Aleksandër Novik: Dasma “arnaute” (greko-shqiptare) në rajonin e Detit Azov
Dasma “arnaute” (“greko-shqiptare”) në rajonin e Detit Azov (materialet e studimeve shkencore në terren të viteve 2015-2016)
Në brigjet e detit Azov si pasojë të luftrave turko-ruse në gjysmën e dytë të shekullit XVIII janë themeluar disa vendbanime me popullsinë arnaute: fshati Margaritovo, fshati Epirskoje, fshati Himara, fshati Allbanskoje etj. (rajoni i Rostivit, rusisht qyteti quhet Rostov na Donu). Në vitet 2015 – 2016 Akademia e Shkencave e Rusisë dhe Universiteti Shtetëror i Sankt Peterburgut kanë organizuar dy ekspedita në këto vendbanime. Studimet në terren na kanë lejuar të grumbullojmë shumë materiale etnografike lidhur me dokët dhe zakonet familjare në rradhë të parë me dasmën tradicionale për të cilat bie fjalë në këtë referim.
Institucioni shoqëror i martesës (zgjedhja e bashkëshortit/bashkëshortes, kushtet ekonomike dhe sociale të nënshkrimit të martesës, faktori rajonal, stereotipet etnike etj.,) dhe ritet martesore tek pasardhësit e popullsisë arnaute të rajonit të Detit Azov janë transformuar dukshëm në shekullin XIX – fillim të shekullit XXI nën ndikim të etnive që jetojnë në këtë zonë – kryesisht rusët, ukrainasit, armenët etj. Dasma është një nga ngjarjet kryesore jo vetëm në jetën e njeriut, i cili ndryshon statusin e tij social në mënyrë të dukshme, por edhe në jetën e familjes së tij, të farefisit, shoqërisë vendase, nganjëherë madje edhe të komunitetit fisnor dhe krahinor. Autori në bazë të materialeve të vjela në terren gjatë ekspeditave rindërton kodin veprues të dasmës, duke sqaruar skenarin e ceremonive martesore në vitet 1940-1960, të cilat konsiderohen nga të anketuarit kryesorë dhe me autoritet si tradicionale dhe “greke” (sic!). Në këtë kumtesë analizohet leksiku i termimologjisë së riteve të dasmës (ky fjalor është shumë i pasur), vjelë nga autori, si dhe rrëfimet e regjistruara në të folmen vendase të rusishtes tek banorët e fshatrave Margaritovo, Çumbur Kosa etj. që kanë lindur në vitet 1920-2000; ky fakt lejon të bëhen krahasime të gjendjeve kalimtare që ndodhin në fushën e gjuhës dhe të traditave. Ritet dhe zakonet martesore që janë ndikuar fort prej traditave të etnive të tjera (si pasojë e kontakteve intensive me fqinjë të afërt rusë dhe ukrainas, si dhe proceseve të globalizimit në dhjetëvjeçarët e fundit) dhe struktura e të cilave është transformuar ndjeshëm me risi në kushtet e zbehjes së vazhdueshme të traditës, nga pikëpamja e metodikës shpjegohen me shumë shembuj materialesh të grumbulluara në terren. Fakti i rëndësishëm që fiksohet në rajonin e Detit Azov është revitalizimi i traditave që kanë të bëjnë me kulturën arnaute (greko-shqiptare).