Albspirit

Media/News/Publishing

Dorina Arapi: Vizitë në shtëpinë e Faik Konicës

yteti i vogël i Konicës ndodhet rreth 17 km larg pikës kufitare shqiptare dhe 64 km larg qytetit të Janinës. Sapo largohesh nga pika kufitare e Shqipërisë, për një kohë të shkurtër has nga larg pamjen e një qyteti, i cili shtrihet buzë maleve, ku dallon shtëpitë e bardha të vendosura njëra pas tjetrës e ku perëndimi i diellit ka praruar peizazhin dhe malet kanë marrë ngjyrë umbra e violë. E ndërtuar në 640 m mbi nivelin e detit, Konica vendoset si një gjerdan i rrethuar me pishat e nga vargmalet e Pindit, me një klimë kontinentale e me një natyre të pasur pyjore. Ka shumë shpjegime për prejardhjen e emrit të qytetit, por ende sot nuk ka të dhëna të sakta rreth saj. Pukëvili, historian dhe konsull në oborrin e Ali Pashës, i cili pati udhëtuar gjithë Epirin gjatë periudhës osmane, flet për Antinania, e cila qe shkatërruar disa herë nga pushtimet e hershme barbare. Sapo hyn në qytetin e Konicës, rrugët marrin tatëpjetën, që shpesh një i huaj has vështirësi e lodhje për t’i përshkruar, por natyra me qiparisat e lartë e fushat që shtrihen përballë Konicës, të çlodhin mendjen e syrin, duke të dhënë qetësi. Atmosfera e ngrohtë dhe intime e qytetit kontraston me shpatin e malit Tymfi, të cilin e shihja çdo mëngjes nga ballkoni im e më jepte përshtypjen sikur njeriu e kishte skalitur e ku heronj gjigandë kishin lindur këtu. Shtëpitë e gurta duken sikur mbartin një histori shekullore, me një natyrë impresionuese, e cila ka gdhendur dhe karakterin e banorëve.

Konica ka një popullsi pothuajse me 6000 banorë dhe së bashku me rrethinat shkon rreth 9000 banorë. Në shekujt e kaluar ky qytet ka njohur një bashkëjetese të besimit kristian ortodoks dhe të atij islam, ndërkohë që në ditët e sotme popullsia është e tëra ortodokse, me praninë e shumë pak familjeve myslimane. Pozita e saj gjeografike ka vendosur fatin e qytetit, i cili ka qenë një udhëkryq për udhëtarët, ku njëra prej degëve të rrugës Egnatia kalonte në lumin Aoos (Vjosa) e të çonte deri në dalje të Detit Adriatik. Kjo ka bërë që Konica të jetë një ndërthurje e kulturës epirote me atë bizantine e osmane dhe me monumente kulturore të epokave e të besimeve të ndryshme.

Historia e Konicës nis me vendbanuesit e hershëm të kësaj zone, të cilët kanë qenë fiset luftarake molose të Epirit. Studimet dhe gjetjet arkeologjike flasin se gjatë periudhës helenistike, mbreti Pirro ndërtoi në zonat përreth, fortifikime, të cilat u quajtën “Kastra pyrrhi”. Me krijimin e despotatit të Epirit, ajo u kthye në një zonë të rëndësishme dhe më pas në periudhën e dominimit osman Konica u bë pjesë e Sanxhakut të Janinës. Me ardhjen në pushtet të Ali Pashë Tepelenës, ajo pati një rritje të madhe ekonomike dhe u bë një zonë e rëndësishme e Epirit.

Qyteti është mjaft i pasur me monumente kulturore të ndryshme, ndërtesa të vjetra të arkitekturës epirote, ku dallohen monumente kristiane-ortodokse, si dhe ato që i përkasin familjeve të hershme myslimane. Gjatë qëndrimit tim disa ditor në këtë qytet, pata fatin të shoh shumë prej tyre si: xhaminë e Sulltan Sulejmanit, kishën e Shën Apostujve, shkollën e vjetër Myslimane, urën e vjetër që ngrihet mbi Vjosë e plot të tjera. Falë trashëgimisë kulturore dhe eko-turizmit, Konica mbetet një zonë tërheqëse për turistët, por dhe për studiues të shumtë. Një dëm të konsiderueshëm në dëmtimin e monumenteve dhe të banesave, ka sjellë tërmeti i vitit 1996, ku u dëmtua një pjesë e madhe e tyre,por rreth 70% e tyre janë të rindërtuara.

Një nga veçantitë e këtij qyteti dhe të zonave përreth janë dhe artizanatet e ndryshme, si ajo e punimit të gurit, punimi e gdhendja e drurit, si dhe piktorët e ikonave. Karakteristikë e qytetit janë shtëpitë prej guri të punuar nga vetë punëtorët e qytetit apo të fshatrave përreth. Kjo është një traditë që zgjat prej disa shekujsh. Mastorët ishin mjeshtrit e të gjitha zanateve përgjithësisht, ndër to ishin dhe mjeshtrit e përpunimit të gurit dhe të gdhendjes së tij, të cilët ndërtonin shtëpi e ndërtesa prej guri. Duket se ka qenë një zanat i përhapur në ato zona dhe ndoshta një mundësi fitimi për banorët. Ashtu siç shkruajnë dhe studiuesit, mjeshtrit e gurit “përgjithësisht vinin nga vende malore e të varfra, nga Mastrohoriat( zonat përreth Konicës), nga Xhumerka(afër Artës), nga Maqedonia Perëndimore, nga Kolonja e Shqipërisë dhe nga Peloponezi”, të cilët u morën me punimin e gurit dhe me ndërtimin e banesave. (Natyra dhe aktiviteti njerëzor, Ministria e Arsimit dhe Besimit fetar, Konicë,2005). Duke qenë se zona e Konicës dhe rrethinat përreth janë të pasura me gur, më parë ka qenë traditë që edhe çatitë e shtëpive të ishin të ndërtuara me rrasa guri. Gjë që e sheh dhe sot e kësaj dite në Konicë. Kjo lloj veçantie lidhet dhe me historikun e saj, si edhe me natyrën. Duke qenë një qytet i rrethuar me male, me një klimë ku dimri është i ftohtë, ndërtimi i shtëpive me gur ka qenë një domosdoshmëri për të përballur acaret e ftohta. Nga ana tjetër, banesat ishin më të forta e më të mbrojtura gjatë luftërave. Mjeshtrit e gurit ishin punëtorë, të cilët nuk punuan vetëm në Greqi, por dhe në vende të tjera të Europës e deri në Afrikë. Në vendet ku shkonin, ata ndërtonin me materialet vendase, por gjithmonë duke ruajtur një lloj stili siç ishin shtëpitë në Konicë e fshatrat përreth. Sipas studiuesve, ky zanat filloi të zhvillohej rreth shekullit të XVI. Perandoria Osmane u kishte dhënë atyre një status zyrtar nëpërmjet të cilit i siguronte ecuritë në punime, si dhe ishin të lirë të ushtronin zanatin. “Këta mjeshtër të gurit krijuan një lloj hierarkie dhe një gjuhë të kodifikuar, me të cilën komunikonin ndërmjet tyre dhe ishte e pakuptueshme për punëtoret e thjeshtë.” (Guidë eko-turistike, Konica dhe Mastorohoria,Janine, 2008). Sot, pas emigracioneve të shpeshta të shqiptarëve në ato zona, ky zanat ka filluar të perfeksionohet dhe tek punëtorët shqiptarë që banojnë atje. Një pjesë e mirë e monumenteve ndodhen në pjesën më të lartë të qytetit, ku vihet re se ato gjenden të vendosura afër njëra-tjetrës, sidomos tek objektet e kultit.

Atë ditë vere, duke hipur në Konicën e sipërme e duke kërkuar për kishën, pyeta një kalimtar për vendndodhjen e saj, i cili me shumë dashamirësi më tregoi se ku gjendej, duke më vizatuar një hartë të vogël orientimi, që paraqiste kishën me një kambanare. Përgjithësisht vura re tek qytetarët, se kishin njohuri për objektet e tyre të kultit. Duke e falënderuar, vazhdova rrugën nën vapën e madhe që ato ditë korriku kishte kapluar gjithë qytetin. Pas disa minutash arrita të dalloj kishën e Shën Apostujve. Ajo është një nga kishat më të vjetra dhe më të rëndësishme të qytetit, e cila ishte e vendosur në një pikë të lartë, ku pranë saj ndodheshin dhe varrezat. Data e ndërtimit nuk njihet, por brenda saj gjenden afreske që datojnë në shekullin e XVI. Duke bërë disa hapa më tej, në një hapësirë me një sheshpushim ndodhej xhamia e Sulltan Sulejmanit, ashtu siç e quajnë studiuesit. Për të mendohet se është ndërtuar në vitin 1536, kur sulltani kishte qenë duke kaluar në Konicë. Duke e parë me vëmendje këtë xhami, më erdhi keq për gjendjen jo të mirë të saj, pavarësisht konservimeve që i janë bërë gjatë viteve. Nisur nga përshtypjet e mia, xhamia nuk ishte e përmasave të mëdha. Afër saj ndodhej dhe një tyrbe, e cila ishte e ruajtur nga jashtë, por arrita të vërej se në brendësi nuk ishte në gjendje fort të mirë. Qetësia dhe dielli i fortë i asaj dite krijonin një atmosfere pa kohë. Pranë xhamisë ndodhej dhe një park lojërash për fëmijë, ku ngjyrat kuq e blu të lisharseve e bënin dhe më të çuditshme situatën. Një pjesë e konsiderueshme e xhamisë ishte e rrënuar dhe pjesa e minares kishte rënë. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje në konservim, ku janë restauruar cepat e mureve të xhamisë, si dhe pjesa e harkut të dritareve. Jo më larg se 10 hapa në këmbë, gjendej shkolla e vjetër myslimane, e rrethuar me pemë, të cilat bënin një hije të këndshme e çlodhëse në oborrin e saj. Kjo shkollë është ndërtuar rreth shekullit të 19-të, ku thuhet se studionin të rinjtë për të marrë dije fetare. Ndoshta kjo e lidh dhe me faktin se gjendej shumë pranë xhamisë së Sulltan Sulejmanit. Ajo sot e kësaj ditë mban të ekspozuara fotografi me site të ndryshme të trashëgimisë kulturore të Konicës.

Në atë ditë korriku, ndonëse e lodhur nga vapa, zbrita poshtë tek lumi, të shikoja Vjosën dhe urën e vjetër të qytetit. Ura e vjetër mbetet një nga monumentet më tërheqëse për vendasit dhe për turistët, ku të rinjtë vijnë shpesh të kalojnë ditët pranë lumit e turistët që sodisin natyrën dhe bukurinë e urës së gurtë. Duke filluar në Epir e duke kaluar Konicën, Vjosa hyn në tokën shqiptare derisa derdhet në Detin Adriatik. Në përshtypjen e parë, ura dukej e lartë dhe me një hark të lartë. Sipas historive që tregonin vendasit, kjo ka qenë fillimisht e ndërtuar me dru dhe pas prishjes, ishte ndërtuar prej guri. Ajo filloi të ndërtohej në vitin 1870 dhe mbaroi në vitin 1871. Ndërtimi i saj u financua nga një bankier i asaj kohe, nga banorët e Konicës dhe nga familjet e pasura të qytetit, të krishtera dhe myslimane, ku një ndër ta ishte dhe Muhamet Bej Sisko, gjyshi i Faik Konicës. (Konica dhe fshatrat përreth, Sotiri P.Tufi, Konicë, 1994). Në librin e tij “Faik Konica, Jeta në Uashington” autori Ilir Konomi, flet për mbiemrin e gjyshit të Faik Konicës, që e thërrisnin Muhamet Bej Shishko dhe ky ishte mbiemri me të cilin njihej familja e Konicës në qytet.

Ajo çka është më e rëndësishmja në këtë qytet të vogël dhe që unë ndihesha më e lidhur me to ishte shtëpia e Zenel Beut dhe Hamkos, gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës, si dhe shtëpia e Faik Konicës, por që në qytet kjo e fundit njihet e emërtuar si shtëpia e Hysein Siskos. Këto dy banesa të mëdha u përkisnin familjeve më të pasura myslimane të qytetit të Konicës. Duke pasur fatin të qëndroja disa ditë në këtë qytet, fillova të pyes qytetarët rreth këtyre dy shtëpive. Për shtëpinë e Hamkos, qytetarët ishin më se të informuar për vendndodhjen e saj dhe të gjithë e njihnin si nëna e Ali Pashës dhe me shumë lehtësi të tregonin shtëpinë. Madje, dhe me një farë bindjeje, thoshin se kishte qenë një grua shumë e njohur për kohën e vet dhe e fuqishme, ashtu siç pohohet nëpër libra, Hamko pat qenë një grua me një bukuri mahnitëse, ku i gjithë qyteti asokohe fliste për bukurinë e saj, madje i kishin thurur dhe këngë. Shumë djem e patën kërkuar për grua, por ai që arriti të martohej me të ishte Veli Bej Tepelena. Nga martesa e tyre lindi Aliu dhe vajza e tyre, Shanisha. Roli i Hamkos në jetën e djalit të saj, ka qenë vendimtar. Ashtu siç shkruan Richard A.Davenport në librin e tij “Jeta e Ali Pashë Tepelenës, vezir i Epirit”(1837), Ali Pashai do t’i shprehej një konsulli francez ku thoshte se nëna e tij e bëri burrë dhe vezir ashtu siç përmenden dhe fjalët e saj drejtuar të birit se ai, i cili nuk mbron pasurinë e tij, meriton ta humbë atë. Lidhja e Pashait me të ëmën ka qenë tejet e fortë dhe vendimtare në krijimin e figurës së vezirit të Janinës.

Një tjetër shtëpi, e cila gjendej në afërsi të shtëpisë së Hamkos, ishte shtëpia e Faik Konicës, shtëpia ku ai u lind, jetoi vitet e para të fëmijërisë derisa shkoi në shkollë të mesme. Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. Ai ishte prozator, publicist, estet, i cili u diplomua në Universitetin e Harvardit për letërsi. Konica ishte kryetar i shoqatës “Vatra”, ishte një ndër udhëheqësit e grupit përfaqësues në konferencën e ambasadorëve në Londër, si dhe ministër i Shqipërisë në SHBA. Kaloi vitet e para të fëmijërisë së tij në Konicë dhe nga përshkrimet e tij duket se ka qenë i lidhur me shtëpinë e tij me një lloj nostalgjie e malli që e mundoi gjatë gjithë jetës së tij.

Për shtëpinë e Faik Konicës, asnjë njeri nuk kishte njohuri se ku mund të ishte dhe ku mund të ndodhej. Rastësisht, një ditë në kafenë e rrapit e cila ndodhej në qendrën e qytetit, duke bashkëbiseduar me një shqiptar me origjinë nga Leskoviku, ai më tregoi se shtëpia e Faik Konicës ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit. Ajo faktikisht në qytet njihej si shtëpia e Hysein Siskos, vëllait të vogël të shkrimtarit. Personi në fjalë, filloi të më shpjegonte ashtu siç e kuptonte ai, për një shtëpi të rrënuar, ku dallohej një oxhak i madh. U lumturova shumë dhe menjëherë shkova ta shoh. Nuk mund të humbja kurrsesi një gjë të tillë. Atë pasdite, një shi i lehtë kishte freskuar disi qytetin e vogël. Një shqiptar, që punonte e jetonte aty me familjen e tij prej vitesh, na shoqëroi të shihnim shtëpinë e Faik Konicës. Ai na shpjegoi se falë shiut, rreth shtëpisë nuk mund të dilnin gjarpërinj. Duke qenë se ishte një vend plot rrënoja e barishte të larta e plot myshk, mund të ishte një terren i favorshëm për shfaqjen e tyre. Pasi kaluam gardhin e hekurt dhe barishtet e larta, vështrova me entuziazëm shtëpinë e Konicës. Për fat të keq, ndërtesa kishte mbetur në gjendje të mjeruar. E dëmtuar gjatë kohës së tërmetit, sot kjo rezidencë e madhe është tejet e rrënuar. Për shumë vite me radhë ajo ishte përdorur si shkollë e mesme. Ndjeva keqardhje për shtëpinë duke menduar për figurën e lartë të kombit tonë. Teksa e sheh, dallohet ngrehina e një rezidence të madhe që ka humbur shkëlqimin. Familja e Konicës kishte qenë asokohe një nga më të pasurat familje shqiptare myslimane të kohës. Ndërtesa ishte një shtëpi e madhe, ku mungonte çatia e ku muret ishin të larta e prej guri, të rrethuara me lule zvarranike. Kati i parë i shtëpisë ishte i ndërtuar me blloqe guri të rregullta drejtkëndore, ndërsa kati i dytë ishte me gurë jo të rregullt dhe me një ngjyrë disi të errët. E tërë shtëpia kishte një ton gri në umbra, ku në sfondin e maleve dukej sikur zhytej akoma më shumë në një atmosferë mistike e të humbur në kohë. Hyrja kryesore e shtëpisë ishte një portë me një hark të plotë e të konsiderueshëm, i cili rrethohej në pjesën e sipërme nga një tjetër hark gurësh drejtkëndorë. Në pjesët anësorë të sipërme të portës,  gjendeshin dy pllaka guri të shkruara në arabisht. Nga kërkimet e mia falë miqve të mi, të cilët mund ta deshifronin, u arrit të lexohej se në njërën pllakë është shkruar në arabisht një sure për mbarësi, ndërsa te pllaka tjetër është shkruar data e ndërtimit të banesës sipas kalendarit islam, e cila përkon me 19 safar 1261 dhe me kalendarin tonë 26 shkurt 1845. Arkitektura e shtëpisë përngjason me atë epirote, që të kujton shtëpitë e gurta të Epirit e me kulla të larta e të fortifikuara. Nga pamjet satelitore në “Google”, duket që shtëpia ka një planimetri në formën e U-së. Në cepin juglindor gjendet kulla, të cilën e dalloja me vështirësi ndërmjet trarëve që zaptonin shtëpinë. Ndoshta ky grumbull trarësh mund të ishte struktura e çatisë. Brendësia e ndërtesës ishte e mbushur me gurë, me shumë barishte e myshqe dhe dukej që kishte prani lagështie. Kjo shtëpi dallohej që mund të kishte qenë mjaft e madhe. Sapo hyje brenda, në të majtë dhe në të djathtë, dalloheshin nga 3-4 shkallë, të cilat zbrisnin e të çonin në dy porta me harqe. Ndoshta këto dy porta mund të bënin lidhje me pjesën e poshtme të shtëpisë ose mund të kenë qenë hambare.

Sipas studimeve të kryera, para tërmetit, shtëpia e Faik Konicës  kishte në katin përdhes 7 dhoma dhe në katin e parë kishte 6. Thuhet se ka pasur mure të larta e të mbuluar me lule kacavjerrëse, dyert e dritaret kanë qenë prej druri, si dhe dhoma kryesore e tavani kanë qenë të dekoruar me gdhendje druri dhe të pasur me elemente dekorative e ndoshta të realizuar nga mjeshtrit dru gdhendës të zonës. Kopshti i shtëpisë ka qenë i mbushur me lule të ndryshme, me shatërvanë guri të gdhendur që ftonin njerëzit në një atmosferë të këndshme dhe aristokrate.

Sipas autobiografisë së Faik Konicës, ashtu siç shkruan dhe gazetari Ilir Konomi në librin e tij, Faik Konica binte në fis me Aliun, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës ishte katragjyshi i Faik Konicës.

Shtëpia e Zenel Beut dhe e Hamkos ishte disa hapa më sipër se ajo e familjes së Konicës. Në pamje të parë, shtëpia e Hamkos, ashtu siç e thërrisnin të gjithë e siç njihej, ishte një ndërtesë me të vërtetë impresionuese. Ajo ishte në përmasa shumë më të mëdha në krahasim me atë të familjes së Konicës. Që në momentin e parë më dha përshtypjen e një familjeje të fuqishme e të pasur të asaj kohe. Zeinel Beu kishte qenë një nga vendasit myslimanë më të pasur të qytetit, i cili kishte pasur prona dhe në Selanik. Sipas studimeve që janë kryer, duke qenë se kishte mjaft pasuri, për shkak të sigurisë së tij shtëpia ka pasur hyrje-dalje sekrete për t’u mbrojtur nga sulme të ndryshme. Që në pamje të parë, rezidenca shfaqet madhështore me muret e saj rrethuese dhe portën e hyrjes kryesore, e cila mban një hark të plotë e të lartë. Harku i portës ishte i gjerë, i rregullt dhe i rrethuar me tre breza harqesh të tjerë. “Për nga stili i ndërtimit dhe ornamentet e përdorura në harkun e jashtëm të hyrjes, kjo gjë është cilësuar si një traditë që përdorej zakonisht nëpër kisha dhe shtëpi të Epirit”. (Një takim me qytezën e Konicës, Dhionisios Dhim Tacis, Konicë, 1993)

Interesante ishin disa daltime e vizatime që gjendeshin në brezin e mesëm të harkut te porta e jashtme ku pasqyroheshin rozeta, kalorës, çekiçë, skuadra që ishin mjete të gurëgdhendësve, sëpata, shpata, bimë dhe ndoshta kaligrafi arabe. E ndërtuar në pjesën e sipërme të qytetit të Konicës, shtëpia e Hamkos duket sikur mbështillet nga malet e larta të qytetit. Ajo çka mbetur nga e gjithë kjo ndërtesë është kulla mbrojtëse, një pjesë e shtëpisë, disa kolona guri, si dhe muret rrethuese. Sipas studimeve të kryera, shtëpia e Hamkos filloi të ndërtohej nga mesi i shekullit XVIII nga babai i saj, Zenel Beu, dhe me kalimin e kohës u shtuan dhe hapësira të tjera. Në pjesën e saj perëndimore gjendet kulla e cila është ndërtuar në vitin 1843 dhe është restauruar në vitet ‘97-‘98. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje të shumta si ndërrimi i çatisë duke ruajtur stilin e kohës, ndërrimi i mureve, konservimi i harqeve të shtëpisë dhe i oxhakut, si dhe kthimi në gjendje funksionale i portave dhe i dritareve. Në projektet e shumta të bashkisë për shtëpinë e Hamkos mendohet të realizohet një muze për figurën e Ali Pashës.

Dëshira për të vënë në dukje këto momunte, vjen si një reflektim ndaj tyre, duke qenë se ato flasin diçka për historinë e dy figurave shqiptare. Duke menduar figurën e lartë të Faik Konicës dhe kontributin e tij për Shqipërinë, si dhe duke menduar figura historike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, që paraqet një periudhë të rëndësishme të historisë sonë, e ndjeva si diçka që të vjen natyrshëm ta shprehesh e ta bësh ditur. Duke u larguar nga qyteti i Konicës, ndjeva një lloj keqardhjeje. Ato ditë korriku në këtë qytet, kishin qenë për mua të mbushura me kuriozitet, me një sfond historik që do të mbeten në kujtesën time për një kohë të gjatë.

Please follow and like us: