Albspirit

Media/News/Publishing

Ernest Jakova: Pse s’mund të ketë rehabilitim për Enver Hoxhën?

 

Në librin e tij “Prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës”, botim i vitit 2008, gjeneral major Ernest Jakova i bën një skaner gjithë veprimtarisë kriminale të diktatorit Enver Hoxha si gjatë viteve të luftës dhe më pas, me instalimin prej tij të një prej diktaturave më të ashpra.

Pjesa e parë
1. Cili nga armiqtë e Shqipërisë së kohës ishte më i rrezikshmi?
Përgjigje: a) Italia fashiste, e cila e kishte pushtuar Shqipërinë më 7 prill 1939, në shtator 1943 kishte kapitulluar. b) Gjermania naziste, që e vazhdoi pushtimin e Shqipërisë, ishte në prag të humbjes së sigurt të luftës. c) Jugosllavia, e cila duke pasur Shqipërinë aleate në këtë luftë, kishte synime për të aneksuar Shqipërinë pas çlirimit, si republikë e shtatë e saj. Duke pasur parasysh egërsinë e pushtimit serb të Kosovës, Jugosllavia paraqiste armikun real më të rrezikshëm. Në luftën kundër nazi-fashizmit, Shqipëria ishte në aleancë me koalicionin anglo-sovjeto-amerikan. Por, bashkëpunimi i Ballit Kombëtar dhe i Legalitetit me pushtuesin gjerman, mund ta çonte Shqipërinë drejt shpërbërjes së saj, si vend që ka humbur luftën. Por, kjo nuk ndodhi, sepse forcat e Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit ishin shumë të pakta e pa ndonjë vlerë. Kurse ushtria nacionalçlirimtare ishte aq e madhe dhe e fuqishme, sa kishte kontribuuar duke detyruar gjermanët të mbajnë në Shqipëri një forcë të konsiderueshme prej katër-pesë divizioneve të saj. Është pikërisht kjo luftë e ky kontribut që e bëri Shqipërinë të radhitej në vendet fituese të luftës. Por, ndërsa bashkëpunimi i Ballit Kombëtar me forcat gjermane ishte legal, aneksimi i Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë po përgatitej të realizohej fshehurazi ushtrisë e popullit shqiptar. Pra, qëndrimi i të tria partive politike: PKSH, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, përbëjnë tradhti të lartë karshi atdheut. Pavarësisht nga këto qëndrime tepër negative të këtyre partive politike, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar përfundoi madhështore dhe e lavdishme, sepse atë e bëri populli shqiptar patriot, trim dhe liridashës dhe e drejtoi atë me bijtë më të mirë, komandantët e njësive të ushtrisë, të cilët me aftësitë dhe heroizmat e tyre e çuan luftën në fitore në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Si e tillë, madhështore dhe e lavdishme, ajo është njohur, vlerësuar dhe nga e gjithë bota.

2. Përse nuk flitet më gjerë për luftën?
Përgjigje: Objekti i librit janë prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës dhe jo lufta nacionalçlirimtare me operacionet, betejat dhe luftimet e saj që është madhështore dhe e lavdishme. Në libër për luftën flitet në tërësi, vetëm për momentet më të rëndësishme të saj, aq sa është e nevojshme për t’u kuptuar mirë rëndësia e momentit, qëllimi i çdo prapaskene të Enver Hoxhës dhe dëmi që ajo i ka sjellë luftës dhe popullit shqiptar. Megjithatë në këtë libër paraqiten qartë tri etapat e luftës, detyrat dhe rezultatet e arritura të tyre dhe të luftës në tërësi.

3. Çfarë solli komunizmi në Shqipëri?
Përgjigje: Pas fitores së revolucionit socialist në Rusi, idetë komuniste antiimperialiste u përhapën në të gjithë botën edhe në Shqipëri, si më përparimtare e demokratike e që sigurojnë mirëqenie të lartë për popujt. Kështu pritej. Por, në fakt komunizmi në Shqipëri e kudo gjetkë ka sjellë mashtrimin, krimin e tradhtinë dhe për popujt mungesën e lirisë së fjalës, urinë dhe vuajtjen e mjerimin. Të gjithë e kemi jetuar kohën e diktaturës komuniste dhe kujtojmë se liria e fjalës mungonte dhe se e ndjeje veten gjithmonë të pangopur sa nuk mund të duroje një vakt pa ngrënë. Kurse tani në demokraci flet lirisht dhe me gjithë korrupsionin e madh që ekziston, e ndjen veten gjithmonë të ngopur edhe po nuk hëngre një vakt apo edhe një ditë. Komunizmi dështoi në vetë Bashkimin Sovjetik, me humbjen e garës ekonomike me SHBA gjatë Luftës së Ftohtë, e cila solli shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, vendet e të cilit sot janë në kërkim të demokracisë së vërtetë. Ka zëra që thonë se demokracia e vërtetë pa luftë klasash ndodhet në qendër midis të majtës dhe të djathtës.

4. Enver Hoxha ka qenë i fshehur apo i rrethuar në malet e Martaneshit?
Përgjigje: Më lart në bazë të fakteve kemi vërtetuar se Enver Hoxha sa filloi operacioni gjerman i dimrit 1943-1944, nga frika e madhe që e kishte kapur, kishte shkuar për t’u fshehur në malet e Martaneshit si vendi më i përshtatshëm dhe ka qëndruar aty gjatë gjithë kohës së zhvillimit të operacioneve gjermane të njëpasnjëshme nga dhjetori i vitit 1943 deri në prill 1944, duke lënë ushtrinë pa drejtim dhe veten pa adresë, sa deri vonë askush nuk e ka ditur ku ishte fshehur. Mendimet se Enver Hoxha në malet e Martaneshit ka qenë i rrethuar, nuk qëndrojnë, sepse gjatë gjithë kësaj kohe në Martanesh forca gjermane e balliste nuk ka pasur. Edhe luftë aty nuk ka pasur. Atëherë nga kush u rrethua? Pra, në malet e Martaneshit Enver Hoxha ka qenë i fshehur nga frika dhe jo i rrethuar.

5. Çfarë ishin Tezat e Zeza?
Përgjigje: “TEZAT E ZEZA”; kështu Enver Hoxha e kishte quajtur materialin e përgatitur nga Beqir Balluku me një grup oficerësh, duke e konsideruar se ai atë e kishte bërë sipas ideve të tij antiparti dhe fshehurazi saj. Bërë me qëllim për të mohuar e mos pranuar e mos pranuar dështimin e ideve të tij të Plenumit të 12-të të KQ të Partisë. Në fakt materiali ishte bërë sipas ideve të referatit të Enver Hoxhës të mbajtur në Plenumin e 12-të të KQ me urdhër të tij për t’i zgjeruar dhe kishte vërtetuar se idetë e tij të “Bunkerizimit” dhe ato të Mehmet Shehut për pasjen e “Dy llojeve forcave” nuk qëndrojnë, janë të gabuara. Këtë e vërteton edhe fakti se ato u lanë në harresë e nuk u futën në Tezat e KM. Pra bëhet e qartë se “TEZAT E ZEZA” janë “IDETË E ZEZA” të “Bunkerizimit” të Enver Hoxhës dhe të pasjes së “Dy lloje forcave” të Mehmet Shehut. Në këtë prapaskenë kobzezë të Enver Hoxhës, prapa akuzës së padrejtë bërë Beqir Ballukut, fshihej mohimi i dështimit të ideve të tij të Plenumit të 12-të të KQ të Partisë.
Për të pasur një kuptim më të plotë të çështjes, duhet të themi diçka më shumë për Beqir Ballukun si ushtarak. Ai qe komandant i batalionit partizan të Ishmit me përvojë të gjerë në luftë. Ky batalion bashkë me batalionin partizan të Dajtit dhe një batalion partizan të Pezës, që ishin me përvojë të gjerë në luftë, formuan Brigadën e Tretë Sulmuese. Beqir Balluku u caktua komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese, që formua tërësisht me vullnetarë të rinj që dolën partizanë e që nuk kishin përvojë lufte. Nuk i dhanë as batalionin e tij të Ishmit. Përveç kësaj ai nuk pati as kohë për ta kompaktësuar Brigadën, sepse ato ditë filloi operacioni gjerman i dimrit 1943-1944 dhe ndodhi që pak ditë pas formimit, pa hyrë fare në luftime, një natë Brigada u ngrys e nuk u gdhi, u shpërbë. Pra, për fajin e Shtabit të Përgjithshëm dhe jo për fajin e Beqir Ballukut. Por, kjo ngjarje tepër e rëndë shkaktoi ndryshime në karakterin e Beqir Ballukut. Në prill 1944 në Panairin e Korçës, Brigada e Dytë Sulmuese u riorganizua me dy batalione dhe shpejt gjatë veprimit në Zonën e Korçës u bë me katër batalione. Por ai nuk ishte më Beqir Balluku i mëparshëm. Druhej se mos i ndodhte përsëri një e keqe e madhe si ajo. Nuk kishte më besim te mendimet dhe veprimet e tij. Asnjëherë nuk bëri një veprim ushtarak të njëhershëm me të gjithë brigadën, por vetëm me bazë batalion me rajone veprimi. Në çdo mendim dhe në çdo veprim, dyshimi nuk iu nda edhe kur u bë ministër i Mbrojtjes.

Pas çlirimit, megjithëse bëri një vit në Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik, nuk bëri ndonjë ndryshim të madh. Është fakt se gjatë gjithë kohës si ministër i Mbrojtjes, nuk bëri dot asnjë material, leksion apo edhe një artikull ushtarak në gazetë. Dhe kjo e ka munduar shumë. Herë pas here tentonte të shkruante diçka ushtarake, por pa sukses. Siç më thoshte sekretari i tij Kozma Zegali, çdo herë mbetej te faqja e parë apo e dytë, nuk shkonte më tutje dhe e linte. Kur përgatiste konkluzionet e stërvitjeve, çdo shprehje do ta ndryshonte shumë herë. Pra, Beqir Balluku nuk mund të kishte ide të tilla për të cilat e akuzonte Enver Hoxha. Për të qenë në rregull me Enver Hoxhën dhe Partinë, Beqir Balluku për çdo gjë të rëndësishme për ushtrinë më parë merrte mendimin e Enver Hoxhës për to dhe pastaj fliste jo vetëm me bindje të plotë por edhe me krenari. Pra, ai nuk ka pasur e nuk ka bërë asgjë fshehurazi partisë. Familja e Beqir Ballukut dhe ajo e Enver Hoxhës i kishin shtëpitë afër dhe me shumë fëmijë e jetonin sikur të ishte një familje e vetme për fëmijët. Pra, Beqir Balluku ishte njeriu më i afërt dhe besnik i Enver Hoxhës. Atëherë si është e mundur që ky ta dënojë atë me pushkatim pa e merituar? Sepse pa Beqir Ballukun ai nuk mund ta justifikonte ekzistencën e puçistëve dhe likuidimin e kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë. Megjithëse të gjitha këto ishin një sajesë e mendjes së tij. Po aq mirë e njihte edhe Mehmet Shehu, i cili në një rast pune në prezencën time e të Mahmut Agollit i kishte thënë: “Ti nuk bëhesh kurrë ushtarak”. Atëherë si e lanë atë për një kohë të gjatë ministër të Mbrojtjes, sikur të ishte i pazëvendësueshëm? Sepse, te vartësit e tij Enver Hoxha shikonte më parë besnikërinë ndaj tij, pastaj qenien e tyre nën nivelin e tij, që të ishin të bindur ndaj tij. Petrit Dume nuk ishte i tillë.

6. Çfarë ishte “Bunkerizimi”?
Përgjigje: Bunkerizimi ishte një emërtim i ri i shpikur dhe i realizuar vetëm në Shqipëri, që parashikonte bunkerizimin e të gjithë territorit të vendit, i sajuar nga njerëz pa arsim të lartë ushtarak e me intelekt mediokër, pikërisht siç ishte autori i tij, Enver Hoxha. Ky bunkerizim është realizuar pas eliminimit të kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë. Edhe vija e fortifikuar “Mazhinot” e Francës, që ishte më e madhja në botë, përbëhej nga vetëm, një brez mbrojtjeje në kufirin me Gjermaninë dhe nuk përfshinte të gjithë territorin francez.

Si rregull fortifikimi i mbrojtjes së vendit përfshinte: fortifikimin e brezit të parë të mbrojtjes me thellësi e gjerësi 10 km në drejtimet kryesore që mund të ishin dy-tre. Pra, gjithsej 200 deri 300 km2 dhe këto pjesërisht dhe jo 28.000 km2. Bunkerët vendosen brenda rajoneve e brezave të mbrojtjes në sasinë e armëve që do të vendosen në ta. Në vendin tonë ata u prodhuan dhe u vendosën 15-20 herë më shumë se sa ishte e nevojshme. Shumë antiekonomikë, që vetëm një arsyetim politik mund të përdoret për justifikim: të jenë kudo nëpër fshatrat e Shqipërisë dhe mbi tokë, që populli t’i shikonte e të besonte se ishte në rrethim të dyfishtë dhe se Partia dhe Enver Hoxha i mbronte?

Forcat vullnetare nuk mund të përdoreshin për mbrojtje në bunkerë si në front, jashtë destinacionit të tyre. Ato kishin detyra të shumta që mund t’i kryenin mirë. Bunkerët si rregull vendosen nën tokë sipas parimit:”Bunkeri që duket asgjësohet nga armiku”. Pastaj ata nuk vendosen në një vijë, por sipas formacioneve të luftimit të skalionuara në thellësi, që të kenë lidhje zjarri të kryqëzuar midis tyre dhe që të mbrojnë njëri-tjetrin.

7. Përse Mehmet Shehu kishte propozuar pasjen e dy llojeve të forcave: frenuese-bllokuese dhe operative-goditëse?
Përgjigje: Mehmet Shehu kishte përvojë të gjerë për luftën partizane. Por, për luftën me front të rregullt, nuk kishte as përvojë, as arsim të lartë, sepse Enver Hoxha pas gjashtë muajsh e hoqi nga Akademia Ushtarake “Voroshillov” e BS. Historia e artit ushtarak nuk e njeh pasjen e dy lloje forcash në mbrojtje kur epërsinë në forca e ka armiku që mësyn. Në kundërmësymjen e Kurskut të ushtrisë sovjetike, epërsia në forca ishte nga ana sovjetike dhe mund të kalohej direkt në mësymje. Por, u preferua më parë të gjakosej armiku me mbrojtje, duke pasur tre fronte në mbrojtje dhe një front të tërë në rezervë me të cilin në kohën e duhur u kalua në kundërmësymje. Ndërsa, kur armiku që mësyn ka epërsi në forca, pasja e dy lloje forcash në mbrojtje ka qenë e pamundur edhe për ushtritë e mëdha. Ja përse idetë e “Bunkerizimit” të Enver Hoxhës dhe idetë e “Dy llojeve të forcave” të Mehmet Shehut nuk qëndronin, ishin të gabuara.

8. Enver Hoxha ishte trim apo frikacak?
Përgjigje: Për t’i dhënë përgjigje të plotë e të saktë kësaj pyetjeje, më parë duhet të japim disa përkufizime: çfarë është frika? Çfarë është trimëria? Dhe, cila është lidhja midis tyre? “Frika te njeriu është një turbullirë e fortë shpirtërore para një rreziku real apo imagjinar”.

Kurse “Trimëria është aftësia e njeriut për të mposhtur frikën”. Sa më shumë aftësi për të mposhtur frikën ka njeriu, aq më trim është ai. Pra, shkalla e trimërisë në raport me frikën te njerëzit është e ndryshme.

Por, ka edhe njerëz të tillë të rrallë, që nuk kanë fare aftësi për të mposhtur frikën dhe këta tërë jetën mbeten frikacakë. Po japim disa shembuj: ndër komandantët trima të njësive të ushtrisë nacionalçlirimtare, më të dalluar të tillë ishin Mehmet Shehu komandant i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Petrit Dume komandant i batalionit “Hakmarrja” etj.

Gjithashtu ndër atentatorët e shumtë, më trimat e trimave kanë qenë Kajo Karafili dhe Myslym Keta. Këta më shumë ishin bërë tmerr për armikun okupator dhe tradhtarët e vendit.

Kurse, Enver Hoxha, që ishte Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si pa arsim ushtarak të lartë dhe pa përvojë, që kishte nevojë të drejtonte në luftë herë njërën njësi e herë tjetrën për t’u aftësuar në drejtimin e luftimeve, betejave dhe operacioneve, asnjëherë nuk e bëri këtë, as në rastet kur kjo ishte nevojë e domosdoshme.

Më kujtohet kur një natë dimri me shi të hollë të dhjetorit 1943, Brigada e Tretë Sulmuese duke marshuar në afërsi të fshatit Shmil të Çermenikës së Zezë, takohet me kolonën e vogël me kafshë të Enver Hoxhës që vinte përballë. Ai nuk e shfrytëzoi rastin për të drejtuar brigadën në luftë kundër armikut që kërkonte situata, por menjëherë u largua me kolonën e tij në drejtim të maleve të Martaneshit, ku qëndroi i fshehur gjatë gjithë atij dimri.

Grupi i tij përbëhej nga 20 veta, 10 prej të cilëve ishin partizanë për roje. Në përbërje të grupit me të kishte qenë edhe Muhamer Spahiu, i cili më ka thënë tekstualisht: “Të gjithë mbanin qëndrim si në luftë. Kishim dalë partizanë me armë në dorë vullnetarisht për të luftuar armikun.

I vetmi që kishte frikë aq shumë sa nuk e fshihte dot, ishte Enver Hoxha”. Një frikë edhe më e madhe e llahtarshme e kishte kapur Enver Hoxhën kur Shqipëria u prish me Bashkimin Sovjetik, më 1960. Siç kemi thënë më sipër, duke e ndjerë veten fajtor për krimet e rënda që kishte bërë në Shqipëri në kohën e Stalinit dhe duke e parë veten të zbuluar, pa mbrojtje të sigurt, si më parë dhe në rrezik për t’u eliminuar nga një lloj “puçi ushtarak”, që ai mendonte s’mund t’i vinte nga kuadrot kryesore ushtarake të ushtrisë, të cilat ai i ka konsideruar kundërshtare të tij dhe si të tilla kishte vendosur t’i eliminonte.

Kësaj radhe rreziku që i kanosej Enver Hoxhës nga puçi ushtarak ishte vetëm imagjinar në mendjen e tij, sepse veprime ushtarake për të kryer puç ushtarak nuk kishte dhe nga hetimet dhe gjykimet e shumta që i ishin bërë të pandehurve kuadro të ushtrisë nuk kishte dalë asgjë për të.

Ai ishte i sajuar nga vetë Enver Hoxha për të justifikuar eliminimin e tyre. Dhe kjo është hera e dytë që ai trembet kaq shumë, që tregon se Enver Hoxha nuk kishte fare aftësi për të mposhtur frikën dhe tërë jetën kishte mbetur frikacak. Një frikacak i madh, por me përgjegjësi tepër të larta: kryetar partie, kryetar shteti dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë.

I fshehur pas këtyre dhe duke u mbështetur fort në forcën e madhe të partisë, Enver Hoxha me rrugë shtetërore kishte likuiduar të gjithë ata që ai, si frikacak që ishte, mendonte se vinin në rrezik jetën dhe interesat e tij personale. Kurse me dorën e vet një frikacak i tillë nuk guxon të therë e të bëjë me gjak as edhe një zog pule. Një rrufjan politik frikacak, mashtrues e i pabesë, kriminel e tradhtar, me fytyrë njeriu e ndjenja kafshe.

9. Përse Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Enver Hoxha, gjatë tre  vjetëve luftë nuk u bë ushtarak i kualifikuar?
Përgjigje: Së pari, sepse ai ishte pa arsim ushtarak dhe nga natyra ishte frikacak dhe pa aftësi për të mposhtur frikën, dhe rrjedhimisht nuk ishte marrë me drejtimin e luftës.

Së dyti, sepse mësuesi dhe komandanti i tij Miladin Popoviqi nuk i mësoi asgjë ushtarake atij, duke e parë se ushtria gjermane e kishte të humbur luftën dhe do të largohej nga Shqipëria.

Ka mundësi që të ishte edhe ai pa arsim ushtarak. Ai ishte i preokupuar për dy çështje kryesore: që PKSH të ishte gjithnjë e më shumë pro jugosllave dhe që lufta për çlirimin e Shqipërisë të drejtohej vetëm nga PKSH (pa Ballin Kombëtar dhe Legalitetin), se vetëm kështu mund të realizoheshin interesat jugosllave në Shqipëri.

Në këto kushte drejtimi i luftës për çlirimin e Shqipërisë në tërësi dhe i operacioneve strategjike në veçanti, është bërë praktikisht nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Spiro Mojsiu bashkë me komandantët e Korparmatave: Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Tahir Kadareja etj., të cilët me aftësi të larta drejtuese dhe me veprime luftarake të guximshme heroike, e çuan luftën deri në fitore në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Karakteristikë në luftën partizane është se detyrat luftarake, njësive u vihen në forma direktive (jo urdhri) për një kohë të gjatë, që kërkojnë iniciativë të gjerë dhe liri të madhe veprimi në realizimin e detyrave.

10. Përse kuadrot kryesore ushtarake të ushtrisë nuk bënë puç ushtarak kundër Enver Hoxhës, kur ai e priste atë?
Përgjigje
: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje më parë duhet të themi se çfarë është puçi ushtarak dhe cili ishte qëndrimi i kuadrove të ushtrisë dhe ai i Enver Hoxhës?

“Puç ushtarak” është përmbysja e një qeverie të ligjshme, me prerje në besë nga njerëz të vetë asaj, me veprime dhune të befasishme në kohë të shkurtër dhe marrja e pushtetit. Si i tillë puçi ushtarak është i dënueshëm ligjërisht dhe njerëzit që e kryejnë atë janë të pabesë, kriminelë dhe tradhtarë. Për këtë arsye puç ushtarak në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë. Prandaj, edhe në rastin e kuadrove të ushtrisë nuk mund të kishte.

Qëndrimi i kuadrove të ushtrisë ka qenë si vijon: ata vazhdonin të mbanin qëndrim gjithnjë me atdhetari më të lartë dhe njëkohësisht me partishmëri të lartë, të cilat po i demonstronin në punën e tyre të përkushtuar që bënin për t’i bërë ballë me heroizëm një agresioni të mundshëm nga ana e Bashkimit Sovjetik dhe kjo ishte më se e drejtë.

Ndërsa, Enver Hoxha me kuadrot e partisë, të pushtetit dhe të Sigurimit të Shtetit, të zhytur në krime dhe tradhti të shumta, kishin kohë që kishin degjeneruar dhe e ndjenin veten fajtorë pa rrugëdalje aq shumë sa Enver Hoxha priste puç ushtarak nga kuadrot e ushtrisë, se ishin të pastër pa krime. Dhe ky qëndrim i tij ishte tepër i padrejtë.

Likuidimi i kuadrove të ushtrisë nga Enver Hoxha, si i vetmi element i shëndoshë që kishte mbetur, shënon fundin e PPSH, të cilën Enver Hoxha e ka lënë tërësisht të degjeneruar. Enveristët e sotëm që drejtojnë partitë e majta dhe pjesërisht ato të djathta, janë elementi më i degjeneruar i saj, ku më të degjeneruarit janë ata me përgjegjësi më të larta.

Prandaj nga këta nuk mund të pritet asgjë e mirë për Shqipërinë. Enveristët e mbrojnë Enverin për të mbrojtur veten e tyre, për të mohuar e fshehur krimet dhe tradhtitë e shumta që kanë bërë bashkë me të. Të majtët e sotëm mashtrojnë kur deklarojnë se kanë hequr dorë nga “lufta e klasave”, sepse po hoqe dorë nga lufta e klasave, ke hequr dorë njëkohësisht nga qenia i majtë.

11. Enver Hoxha kishte disa parime të veçanta personale.
Përgjigje: 1) Vënia e interesave jugosllave e sovjetike dhe e të tijave vetjake mbi çdo gjë.

2) Përvetësimi i punëve të mira të të tjerëve dhe i lavdisë së tyre, sepse ato duhet t’i përkasin vetëm atij.

3) Të gjithë ata që ishin më të shquar dhe trima të vërtetë, ai i konsideronte rrezik për të, i mbante në evidencë dhe i likuidonte.

4) Të gjitha krimet që ai bënte, ia atribuonte partisë: “E bëri Partia” dhe ajo ishte e pagabueshme, duke fshehur pas saj veten e tij.

5) Kuadrot kryesore i detyronte të firmosnin një deklaratë se ishin dakord me masën me pushkatim për personat e rëndësishëm të partisë.

6) Diktaturën komuniste e paraqiste si regjimin shoqëror më demokratik.

7) Nxiste dhe përkrahte nismat për paraqitjen revolucionare të jetës së vendit dhe dhënien e dekoratës “Hero i Punës Socialiste”.

8) Traditat e larta të shqiptarit, si trimëria, burrëria, besa, bujaria, mikpritja etj., që janë krenaria e popullit shqiptar, i zëvendësoi me edukimin e veseve më të këqija të edukatës njerëzore siç janë frika, pabesia, hakmarrja, mëria, dhuna, krimi dhe tradhtia etj.

9) Eliminoi patriotizmin, dashurinë për atdheun, flamurin e familjen dhe i zëvendësoi ato me shfaqjen e dashurisë e besnikërisë karshi Enverit e Partisë.

10) Dështimet e herëpashershme të paevitueshme në ekonomi ai i kthente në arritje, duke zhvilluar gjyqe në parti e në shtet kundër disa kuadrove të partisë me akuzën: armik sabotues, agjent e poliagjent e pushkatues dhe duke e paraqitur veten çdo herë vigjilent e shpëtimtar të Shqipërisë.

11) Fajet ua hidhte të tjerëve. Kështu bëri me Ymer Dishnicën në Mukje, me Liri Gegën në Berat, me Koçi Xoxen në Plenumin e 11-të e në Kongresin e Parë të Partisë.

12) Drejtonte personalisht Sigurimin e Shtetit, për të ruajtur veten e tij nga të papriturat. E quante atë “arma heroike e Sigurimit”.

13) Arma e tij personale e pamëshirshme ishte prapaskena kobzezë kombinuar me autoritetin e partisë dhe të tijin diktatorial.

12. Cilat ishin mosmarrëveshjet midis Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes?
Përgjigje: Midis Beqir Ballukut ministër i Mbrojtjes dhe Petrit Dumes Shef i Shtabit të Përgjithshëm, ka pasur mosmarrëveshje të theksuara lidhur me kryerjen e detyrave të tyre funksionale që vinin: 1) nga niveli i ndryshëm i përgatitjes ushtarake të tyre; 2) nga shkathtësia e ndryshme e tyre në kryerjen e detyrave.

Beqir Balluku ishte pa arsim të lartë ushtarak, me intelekt mediokër dhe i ngadaltë në punë. Kurse Petrit Dume kishte kryer dy akademi të larta ushtarake “Frunze” dhe “Voroshillov” në Bashkimin Sovjetik, pra, me dije të larta ushtarake, me nuhatje e intuitë të zhvilluar, tepër dinamik në punë dhe me kërkesë të lartë në zbatimin e detyrave, qëndronte në lartësinë e kërkesave të kohës.

I tillë, dinamik e kërkues ai kishte qenë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ku ishte dalluar për rezultate të larta në drejtimin e luftimeve. Pra, shumë më lart se Beqir Balluku.

Kështu, ndërsa kryerja e detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm për Petrit Dumen ishte një kënaqësi, kryerja e detyrës së ministrit të Mbrojtjes për Beqir Ballukun ishte një torturë, të cilës ai i qe nënshtruar. Petrit Dume ankohej se Beqir Balluku e pengonte në kryerjen e detyrave të tij funksionale dhe kjo ishte e vërtetë.

Beqir Balluku ankohej se Petrit Dume po i merrte kompetencat e ministrit të Mbrojtjes. Pra, Petrit Dume ishte plotësisht kompetent për detyrën e tij funksionale, kurse Beqir Balluku nuk ishte plotësisht. Megjithëse kjo anomali dhe këto kontradikta midis Beqir Ballukut dhe Petrit Dumes njiheshin me hollësi nga Enver Hoxha, ai kurrë nuk i normalizoi por i nxiti për t’i përdorur edhe ato për justifikimin e eliminimit të tyre dhe të kuadrove kryesorë ushtarakë të ushtrisë.

13. Përse për bëmat e Enver Hoxhës nuk flitej më parë?
Kjo pyetje bëhet në formë akuze nga enveristët.

Përgjigje: Dijet dhe bindjet te njeriu nuk janë të njëjta pa ndryshim gjatë gjithë jetës së tij. Por ndërsa dijet rriten me ndryshim të ngadalshëm pa ndërprerje, ndryshimi i bindjeve është shumë i rrallë dhe bëhet me hope. Si shembull konkret këtu kemi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik për kalimin nga bindjet socialiste komuniste në bindjet demokratike kapitaliste. ë këtë ndryshim të bindjeve u përfshi edhe vendi ynë. Ky ndryshim i bindjeve në këtë rast është progresiv dhe i domosdoshëm. Ai ka ndodhur jo më parë, por vetëm në kohën kur u përmbys diktatura komuniste. Këtu, pretendimi i enveristëve për t’i ndenjur besnik Enver Hoxhës dhe komunizmit, është krejt i padrejtë dhe pa kuptim. Për sa i përket krimeve dhe tradhtive të Enver Hoxhës, kuadrot e ushtrisë, duke mos marrë pjesë në to, nuk kanë qenë në dijeni të plotë të tyre dhe përgjegjësia këtu është morale, kurse për enveristët është penale. Kulti i individit të Enver Hoxhës në atë kohë ishte ngritur aq shumë sa përjashtonte çdo kritikë kundër tij. Në kushtet e atëhershme nuk mund të veprohej mbi bazën siç mendohet tani, ashtu siç nuk mund të veprohet sot mbi bazën siç mendohej atëherë siç bëjnë enveristët.

14. A mund të ketë rehabilitim për Enver Hoxhën?
Përgjigje: Rehabilitimi parashikohet me ligj. Rehabilitohen ata persona që janë dënuar në bazë të ligjit padrejtësisht. Kështu të gjithë ata që ishin dënuar padrejtësisht nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, janë rehabilituar individualisht me gjyq dhe në mënyrë kolektive me vendim të Kuvendit Popullor, duke u kthyer atyre edhe dekoratat që u ishin marrë.
Për Enver Hoxhën çështja qëndron ndryshe: ai nuk është dënuar padrejtësisht asnjëherë për asgjë nga organet gjyqësore. Pra, Enver Hoxha nuk ka se për çfarë të rehabilitohet. Përkundrazi, krimet dhe tradhtitë e shumta të tij, që janë të dënueshme ligjërisht, kishin mbetur pa u gjykuar e dënuar për një kohë të gjatë. Në këto kushte populli shqiptar (sovrani) pasi e humbi durimin, më 20 shkurt 1992 me të drejtë e dënoi rëndë Enver Hoxhën duke i rrëzuar me neveri përmendoren e tij në Sheshin Skënderbej në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Fakti që familja e tij vazhdon të marrë shpërblimin e dekoratave të tij, tregon se Enver Hoxha akoma nuk është dënuar ligjërisht nga organet kompetente. Përse kjo vonesë apo lënie në harresë e pajustifikueshme?

15. Sa lloje enveristësh ka?
Përgjigje: Ka dy lloje enveristësh: 1) nga ata që i kanë ardhur në ndihmë Enver Hoxhës për kryerjen e krimeve dhe tradhtive të tij, të cilët mbrojnë Enver Hoxhën për të mbrojtur veten e tyre. 2) Ka edhe nga ata që nuk kanë marrë pjesë në krimet e Enver Hoxhës, por si nostalgjikë besojnë se bashkë me komunizmin do të rehabilitohet edhe Enver Hoxha. Të dy këto lloje enveristësh njësoj mundohen të mohojnë e të fshehin krimet dhe tradhtitë e Enver Hoxhës dhe ky është një qëndrim negativ që të turpëron. Kurse dënimi dhe demaskimi i krimeve dhe tradhtive të Enver Hoxhës është një qëndrim pozitiv që të nderon.

16. Të dhënat arkivore a janë gjithmonë të vërteta?
Përgjigje: Jo gjithmonë. Për gjërat me karakter politik arkivat mund t’i ndajmë në partiake dhe jopartiake. Të parat paraqesin më shumë gënjeshtrën. Të dytat paraqesin më shumë të vërtetën. E vërteta e plotë paraqitet nga historianë jopartiakë. Historianët partiakë nuk mund të konsiderohen historianë. Pra, të dhënat arkivore për çështjet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të pasluftës, të PPSH, të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit, nuk mund të paraqesin të vërtetën, sepse çështjet paraqiten sipas interesave partiake. Kështu, PPSH prapaskenat e Enver Hoxhës dhe përkrahjen prej saj të interesave jugosllave në Shqipëri i fsheh dhe i mohon. Ashtu si Balli Kombëtar fsheh e mohon marrjen pjesë me forca në operacionet e përbashkëta me gjermanin për asgjësimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ashtu siç fsheh e mohon Legaliteti bashkëpunimin e heshtur me gjermanin për të mos sulmuar njëri-tjetrin. Në rastin konkret janë bërë përpjekje që të dhënat e këtij libri të paraqesin të vërtetën mbasi janë bashkëkohës dhe pjesëmarrës aktivë në ngjarjet dhe e kam vënë veten në rolin e një historiani jopartiak në trajtimin e çështjeve. Sa e kam arritur këtë, do ta thonë lexuesit.

17. Përse Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku ndërprenë studimet në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të BS dhe nuk e përfunduan atë?
Përgjigje: Sepse vetë Enver Hoxha ishte pa asnjë lloj arsimi të lartë dhe nuk mund ta lejonte që këta të ngriheshin mbi të si ideologë ushtarakë, kur i tillë duhej të ishte ai vetë. Mehmet Shehu ndërpreu studimet pas gjashtë muajsh, me pretekstin se gjoja do të sulmonte greku. Beqir Balluku ndërpreu studimet pas një viti se gjoja ushtria kishte nevojë për të. Shkollimi i kuadrove të ushtrisë që ishte nevojë e domosdoshme për fuqizimin e ushtrisë dhe rritjen e gatishmërisë luftarake të saj, binte ndesh me interesat personale të Enver Hoxhës si i pashkolluar që ishte. Prandaj ai, kuadrot e larta të ushtrisë, nga frika e madhe, i ka konsideruar gjithnjë kundërshtarë të tij dhe siç është thënë më lart, i ka likuiduar duke i cilësuar armiq dhe shpallur veten shpëtimtar të Shqipërisë.

Epilogu
1. Enver Hoxha, si udhëheqës i popullit shqiptar gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas çlirimit të Shqipërisë, del se ka qenë “kriminel e frikacak” dhe “tradhtar e faqja e zezë”.
I vendosur në postet drejtuese më të larta: kryetar i PKSH (PPSH), Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe kryetar shteti, si më i papërshtatshmi pro jugosllav, me miratimin e Titos dhe të Stalinit, ai ka luajtur në Shqipëri rolin e “kalit të Trojës” dhe atë të “agjentit e të poliagjentit” në shërbim të tyre. Në shërbim të Titos ai ka bërë shumë për t’i hapur rrugën aneksimit të Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë, e cila nuk u realizua për fajin e vetë Titos. Në shërbim të Stalinit, ai ka vendosur në Shqipëri “diktaturën komuniste”, e cila i ka likuiduar të gjitha “fitoret demokratike” të luftës sonë nacionalçlirimtare.

Në rast se një njeri që vret pas shpine apo me akuza false kuadro të larta të ushtrisë dhe të shtetit për interesat e tij personale, quhet “kriminel”. Enver Hoxha ka plot të tilla, sa del kriminel përbindësh. Pra, krimet kryesore të tij kanë qenë: a) vrasja pas shpine e Mustafa Gjinishit, Qemal Stafës e shumë kuadrove të tjera të larta me kërkesën e Miladin Popoviçit. b) Eliminimi i kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë dy herë: atyre të luftës për t’u rrëmbyer lavdinë e drejtimit të luftës dhe atyre të pasluftës nga frika e madhe imagjinare që e kish kapur si frikacak që ishte. c) Burgosja dhe internimi pa afat i qindra mijëra njerëzve të pafajshëm me gjithë familjet, ku shumë prej tyre gjetën vdekjen. E raste të tjera si këto.

Në rast se një njeri i vjen në ndihmë të huajve në dëm të interesave të vendit të vet quhet “tradhtar”. Enver Hoxha ka plot të tilla. Pra, tradhtitë kryesore të tij kanë qenë: a) sabotimi i vendimeve të Konferencës së Pezës dhe vrasja pas shpine e Mustafa Gjinishit, në përpjekjet për të bërë të mundur aneksimin e Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë. b) Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, e cila i likuidonte të gjitha fitoret demokratike të Luftës Nacionalçlirimtare madhështore dhe të lavdishme të popullit shqiptar, me të gjitha pasojat negative të saj për popullin shqiptar. Dhe shumë të tjera. Pra, krimet dhe tradhtitë e tij karshi atdheut janë të pleksura midis tyre.

Enver Hoxha pa arsim ushtarak dhe pa përvojë lufte, nuk kishte drejtuar asnjëherë një repart ushtarak në luftim me intelekt mediokër dhe frikacak, paaftësi për të mposhtur frikën, që në rast rreziku ishte fshehur duke lënë ushtrinë pa drejtim dhe veten pa adresë, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë ishte krejtësisht formal. Në këto kushte, drejtimi i ushtrisë në luftë ishte bërë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Spiro Moisiu bashkë me komandantët e korparmatave: Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Tahir Kadareja etj., të cilët me aftësi e guxim, trima heronj të vërtetë legjendarë bënë të dështojnë të gjitha operacionet e armikut, çliruan veriun dhe e çuan luftën në fitore deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Ai ishte i paaftë edhe për drejtimin e ekonomisë së vendit. Fliste shumë: “Shkenca”, “Shkenca”, kur shumica e ndërmarrjeve shtetërore dhe shumica e kooperativave bujqësore dilnin deficit dhe kërkonin financim nga shteti. Ai prishi edhe oborrin e kooperativistëve, që ishte një marrëzi e tij. Arritjet në ekonomi kanë qenë aq të vogla sa ai e la Shqipërinë “vendin më të varfër në Evropë”. E vetmja arritje e tij janë prapaskenat.

Armët kryesore të tij kriminale kanë qenë: a) Partia të cilën Enver Hoxha e ka përdorur si “shkopin magjik që bën çudira”: “E bëri Partia” dhe Partia ishte e pagabueshme dhe duke e barazuar veten me Partinë dilte dhe ai i pagabueshëm. Dhe, ndërsa Shyqyri Ishmi e të tjerë, para litarit bërtisnin si atdhetarë me shumë krenari: “Rroftë Partia!” dhe “Rroftë Shqipëria!”, për Enver Hoxhën partia ishte “loja”!! b) Prapaskenat që ai kurdiste, të bazuara në përdorimin e mashtrimit e të dhunës sipas koncepteve të tij kriminale diktatoriale. c) Ligjet e shtetit, duke i bërë të tilla që lehtësonin veprimtarinë e tij kriminale, siç ishte ligji famëkeq i agjitacionit e propagandës.

2. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, ashtu siç e ka emrin, është vepër madhështore e popullit shqiptar heroik e liridashës, i cili iu përgjigj menjëherë thirrjes së “Konferencës së Pezës pluraliste”, duke mbushur me vullnetarë të rinj në vazhdimësi formacionet partizane, mori përsipër dhe e çoi luftën deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, duke e drejtuar atë me bijtë e tij më të mirë që ishin komandantë brigade, divizioni sulmues dhe korparmate, të cilët drejtuan heroikisht, duke arritur rezultate të larta deri në dështimin e të gjitha operacioneve të njëpasnjëshme më të rrezikshme të armikut gjatë dimrit 1943-1944,  pikërisht gjatë kohës që frikamani Enver Hoxha qëndronte i fshehur në malet e Martaneshit dhe e çuan luftën deri në fitoren përfundimtare, në çlirimin e plotë të Shqipërisë.

Pra, lavdia e drejtimit të Luftës Nacionalçlirimtare i përket plotësisht komandantëve të njësive të ushtrisë, trima e heronj të vërtetë dhe jo frikacakut Enver Hoxha që u fsheh dhe la ushtrinë pa drejtim. Demaskimi i këtij qëndrimi të tij, ngre lart dhe e bën më të dukshëm rolin e madh të popullit shqiptar që e bëri luftën dhe të bijve të tij që e drejtuan atë. Pra, madhështia dhe lavdia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, e njohur dhe e respektuar nga e gjithë bota, me demaskimin e Enver Hoxhës, ngrihet në një shkallë edhe më të lartë.

3. “Konferenca e Pezës” pluraliste është vepër e patriotit të shquar Mustafa Gjinishi. Ajo, me thirrjen e saj madhështore “Të gjithë në luftë kundër okupatorit fashist italian, pa dallim feje, krahina dhe ideje”, i dha hov të madh Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe qëndron madhështore dhe e lavdishme, sa është lufta që ajo frymëzoi. Enver Hoxha e PKSH, pasi shfrytëzuan në fillim hovin e madh që ajo i dha Luftës Nacionalçlirimtare, më pas kaluan në moszbatimin si duhet të vendimeve pluraliste të saj, sepse ato do të pengonin realizimin e interesave jugosllave që kishin për qëllim aneksimin e Shqipërisë si republikë e shtatë e saj, që përbën tradhti të lartë të Enver Hoxhës karshi atdheut.

Për rëndësinë e madhe të saj, Konferenca e Pezës përkujtohet çdo vit më 16 shtator me Pezën e madhe heroike në mënyrë tepër festive. Kjo ditë feste është e mbarë popullit shqiptar që ka realizuar me përpikëri vendimet historike të saj pluraliste. Kjo ditë të kujton edhe Enver Hoxhën, por si sabotator të vendimeve pluraliste të Konferencës së Pezës. Kjo festë hapet me fjalimin e të deleguarit të qeverisë. Por, shpesh ndodh që pas tij, liderë të partive të majta të paautorizuar mbajnë fjalime që stonojnë duke mburrur pa të drejtë kriminelin e tradhtarin Enver Hoxha dhe duke u brohoritur nga disa njerëz të mbledhur posaçërisht që dëmtojnë rëndë gjendjen shumë të gëzueshme të festës. Pra, qeveria duhet të marrë masa që kjo të mos ndodhë më.

4. Populli shqiptar me shumë të drejtë, më 20 shkurt 1992, përmbysi përmendoren e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe gjithashtu në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si të pamerituara. Për nder të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, e udhës është të ngrihen disa përmendore si vijon:

a) Në sheshin “Skënderbej: të vendosen pranë njëri-tjetrit në grup, monumentet e komandantëve heroikë të njësive që drejtuan luftën dhe e çuan atë në fitore, në çlirimin e plotë të Shqipërisë: Tuk Jakova, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Tahir Kadareja, Petrit Dume, Bedri Spahiu, Qemal Stafa, Nako Spiro.
Monumenti i secilit nga këta të vendoset edhe në qendrën e rrethit përkatës (sasia dhe emrat e tyre janë të diskutueshëm).

b) Për nder të Konferencës së Pezës, në Pezën e Madhe heroike të ngrihet monumenti i ideatorit dhe realizuesit të saj, patriotit të shquar Mustafa Gjinishi. Ky të ngrihet edhe në qytetin e tij Peqin.

5. “Luftë civile” në Shqipëri midis forcave të Ballit Kombëtar dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare, nuk ka pasur gjatë gjithë luftës për çlirimin e Shqipërisë, sepse: a) deri në Mbledhjen e Mukjes nuk ka pasur. b) Pas Mbledhjes së Mukjes e deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, forcat e Ballit Kombëtar kanë marrë pjesë në operacionet e përbashkëta ushtarake me forcat gjermane si bashkëpunëtorë, për asgjësimin e forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me qëllim për të marrë pushtetin. Pra, edhe këtu luftë civile nuk ka pasur.

Ndërsa lufta për likuidimin e forcave nacionaliste të Muharrem Bajraktarit dhe të Gani Kryeziut nga Ushtria Nacionalçlirimtare, në fund të luftës pas bashkëpunimit me ta, në pabesi, ka qenë luftë civile sepse ata po e luftonin okupatorin.

6. Në libër kanë gjetur trajtim demaskues edhe dy prapaskenat mashtruese të Ballit Kombëtar: 1) “S’ka ardhur koha” dhe 2) “Bashkëpunimi me pushtuesin gjerman për të asgjësuar Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe pastaj bashkëpunimi me koalicionin anglo-sovjeto-amerikan për të marrë pushtetin”. Të dyja këto ide të Mit’hat Frashërit dhe Ballit Kombëtar, të konsideruara “gjeniale” por, që në fakt ishin “kobzeza” tradhtare, nuk mashtruan njeri, vetëm veten e tyre dhe si të tilla ato dështuan.

Një rezultat të tillë negativ ka arritur edhe Legaliteti me prapaskenën e tij mashtruese për bashkëpunim në heshtje të fshehtë me pushtuesin gjerman: “Nuk të ngas, mos më nga”, që është e njëjta gjë, tradhti ndaj atdheut dhe si e tillë ajo mbetet e pajustifikueshme dhe e parehabilitueshme.

I drejtohemi “Gjykatës së Lartë”:
Gjykata e Lartë e atëhershme në shërbim të diktatorit Enver Hoxha, e bazuar në akuzat e tij të padrejta kundër kuadrove kryesorë ushtarakë të ushtrisë, më 1975-1976, ka gjykuar çështjen me diktatin e tij dhe ka marrë masa tepër të rënda me pushkatim, burgim, internim dhe dëbim me gjithë familje, për të gjithë ata. Por, nga të gjitha të dhënat e mësipërme del se likuidimi i kuadrove kryesorë të ushtrisë është bërë dhe ka mbetur i pajustifikuar, sepse: a) akuza e “puçit ushtarak”, nga hetimet e hetuesisë dhe të Gjykatës së Lartë, nuk u vërtetua sepse nuk kishte.

Ai kishte ekzistuar vetëm në fantazinë e Enver Hoxhës. b) Edhe akuza e dytë që u bë pas dështimit të së parës, se kuadrot e ushtrisë kanë qenë kundër Tezave të KM gjithashtu nuk u vërtetua, sepse Tezat e KM ishin të bazuara dhe paraqitnin tërësisht idetë e kuadrove kryesore ushtarake të ushtrisë dhe këta nuk mund të ishin kundër ideve të tyre. c) Kjo vërteton se Beqir Balluku nuk ka pasur ide të tjera të quajtura nga Enver Hoxha “Tezat e Zeza”, kur të tilla ishin “idetë e zeza të bunkerizimit” të Enver Hoxhës dhe ato të pasjes së “dy lloje forcash” të Mehmet Shehut në Plenumin e 12-të të KQ.

Kështu, të gjitha masat e marra nga Gjykata e Lartë e atëhershme kundër kuadrove kryesore të ushtrisë ishin të pabazuara, të padrejta. Pra e udhës është që Gjykata e Lartë e sotme: 1) të rimarrë në gjykim edhe një herë çështjen, për të anuluar vendimet e padrejta të marra karshi tyre. 2) Të gjykojë siç e kërkon drejtësia veprimet kriminale e tradhtare të Enver Hoxhës.
I takon qeverisë shqiptare, që në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, të marrë masat e nevojshme për nderimin e tyre si atdhetarë të shquar që ishin dhe për shpërblimin e familjeve të tyre.

 

Please follow and like us: