Gëzim Zilja: Vdekja e Zenel Gjolekës, sipas epikës historike
Kam dëgjuar shpesh grupet polifonike, djem të rinj e burra në moshë, të këndojnë këngët e Zenel Gjolekës e Hodo Aliut. Edhe shkëmb ta kesh zemrën, është e pamundur të mos tronditesh, kur i dëgjon sesi këndojnë me forcë, dhimbje e krenari, me atë ison e papërsëritshme, herë si shushurimë valësh e rrëkezash, herë si cicërima bilbilash, shoqëruar më atë britmë-kujen, burrërore, ‘’Hajde-deeeeeee’’. Të duket sikur trimat e atyre kryengritjeve sapo janë vrarë e të gjallët po e këndojnë këngën, për herën e parë.
Mbasi hyri në shërbim të sulltanit, Zenel Gjoleka, në vitin 1952, niset në krye të dymijë lebërve trima, të inkuadruar në ushtrinë turke drejt Malit të Zi. Me vete kishte një pjesë të luftëtarëve të kryengritjes së vitit 1848, nga Labëria dhe Bregdeti, si Hodo Nivica, Gjikë Thanasi, Jani Ligori, Halim Toto etj. Shqipëtarët u lëshuan
Se ish lufta në kufi
Nga të gjithë anët shkuan
Me Gjolek’ në Mal të Zi.
Shqiptarët me komandantët e tyre, të rregjur në luftëra e sakrifica bënë atë që e kishin për zanat: luftën ballas me armikun pa kthim prapa. Lufta në fillim plasi në malin e Kërnicës dhe në malin e Taraboshit.
Taraboshi brigje-brigje
Mali i sertë pa fare shtigje
Iu qep Hodua një kurrizi
Nxorri pallën e laturisi
Karadakn’ çe lanetisi
Hodua me gjithë Gjolekë
Me trima toskë e gegë
Iu ngjinë malit përpjetë
Ik o Niko se të zunë
Brenda në Rekë tu funë
Reka me kulla të larta
Nga Çetina dukej flaka.
Është një luftë e egër dhe nga vargjet që na vijnë nga thellësia e shekujve kupton se Zenel Gjoleka, me trimat e tij kanë shkuar atje të luftojnë deri në vdekje. Nuk mund tu vinte ndryshe ‘’e liga’’ veçse nga shpata dhe në shesh të mejdanit. Ja si luftojnë dhe bien në fushën e nderit trimat e Bregut të Detit dhe të Labërisë;
Gjithë kapedanë janë
Luftojnë me Karadaknë
Mbahu, mbahu Halim Nuri
Se vjen Hodo trim desturi
Me dymijë djem prej guri
Me dymijë malësorë
Gjithë me kordhë në dorë
Gjoleka me Karadaknë u ther
Sa rroi palla s’iu terr
I erdhi vdekja me nder
Bashkë me Gjik Thanasnë
Në Karadak na u vranë
Në sinor ngulën bajraknë.
Dy vargjet e fundit japin qëllimin e vdekjes së Gjikë Thanasit, ku kuptohet lehtësisht se atdheu ishte i pari. Ka dhimbje të madhe në amanetin e tij, se atje tej në Bregdetin e Bukur nga ku ishte nisur:
Gjikë Thanasi o lule
Kur u përgjunje e re
U kujtove edhe the:
Më mbet nëna kallogre
Motra manastireve
Dhe gruaja vajzë e re.
Ç’mund të komentohet më tej në këto vargje, që i ngrenë monument njeriut-luftëtar, që vdes për një çështje të shenjtë?
Sipas gojëdhanave malazestë i zunë pusi Gjonlekës (ndoshta ishte një kurth) dhe një pjese të luftëtarëve të tij, në vendin e quajtur Shkallët e Kërstiqit:
O Gjolekë trëndafili
S’ma priste fiqiri
Të të gënjente qafiri.
Kënga e jep qartë atë që ndodhi:
Dërgon Vlladikë qafiri
Ju kapedanë sa ini
Shkallën e Kërstiqit ziri
Vjen Gjoleka po t’i bini
Në çark kur Gjoleka ryri
Çu ndezë batare tymi
U tund vendi nga rënkimi
Vuri hingëllimin çili.
I plagosur rëndë ky luftëtar i rrallë nuk do të bjerë i gjallë në dorë të armikut. I lutet shokut të tij Shuaip Qordukës:
Shuaip të kamte djalë
Jamte lavosurë në ballë
Mos më le në ta të gjallë
Hiqma kokënë me pallë. Dhe Shuaipi përgjigjet:
Ç’thua kështu Zenel-a’
Këtu mbet’ dhe imija’
Bashkë të na bëjnë varrë
Se pa tij s’kthenem i gjallë.
Po aty do të vdiste dhe trimi Hodo Aliu, Nivica (Labi), shoku i tij i pandarë. Ai del gjallë nga beteja, por i plagosur dhe i sëmurë vdes disa ditë më vonë.
I shkreti Hodo Nivicë
Bën dyfek në Podgoricë
Të lumtë o at’ i bardhë
Që nxorre Hodon të gjallë
Malazestë dot se vranë
Të enjten e të xhumanë
Hodo trimi e dha xhanë
Qaj e qaj moj Këndrevicë
Qaj drërin e Shqipërisë
Të shkretin Hodo Nivicë.
Zenel Gjoleka ashtu si e nisi e bitisi: vdiq me pallë në dorë atje në Kërstiq, ku dhe u varros, thonë afër kullës ku ra Oso Kuka. Lajmi erdhi tronditës, në Kuçin e tij të dashur por edhe në të gjithë Labërinë e trojet ku jetonin shqiptarët. Dhimbja do të ishte e madhe:
Labëria ra në sterë
Mbenë gratë me leshtë serrë
Mbajnë zi pr’ata të mjerë
Që nxiruan Labërinë
Për Gjolek e Hodo Alinë
Mbenë larg nga vëndi inë
Për të ruajturë kufinë
Pas vdekjes, Gjoleka do të mbetej shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm, do të kërkohej tashmë të ngrihej nga varri dhe të përsëriste historinë:
O zot dëgjova një fjalë
Kërkon mbreti nizamë
Ngreu edhe këtë rradhë
Të nxjerrç të shkretën pallë
Të përpiqesh me pashanë
Ashtu si keshe zananë
Të shkretëtë këta vende
Për ty e për pallën tënde. Dhe më tej:
Ngreu mor të rëntë pika
T’vate koka te Vlladika
O imzot o kordhëshpata
U dëgjove në rigata(mbretëri)
Kordhëtari zoti im
O Gjon Lekë Lapi
Seç të humbi nami.
Në librin e Thimi Mitkos, gjejmë dhe një poezi të rrallë, që ndoshta kalon pa u venë re nga lexuesi. Një grua nga Bolena, vajton me ligje dy të afërm të saj Leskon dhe Sadikun të rënë në luftë. Nga dhimbja e madhe ajo blesfemon kundër Zenel Gjolekës, duke u thënë të vrarëve, pse u bëtë me prohirxhinë (bucelabërësin) nga që Gjolekajt kishin si zanat bërjen e bucelave.
Qaj mali me trëndelinë (Ref. unë a derëzeza)
Për Leskon e për Sadiknë
Ç’ju ngjiti me prohirxhinë
Me Gjolekë batakçinë.
Përgjigja vjen e menjëhershme po aty, nga një grua tjetër bolenase me refrenin e rrallë, Unë a derëzeza, që nuk di sesi mund të përkthehet në gjuhët e tjera të botës. Ajo i përgjigjet shoqes së saj, duke qarë me ligje:
Rri krushkë, se s’qave mirë (Ref.unë a derëzeza)
S’shahetë Gjonleka ynë
Trim që tundi Shqipërinë
Që në Berat e Janinë
Rri krushkë se mirë s’e qave
Gjonlekën shumë e shave
Gjonleka mos dektë kurrë
Po për turq, po për kaurë.
Dhe kështu ndodhi vërtet. Koha ikën e trimi i Kuçit afrohet edhe më, drejt pavdekësisë dhe lavdisë së përjetëshme. Gjithë Lumi i Vlorës e më tej në Gjirokastër e Tepelenë i këndojnë këngët e ngritura për të sot e kësaj dite. Kam dëgjuar shpesh grupet polifonike, djem të rinj e burra në moshë, të këndojnë këngët e Zenel Gjonlekës e Hodo Aliut. Edhe shkëmb ta kesh zemrën, është e pamundur të mos tronditesh, kur i dëgjon sesi këndojnë me forcë, dhimbje e krenari, me atë ison e papërsëritshme, herë si shushurimë valësh e rrëkezash, herë si cicërima bilbilash, shoqëruar me atë britmë-kujen burrërore, ‘’Hajde-deeeeeee’’. Të duket sikur trimat e atyre kryengritjeve sapo janë vrarë e të gjallët po e këndojnë këngën, për herën e parë.