i saj, kanë deklaruar se do të bëjnë një opozitë të fortë. “Përgatitu – iu drejtua ajo kryeministrit Rama në një deklaratë për mediat,- se do të përballesh me një opozitë të fortë”. Kjo deklaratë është më tepër shfryrje e një mllefi të grumbulluar nga vitet e bashkëqeverisjes, apo një inat karrieristësh i dalë nga humbja e paparashikueshme e kësaj force politike, se sa një mundësi reale për të luajtur rolin e opozitës së vërtetë në Shqipëri.
Po pse LSI nuk mund të jetë as opozitë e fortë dhe as reale?
Sepse së pari, ajo në gjenezë është parti e majtë, me një program diametralisht të kundërt nga partitë e djathta. Sido që të vërvitet LSI me programe e me alternative të stisura, ato përsëri nuk mund të dalin nga vorbulla e programit të majtë dhe këtë vend tanimë e ka zënë PS, ashtu siç e ka zënë PD vendin e partive të tjera të djathta. Historia e pluripartizmit shqiptar ka treguar se dy parti ndeshen e konkurojnë me programe diametralisht të kundërta, PS dhe PD. Këta ia kanë lënë rotacionin e pushtetit njera- tjetrës, pavarësisht nga manipulimet që mund të jenë bërë, por që nuk e kanë cënuar në thelb rezultatin e votimeve. E provuan forcën e tyre partitë që u shkëputën nga partitë e majta e të djathta tradicionale dhe u kthyen në partiçka, derisa ose u shkrinë fare, ose u kthyen tek partia mëmë nga dolën. U shkëputën nga PD dhe krijuan Aleancën Demokratike një grup të djathtësh liberalë, liderët e së cilës edhe pse e u deklaruan fillimisht me bujë për anëtarësinë e tyre, se “ne vërtet nuk kemi shumë ushtarë, por ato që kemi janë të gjithë gjeneralë”, shumë shpejt u tretën si kripa në ujë. Më vonë u shkëput edhe PDr me Genc Pollon, Partia për Ligj e Drejtësi me Spartak Ngjelën, LZHK me Dash Shehin, e deri tek më e fundit Sfida me Gjergj Bojaxhiun, por me kalimin e viteve këto parti jo vetëm që nuk morën vota për të qenë forca dominuese të skenës politike, jo vetëm që nuk e panë as në ëndërr pushtetin, por erdhën vazhdimisht duke u tkurrur pa lënë asnjë gjurmë në elektorat. Disa u futën përsëri në sqetullat e partisë nga dolën, e të tjerat nuk arritën të nxjerrin dot as kryetarin e tyre deputet. Kështu u shkëput nga gjiri i PS edhe LSI, PSV dhe së fundi Libra me Ben Blushin. Realiteti tregoi edhe një herë se këto forca politike janë pa programe, pa traditë e pa këllqe për të marrë pushtet. Nuk është kështu – mund të thotë ndonjëri për LSI, -ajo edhe në këto zgjedhje mori më shumë deputetë se në vitin 2013! Në fakt as LSI, nuk pati ndonjë rritje reale në zgjedhjet e fundit. LSI i mori ata deputetë me forcën e pushtetit e të parasë, duke patur në poste drejtuese, në digastere qendrore e në drejtori të nivelit të dytë pothuajse gjithë anëtarësinë e saj. LSI pati shumë të punësuar, me meritë e pa meritë, dhe duke shfrytëzuar postin shtetëror, u vunë me detyrim të mbledhin me çdo formë sa më shumë vota. Realisht anëtarët e partisë së LSI ishin të barabartë me numrin e të punësuarve në shtet dhe kështu këta u vunë të gjithë në rresht e u hodhën në sulm për të dalë forca e parë. Realiteti tregoi se u shpërndanë me qindra celularë të markave të fundit deri edhe në fshatin më të largët. Kontrolli nxori se në mjaft ndërmarrje që drejtonte LSI, ose ishin bërë punësime fiktive me kontratë, ose ishin shkëmbyer punësimet në disa sektorë të shëndetësisë, të drejtësisë me premtimin e marrjes së votës e në hipoteka me regjistrime të paligjshme pronash. Ishte hera e parë që LSI u fut e vetme në zgjedhje me gjysmë pushteti mbi shpinë e pa asnjë lloj përgjegjësie për qeverisjen, e që realisht humbi. Në zgjedhjet pasuese rezultatet e LSI do të vijnë duke u tkurrur,se njerëzit që aderojnë për ideale në atë parti do të jenë të pakët. Ka shembuj që qysh tani kanë filluar ta braktisin këshilltarë, drejtorë e administratorë. Fakti domethënës se sa peshë ka LSI në elektorat janë zgjedhjet e 2009, ku LSI e vetme mezi mori vetëm katër deputetë, dhe vetë kryetari i saj desh e mbeti jashtë parlamentit. Si parti e majtë, LSI edhe një rrënjë tradicionale që pati si mbrojtëse e LANÇ, ku pati një mbështetje të konsideruar nostalgjikësh komunistë e veteranë, e humbi kur u bë pjesë e koalicionit me PD, e cila ka qenë kundërshtare e rreptë e Luftës, mohuese e gjakut të dëshmorëve, duke e quajtur përleshjen me pushtuesit si luftë civile. Edhe pse ajo u mundua ta justifikojë bashkëqeverisjen me PD “për hir të stabilitetit kombëtar”, qenë të paktë ata që e besuan dhe ajo në fakt u kthye në një bimë kacavjerrëse, që u ushqye në trungun e një partie të djathtë, e që mori një farë pushteti në të gjitha strukturat e shtetit, duke thithur kështu edhe mjaft elementë interesaxhinjsh e pragmatistësh nga PS, apo parti të tjera.
LSI nuk bën dot opozitë “të fortë” siç pretendon, sepse opozita nuk është luftë interesash, por institucion, aset i rëndësishëm i demokracisë e pluralizmit partiak. LSI jo vetëm që nuk e ka kulturën dhe traditën e nevojshme për të qenë një opozitë e fortë përballë pushtetit, por është edhe shumë pragmatiste që me pak presion, me largime nga puna e zhveshje nga privilegjet të atyre lësëistëve që i kanë marrë padrejtësisht, ajo do të zvogëlohet shumë. Duke qenë e mësuar gjithmonë me pushtet, me kapërdimje nga kali blu në kalin rozë të pushtetit, ajo nuk reziston gjatë e të sakrifikojë për idealet e interesat e popullit. Këtë e tregoi fakti se sa kohë ishte në kalin e pushtetit, dhe kur pandehu se PD nuk do të futet në zgjedhje, ajo luajti rolin e një luajalisti politik “të sinqertë” se “do të sakrifikonte edhe mandatet e saj për hir të demokracisë”, por kur e pa se po i rrëshqiste vërtet pushteti, u bë si bishë në fushatë dhe, jo vetëm që e harroi fare sakrifikimin e mandateve “për të mirën” e popullit dhe demokracisë, por edhe tani, asnjë nga ministrat e saj nuk kanë dhënë dorëheqje, edhe pse partia e tyre është deklaruar hapur si opozitare e pushtetit. As me PD, kjo parti nuk mund të bashkohet realisht në një front të fuqishëm opozitar, sepse LSI është mësuar të drejtojë e menaxhojë situatat në mënyrë pragmatiste me moton: “sukseset janë të mijat, dështimet të të tjerëve”. Koha shumë shpejt do të na bindë se LSI në zgjedhjet e ardhshme, ose do të kthehet në rezultatin fillestar të 2009, ose do të kthehet tek partia nga e cila doli.