Zacharias Papandoniou: Pasdite të trishtuara
Në lagjen tonë të varfërisë,
mendja më rri tek një sokak,
pasdite e trishtë, mbushur farmak,
e djelë dhe gjethi nuk lëviz.
Nën diellin që përvëlon
një vajzë e vyshkur, pa shkëlqim,
ujit zambakët në ballkon,
pa zë, pa shpresë, pa hidhërim.
Asnjëri rrugës nuk kalon,
po dhe ajo nuk pret njeri,
ka veshur një fustan të ri,
që ndrin më kot e kuqëlon.
Si magjistricë gëlon një plakë.
Bri një rrënoje ndënë mur,
hij’ e fëmijës bredh mbi gurë
tinguj këmbane vijnë që larg…
E ndën ato të errëta re,
do zhytet dielli pas pak.
Si psallmë e fundit veç ai zë,
i tregëtarit endacak.
Gjithçka u step, u ndal atje.
Mbrëmja nuk thotë të vijë, mënon ….
E shpirti im buçet, gulçon.
E djelë pasdite, helbete!
Shqipëroi: Arqile Garo
Janninë, mars 2014