Albspirit

Media/News/Publishing

Dasma ndër shqiptarët e Devollit

Marina Sulloeva, Aleksandër Novik
DASMA NDËR SHQIPTARËT E DEVOLLIT: MATERIALET ETNOLINGUISTIKE TË STUDIMEVE SHKENCORE NË
TERREN TË VITEVE 2011 – 2014

Gjatë viteve 2011 – 2014 janë organizuar studimet shkencore në terren në juglindje të Shqipërisë (krahinat Korça, Devolli, Kolonja), në zonat me popullsinë polikonfesionale dhe multietnike: këtu jetojnë shqiptarët e fesë ortodokse, shqiptarët myslimanë, arumunët (vetëm të krishterë), jevgjit (në masën e tyre myslimanë), grekët ortodoksë. Islami është përhapur në këtë zonë në dy forma: suni dhe bektashi. Studimet etnolinguistike në terren janë kryer nga kolektivi shkencor: Andrej Sobolev, Aleksandër Novik, Denis Ermolin, Maria Morozova, Aleksandra Dugushina, Marina Sulloeva.
Një nga qëllimet kryesore të ekspeditave tona ishte të gjejmë paralelet në gjuhën dialektore dhe kulturën tradicionale të popullsisë vendase me ato të pasardhësve të kolonistëve shqiptarë në Buxhak dhe në rajonin e Azovit (për shkak të dëshmive të shumta linguistike dhe historike që kanë të bëjnë me hipotezën e ardhjes së shqiptarëve në Bullgari dhe më vonë në Perandorinë Ruse pikërisht nga krahina e Korçës). Për organizimin e ekspeditave është përgatitur metodika e re e mbledhjes dhe grumbullimit të materialeve e cila lejon të fiksojmë faktet nga më të ndyshmet që kanë të bëjnë me kujtesën kulturore të popullsisë së krahinave në studim dhe që kanë lidhje me historinë e mërgimit të pjesës së popullsisë në fillim të shekullit XVII.
Një nga ritet kryesore në fushën e traditës etnokulturore në krahinën e Devollit është ai i dasmës. Ritet dhe zakonet e dasmës që fiksohen gjatë punës shkencore në terren dëshmojnë për ruajtjen e kodit të personazheve (këtu mund të themi për paralelet në terminologjinë e grupeve të veçanta leksiko-semantike me dasmën tek shqiptarët e Ukrainës në Buxhak dhe në rajonin e Azovit: nuse, nun etj.). Në kodin e lëndëve të riteve të dasmës fiksohen shumë denotate që emërtojnë bukën rituale dhe gatimet e Kuzhinës: bakllava me njëqind petë etj. Kodi akcional i riteve të dasmës te shqiptarët e Devollit ka shumë paralele me praktikat rituale që janë të përbashkëta për tërë Toskërinë. Megjithatë këto praktika rituale kanë shumë tipare të përbashkëta edhe me ato të maqedonasve, bullgarëve dhe grekëve.
Veshjet popullore janë marker i rëndësishëm i grupeve të ndryshme të popullsisë së Devollit.Varianti më i pasur nga pikëpamja e zbukurimeve është varianti i kostumit të dasmës. Materialet të mbledhura në terren (audiofajlet me incizim të intervistave, tekstet e narrativave, fotografitë etj.), objektet e kulturës tradicionale janë grumbulluar në Muzeun e Antropologjisë dhe Etnografisë (Kunstkamera) të Akademisë së Shkencave të Rusisë. Fondi i materialeve nga Devolli është pjesë e Fondit të Atlasit të Vogël Dialektologjik të Gjuhëve Ballkanike të arkivuar në Kunstkamerë në Sankt Peterburg.

Please follow and like us: