Viron Kona: Guri
-Rrëfenjë satirike-
Ishte koha kur në mbarë vendin kishte filluar një lëvizje e gjerë kundër burokratizmit dhe atyre zyrtarëve, që zvarritnin apo vështirësonin zgjidhjen e halleve dhe problemeve të shumta që kishin njerëzit. Madje, aso kohe mori hov sidomos metoda e kritikës nga poshtë-lartë që bëhej nëpërmjet mbledhjeve dhe demaskimeve… Ridi, një punëtor i ri i ndërmarrjes komunale, i pakënaqur nga shefi i tij, i cili po ia vështirësonte jetën duke e mbingarkuar me punë, por edhe duke i dhënë një pagesë shumë të ulët, në një mbledhje kërkoi lejë dhe iu drejtua shefit me zemërim:
-Zoti shef! Edhe unë kam një kritikë për ty, një nga këto bashkëkohoret që kanë drejtimin nga poshtë-lartë. Që në fillim po të them se jam i indinjuar nga qëndrimet e tua ndaj meje, prandaj po të paralajmëroj se kritika ime do të jetë aq e rëndë dhe e fuqishme, saqë kur ta bëj “do të dridhet dheu!”
-Kujdes, or djalë, – ndërhyri dikush nga salla me humor, – se, siç po thua, me atë kritikë dashke të na shkatërrosh edhe ne të tjerëve. Ne s`të kemi faj, ke ç`ke zgjidhe me shefin dhe lëre dheun në punën e tij!
Punëtori u zu ngushtë, u gëlltit dhe tha:
-Fjalë që thashë “se do të dridhet dheu nga kritika ime”, janë vetëm një shprehje e figurshme, por kritikën e kam me të vërtetë të rëndë…
-Meqenëse fjalën tënde, po e shoqëron me shprehje të figurshme,-ndërhyri shefi me qesëndi,-më lejo edhe mua, o z. Ridi, të bëj një përfytyrim në mënyrë të figurshme rreth pasojave që do të shkaktojë kritika jote.
-Si ta bësh ti atë përfytyrim të figurshëm, si të mos e bësh, unë nuk ndalem, unë do ta bëj kritikën,-iu përgjigj punëtori,-Por, meqenëse po e kërkon doemos ta bësh atë përfytyrim, bëje, zbraze thesin!
-Faleminderit!-tha shefi duke nënqeshur dhe vijoi:-Këtë çast, o zoti Ridi, unë po e krahasoj kritikën tënde të rëndë dhe të fuqishme me një gur që, ta zëmë se ti si punëtor, do të ma vërvitësh mua nga poshtë-lartë, pikërisht atje në zyrën time në katin e shtatë të godinës. -Shefi heshti një çast dhe iu drejtua përsëri punëtorit:-E pranon krahasimin figurativ që po bëj unë, ku forcën e kritikës tënde po e krahasoj me forcën e gurit që do të më vërvitësh në katin e shtatë?
-Po e pranoj, ashtu do të jetë ajo, e fortë, madje më e fortë se guri, ajo do të jetë si një shkëmb i fuqishëm…
-Shkëmb qoftë!-tha shefi dhe vijoi: -Ta zëmë se ti e vërvite gurin dhe ai goditi shënjestrën, domethënë më goditi mua në kokë, në trup apo në këmbë. E merrni dot me mend se çfarë do të ndodhë pas asaj goditje? Pas asaj goditje, o zoti Ridi dhe ju o miqtë e mi, gjëja e parë që do të bëj unë, është se do të ulërijë sa të alarmohet e tërë godina e institucionit tonë. Të gjithë zyrtarët dhe shefat do të mblidhen rreth e qark meje tepër të tronditur, ndërsa pas pak çastesh do të mbërrijë ambulanca dhe do të më çojnë urgjentisht në spital, ku, gjatë mjekimit unë do të rënkojë sa të mallëngjejë gjithë personelin dhe të sëmurët rreth e qark. Ndërkaq, do të nis të protestoj se, ndaj meje, “duke qenë në krye të detyrës” dhe “për shkak të detyrës”, më goditën me mjete të forta fizike, më bënë atentat mafioz. Do të shfaqem përpara kamerave me kokë dhe me trup gjithë fasha të bardha dhe, me një zë prekës që të këput shpirtin, do të kërkojë nga shteti im, policia, prokuroria, gjykata, të merren masa për mbrojtjen e jetës sime, kurse shkaktari të vihet urgjentisht përpara përgjegjësisë ligjore dhe të marrë ndëshkimin e merituar. Nëse ai do të jetë larguar “në drejtim të paditur”, atëherë do të bashkëpunohet me Interpolin për ta kapur dhe për ta nxjerrë përpara drejtësisë. Për të më siguruar mua nga ndonjë sulm apo atentat tjetër i mundshëm, do të më vënë roje sigurie, domethënë truproje. Në spital do të më mbajnë për disa ditë me “regjim të rreptë shtrati”, duke qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor, ndërsa për ecurinë e gjendjes sime shëndetësore do të jepen disa herë në ditë komunikata nga ana e drejtorisë së spitalit. Kur mjekët do të arrijnë në konkluzionin se jam “jashtë rrezikut për jetën”, rreth meje do të mblidhen dhjetëra gazetarë dhe fotoreporterë dhe unë do të filloj t`u përgjigjem larmisë dhe llojshmërisë së pyetjeve të tyre, ndërkohë që zëri im do të dëgjohet në radiot e vendit, portreti im do të bëhet shumë i njohur, në faqet e para të gazetave dhe të revistave, duke filluar nga fotografitë e fëmijërisë, të rinisë dhe tani si zyrtarë. Gazetat do të publikojnë edhe artikuj e dëshmi që do të pasqyrojnë jetën dhe veprimtarinë time si specialist dhe kuadër i zoti, si dhe atë shkencore dhe atdhetare. Do të zhvillohen emisione të veçanta televizive për origjinën time, për prindërit, gjyshërit, për pasionet e mia në ushqim dhe veshje, për pasionin tim për mbajtje qensh, për peshkim, për hedhje me parashutë…; shkrimtarët do të marrin tek unë subjektet, skulptorët do të krijojnë skicat për buste dhe monumente, poetët do të frymëzohen dhe do të thurin vargje, piktorët do të më vëzhgojnë për të më bërë portrete me ngjyra apo tablo…Por, të mos harrojmë se në hapësirën e medieve do të përfshihen edhe kolegët e mi, shefat më të mëdhenj, të cilët, të gjithë, së pari do të më drejtojnë urime për shëndet të plotë, do të më përshkruajnë si një zyrtar shteti të shkëlqyer, me tipare, cilësi dhe ngjyrime heroike, ata do të flasin për vlerat e larta të mia në punë dhe në kryerjen me besnikëri të detyrave të rëndësishme… Sigurisht që do të dënojnë me fjalë të zjarrta aktin kriminal dhe mafioz që u bë kundër meje…Në mediet e shkruara dhe ato televizive do të jetë e pranishme edhe familja ime, bashkëshortja dhe fëmijët. Kuptohet, që, me intervistat që do të japë ime shoqe do të mallëngjejë të gjitha gratë e qytetit, të cilat, të organizuara në shoqata do të nisin organizimin e manifestimeve të fuqishme për mbrojtjen e jetës së bashkëshortëve të përkushtuar ndaj familjeve të tyre. Kurse, vogëlushët e mi, do të jenë heronjtë e fëmijëve, fillimisht në lagje, kopshte e shkolla të zonës dhe, më pas në të gjithë vendin…E përfytyroj që, ato ditë e javë qyteti do të gumëzhijë nga demonstratat paqësore të punonjësve të administratave, të cilët do të kërkojnë garanci dhe siguri jete në punë. Në duar, ata do të mbajnë portretin tim, si dhe pankarta me urime për shërim të shpejtë dhe të plotë… Edhe tregtia nuk do të mbetet pas. Portreti im do të stampohet në këmishët dhe bluzat e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe në sende e produkte të përdorimit të përditshëm, por edhe në kopertinat e librave dhe sidomos të fletoreve të nxënësve të shkollave nëntë vjeçare dhe të mesme. Siç mund të merret me mend, Qeveria, në një mbledhje të veçantë, që do të transmetohet drejtpërdrejtë në televizor, do të vendos për mua masën e shpërblimit për të më zhdëmtuar, ndërkohë që Presidenca do të më akordoj dekoratën më të lartë të heroizmit popullor…Do të jetë fillimisht qyteti im që do të më shpallë “qytetar nderi”, pastaj këtë titull dhe nder të veçantë do kërkojnë që të ma bëjnë edhe qytete të tjera të vendit. Veç këtyre, shoqatat bamirëse do të mbledhin ndihma në të holla, duke çelur për mua llogari bankare në disa banka, besoj se do të ketë edhe propozime, anketa dhe intervista me qytetarët, ku do të kërkohen mendime për zgjedhjen time në organe të larta të shtetit…
-Çfarë posti do të dëshiroje ti shef ?-se kush e pyeti.
-Po, do më pëlqenin shumë poste, por si fillim, zgjedhja deputet, do të ishte si prag karriere, aq më tepër që atje s`ke asnjë lloj detyrimi dhe përgjegjësie, atje është Amerika siç e konceptonim ne qëmoti: “Ha, merr, ikë!”…
-Po largoheni përsëri nga tema,-tërhoqi vëmendjen një pjesëmarrës, -lutemi vazhdoni ku e latë fjalën zoti shef.
-Po, më falni,-tha shefi dhe vijoi:-Ato ditë do të diskutohet se ku dhe si mund t`i bëj pushimet sa më të bukura dhe të sigurta së bashku me familjen. Do të më bëhen oferta nga disa vende, ku edhe klinikat mjekësore do të jenë të gatshme për çdo lloj kurimi apo trajtimi të specializuar. Doemos që do të merret edhe mendim im për të zgjedhur midis klinikave amerikane, gjermane, angleze, franceze…
-Më mirë amerikane, – tha dikush nga salla dhe u dëgjuan duartrokitje.
-Po, edhe gjermane shumë mirë është, – tha një tjetër dhe përsëri u dëgjuan duartrokitje.
Ndërsa shefi fliste, të gjithë dëgjonin me shumë vëmendje, kurse Ridi kush e di pse kishte rënë në mendime dhe nuk e kishte më padurimin e madh për të folur si pak çaste më parë…
Shefi heshti një çast, pa shkarazi me bisht të syrit nga Ridi dhe vijoi:
-Këto që thashë, o miqtë e mi, janë njëra anë e medaljes, por ju e dini se medalja ka dy anë, kështu që, nëse ju jeni dakord, unë mund të flas edhe për anën tjetër. Gjithsesi, unë do të kërkojë edhe lejen e zotit Ridi, nëse duhet të vazhdoj me përfytyrimin tim për anën tjetër të medaljes, apo jo? Si mendoni ju zoti Ridi?
-S`di si t`ju them z. shef…
-Po apo jo?-pyeti shefi me dashamirësi.
-Po,-iu përgjigj Ridi me një zë që mezi u dëgjua.
-Faleminderit,-tha shefi dhe vijoi:- Ta zëmë, o miqtë e mi punëtorë, se guri nuk arriti të më godas mua, atëherë, e përfytyroni dot se çfarë do të ndodhë? Hë?
Të gjithë ndiqnin me kureshtje të madhe përfytyrimin dramatik dhe komik të shefit. As miza nuk dëgjohej.
-Ai gur, të dashur miqtë e mi punëtorë dhe kolegë, – pra, ai gur që punëtori e hodhi nga poshtë-lartë, ngaqë nuk goditi në shënjestër, do të filloj menjëherë të bjerë nga lartë – poshtë…Por, a e dini ju se me çfarë shpejtësie bie guri nga lartë-poshtë? E dini ju se çfarë peshe dhe çfarë fuqie merr ai gur, duke rënë nga lartë-poshtë? Ai gur, në bazë të ligjeve të fizikës do të ketë nxitimin e rënies së lirë të trupave, domethënë 9,8 m/s². Ja, këtë shpejtësi do të ketë guri në rënien e lirë. Ai gur i vogël, për shkak të asaj shpejtësie, do të shndërrohet në një “përbindësh” në rast se bie pikërisht atje ku u nis, pra…,qoftë larg, ai mund të bjerë mbi kokën e atij që e hodhi …
-Thuaje troç,-se kush tha,-ai do të bjerë në kokën e punëtorit që e vërviti nga poshtë-lartë, domethënë në kokën e Ridit…
-Ju lutem,-tha shefi,-ju lutem miqtë e mi! Të mos i banalizojmë gjërat, ne, me përfytyrime artistike po flasim, kështu e nisëm dhe kështu do të përfundojmë, apo jo?
-Vazhdoni shef, vazhdoni,-thirrën disa zëra.
-Po të dashurit e mi, po vazhdoj, madje tani më erdhi në mendje edhe ajo teoria e bumerangut…
-Çfarë është bumerangu?-pyeti dikush.
-Druaj se po dalim nga tema…
-Na i shpjego, na i shpjego se ç`është bumerangu,-ngulmuan disa të tjerë.
-Bumerangu, miqtë e mi, është një shkop i trashë, i përkulur e me majë, që, kur hidhet me forcë dredhon në ajër dhe kthehet përsëri tek ai që e ka hedhur. Shprehja “goditje bumerangu” përdoret kur dikush e jep goditjen për dikë tjetër, por e pëson vetë…Por, ne, po vijojmë rastin tonë, të gurit, jo të bumerangut, pra ku e lamë?
-E lamë atje ku guri ra atje ku u nis, domethënë ra mbi kokën e atij që e nisi lartë, domethënë të shokut tonë Ridit…
-Mbaje gojën ti,-iu hakërrua Ridi atij që i përmendi emrin.
-Unë thjeshtë nënvizova përfytyrimin figurativ të shefit, – tha ai që foli.
-Lutem vazhdojmë,-tha shefi dhe vijoi,-kuptohet që, pas asaj ngjarje që mund të përfundojë në mënyrë tragjike, në medie elektronike, të shkruara apo ato televizive, fillimisht do të jepet një lajm i rëndomtë, fare banal, i cili shpejt do të marrë dhenë dhe do të pasohet nga dhjetëra artikuj dhe kryeartikuj ku, me germa të mëdha do të shkruhet: “Krimineli e gjeti nga vetvetja”, “Kush kërkon t`i hap gropën tjetrit, bie vetë në gropë”, madje, do ketë edhe ekstremistë që do të mallkojnë nëpër dhëmbë me keqdashje “Hë, ç`ju bë mirë atij…!” Por, do të ketë edhe nga ata që do të shprehen ndryshe: “Po atij, ç`ju desh, përse trazoi urët e zjarrit!”, “Përse ngacmoi folenë e grerëzave”, “E kërkoi vetë belanë!”, “Nuk pa udhën e tij, por vajti dhe ngacmoi gjarprin në ferrë!” “Eh, ç`e gjeti të shkretin!” ose “Përpara të madhit dhe prapa kalit, mos rri!”, “Po, si, nuk e dinte ai i gjorë se edhe shiu nga lartë-poshtë bie?”, “I dilet trenit përpara me grusht!”, “Si guxon ai të hahet me qeverinë!”, “Qeveria e kap lepurin me qere!” e ku ta di unë sa e sa të tjera që edhe ju i dini se fjalori i populli është shumë i pasur me rrëfenja dhe fjalë të urta…
Shefi heshti një çast dhe vazhdoi me ton mallëngjyes:
-Ç`t`ju them më tej, o miqtë e mi punëtorë, çfarë t`ju them! Ju e kuptoni, e merrni me mend pasojën dërmuese të atij guri, domethënë të asaj kritike, që nisi për mirë nga poshtë-lartë dhe përfundoi mos më keq nga lartë-poshtë…eh, eh! Nuk thotë kot populli: “Nisja dihet, por se si do të shkojë më tej, një zot e di!”…
Dhe kur pa se të gjithë qëndronin të shushatur nga ai përfytyrim, shefi vijoi:
-Ju lutem, pas këtij shpjegimi dhe përfytyrimi tim figurativ, unë dëshiroj që, tani t`i hap rrugë me kënaqësi të madhe punëtor Ridit, i cili me pasionin e një të riu dhe karakterin tij të palëkundur, do të më bëjë mua atë kritikën e rëndë, të fuqishme dhe bashkëkohore me drejtimin nga poshtë-lartë…
Të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje, kthyen vështrimet nga Ridi. Ai ishte bërë dyllë i verdhë dhe mezi mundi të thotë:
-Unë…unë teksa dëgjoja fjalët dhe përfytyrimin e shefit tonë, u ndjeva… i zemëruar… i nervozuar…i trishtuar…E humba dhe atë fije besimi dhe shprese se disa gjëra mund të ndreqen… E tërheq kritikën time dhe, them me dhembje se çdo lloj kritike, apo, siç bëri krahasimin shefi ynë, çdo lloj guri që ne punëtorët mund ta hedhim nga poshtë-lartë, në fund mbi kokat tona do të bjerë…!